“Pallati i ëndrrave”, ribotim në Beograd
Shkrimi është pasthënie e ribotimit të “Pallatit të ëndrrave” që këto ditë doli në Beograd, te botuesi Samizdat B92. Botimi i parë është publikuar më 1992 (I.Kadare, Pallata snova, Svjetlost, Sarajevo, përkthimi Shkëlzen Maliqi). Në botimin e ri janë bërë plotësimet dhe ndryshimet që në ndërkohë i ka bërë vetë autori, si dhe është bërë përshtatja variantit gjuhësor nga dialekti boshnjak në atë serb, si dhe një redakturë e tërësishme stilistike e përkthimit
Paraqitja e Ismail Kadaresë në letërsinë shqipe aty nga të gjashtëdhjetat dhe, veçanërisht, afirmimi i rrufeshëm i tij në botë, para se të kishte kuptuar gjë prej gjëje kritika letrare shqiptare, e cila ideologjikisht ishte më se “syhapur”, janë një çudi. Vërtet, qe e pakuptueshme dhe e çuditshme që në Shqipërinë staliniste, ku e tërë kultura ishte nën kontrollin ideologjik e në letërsinë sundonin kanonet soc-realiste, përnjëherësh, u imponua një shkrimtar me një të shprehur aq kontemporan, si Kadare.
Njashtu si i kaloi me lehtësi sinorët e letërsisë kombëtare dhe, të thuash, njëkohësisht ia doli që të përkthehet në gjuhët botërore, Kadare me një këso lehtësie i kalonte edhe të gjithë sinorët tjerë letrarë. Duke vepruar brenda një mileu letrar ideologjikisht më se rigjid, Kadare lozte me format duke gjetur secilën herë mënyra të reja e të “përdredhura” të rrëfimit që rrënonin kanonet dhe ishin të kontaminuar me elemente individualizmi qytetar, ndjesie tragjike mbi jetën, përhumbjeje pas vdekjes etj. Dhe, sikur e tërë kjo të mos mjaftonte lexuesi më i vëmendshëm në veprën e tij ka mundur t’i dallojë qartë disa linja stilistike të një “subversiviteti” shpirtëror madje edhe përmbajtësor më se të pazakontë, bile mund të thuhet edhe të rrezikshëm e gati vetëvrasës për mesin në të cilin Kadare vepronte si letrar.
Kadare ka studiuar letërsinë në Moskë asokohe kur atje vlerësohej lartë si stilist Heminguej, si dhe kishte analizuar letërsinë klasike dhe moderne ruse, që nga Gogoli e deri te Pasternaku. Romani i tij i parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në të vërtetë, qe një lloj rishtjellimi i temës gogoliane (gjenerali italian mbledh eshtrat e ushtarëve të rënë në luftë, respektivisht shpirtrat e vdekur), i një stili hemigueian (fjali e lehtë, e gdhendur dhe e tejdukshme që ka efektin e transparencës, por është edhe rezonancë shumë kuptimesh e porosish) dhe, gjë që në shikim të parë nuk vërehej, i një bizariteti bullgakovian dhe përhumbjeje pas heronjve negativë (dreqi dhe suita nga “Mjeshtri dhe Margarita” vizitojnë Moskën, kryeqytetin e komunizmit botëror, ndërkaq te “Gjenerali…” Shqipërinë socialiste, “kopshtin me lule të komunizmit botëror”, e vizitojnë gjenerali fashist dhe prifti, si mishërime të së ligës, por edhe si dëshmitarë padashës të anës tjetër të medaljes, të vrazhdë, të pa dystuar e të athët të realitetit shqiptar).
Që shkaku i romanit të parë Kadare pësoi kritika ideologjike, gjë që e bëri të përmbahet dhe të jetë më se i matur gjatë eksperimentimeve të tij të mëpastajmë, që i kishte për qejf. Leksionin më të madh e mësoi më 1966 kur, pas suksesit të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, mori zemër dhe e botoi “Përbindëshin”, novelën në të cilën motivin homerik të dinakërisë së pushtimit të Trojës u përpoq ta bëjë jashtëkohore, madje edhe bashkëkohore, duke e shndërruar kalin e drunjtë danajas në një përbindësh mekanik të epokës industriale e të totalitarizmit. Për kushtet e Shqipërisë një eksperiment i tillë ishte më se provokativ. Nëse kontrollorët ideologjikë të “Gjeneralit” i toleruan disi modernizmin e inovacionet e formës, ngase romani qe shkruar mbi bazën e një madhërimi patriotik të luftës nacionalçlirimtare dhe të fitores së komunizmit mbi fashizmin, novela “Përbindëshi” sipas formës së saj eksperimentale, konstruktivizmit utopik dhe porosive të mjegullta e ekuivoke, për ta qe krejtësisht e papranueshme. Libri qe i ndaluar dhe për shumë kohë i përjashtuar nga letërsia shqipe, e autori i saj u gjend në teh të një fushate të rreptë ideologjike. Vetëm falë rrethanave nuk e hëngri nata e nuk ra në burg. Më vonë Kadare, duke kujtuar atë periudhë, do të shënojë se pas ndalimit të “Përbindëshit” kishte përjetuar një krizë të thellë. Për shumë kohë qe ndier i thyer, edhe si shkrimtar edhe si artist, i humbur e i vdekur.
Shkrimtari i ri, plot vetëbesim dhe ambicie (2), u gjend ato vite para dilemës më të madhe jetësore e artistike: të ndërpresësh shkrimin e të heshtësh (siç bëri poeti më i madh modern shqiptar Lasgush Poradeci, i cili, për gati dyzet vjet të pushtetit komunist, nuk botoi një varg), ose të përkulësh kokën para ideologjisë dhe të bësh art sipas diktatit?(3)
Ishte edhe një mundësi: ikja nga Shqipëria dhe azili politik. Edhe atë mundësi Kadare e kishte shijuar njëfarësoj më 1962 në Pragë, kur me një delegacion kthehej nga Finlanda, por në çastin e fundit do të heq dorë, ndoshta meqë azili kishte kuptimin e hyrjes në një aventurë përplot të papritura e mbase edhe ndarja nga ambiciet letrare që ushqente. Ekziston shënimi autobiografik i këtij tundimi të Kadaresë: “Isha i mërzitur, por në mënyrë naive, nga diktatura. Më fyente dhe më bezdiste p.sh. stërvitja ushtarake çdo muaj, mbledhjet e pafundme, parullat si: ‘do të hamë bar por do të mbrojmë marksizëm-leninizmin’ etj. Por, mbi të gjitha këto, një qethje e mundimshme flokësh, për të cilën flitej shpesh e më shpesh, më dukej si fundi i botës.” Kadareja njëzetegjashtëvjeçar, tinëz do të shkëputet nga delegacioni dhe do të marrë dhomë në një hotel në Pragë. Ja që, dhoma që merr, do të jetë aq e keqe dhe e zymtë, si varr, saqë ai lemeriset e tutet, ndaj kthehet në hotelin ku ndodhej delegacioni, dhe ku mungimi tërëditor i tij, për fat, nuk do të vërehet. Këtë tundim të vetin Kadareja e komenton kësisoji: “Më pas, duke vrarë mendjen se çka do të ndodhte sikur të kisha ikur, duke menduar sidomos me tmerr se asnjë nga romanet e mija nuk do të ishte shkruar (në atë kohë kisha botuar vetëm dy-tri libra vjershash), gjithmonë jam torturuar nga ideja se sa të rastësishme janë gjërat në këtë botë, dhe se si ngushtësia e një dhome hoteli të ndërtuar njëqind vjet më parë, mund të ndikonte në letërsinë e një kombi në shekullin e ardhshëm. Kështu që nuk do të dukej e pabesueshme po të thosha se shpesh e kam bekuar arkitektin e panjohur çek, stilin e tij, varfërinë e mendjes ose ndoshta mediokritetin e tij, që e pollën të shëmtuar atë hotel.”(3)
Kadare, për fat, gjatë tundimeve të tilla, kishte zgjedhur të tretin, solucionin e kompromisit: vendosi të vazhdojë me shkrimin duke paguar haraç ideologjik, por edhe duke u përpjekur që letrarisht të ndahet sa më lirë. Ngaqë e sulmonin për nxirjen e realitetit shqiptar, dykuptimësi, mohimin e të arriturave të socializmit, shtjellimin e temave të pajetë, joaktuale e dekadente etj. etj., Kadare u detyrua në disa raste të përdorë metodat tashmë të njohura nga koha zhdanoviane të një “vetëkritike të sinqertë” ose të botimit të librave “pendestare”, në frymën e ikonografisë soc-realiste (p.sh. romanet “Dasma” ose “Nëntori i një kryeqytetit”, të botuara nga fundi i të gjashtëdhjetave). Mirëpo, disa nga librat që në të parë dukeshin më se aktuale e të angazhuar, madje edhe apologjike, si p.sh. “Dimri i madh” ose “Koncerti në fund të dimrit”, në të cilët Kadare kishte përpunuar literarisht çarjet politike të “miqësisë së amshueshme” mes Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik, dhe Shqipërisë e Kinës, nuk u pritën mirë. Përkundrazi. Versionin e parë të romanit “Dimri i madh” Kadare, shkaku i kritikave të ashpra, u detyrua që ta përpunojë rrënjësisht e ta përplotësojë, teksa “Koncerti” dhjetë vjet do të mbahet pezull për t’u botuar në vitin 1988. Në romanin “Dimri i madh” si një nga personazhet kryesorë paraqitet diktatori shqiptar Enver Hoxha, të cilin Kadareja na e portreton me dykuptimësi, me