Albspirit

Media/News/Publishing

Dokumentet e CIA, më 1951 amerikanët ishin kundër copëtimit të Shqipërisë, frikë për një përplasje me Greqinë e Jugosllavinë, ja pozicioni që do mbante Britania në rast lufte dhe tentativat për të qetësuar marrëdhëniet me fqinjët

Dokumentet e CIA, më 1951 amerikanët ishin kundër copëtimit të Shqipërisë, frikë për një përplasje me Greqinë e Jugosllavinë, ja pozicioni që do mbante Britania në rast lufte dhe tentativat për të qetësuar marrëdhëniet me fqinjët

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i trembeshin një lufte të re në Ballkan, gjatë vitit 1951 dhe për këtë arsye nisën të kufizonin lëvizjet për rrëzimin e regjimit komunist. Në disa dokumente të deklasifikuara ekzistonte frika se Greqia dhe Jugosllavia mund të kërkonin më pas copëtimin e Shqipërisë dhe për këtë arsye, para se të vijohej me planin për rrëzimin e regjimit, CIA nisi negociatat me vendet fqinje për të parandaluar çdo lloj përplasje në Ballkan. Po ashtu u kërkua që Britania e Madhe të ishte në një linjë me SHBA, për të parandaluar rreziqet. Nga ana tjetër jepen detaje mbi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, ku thuhet se mijëra shqiptarë stërviteshin atje me qëllim rikthimin në Shqipëri si agjentë kundër regjimit.

Qershor 1951, Politikat bazë – Departamenti i Shtetit

Memorandum

Një memorandum britanik, më datë 20 qershor 1951, ngrinte çështjen e statusit të ardhshëm të Shqipërisë dhe veprimin e duhur për t’u marrë nga Shtetet e Bashkuara e Britania, veçanërisht në lidhje me mundësinë e shembjes së regjimit të brendshëm apo të një prishjeje të mundshme të paqes në Ballkan, si rezultat i një agresioni sovjetik ose të vendeve të Comiform.

Pozita e SHBA mbi pavarësinë e Shqipërisë

SHBA vazhdon të ketë si objektiv ruajtjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe miqësor ndaj Perëndimit. Çdo politikë që ka si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë apo ndarjen mes Jugosllavisë e Greqisë, nuk do të mbështetet. Arsyet kryesore për këtë janë si më poshtë: Populli shqiptar ka një karakter të tijin dhe ndjenja të forta për pavarësinë. Për më tepër, ai ka qenë një vend, të paktën nominalisht i pavarur që prej vitit 1912. E drejta e shqiptarëve për të qenë të pavarur është njohur dhe mbështetur në shumë deklarata publike të qeverisë së SHBA, dhe gjithashtu nga Britania. Nëse nuk do të kishte një Shqipëri të pavarur, nuk duket se ka tjetër mënyrë për zgjidhjen e konfliktit territorial mes Jugosllavisë, Greqisë e Italisë në këtë zonë strategjike, e cila prek sigurinë e të trejave. Asnjë prej këtyre shteteve nuk do të mbështesë vendosjen e influencës së rivalëve të tyre në këtë rajon, dhe asnjë marrëveshje për ndarjen nuk ka gjasa të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme. Dorëzimi i Shqipërisë te një apo më shumë vende fqinje do të mbjellë farën e problemeve minoritare që mund të minojnë sigurinë e rajonit.

Veprimet diplomatike

Mbështetja që i kemi dhënë Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare. Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan.

Qeveria e SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë. Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt një vendi të lirë e të padominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen mes qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore. Por edhe mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në një njësi më të madhe federale, duhet të mbahen në konsideratë. Një federatë e tillë duhet të jetë të paktën ballkanike dhe jo marrëveshje me Jugosllavinë apo Greqinë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të inkurajohet një marrëveshje federale me Jugosllavinë, derisa vendi të bëhet më i pajtueshëm me idealet Perëndimore.

Pikëpamjet amerikane në lidhje me propozimet britanike

Mesa duket, qeveria britanike nuk është e gatshme, ashtu siç nuk janë të gatshëm edhe SHBA, për të marrë masa ushtarake për neutralizimin e Shqipërisë në rast të një sulmi sovjetik mbi Jugosllavinë, edhe pse kjo nuk përjashton përdorimin e mjeteve jo-konvencionale. Nëse në kohën e një sulmi të tillë Shqipëria do të përbënte rrezik dhe kërcënim për Jugosllavinë e Greqinë, Shtetet e Bashkuara pranojnë se mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje ushtarake, ndoshta e pjesshme në Shqipëri, nga ana greke apo jugosllave, duke u siguruar për një mospërhapje të konfliktit mes fqinjëve dhe për natyrën e përkohshme të veprimit. Por Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë veprime të tilla në kohën aktuale, prandaj kërkojnë politika të mosndërhyrjes nga grekët e Jugosllavët. Nga memorandumi britanik nuk ishte e qartë nëse qasja e këtyre të fundit ishte për të ardhmen e afërt apo për skenarin kur grekët dhe jugosllavët të kenë dërguar misione ushtarake në Shqipëri. Për të nxitur grekët dhe jugosllavët të mos ndërhyjnë në Shqipëri duhen marrë garanci mosndërhyrjeje nga të dyja palët, si dhe duhet diskutuar në linja të tjera duke ulur vlerën e argumenteve të tyre mbi efektivitetin e një ndërhyrjeje të mundshme.

Sugjerime të Shteteve të Bashkuara

Duke besuar se është e papërshtatshme të kërkojmë tani të dhëna mbi qasjen e grekëve apo jugosllavëve për një ndërhyrje të mundshme në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara kanë një plan veprimi mbi objektivat e pranuara nga SHBA dhe Britania, për të evituar situatat që mund të bëjnë të mundshëm ndërhyrjen ushtarake të Greqisë apo Jugosllavisë. Siç u theksua më sipër, SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe përpjekjeve të tjera, do të jetë për një Shqipëri të lirë miqësore me Perëndimin. Vështirësia kryesore në punën drejt këtij objektivi, e veçanërisht për situatën pas eliminimit të pushtetit sovjetik në Shqipëri, mbeten qëllimet konfliktuese mes Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë, si dhe frika e dyshimet e tyre për njëri-tjetrin. Shumë mund të përfitohet nëse ato sigurohen se asnjë prej rivalëve nuk do të fitojë një pozitë privilegji në Shqipëri. Rrjedhimisht, ne propozojmë se në kohën e duhur SHBA dhe Britania të rrisin shanset e tyre të suksesit duke marrë nga tre vendet fqinje deklaratat përkatëse se vendet nuk kanë pretendime dhe se njohin të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, me institucione të zgjedhura prej tyre vetë. Do të ishte e dëshirueshme që deklarata të tilla të përfshinin dorëheqje nga pretendimet përkatëse të secilit vend, edhe diçka e tillë do të ishte e vështirë të merrej nga Greqia. Me konfirmimin e zotimeve të mësipërme nga tre fqinjët dhe me mbështetjen e SHBA, Britanisë e mundësisht Francës, eliminimi i kontrollit sovjetik në Shqipëri dhe krijimi i Shqipërisë së pavarur do të kishte sukses.

Konflikti në Ballkan

Përdorimi i mjeteve jo-konvencionale për momentin është i kufizuar prej natyrës eksplozive të konfliktit dhe situatës në Ballkan, pasi një shqetësim parësor është evitimi i provokimeve që mund të prishin balancat delikate mes luftës e paqes në këtë rajon. Por gjithsesi duket se ka vend për veprime të kujdesshme nga ana e SHBA, që nuk do të prishnin balancat e pushteteve dhe që mund të vendosin struktura paraprake për veprim të mëtejshëm në kohën e duhur. Mendohet gjithashtu se mund të ndërmerret veprim i diversionit klandestin kundër lëvizjeve sovjetike në vende të tjera, siç ishte aneksimi i Burmës. Propozohet vazhdimi i aktiviteteve aktuale, me pikësynim përgatitjen e pozitës së përshtatshme për organizim dhe përgatitje si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me sugjerimet e mësipërme, SHBA pranon se dy hapat e parë të memorandumit britanik duhet të kryhen nëse dhe në kohën kur nisja e konfliktit në Ballkan është e pashmangshme. Në rast të ndërhyrjes së Jugosllavisë dhe Greqisë në Shqipëri, SHBA duhet gjithashtu të marrë pjesë ushtarakisht në ndërhyrje, për të siguruar dhe për të ushtruar presion të fortë kundër një konflikti mes tyre, si dhe për të siguruar që ndërhyrja të jetë e përkohshme.

SHBA pranon sugjerimin britanik për komunikimin me tre fqinjët shqiptarë, duke i siguruar se asnjë fuqi e huaj nuk do të lejohej të merrte një pozitë të privilegjuar në Shqipëri pas rënies së regjimit aktual, dhe se vendet fqinje do të konsultoheshin për pushtetin e ri demokratik që do të vendoset. Në lidhje me “streset e brendshme”, britanikët duket se i referohen lëvizjeve subversive që nuk janë nxitur nga jugosllavët. SHBA beson fuqimisht se në rast të tillë, SHBA dhe Britania nuk duhet të lejojnë që Jugosllavia të përgatitet të zëvendësojë regjimin sovjetik në Shqipëri me një regjim titist. Duhet të bëhen të gjitha presionet diplomatike për të theksuar se karakteri i regjimit të ri në Shqipëri do të jetë objekt konsultimesh të ngushta mes të gjithë palëve të interesuara si SHBA, Britania, Italia, Greqia e Jugosllavia.

Synimet

Lëvizjet e sugjeruara në paragrafët e mësipërm kanë si qëllim marrjen e garancive nga Jugosllavia, Greqia e Italia, se nuk pretendojnë një pozitë superiore në Shqipëri dhe nga ana tjetër se asnjë fuqi e huaj nuk do të bëjë këtë, gjë që mund të arrihet shumë më mirë nga veprimi i përbashkët shumëpalësh dhe jo vetëm nga SHBA e Britania. Nëse NATO do të konsiderojë mbrojtjen e Jugosllavisë si një mënyrë për trajtimin e situatës, atëherë duhet të veprohet sipas sugjerimeve të saj për problemin shqiptar. SHBA mirëpret komentet e Britanisë mbi çështjen, edhe pse nuk pritet të ketë ndryshime idesh pas konsultimeve të kryera mes Departamentit të Shtetit dhe degës CJS të CIA. Mendimet konsiderohen si projekte dhe jo një plan veprim i aprovuar.

Korrik 1951, Marrëdhëniet Shqipëri – Jugosllavi

1.         Problemi

a)         Parandalimi i marrjes së Shqipërisë nga jugosllavët apo i ndarjes së saj nga jugosllavët e grekët

b)         Nëse kushtet e lejojnë, çlirimi i Shqipërisë nga kontrolli i Cominform dhe ardhja në fuqi e një regjimi pro-Perëndimor, pa rrezikuar sulme hakmarrëse nga Cominform mbi Jugosllavinë

2.         Fakte me rëndësi për problemin

a)         Kontrolli i Shqipërisë nga Cominform po bëhet gjithnjë e më i dobët

(1)        Pakënaqësia publike është gjtihnjë e më e përhapur

(2)        Kushtet ekonomike po përkeqësohen shpejt

(3)        Në zona të izoluara duket se kanë shpërthyer revolta

(4)        Shtetet e tjera të Cominform janë të izoluara nga rrugët tokësore me Shqipërinë, që prej dezertimit të Jugosllavisë, prandaj siguria e shtypjes psikologjike dhe e afërsisë së ushtrive të Cominform është me e pakët në Shqipëri sesa në vende të tjera komuniste

b)         Jugosllavia po përgatitet seriozisht për ndërhyrje ushtarake në Shqipëri

1)         Një ushtri çlirimtare shqiptare e sponsorizuar nga Jugosllavia është krijuar në afërsi të kufirit shqiptar

2)         Rreth 100 grupe rezistence të sponsorizuara nga Jugosllavia janë aktualisht në veprim në Shqipëri.

3)         Besohet se nga 2000 deri në 4000 shqiptarë po marrin stërvitje paramilitare në kampe ushtarake në Jugosllavi

4)         Jugosllavia ka lëshuar mbi Shqipëri të paktën një broshurë ku nxit rezistencën popullore kundër regjimit.

c. Jugosllavia tashmë njihet publikisht që merr ndihmë ushtarake dhe ekonomike nga SHBA dhe qarkullojnë zhurma se Jugosllavia ka marrë dorë të lirë nga SHBA për pushtimin e Shqipërisë dhe zëvendësimin e qeverisë komuniste me një qeveri pro-jugosllave.

d. Disa sinjalizime tregojnë për një marrëveshje të mundshme mes Jugosllavisë e Greqisë për ndarjen e Shqipërisë mes tyre. Por edhe sikur një marrëveshje e tillë të mos ekzistojë, nëse Jugosllavia ia del me sukses të përmbysë regjimin në Shqipëri, kjo detyrimisht do të sillte ndarjen e vendit mes saj dhe Greqisë

c. Populli shqiptar, i cili kundërshton regjimin komunist, do të preferonin asistencë Perëndimore për ndryshimin e regjimit, në vend të ndërhyrjes greke apo jugosllave.

Operacionet aktuale amerikane e britanike nuk kanë pasur suksesin e mjaftueshëm në krijimin e një organizate të vetme rezistence. Por deri në fund të verës mund të rezultojë që aktivitetet të forcojnë thelbin e një rupi rezistence.

