E folmja e Gjirokastrës dhe rreziku i zhdukjes
E si veçori sintaksore, ajo veçoi paraqitjen pa shumë rregullsi në renditjen e fjalëve, tipar ky i ligjërimit të thjeshtë, siç është veçanërisht ai i grave gjirokastrite por edhe i Buzukut që është pranë gjuhës popullore.
Jeta Zymberi
Të folmet e veçanta ruajnë edhe sot tipare të konservuara, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm të dhënash për gjuhësinë në përgjithësi e për historinë e gjuhës shqipe në veçanti.
E folmja e qytetit të Gjirokastrës bën pjesë në dialektin toskë, në nëndialektin e toskërishtes jugore. Dialekti toskë, në veçanti toskërishtja veriore, pati fatin të normëzohej e mbi bazën e tij u krijua edhe gjuha jonë letrare.
Studiuesja Mimoza Kore, kishte ardhur për të prezantuar temën “Tipare gjuhësore arkaike në të folmen e qytetit të Gjirokastrës”, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare. Në këtë prezantim, Kore vëri në pah tipare të ruajtura në të gjitha nënsistemet e gjuhës në këtë të folme periferike, të cilat janë ende në përdorim nga brezi i vjetër, por që me dashuri “konservohen në mënyrë të ndërgjegjshme” nga brezi i ri i këtij qyteti.
“Origjinaliteti i kësaj të folmeje po zhduket dalëngadalë me largimin e banorëve të hershëm, me humbjen e brezit të vjetër, me trysninë e gjuhës së shkollës dhe atë të ardhësve, por edhe sepse kërshëria na ka shtyrë për të parë deri në ç’periudhë kohore jemi në gjendje t’i gjurmojmë ato, çfarë ndryshimesh fonetike e semantike kanë pësuar në rrjedhë të shekujve dhe sa afri paraqesin me dialektin gegë”, tha fillimisht Mimoza Kore në prezantimin e saj.
Kore kishte marrë për shembull tekstin e njohur nga albanologët si përkthimi i vëllezërve Çelo të “Djali plangprishës” nga “Dhjata e Re”. Ky përkthim edhe pse një tekst i shkurtër, është origjinal dhe me vlerë për këtë të folme.
“Veçori të së folmes së qytetit të Gjirokastrës gjenden edhe në veprën e Musine Kokalarit. Gjuha e veprës së saj është gjuha e grave gjirokastrite, të cilat të paarsimuara dhe të padala nga vendlindja i kanë ruajtur më mirë e të papërziera këto tipare, lexuesi i veprës së saj e gjen veten këtu dhe tiparet e së folmes së këtij qyteti spikatin dukshëm në të”, tha tutje Kore.
Objekt shqyrtimi në këtë studim ishin bërë edhe tekstet e vjetra të Veriut, shekulli XVI, XVII, XVIII, sepse prej kohësh gjuhëtarët kanë vënë re një afërsi më të madhe të dy dialekteve të shqipes në një fazë më të vjetër të saj.
“Kur flasim për tipare gjuhësore arkaike, do të kemi parasysh ato tipare që i takojnë një periudhë të hershme të shqipes, të cilat mund të jenë ose të trashëguara, ose inovacione të kryera njëkohësisht në të dyja dialektet në një periudhë të caktuar, gjithsesi paraletrare të gjuhës”, pohoi Kore.
Kore prezantoi edhe disa shembuj ku tha se në këtë të folme gjendet hundorja qiellzore \nj\, tipar i vjetër i përbashkët i shqipes që sot është spirantizuar në \j\ në të dyja dialektet. Atë e gjejmë në emra si, brinjë, beronjë, të enjtenë, zonjë, rrënjë, por jo në folje. Por për sa I përket grupeve \lk\, \lg\, ato ndihen edhe tek brezi I vjetër në këtë të folme, por i ndeshim edhe në librin e parë. Ky grup gjendet ende në të folmet çame në fjalët: ulk, ulkë, alkë, balgë. Në këtë të folme ruhen grupet e bashkëtingëlloreve \mb\, \nd\, \ng\, por si tipar arkaik do të veçonim rastet e pakta kur ky grup reduktohet vetëm në okluzivin e zëshëm.
Ndërsa në sistemin morfologjik si veçori Kora iu drejtua së pari sistemit emëror ku veçoi ruajtjen e gjinisë asnjanëse ende në të folmen e qytetit të Gjirokastrës, madje jo vetëm në brezin e vjetër, por edhe atë më të ri.
E si veçori sintaksore, ajo veçoi paraqitjen pa shumë rregullsi në renditjen e fjalëve, tipar ky i ligjërimit të thjeshtë, siç është veçanërisht ai i grave gjirokastrite por edhe i Buzukut që është pranë gjuhës popullore.
Duke e parë si vështirësi që përmes një kumtese t’i japë mënyrë shtresuese të gjitha tipareve gjuhësore arkaike të kësaj të folmeje, Mimoza Kore paraqiti vetëm disa prej tyre, për të vërtetuar se kjo e folme ruan mjaft nga tiparet e vjetra të krijuara qysh në shqipen paraletrare, të krahasueshme me shqipen e teksteve të vjetra të Veriut, të cilat hedhin dritë e na shpien në gjurmët e një shqipeje më unitare, në një fazë gjuhësore kur dy dialektet kryesore kishin shumë më tepër afërsi me njëri-tjetrin nga sot. / KultPlus.com