një ndriçim të dyfishtë: nga njëra anë si një nga personalitetet më të mëdha në historinë e popullit shqiptar (siç flasin për te në roman kori i lajkatarëve e i nazeqarëve të cilët e bindin se është “më i madh se legjenda nga betejat me turqit, i pamposhturi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”) e nga ana tjetër, natyrisht, në një formë tinëzare dhe përmes aluzioneve, si një uzurpator dhe diktator sedërtar, pushteti prej frike i të cilit është duke e ngulçuar Shqipërinë. Sidoqoftë, nga mesi i viteve të shtatëdhjeta, Kadare arriti një afirmim të tillë botëror saqë thuaja u lirua tërësisht nga nevoja e shpëlarjes ideologjike duke shkruar vepra të porositura. Fushata e fundit e madhe publike kundër tij ishte ajo me rastin e “Dimrit të madh” nga viti 1974, por atë, sipas disa dëshmive, e kishte ndërprerë vetë diktatori Enver Hoxha, duke i porositur ndjekësit që ta lënë rehat shkrimtarin. Që atëherë, Kadare u bë një institucion të cilin regjimi duhej ta toleronte, madje edhe t’i lajkatohej e t’i bënte naze. Ai vazhdoi të shkruante e të botonte libra “sipas kutit të vet”, “të çuditshëm”, madje “të rrezikshëm” edhe për regjimin edhe për klimën e kontrolluar shpirtërore, por si kundërçmim duhej të pajtohej që para botës të luante rolin e një avokati të nënkuptuar të regjimit, duke vepruar si një lloj ambasadori kulturor shqiptar. Kur u bë anëtar i Kuvendit e më vonë u zgjodh edhe nënkryetar i Frontit Popullor të Shqipërisë, në krye të të cilit ishte Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit, për Kadarenë nisi të flitej sesi qe bërë një me regjimin. Këtë kolaboracion, që për Kadarenë ishte më se i pakëndshëm dhe sigurisht i imponuar, ai në veprat e tij e kompensonte përmes një kritike gjithnjë e më të rreptë ndaj totalitarizmit. Vendosi një baraspeshë të tërthortë: sa më shumë që i lëshonte pe regjimit në jetë, aq më i pakompromis bëhej në planin letrar.
Nga fundi i viteve të shtatëdhjeta Kadare botoi romanin “Pashallëqet e mëdha” me temë historike, që shtjellonte fundin tragjik të Ali Pashë Tepelenës, i cili në fund të shekullit XVIII qe rebeluar kundër pushtetit qendror turk dhe plot njëzet vjet sundoi i pavarur pashallëkun e Janinës, ndërkohë që ai në të vërtetë shqiptarëve nuk u kishte sjell lirinë, por kishte vendosur një pushtet të brendshëm frike dhe një despotizëm oriental, të vocërr e grykës, i cili rrëmetin e shkelte më fort e më me dhembje se sa vetë pushteti turk. Paralelet me pushtetin prej frike të regjimit komunist të Enver Hoxhës ishin të pashmangshme. Historia fatkeqësisht përsëritej. Kuptohet, as ky, si edhe as ndonjë libër tjetër i Kadaresë, nuk mund të merret si ndonjë pamflet historik. “Pashallëqet e mëdha” ishte një vepër e arrirë artistike, vepër e shumëkuptimtë e përplotë shtresime, në të cilën përmbahej një rend i tërë dhe një botë për vete, me fantazmagori veçanërisht mbresëlënëse, me imazhe arketip e groteske nga një udhëtim tmerrësisht i gjatë i kokës së prerë të Ali Pashë Tepelenës, me ç’kokë gjatë tërë asaj Perandorie Llahtari udhëtonte edhe frika, duke u futur në çdo shpirt e çdo skutë, për të përhapur një anksiozitet të përgjithshëm…
Preokupimi me temat përplot anksiozitet njerëzor e zënie me një botë të kontrollit total e despotizmit, pak a shumë është prezent edhe në romanet tjera të Kadaresë të botuar asokohe dhe, njëfarëdore, përputhet me anksiozitetin e njëmendë që shkaktonte pushteti stalinist në Shqipëri ato vite, kur regjimi kishte bërë, njëra pas tjetrës, përndjekjet dhe spastrimet e mëdha politike.
