Albspirit

Media/News/Publishing

A i shërben rritja e rrogës së gjyqtarëve luftës kundër korrupsionit?

Nga Carlo Alberto Rossi

Në çdo vend dhe në çdo kohë kur flitet për të luftuar korrupsionin gjithmonë recetat e sugjeruara përfshijnë rritjen e shpërblimit për funksionarët publikë në fushën përkatëse.

Vetë funksionarët e prekur gjithmonë lënë të nënkuptohet se ata nuk paguhen mjaftueshëm për t’i rezistuar joshjes ndaj korrupsionit. Dhe, gjithmonë, këshilltarët e thirrur për të gjetur një zgjidhje për korrupsionin, si gjë të parë propozojnë të paktën dyfishimin e pagave, duke e shoqëruar këtë, gjithmonë, me plane të ndërlikuara për të shmangur çdo lloj takimi mes të korruptuarit dhe korruptuesit të mundshëm,—plane që shpeshherë arrijnë deri në sajesa qesharake.

Këtë lloj qasje e kemi dëgjuar shumë herë edhe në Shqipëri, për doganierët, tatimorët, politikanët, dhe sot po e dëgjojmë edhe për gjyqtarët dhe prokurorët./exit.al

Në fakt qeveria, me ndihmën e këshilltarëve evropianë të ardhur nga vendet e zhvilluara (dhe për këtë arsye të paguar shumë) po miraton një sistem të ri pagash për magjistratët, i cili do t’u sigurojë atyre paga dhe pensione në nivele të pazakonta për kushtet e vendit, mbi të gjitha në shpërpjesëtim me të gjitha pagat e pensionet e nëpunësve të tjerë publikë.

Por edhe nëse qeveria dhe Kuvendi do t’u japin gjykatësve këto paga të majme, si do të mund të kënaqin kërkesat për rritje page, tashmë të justifikuara, për të gjitha kategoritë e tjera të nëpunësve publikë në rrezik korrupsioni?

Gjithsesi, pyetja e vërtetë është nëse jemi të sigurtë se rritja e pagave të funksionarëve publikë do ta ulë korrupsionin, apo ndoshta duhet edhe diçka më shumë, që përfshin në një nivel më të thellë të gjithë shoqërinë, për të përcaktuar një kufi etik të dallueshëm dhe të pranuar nga të gjithë?

Përpjekjet për të ulur korrupsionin në sistemin e drejtësisë ngrenë disa pyetje të sikletshme, të cilat sistemi ynë shoqëror e kulturor ka vendosur prej shumë kohe të mos i ballafaqojë:

– Një gjykatës i cili udhëton 200 herë brenda një viti në klasin biznes e bën këtë gjë sepse është i uritur?

– Si mund të paguajmë më shumë gjyqtarët dhe shumë më pak policët apo tatimorët apo mjekët?

– A mund të luftohet korrupsioni thjeshtë me para—nëse i paguajmë më shumë, a do të zhduket korrupsioni?

– Nëse është kështu, a nuk duhet që shpërblimi për një punë të jetë në përpjesëtim me rrezikun e korrupsionit?

– Në fund të fundit, çfarë është korrupsioni?

Përcaktimi më i përgjithshëm është se korrupsioni është keqpërdorimi, abuzimi moralisht apo ligjërisht i një funksionari publik me detyrën për përfitime private, para apo përfitime të tjera. Pra, funksionari publik në këmbim të një të mire private ndërmerr një veprim që shpërdoron detyrën e tij në favor të një pale tjetër.

Kur flasim për abuzim ligjor e moral diskutimi ndërlikohet, pasi në sistemet shoqërore të bazuara krejtësisht mbi dinamikën e interesave materiale dhe jo mbi parime morale është pikërisht shkëmbimi ekonomik që përbën bazën e të gjitha marrëdhënieve. Kjo do të thotë se në këtë lloj shoqërie, të gjitha marrëdhëniet shoqërore janë të njëjta me marrëdhënien që qëndron në themel të korrupsionit dhe si rrjedhojë, në këto lloj shoqërish sjellja korruptive ka gjasa të shumta.

Çfarë do ta bënte më pak të mundshme? Dy antitrupa të njohur: turpi dhe frika. E para, kërkon transparencë, e cila do të mundësonte njohjen dhe nxjerrjen në pah të sjelljeve shoqërisht të dënueshme; dhe një sistem vlerash të përbashkëta që do të bënte që pagesat korruptive të konsideroheshin të turpshme nga të gjithë —ndërkohë që tek ne ato përgjithësisht shikohen më së shumti me zili.

Antitrupi i dytë, frika mbetet e vetmja mënyrë e mundshme për të ulur mundësinë e shkëmbimit korruptiv. Nëse i korruptuari do të kishte frikë se për shkak të veprimit korruptiv mund të humbiste diçka të rëndësishme—pasurinë, nderin, lirinë—do ta ndryshonte vlerësimin e tij për leverdinë e shkëmbimit. Por për të pasur frikë duhet një kontroll efikas dhe një pushtet i aftë që të ndëshkojë ata që zbulohen për sjellje korruptuese.

Pra, nëse ka një sistem kontrolli, gjykimi dhe ndëshkimi atëherë ai që përfshihet në sjellje korruptive ka diçka për të humbur, por nëse nuk ekziston sistemi i kontrollit nuk ka asnjë rëndësi sanksioni që mund të merret kundër tij, pasi mungesa e kontrollit do të thotë praktikisht mungesë dënimi.

Më konkretisht, nëse nuk ka një sistem kontrolli, nuk ka asnjë vlerë fakti që një gjykatës do të paguhet disa mijëra euro, pasi narkotrafikantët janë në gjendje t’i ofrojnë qindra mijëra euro për favorizim të tyre dhe nëse mundësia e zbulimit është zero fitimi nga korruptimi është mijëra herë më i madh se rroga dhe kostoja praktikisht zero.

I vetmi aspekt pozitiv i rritjes së pagave dhe shpërblimeve mund të jetë në lidhje me rastet e korrupsionit të vogël, por sigurisht jo për korrupsionin e madh që mund t’i ofrojë të korruptuarit përfitime shumë më të mëdha.

Jeta luksoze e shfaqur haptazi në publik nga familjarë të funksionarëve të lartë publikë të mirë paguar (edhe më shumë sa do paguhen nesër gjykatësit) dëshmon se as turpi dhe as rroga e lartë nuk janë garanci për të shmangur korrupsionin.

Të gjithë bien dakord se një gjykatës, sikurse çdo funksionar i nivelit të lartë, duhet të ketë mundësi që të jetojë mirë, madje edhe më shumë se mirë, dhe të ketë sigurinë e nevojshme për vete dhe familjen e tij. Çështja, veçanërisht në një shoqëri të babëzitur për luks si në Shqipëri, është cili është “niveli i përshtatshëm” i mirëqenies.

Në kohë të tjera dhe në sisteme të tjera, një pjesë e nevojave të funksionarëve të lartë përmbushej me përfitime jo materiale, të tilla si prestigji shoqëror apo privilegje të caktuara shoqërore, por në një vend i cili i mbush institucionet më të larta të tij me banditë dhe ku adhuron edhe hajdutët më të mëdhenj vetëm sepse janë të pasur, stimuj të tillë jo materialë zor se do të funksionin.

Në këto kushte, e vetmja rrugë e mundshme është ajo e frikës, e cila kërkon, mbi të gjitha, një sistem verifikimi dhe më pas ndëshkimi vërtetë të besueshëm dhe të rreptë. Moskorruptimi i një sistemi të tillë nuk mund të përftohet vetëm me para apo me sajesa të ndërlikuara institucionale.

Ajo që duhet është përjashtimi shoqëror, dënimi shoqëror, përbuzja kolektive e sjelljes, e cila mund të ndezë turpin; dhe turpi mund të jetë edhe leva për të ndryshuar sjelljen politike; por kjo do të kërkonte një punë edukuese të vrullshme dhe në çdo qelizë shoqërore, në të gjitha nivelet e shoqërisë, e mbështetur nga një klasë politike me vullnet të sinqertë dhe më pak e korruptuar se kjo e sotmja.

Përndryshe politika do ta gjejë gjithmonë mënyrën për t’u dakordësuar në heshtje me magjistraturën, duke harruar me dashje transparencën në administratën publike: transparenca në fakt është e vetmja mburojë ndaj sistemit të korrupsionit, e shmangur me hile të ulëta si privatësia—e thirrur në ndihmë nga pseudo- gjykatës—apo tezat e qëllimshme shkatërruese “nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, po është sistemi që korrupton njerëzit”.

Por një gjë e rëndësishme dhe e anashkaluar në projektin e reformës në drejtësi është ajo e pasurisë së vendosur nga i korruptuari në rast të dënimit të tij: ajo duhet konfiskuar e gjitha, pa asnjë verifikim të prejardhjes së vërtetë, së bashku me heqjen e pensionit të privilegjuar dhe privilegjeve të tjera të subjektit të dënuar.

Rritja e dënimit, edhe pse nuk mjafton, ndonjëherë ndihmon.

Please follow and like us: