Mal Berisha: ME ARBËRESHËT NË MOLISE DHE NË KALABRI
Hyrje
Dëshira për t’i parë, njohur nga afër, biseduar, shkëmbyer mendime me bashkëatdhetarët tanë jashtë vendit, qofshin këta të afërt apo të largët, të larguar heret apo vonë nga atdheu, besoj se është ndjenjë e fortë e çdo shqiptari. Por kur puna vjen tek arbëreshët, atë pjesë aq të rëndësishme të kombit tonë, ndjenja bëhet edhe më e fortë. Është ndjenjë kureshtje, respekti, malli. Është dashuri dhe pse jo edhe detyrim ndaj tyre, si njerëz të gjakut tonë që na e ruajtën traditën ndër shekuj ndonëse në vend të huaj. Ishin këto arësyet e shumë udhëtimeve në viset ku shqiptarët kanë lënë gjurmët e tyre e vëçanërisht tek arbëreshët e Italisë. Si është formësuar kjo dëshirë?
47 vjet më parë në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Laç
47 vjet më parë, në një ditë shtatori të vitit 1969 hyri në klasën tonë mësuesi i letërsisë z. Asllan Bami. Ai sapo kishte kryer studimet për gjuhë – letërsi. Mësues Asllani sillte me vete jo vetem një entusiazëm të pashoq, por edhe një metodë krejt origjinale të mësimdhënies. Pasioni i këtij mësuesi ishte i lidhur me letërsinë shqipe dhe veçanërisht me De Radën. Prej tij mësuam për veprën e De Radës, Fshatin Maki ku kishte lindur, kolegjin e zëshëm të Shën Adrianit në Shën Mitër Koronë, Milosaon, Fjamurin e Arbërit, Këngët e Serafina Topisë, Skënderbeun e Pafanë… Mësuam për jetën e tij të varfër dhe fatkeqësitë që i kishin ndodhur. Mësues Asllani jo vetëm na spiegonte jetën e De Radës, por ngjallte edhe një dashuri të pafund për të. Madje ai të mëkonte edhe dëshirën që një ditë të mund ta vizitoje vendin ku De Rada kishte lindur, rritur, shkruar, ndërruar jetë… Natyrisht atë kohë kjo do të ishte një ëndërr shumë, shumë e guximshme. Por a jetojmë në botën ku ëndërrat kthehen në realitet? Prej kohës kur rrugët u hapën, kontaktet me arbëreshët kanë patur një kuptim të caktuar madje shumë të madh.
Me Arbëreshin Amerikan Joseph DioGuardi në Stamboll
Në vitin 1995, si konsull i Shqipërisë në Stamboll, pata rastin të shoqëroja ish – kongresmenin amerikan, themelues dhe President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane[1]. Ai udhëtoi drejt Stambollit për të lobuar për njohjen e Republikës së Kosovës nga shteti turk. Shoqëria “Vëllazëria Turko – Shqiptare” e sponsorizoi udhëtimin e tij dhe për disa ditë rrjesht ai bëri një punë të shkëlqyer për ndërgjegjësimin e autoriteteve turke mbi drejtësinë e shkëputjes së Kosovës nga Serbia dhe njohjen e këtij akti nga ana e shtetit turk. Ai në çdo takim theksoi origjinën e tij arbëreshe: “Unë jam arbëresh dhe më thërret zëri i të parëve të mi, të luftoj për kombin tim”, deklaronte kudo që vajtëm.