Gjatë atyre viteve Kadare shkroi shumë dhe botoi shumë, sado që më vonë do të ankohet se ka shkruar “gjysmë i verbër nga trauma” (4) dhe asnjëri nga librat e tij nuk kishte dalë as afër asaj që kishte menduar fillimisht. Botoi, pos librave që përmendëm, këto romane e novela: “Kronikë në gur”, “Ura me tri harqe”, “Fundi i perëndive të stepave”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën”, “Pallati i ëndrrave”, “Viti i mbrapshtë”, “Dosja H”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Natë me hënë”, si dhe disa përmbledhje tregimesh, poemash, udhëpërshkrimesh e esesh.
Kryevepër e njëmendtë e këtyre librave është “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare ne një sistem të mbyllur despotizmi oriental, të mishëruar me Perandorinë Otomane, projekton një vizion të veçantë ferri në trajtën e një shteti totalitar në të cilin gjithçka është nën kontroll, deri edhe ëndrrat. Kadare në një shënim edhe vetë spikat strukturën infernale të “Pallatit të ëndrrave”: “Kishte kohë që më joshte projektimi i një ferri. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptian, Homerit, shën Agustinit, Dantes, të krijoja një projekt origjinal. Ndaj kur nisa të shkruaj “Nëpunësin e Pallatit të Ëndrrave’, ose më saktë, kur isha duke menduar kapitujt e mesit, me një hare e frikë njëkohësisht, pashë se pa dashur po realizoja ëndrrën e vjetër: në të gjithë strukturën e romanit tim, si një plan i dytë, spikaste skëterra. Sa më shumë e mendoja, aq më i qartë më bëhej: Ishte një lloj mbretërie e vdekjes, ku në mos në vete, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, pra, një pjesë e jona që gjendej ndërkaq matanë, në kohën që ne ndodheshim këtej. Të gjitha elementet e ferrit të grekëve të vjetër ishin aty: terri, squdhosja e trishtë e gjithçkajes, ngrirja e kohërave, ecja e tyre e mbrapshtë, mbetja në vend. Ishin aty makthet, përpëlitjet e ndërgjegjes, mungesa e shpresës. Por sidomos ishte një lloj shkallëzimi administrativ, sektorët nëpër të cilat kalonin, shoshiteshin e interpretoheshin ëndrrat, që e afronte edhe më shumë ngrehinën e Pallatit të Ëndrrave me strukturën e mëvonshme të ferrit dantesk. Pastaj ëndërrçuesit (çdo ferr ka pasur gjithmonë korrierët e vet që e mbushnin), si edhe arkivi me dosjet e pafundme, ku qe regjistruar gjithçka, e afronin atë me te gjitha ngrehinat infernale”.(5)
Botimi i “Pallatit të ëndrrave” në vitin 1981 i solli Kadaresë edhe një periudhë tundimesh të vështira, ndalesash për të botuar, si dhe një frikë të shtuar nga policia sekrete që zgjati disa vite. Sidoqoftë, ai vit duhet të ketë shënuar në brendinë e tij kthesën definitive dhe rebelimin. Shkrimtari që me 1966 kishte vendosur që t’i nënshtrohet aventurës së një azili të brendshëm, një azili letrar kundër diktaturës, përkundër humbjeve të kohëpaskohshme e vurratave, respektivisht faktit se herë-herë autocensurës dhe censurës t’ia flijonte madje 50% të ideve e të tekstit të shkruar, me atë shkëputje, kur diktatura u tregua e pafuqishime për t’iu hakmarrë, arsyetoj vendimin që kishte marrë dhe më në fund korri fitore, edhe letrare edhe njerëzore, mbi diktaturën. Vlerësimi sublim i mëpastajmë i asaj lufte gjigante spikatet në refleksionet e thukëta të Kadaresë nga libri i fundit i tij publicistik: “Por, ndryshe nga ç’mendohet shpesh, kohërat tragjike, atëherë kur diktaturat tërbohen, ato i shkojnë letërsisë. Diktatura dhe letërsia e vërtetë mund të bashkëjetojnë vetëm në një formë: duke gërryer ditë e natë njëra-tjetrën. Shkrimtari është armik natyral i diktaturës. Ai e lufton atë në çdo çast, dhe letërsia e vërtetë nuk mund të përfytyrohen veçse si dy bisha të egra që përfyten vazhdimisht. Por meqenëse kthetrat i kanë të ndryshme, edhe plagët ashtu i shkaktojnë: të ndryshme. Plagët që merr shkrimtari qëllon të duken të frikshme, ngaqë janë imediate. Kurse plagët që ai i shkakton diktaturës janë me veprim të ngadalshëm, por të tilla që nuk shërohen kurrë…”(6)
Mirëpo, kjo luftë gjenetike kundër diktaturës te Kadare nuk nënkupton përçudnimin e letërsisë në diçka tjetër, ta zëmë në një mjet promocioni politik. Se këto dy gjëra nuk duhet ngatërruar, Kadare qartazi u bën me dije në vjeshtën e vitit 1990 kur, papritmas, kërkon dhe fiton azil politik në Francë. Shumë komentatorë, askohe, azilin e Kadaresë e kuptuan si gjest me të cilin shkrimtari i madh po zinte trenin e fundit për t’u distancuar nga regjimi stalinist në Shqipëri, para se të jetë shkatërruar i tëri. Me këtë ikje Kadare për një kohë u gjend në qendër të vëmendjes politike, duke u bërë njëri nga pjesëmarrësit e atij transformimi të habitshëm, të madh e të beftë, të regjimeve totalitare në Evropën Lindore e në Ballkan. Dukej sikur edhe ai po bashkërenditet në atë rebelim ngadhënjimtar intelektualësh të Evropës Lindore dhe, siç pandehnin disa, me ambicie politike, për ta iniciuar rebelimin e hapur në vendin e vet pas të cilit i, por si shkrimtari Fan Noli në vitin 1924, do ta merrte rolin e udhëheqësit të revolucionit demokratik në Shqipëri. Mirëpo, kishte edhe të tillë që disidentin e fundit letrar nga vendet staliniste e tregonin me një optikë negative, duke bërë pyetje: përse Kadare iku aq me vonesë, tek u bë e qartë se regjimi shqiptar po i numëron ditët e fundit të veta, duke i kujtuar me sarkazëm, disa privilegje e nderime që gëzonte në atë regjim? Edhe më sarkastik e përçmues ishin komentatorët që azilin e tij e kuptonin si një gjest të rëndomtë reklamues të njërit nga kandidatët më seriozë për Çmimin e Nobelit për letërsi.
U desh të kalojnë disa muaj për t’u bërë e qartë se Kadare, në thelb, sërish kishte marrë azil letrar e jo politik, respektivisht, ambiciet e tij sërish dolën letrare e jo politike, sado që vula e jashtme e tyre kishte spikamë politike. Kadare, përkundrazi, ikte nga ai “predestinim” politik i cili në vendin e tij, por edhe në botë, ia kishte përcaktuar rolin e një Haveli shqiptar, ngase ishte i pari që kishte nisur fushatën, edhe letrare edhe publicistike, kundër diktaturës e për themelimin e institucioneve demokratike dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Shqipëri.
Kadare, gjithandej, vetën e konsideronte në radhë të parë shkrimtar. Dhe vetëm si i tillë dhe aty shihte se është me një relevancë politike për vendin e tij. Andaj porosiste: “Vendimi për të lëshuar vendin tim është rrjedhim logjik i asaj që unë mbrojta në veprën time.” Me këtë qarku i azilit letrar të tij mbyllej.
Korrik 1991 / Korrik 2016
Shënime:
(1) Shkrimi është pasthënie e ribotimit të “Pallatit të ëndrrave” që këto ditë doli në Beograd, te botuesi Samizdat B92. Botimi i parë është publikuar më 1992 (I.Kadare, Pallata snova, Svjetlost, Sarajevo, përkthimi Shkëlzen Maliqi). Në botimin e ri janë bërë plotësimet dhe ndryshimet që në ndërkohë i ka bërë vetë autori, si dhe është bërë përshtatja variantit gjuhësor nga dialekti boshnjak në atë serb, si dhe një redakturë e tërësishme stilistike e përkthimit.
(2) Kadare synonte që të bëhet hiq më pak se Homeri shqiptar. Pra, ai nuk vuante aspak nga modestia. Përkundrazi, për vetën mendonte se është gjeni që e ka një mision të jashtëzakonshëm kombëtar.
(3) Ismail Kadare. Nga një dhjetor në tjetrin, Fayard, Paris 1991, 76-79.
(4) Ismail kadare, Ftesë në studio, Rilindja, Prishtinë, 1990, 121.
(5) Vepra e cit., 47-48.
(6) Ismail Kadare, Nga një dhjetor në tjetrin, Fayard, Paris 1991, 8-9.