Konkluzione

Jugosllavia nuk merakoset shumë për shkaktimin e një sulmi sovjetik në rast ndërhyrjeje, të hapur apo klandestinë në Shqipëri. Nëse Cominform nuk e sulmon Jugosllavinë deri brenda vitit që vjen, ka mundësi që pa ndërhyrjen e SHBA, vetëm aktivitetet jugosllave në vend, si dhe përkeqësimi i situatës ekonomike, të sjellin shembjen e regjimit aktual, e rrjedhimisht ardhjen e një qeverie të sponsorizuar nga Beogradi apo ndoshta ndarjen e Shqipërisë mes fqinjëve.

Në rast të tillë, Cominform nuk do të ndërhynte, vetëm në rast se ka vendosur për likujdimin e regjimit të Titos, pa pasur lidhje nëse Shqipëria kërcënohet apo jo. Një përmbysje e mundshme e regjimit në Shqipëri do të merrej nga Evropa si dhënie e dorës së lirë ndaj Jugosllavisë për eliminimin e regjimit komunist në Shqipëri me aprovimin dhe ndihmën e SHBA. Një mendësi e tillë do të kishte efekte të dëmshme në grupe të ndryshme të rezistencës në vende të tjera të Evropës Lindore, ku zhvillimet do të interpretoheshin si një skenar i Shteteve të Bashkuara.

Eliminimi i regjimit aktual në Shqipëri do të ndihmonte nga ana tjetër për inkurajimin e lëvizjeve të tjera të rezistencës në vende satelite sovjetike, duke u bërë një provë e lëvizjes së suksesshme klandestine për përmbysjen e një regjimi komunist. Për arsye të simpative të Perëndimit me zyrtarët shqiptarë, do të ishte më i thjeshtë organizmi i një grushti shteti në Shqipëri me elementë amerikanë, ndoshta me më pak personel sesa një tentativë jugosllave. Besohet se në rrethana të caktuara, një revoltë e suksesshme mund të nisej nga SHBA, duke hyrë nga jashtë vendit me 1000 deri në 2000 njerëz. Një operacion stërvitjeje me 1000 deri në 2000 shqiptarë mund të krijohet në Gjermani nën mbulimin e kompanive të gardës, me kosto relativisht të vogla.

Rekomandime

Operacionet aktuale të SHBA që kanë si qëllim të krijojnë lëvizje rezistence, do të zgjerohen në mënyrë jo-provokuese si për shqiptarët ashtu dhe jugosllavët. Qeveria jugosllave do të këshillohet që aktivitete të tilla nuk shihen me sy të mirë nga SHBA, dhe nëse vazhdojnë pozita e SHBA në lidhje me Jugosllavinë do të rishikohet e mundësisht do të ndërpritet. Nëse jugosllavët do të vazhdojnë operacionet e tyre në Jugosllavi, të bëhet e qartë se SHBA do të kryejë operacione edhe më të fuqishme për të ndaluar një dominim të Shqipërisë nga Jugosllavia.

Kapacitet e SHBA do të zgjerohen menjëherë duke shtuar njësitë e gardës shqiptare në Gjermani deri në 1000 njerëz, të cilët do të stërviten si paramilitarë dhe si njësi guerile në të ardhmen. Armë të mjaftueshme për 10 000 njerëz do të grumbullohen në vendet e Mesdheut dhe ndihmë ajrore klandestine do të jepet deri në mbështetjen e suksesshme të operacionit. Për këtë plan do të kërkohet bashkëpunimi i qeverisë britanike.

SHBA vazhdon të ketë si objektiv ruajtjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe miqësor ndaj Perëndimit. Çdo politikë që ka si qëllim zhdukjen e pavarësisë së Shqipërisë apo ndarjen mes Jugosllavisë e Greqisë, nuk do të mbështetet. Arsyet kryesore për këtë janë si më poshtë:

Populli shqiptar ka një karakter të tijin dhe ndjenja të forta për pavarësinë. Për më tepër, ai ka qenë një vend, të paktën nominalisht i pavarur që prej vitit 1912…

Përdorimi i mjeteve jo-konvencionale për momentin është i kufizuar prej natyrës eksplozive të konfliktit dhe situatës në Ballkan, pasi një shqetësim parësor është evitimi i provokimeve që mund të prishin balancat delikate mes luftës e paqes në këtë rajon. Por gjithsesi duket se ka vend për veprime të kujdesshme nga ana e SHBA, që nuk do të prishnin balancat e pushteteve dhe që mund të vendosin struktura paraprake për veprim të mëtejshëm në kohën e duhur…

Please follow and like us: