Deputetët që nuk e kanë folur në Kuvend
Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) dhe databasewww.politike.al vijojnë të publikojnë statistika mbi aktivitetin parlamentar janar – korrik 2016. Sot prezantohen të dhënat mbi deputetët që nuk kanë marrë pjesë në debatin e seancave plenare përgjatë 7 muajve. Referuar të dhënave zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë rreth 35 deputetë (1 prej tyre me mandat edhe ministror) nuk folën në asnjë nga 27 seancat parlamentare të periudhës janar – korrik 2016. Referuar të dhënave sipas partive politike, nga PS rezultojnë folës 47 deputetë, jo folës 19 deputetë. Nga PD rezultojnë folës 38 deputetë, jo folës 7 deputetë. Nga LSI figurojnë folës 13 deputetë dhe jo folës 7 deputetë. Shifra në raporte 1:2 gjenden edhe tek partitë e vogla parlamentare.
Nga deputetët që nuk folën në asnjë seancë, bien në sy dy kategori: një grup politikanësh me karrierë të gjatë parlamentare dhe politike majtas e djathtas, si dhe një grup biznesmenësh lokalë, prurje të reja në zgjedhjet 2013 nga listat shumëemërore të partive. Në kategorinë e parë evidentohen emra si B.Fino apo N.Dokle (PS), A.Imami apo G.Bogdani (PD), M.Kryemadhi apo V.Tavo (LSI), etj. Në pjesën tjetër të listës bien në dy emra të njohur për publikun, si biznesmenët Abazi, Kosta, Doshi, Cara e Ylli (PS), Selami, Çela apo Shehu (LSI), Tahiri, Kruja apo Bzheta (PD), Rakipi (PDIU) apo Duka (PAA), etj.
Një pjesë e tyre e vogël kanë pasur aktivitet në komisionet përkatëse parlamentare, por pjesa më e madhe nuk figurojnë aktiv as në këto komisione, pra nuk figurojnë aktiv në dy komponentët kryesorë të jetës parlamentare, – në komisione dhe në seancat plenare. Gjithsesi ata figurojnë votues të rregullt sipas linjës politike dhe disa prej tyre kanë bërë headline në media me kritika apo qëndrime politike adresuar partive të tyre ose skandaleve / ngjarjeve të ndryshme.
Ajo që e bën më interesante këtë listë është fakti se rreth 50% e tyre e kanë siguruar mandatin parlamentar në formë preferenciale për shkak të njohjes, raporteve apo besimit personal të liderit politik në partitë e tyre. Kjo do të thotë, se kjo pjesë e listës, rreth 15-17 deputetë, presin të konfirmohen në listat proporcionale të partive respektove edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kryesisht për shkak të raporteve personale me liderit ose për shkak të kontributeve financiare në fushatat elektorale. Shumica e tyre kanë mandate të dyta parlamentare, pra kanë përvojën dhe fakti që nuk i kushtojnë rëndësi fjalimeve, do të thotë, njohin rrugët efektive të karrierës, pavarësisht kontributit dhe përgjegjësive publike.
Lista e deputetëve “memecë” në parlament nuk ka ndonjë vlerë juridike dhe as nuk simbolizon gjithçka që lidhet me aktivitetin parlamentar të një deputeti. Ndodh që deputetë shumë aktiv në parlament të mos japin realisht kontribute publike, siç ndodh që deputetë shumë pasiv në parlament, të jenë figura të respektuara në komunitetet e zonat e tyre zgjedhore, pra të mos cenohen nga statistikat parlamentare. Me siguri, për disa emra ky shpjegim vlen edhe në këtë rast.
Gjithsesi, lista e nxjerr një pah një problem të madh me përfaqësimin politik dhe parlamentar, – pjesa më aktive në parlament janë pjesa më militante e parlamentit, pjesa më pak aktive janë biznesmenët, financuesit e fushatave elektorale, pra indirekt, financuesit e pjesës militante me më shumë fjalime në parlament. Në dy rastet mungon koncepti i të bërit politikë, si risi për shoqërinë dhe qytetarët, si cilësi në përfaqësim dhe në ide, si përgjegjësi ndaj zgjedhësve dhe shansit personal historik.