Në Ossining – New York
Në veri të New Yorkut, sapo kalon urën Tappan Zee mbi lumin Hudson gjëndet një fshat i quajtur Ossining. Pak vetë e dinë që në atë fshat gjëndet zyra e arbëreshit – amerikan, Joseph Diougardi, prej nga ka filluar përpjekja më e fuqishme për ta bërë çështjen e Kosovës një çështje të politikës së jashtme amerikane. Prej aty janë dhënë detyrat dhe orientimet për njohjen e kësaj çështje dhe janë formësuar lidhjet me senatorë si Bob Dole, kongresmenë si Tom Lantosh apo Ben Gilman e deri tek njerëzit më të fuqishëm të administratës, Kongresit dhe Senatit Amerikan. Aty pra e ka qendrën ajo që njihet me emrin Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, (LQSHA). Për një përiudhë më të gjatë se një vit, (1998 – 1999), nën instruksionet e Joseph DioGuardit punuam bashkarisht dhe intensivisht për ndërgjegjësimin e administratës amerikane për çështjen e Kosovës. Diogardi nga fshati Greçi[2], ishte një ndër luftëtarët më të mëdhenj. Këtë pasion ai ia atribuon pikërisht origjinës së tij arbëreshe dhe ndihmës që ka marrë nga shqiptarët për zgjedhjen e tij në Kongresin Amerikan.
Me arbëreshin Mikelanxhelo La Luna[3] në Rhode Island
Aty nga viti 2003, kur im bir Kreshniku studjonte në Universitetin Rhode Island në SHBA, më tregoi se merrte mësime të gjuhës italiane nga një arbëresh i quajtur Mikelanxhelo La Luna. Ky arbëresh fliste një shqipe të qartë dhe ishte nga Shën Mitër Korona, bash nga fshati arbëresh ku kishte dhënë mësim Jeronim De Rada, në Kolegjin e Shën Adrianit. Në atë kohë u takuam me profesor La Lunën dhe kaluam një darkë bashkë me tërë familjen time në qytetin Kingstoun në Rhode Island, ShBA. Folëm gjatë për horën arbëreshe, u kënaqëm dhe i premtuam njeri-tjetrit se nuk do harroheshim. Dhe kështu ndodhi. Herë pas here shkëmbenim mesazhe deri sa në këtë verë e lamë të shiheshim në Shën Mitër Koronën e De Radës dhe të tijën. Dhe ja tek u takuam në mesditën e 29 korrikut 2016, mu në qendër të fshatit ku jetonte vetë La Luna. Vizituam bashkë Kolegjin e Shën Adrianit. Por para se të vinte kjo ditë, shumë lidhje të tjera me arbëreshët do ta bënin vizitën aty një domosdoshmëri.
Udhëtime në botën shqiptare
Duke patur fatin të udhëtoj nëpër botë kam patur rastin të shoh vend-banime shqiptare – arnavute si dhe vende historike si p.sh. në Turqi, varrin i Sami Frashërit në Feritköy në Stamboll apo vendlindjen e Fan Nolit në Ibrik Tepe. Ato mbeten ndër momentet më emocionale.
Po aq emocionale është të takosh shqiptaro – arvanitasit në Greqi. Në Damask të Sirisë, në vitin 2010, kam takuar shumë “arnavutë” dhe mësova edhe se pesë mijë familje që mbanin të njejtin mbiemër, “Arnavutë”[4], jetonin aty. Të gjithë më origjinë shqiptare. Ishte po ashtu kënaqësi e veçantë të takoje shkrimtarin më të madh siriano – shqiptar – Abdyl Latif Arnavut i cili jipte këtë spiegim mbiemrit të tij dhe të shqiptarëve sirianë: – “Njerëz që e duan atdheun deri në vdekje, pavarësisht se ku gjënden”. Po këtë mendim ndante edhe profesori Muhamed Mufak Arnauti, nga Universiteti Al al-Bejt në qytetin e Mafrakut në Jordani. Të tillë ishin shqiptarët në Jordani, në Liban, krenar për Vaso Pashën dhe në Egjypt për Muhamet Aliun. Të soditësh portretin e tij në Kajro dhe në Londër ishte një prej kënaqësive që një shqiptar ndjen kur gjurmon emrat e njerëzve tanë të mëdhenj. Kur takon shqiptarë në vende të ndryshme, në Zvicër, ShBA, Itali, Francë, Britani, Gjermani, njihesh më mirë me vështirësitë dhe historitë e jetës së tyre. Të bashkëpunosh me Vatrën në New York, bje fjala, siç më është dhënë rasti mua, është si të jesh pjesë e historisë. Po ashtu të bashkëpunosh me Shoqërinë Anglo Shqiptare në Londër është vërtetë një kënaqësi dhe privilegj.
Historitë e bashkëatdhetarëve tanë janë shumë herë individuale, por shume herë ato janë edhe kolektive. Largime në grupe apo arratisje nga Shqipëria, dëbime masive nga Kosova, ngulime sporadike, vendosje në dhe të huaj, pa ditur çfarë i pret për tu shoqëruar nga hallet e jetës, gjuha e huaj, përshtatja, fëmijët, shkollimi i tyre, problemet ekonomike… Kështu ata dalë-ngadalë, si pa e kuptuar, rrëshqasin në honin e pakthyeshëm të asimilimit. Por a ndodhi kështu edhe me:
Arbëreshët e Italisë?
Në tëra këto udhëtime jam munduar të rikrijoj në imagjinatën dhe fantazinë time skenat e zbarkimit të shqiptarëve të asaj kohe në vise të ndryshme të botës. Jam ndalur tek zbarkimet në tokat e Jugut të Italisë. Vuajtjet dhe mjerimet në atdhe, luftërat që zgjatën me dekada, vdekja e Skënderbeut dhe thyerja e rezistencës anti – turke, që i detyruan ata të lëshojnë atdheun e tyre. Kështu vjen eksodi, deti, zbarkimi në vendet e panjohura…”I shoh” tek zbresin të zënë nga deti, të lodhur, ndonjë edhe i vdekur gjatë udhëtimit; të brengosur nga dhimbjet për ata që lanë prapa të gjallë e të vdekur, të mbytur nga malli për shtëpitë dhe varret. Por jo vetëm aq. Edhe e ardhmja? Çfarë i priste? Ku do vendoseshin? Dhe ja vjen një ditë kur gjëndemi në mes tyre:
Rajoni Molise, Vendosja e Bustit të Skënderbeut, gusht 2013
Para tre vjetësh, bashkë me zonjën time dhe familjen e një vajze shqiptare, atë kohë diplomate e Shqipërisë në Londër, e shquar për patriotizimin e saj, zonjën Xhoana Papakostandini, të shoqin Serxhion dhe vajzën tre vjeçare Anjën, vajtëm për të dhuruar dhe inaguruar Bustin e Skënderbeut në një fshat arbëresh, në Rajonin Molise, në fshatin Munxhufuni.
Ai fshat është një prej 52 fshatrave arbëreshe të Italisë Jugore. Si dhe fshatrat tjera, banorët e atyshëm arbëreshë i kanë ruajtur në mënyrë shembullore gjuhën, traditat dhe zakonet shqiptare deri në ditët e sotme. Ky bust u vendos pas një kërkese që arbëreshja e atij fshati me banim në Londër, Maria Vittoria D’Inzeo, i bëri Ambasadës Shqiptare për ta ndihmuar në vendosjen e një busti të Skënderbeut në fshatin e saj, Munxhufuni[5]. Kjo ide asaj i lindi pas pjesmarrjes në ceremoninë e organizuar për inagurimin e bustit të Skënderbeut në Londër, me datën 28 nëntor 2012.
Autoritetet vendore arbëreshe kishin prej kohësh vullnetin për të vendosur një bust, monument apo statujë të heroit në sheshin e fshatit që mbante emrin “Skënderbeg”, që prej 200 vjetësh. Emri i sheshit ishte i shkruar në shqip dhe italisht, pa patur një bust aty. Kjo gjë u realizua në sajë të punës monumentale që bëri skulptori i njohur Kreshnik Xhiku si dhe falë sponsorizimit nga ana e pronarëve të firmës shqiptare “Kastrati”, zotërinjtë Shefqet dhe Leonard Kastrati. Vendosja e atij busti shënonte një ngjarje shumë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit të arbëreshëve jo vetëm në zonën arbëreshe të Molises por edhe në tërë Italinë. Organizimi i vendosjes së tij ishte tërësisht iniciativë atdhetare.
Në ato ditë patëm rastin të ndiqnim një spektakël të edicionit të XV, të organizuar nga shoqata kulturore e Munxhufunit, “Equites Sancti Millenni” me pjesëmarrës nga fshatratMunxhufuni, Sant’Elia a Pianisi, San Martino in Pensilis, Colletorto, Providenti, Ururi, Monte Castello, Maschito, Corinaldo, Campomarino. Pas një rrëfimi për historinë e heroit tonë kombëtar, spektakli vazhdoi me tamburet e ritmet mesjetare të fshatit arbëresh Maschito në krahinën e Basilikatës. Më pas ndoqëm në gjuhën arbëreshe shfaqjen e komedisë “Tjetri Shekull”, me autor arbëreshin Guido Tartaglione.
Arbëreshja piktore Liliana Corfiati[6] dhe Ibrahim Kodra
Me atë rast ne ndoqëm hapjen e ekspozitës së piktorit tonë të njohur Ibrahim Kodra organizuar nën kujdesin e piktores arbëreshe dhe mikes së artistit, Liliana Corfiati. Ajo kishte në koleksionin e saj rreth 20 punime origjinale të Kodrës, të dhuruara asaj nga vetë autori. Ato u ekspozuan në mjediset e Pallatit historik “Norante” në Campomarino.
Piktorja Corfiati është autore e dhjetra pikturave murale në Campomarino, Ururi, Portocannone, Montecilfone, të cilat paraqesin momente të jetës arbëreshe në Itali, eksodin e tyre, personazhe historike, biblike dhe mitologjike si dhe afreska dekorative. Do të kalonin plot tre vjetë deri në vizitën e këtyre ditëve në fshatrat e tjera arbëreshe, tanimë në Rajonin e Kalabrisë.
Pas tre vjetësh, nga Molise në Kalabri…
Fshatrat arbëreshe Çifti, Frasinate, Santa Sophia d’Epiro, San Cosmo Albaneze, San Georgio Albaneze gjënden në Kalabri. Gjatë rrugës për të shkuar tek ato, gjëja e parë që të bie në sy janë tabelat drejtuese të rrugëve të shkruara në dy gjuhë: italisht dhe shqip. Këtu kupton se je në zonat arbëreshe, por edhe në vendin e lirive dhe tolerancës etnike.
Në katundin arbëresh Çifte (Civita)
Fshati Çifte është i vendosur në mes të një lugine të rrethuar tërësisht me shkëmbinj. Në fakt të duket sikur aty je në një hon të krijuar për të kujtuar Kështjellën e Krujës dhe atë të Kalasë së Ali Pashë Tepelenës së bashku. Nga ana tjetër sikur je në këmbët e Kështjellës së Rozafës.
Në Çifte, tradita e respektit ndaj Skënderbeut vazhdon. Në hyrje, objekti i parë me të cilin ballafaqohesh është busti i Skënderbeut. Ne mes të fshatit gjënden dy piktura murale të mëdha, Muzeu i Katundit si dhe Kisha. Aty vërehet qartë tradita shqiptare e ndërtimit e kombinuar me atë të Italisë së jugut. Gëzim dhe krenari për vëllezërit e “Gjakut tonë të Shprishur” që e ruajtën identitetin në shekuj. Por kohërat kanë bërë që arbëreshët të ballafaqohen me plakje popullsie, largim masiv të rinisë, rënie drastike të lindshmërisë …Pikturat në fshat të kujtojnë dekorin e fshatrave arbëreshe në Rajonin e Molises.
Fshatrat arbëreshe, si edhe ato italiane të Kalabrisë kanë një karakteristikë të përbashkët: Shtëpitë janë shumë afër me njera-tjetrën. Rrugicat kalojnë nëpër korridore që gjarpërojnë pas çdo cepi shtëpie. Duket sikur nga ballkoni i katit të dytë mund t’i zgjasësh kafenë gjitonit. Dyert vijnë njëra pas tjetrës. Mjerisht një numër i madh i atyre dyerve kishin vite që ishin mbyllur.
“Njerëzia kanë ikur në perëndim”. “Dikur” – na thotë një zonjë, – “ne i linim çelsat në derë dhe askush nuk merakosej për këtë. Por tani, tani jo…ka keqbërës që vijnë nga larg dhe na i rrëmbëjnë gjërat nëpër shtëpitë tona”.
Kalojmë mespërmes fshatit. Një rrap shekullor lëshon hije të rëndë dhe një çezmë freskon me ujtë e vet të ftohtë. Më kujton rrapin e Libohovës dhe atë të Shën Vasilit në Sarandë. Aty janë grumbulluar burrat e fshatit dhe kuvendojnë arbërisht. Afrohemi dhe flasim me ta. Kemi vështirësi të kuptohemi por jo se nuk merremi vesh. Pasi na pyesim se nga jemi dhe iu tregojmë që jemi nga Shqipëria njëri nga ata na thotë:
“Ah mirë, mirë, thamë se jeni nga Kosova. Ata nuk na kanë harruar asnjëherë”. Pastaj përshëndetemi me një zonjë që ka dalë në ballkon. Ajo menjëherë na tregon që është arbëreshe dhe fshati është i tëri i populluar me arbëreshë. “Katundi, – na thotë ajo, – kishte pesë mijë vetë, por tani nuk jemi as tre mijë. Njerëzia po ikin”. Ecim dhe shohim se në mes të fshatit gjëndet kisha. Pranë saj ndodhet edhe muzeu etnografik.
Vizitë në “Muzeo Etniko Arbëresh” në Çifte
Në katund të orientojnë tabelat: “Këstjeli i Krujës”, “Udhëtim Mëmëklisha”, “Grykat e Rrakanjelit”, “Ura e Djallit”, “Muzeo Etniko Arbëresh”. I kalojmë të gjitha dhe vimë tek muzeu. Hyjmë brenda dhe para nesh shfaqet një muzeum që të bën të ndalësh frymën. Ai është i mbushur me gjërat më përfaqësuese të arbëreshëve: Veshje popullore, qëndisje me dorë, vegla pune, libra, koleksioni i revistës “Katundi Ynë”, botime, fotografi njerëzish të shquar, historira të fshatit. Muzeu funksionon që prej vitit 1970. Cicëroni na tregon dhe për kujdesin e treguar nga diplomatët shqiptar Visar Zhiti dhe Gerarta Zheji Ballo për studimet e fshatit. Dhimitri Emmanueli, botuesi i revistës na citon në arbërisht:
“Kur isha i vogël gjith folëjin arbrisht. Edhe kushërinjët ka Kasana folëjin arbrisht sepse e jëma cje Maria ish Ciftjote. Edhe sot, na miq, cë nëngë jemi aq trima, folëmi, me hir dashje, arbrisht. Edhe kur përpiqemi me miqtë ka Frasinata, ka Ungra, ka, Spixana, ka Shën Mitri, ka Mbuzati, ka Strighar, edhe ka Picilia folmi arbrisht. Po trimat me ata më të voglit folëjin vetëm italisht.”[7]
“Bukë dhe Verë” arbëreshe në Santa Sofia d’Epiro
Ndalemi në fshatin Santa Sofia d’ Epiro. Aty menjëherë dallojmë dy gjëra shqiptare: Flamurin shqiptar përkrah atij italian dhe europian që valviten pranë e pranë në fasadën e kishës. Në krah të kishës gjëndet një restorant mbi derën hyrëse të të cilit shkruhet në gjuhën shqipe:Bukë dhe Verë.
Ndalemi dhe flasim me arbëreshët e klubit. Ndjejmë mikëpritjen e njerëzve të gjakut tonë. Na ftojnë të pimë diçka të freskët. Njeri më thotë:
“Eja me mua të shohësh Fjamurin tënë mbi kishë”!
Dhe vërtetë ashtu ishte. Aty në një dyqan të thjeshtë gjejmë edhe disqet e këngëve për arbëreshët të inçizuara nga këngëtari shqiptar Lirio Nushi[8] nga Vlora. Në njërën prej tyre thuhej:
“Askush nuk mund të më kthej nga rruga që jam nisur,
Askush nuk më ndalon dot të shkoj ndër arbëreshtë,
Atje më janë vëllezërit e mi të lashtë,
Atje më janë vëllezërit e mi antik,
Bijtë e arbërit me gjak të pashprishtë”.
Pastaj njëri syresh, më jep një letër me një vjershë me dymbëdhjetë strofa të fotokopjuar në dy anët. Ai e konsideron atë si dhuratë të madhe dhe më thotë:
“Unë quhem Angelo, arbërisht Engjëlli. Ky fshat ka patur Angelo Mascin[9], Merre këtë, e kam shkruar vetë”.
Më pëlqejnë vëçanërisht vargjet e mëposhtme: Janë vargje nga vjersha e quajtur:
“Shënjtjes Vener[10]”
Shënjtja Vener, vashë Hadhjare,
Gjith’o mir, gjith lipisjare;
Na të truhomi me lot
Ndihma neve Ti nga mot.
……………….
Ti ndëlona gjithë ftesën,
Zgjona mallin e rritna besën;
E kur të vinjë e sosmja dit,
Dil përpara e na prit.
Me Mikilenaxhelo La Lunën në Shën Mitër Koronën e De Radës
Në mesditën e 29 korikut 2016, “grupi” ynë ishte musafir i Mikelanxhelo La Lunës në Shën Mitër. Jemi po ata që ishim në Munxhufuni, Anja tani është gjashtë vjeçe, italiani Sergio me Xhoanën, Donika dhe unë. Mikelanxhelo quhej edhe babai edhe njëri nga djemtë e De Radës. La Luna është krenar për origjinën e tij, jo vetëm si arbëresh por edhe si bashkëfshatari i De Radës. Ai na pret me tërë dashamirësinë e vëllait që e pret për shumë kohë një takim të tillë. Pastaj na tregon për turet dhe seminaret që organizon me të huajt, vaçanërisht me studentë amerikanë, të interesuar për arbëreshët. La Luna na tregon për fshatin, historinë e tij, dhe mbi të gjitha historinë e Kolegjit të Shën Adrianit dhe të Shën Mitër Koronës. Por më parë le të vizitojmë fshatin e lindjes së De Radës, në Maki:
Në Maki – Në fshatin e lindjes së De Radës
Fshati Maki nuk është larg nga Shën Mitri, rreth katër kilometra. Sapo hymë në fshat na shfaqet busti i De Radës, përpara Kishës. E nderojmë atë dhe hymë në rrugën me emrin “Jeronim De Rada”, e cila hapet pasi lemë kishën në të djathtë dhe bustin e poetit në të majtë. Aty shohim një derë harkore që të shpie në një oborr. Është një portik oborri pa derë. Ne shohim fasadën ballore të murit të shtëpisë së De Radës. Në hyrje, në krahun e majtë gjëndet një pllakë në të cilën shkruhet në mermer të bardhë në gjuhën italiane:
Në këtë vend në vitin 1814, ka lindur Jeronim De Rada, poeti dhe themeluesi i letërsisë shqipe. Vdiq në vitin 1903.
Brenda oborrit të rrethuar nga shtëpitë tjera shfaqet edhe një pllakë tjetër mermeri ku shkruhet:
Poetit të madh shqiptaro italian, në 150-vjetorin e Lindjes, Nga populli i qytetit të tij.
Aty gjëndet edhe guri i De Radës të cilin ai e përdorte për të hypur çdo ditë në gomarin e tij që të shkonte në Shën Mitër Koronë. Ai mbetet një shenjë e varfërisë së tij, thjeshtësisë, përunjësisë, modestisë e sot për ne e madhështisë së tij. Studjuesit e jetës së tij thonë se edhe pak kohë para se të vdiste në Manastir, ai vazhdonte të shkonte dhe të jipte mësim nga Maki në Shën Mitër.
Jemi pikërisht aty ku jetoi njeriu më i rëndësishëm i letrave shqipe të deri asaj kohe. Jeronim De Rada[11]. Tek ecën kalldrëmeve aq të pastra të atyre rrugëve të fshatit, nuk rri dot pa imagjinuar Jeronimin fëmijë tek luante, djalosh tek projektonte të ardhmen, burrë, tek ndërtonte veprën e tij të pavdekshme, plak të urtë meditativ që vuante humbjen e katër djemve të tij dhe mjerimin shpirtëror sa për familjen aq edhe për atdheun. Eh këta poetët! Mendja më shkon edhe tek Lum Lumi dhe tek Ationi! De Rada i mbylli sytë me brengën e madhe për Shqipërinë duke lënë një emër dhe trashëgimi të madhe.
Altimarët, arbëreshët vazhdues të traditës De Radiane
Pak më tej ndoshta jo më shumë se pesëdhjëtë metra, brinjas rrugës “De Rada” gjëndet një shtëpi e madhe, shumë e vjetër, me mure të ndërtuara me teknika të ndryshme, tullë, dru, gur, hekur. Është shtëpia e Altimarëve, njëri prej të cilëve është sot shumë i njohur në botën arbëreshe, madje edhe në atë shqiptare dhe italiane dhe në botën e studjuesve të albanologjisë. Ai është një studiues i zoti aq sa edhe një mbrojtës i flaktë i pastërtisë së gjuhës shqipe dhe ruajtjes së saj nga ndikimi dhe futja e fjalëve të huaja në të. Është profesor Francesko Altimari[12] me të cilin jemi njohur nga afër në kremtimet e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit në Shkup, Manastir e Tetovë, në nëntor të vitit 2008. Aty, ai bashkë me arbëreshë të tjerë në Kongres e nderuan atë 100-vjetor me studimet dhe kontributin e tyre për gjuhën shqipe. Por le të kthehemi sërisht tek De Rada.
Historia jonë deri në kohën e De Radës
Ai njeri që mbart’te brengën shqiptare të shekullit të pesëmbëdhjetë, ishte vetë njeriu që e ringjalli gjuhën shqipe të shkruar pas gati katër shekujsh gjumi letargjik. Pas vdekjes së Skënderbeut, shenja e parë e shqipes ishte Meshari i Gjon Buzukut i botuar në vitin 1555 dhe i zbuluar vetëm në vitin 1740. Pastaj vijnë Lekë Matrënga dhe Doktrina e Krishterë (1592), Veprat e Pjetër Budit (1618-1621), Frang Bardhi dhe fjalori i tij latinisht-shqip (1635), Pjetër Bogdani dhe Cuneus prophetarum (1685)[13]
Po përpara, gjatë dhe pas kësaj periudhe çfarë bëhej me ne shqiptarët? Duket se ora e kombit kishte ndalur. Mijërat e shqiptarëve kishin emigruar drejt jugut të Italisë. Të mbeturit ishin ballafaquar me shtypjen dhe shfarosjen. Një pjesë e kombit mbijetoi. Breza të tërë u shuan. Të rinjtë u morën me forcë si jeniçerë. Kontaktet me botën e qytetëruar u ndërprenë. Në atdhe, e vetmja mënyrë jetese ishte t’i shërbeje Perandorisë Osmane, ose të zhyteshe në terrin otoman, për të mbijetuar pa ndërgjegje, pa libra abetarje, pa komunikim kombëtar të shkruar.
Në anën tjetër të detit, në Italinë fqinje ishin vendosur arbëreshët, shqiptarët që nuk e duruan dot dhunën osmane dhe as kishin më forca për t’i rezistuar asaj. Ata morën me vete lavdinë e Skënderbeut për ta mbajtur gjallë deri në ditët e sotme e bashkë me të edhe krenarinë e madhe të të qenurit pjesëtarë të një kombi që kishte bërë rezistencën më të madhe anti – osmane në Ballkan duke mbrojtur edhe Gadishullin Apenin në barrierën që i vunë turqve në anën lindore të Adriatikut dhe Jonit. Ata i dhanë botës së krishterë Papën Clement XI, Alban[14] dhe Italisë Kryeministrin Francesko Crispi[15], ndërsa atdheut një mori emrash të shquar[16] të cilët do ta bënin të njohur kombin dhe çështjen e tij si Zef Serembe, Jul Variboba, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroi Di Maxho, dhe mbi të gjithë De Radën. Dhe jo vetëm kaq. Në oborrin e Kolegjit të Shën Mitër Koronës kur je ballë për ballë me të, në krahun e djathtë, qëndron krenar një bust i Xhuzepe Garibaldit. Ai nderohet aty për bashkimin e Italisë por edhe për rolin që arbëreshët kanë luajtur si trimat dhe luftëtarët më të vendosur e më besnikë. Dhe ky rol nuk është i thjeshtë: Ka të bëjë me bashkimin e njërit prej kombeve e shteteve më të fuqishme të botës. Në kthim Garibaldi i dha një fond të madh kolegjit arbëresh që të vazhdonte veprimtarinë si dhe hapi katedrën e gjuhës shqipe aty.[17]
Kolegji i Shën Mitrit
Në Kolegjin e Shën Mitrit dhanë mësim Profesor Gasper Jakova Mërturi (1903-1904), Profesor Battista Groppa nga Fashineto (1904 – 1906), Profesor Aleksander Xhuvani (1906-1909), Dr. Nikoll Martin Camaj (1911 – 1912), Mehdi Frashëri, (1911 – 1912). Ndërkohë që dy emëra të njohur të politikës shqiptare, Avni Rustemi e Luigj Gurakuqi kanë studjuar aty. Ky i fundit në vitin 1897 shkoi të studjonte në Kolegjin e Shën Mitrit si nxënës i De Radës, i cili sipas Dr. Robert Elsit[18], pat një ndikim shumë të madh në formimin e tij.
377 vjet “heshtje” deri tek Milosao e Jeronim De Radës
Po të marrim të mirëqenë përdorimin e shkrimit të gjuhës shqipe deri në ditën kur vdiq Skënderbu, athere do të shihnim se deri në botimin e “Milosaos” kanë kaluar 377 vjet. 377 vjet “heshtje” është një periudhë e gjatë. Shqiptarët ishin shfaqur ndër luftëra të mëdha dhe kishin bërë histori. Ata lanë emra dhe vepra të mëdha në historinë e Mesdheut. Po vetë sa ndikonte kjo në jetën e shqiptarëve? E vërtetë është: Mehmet Ali Pashaj krijonte Egjyptin. Qyprylyjtë i jipnin 300 vjet jetë Perandorisë Osmane…! Ali Pashë Tepelena priste dhe përcillte në oborrin e tij lordë e misionarë, por njihej edhe për natyrën e tij të egër ndaj vetë shqiptarëve! Sikur tu referohemi vetëm dy ngjarjeve të historisë pararendëse të arbëresheve dhe De Radës do të shihnim se shqiptarët bënin histori, por…çfarë bënin për vete?
Agjentët e Perandorisë[19] dhe…
Në librin e Sir Noel Malcolm “Agjentët e Perandorisë” mësojmë se në shek XVI shqiptarët u bënë tejet të rëndësishëm jo vetëm në Perandorinë Osmane por edhe në ato të Perëndimit. Kështu për shembull, pinjollë të familjes shqiptare nga Ulqini, Bruni e Bruti u vunë në komandë të ushtrive kundërshtare në Betejën e Përgjakshme të Lepantos[20]. Veç, për fatin e keq të historisë tonë, edhe pse të një gjaku luftonin në llogore të ndryshme. Njëri drejtonte forcat e Lidhjes së Shenjtë dhe tjetri ato të Perandorisë Osmane. Ky i fundit u vra vetëm njëqint metra larg tjetrit, diku në Egje afër ishullit të Qipros. Profesor Malcolm thotë:
“Në librin tim kemi një pjesëtar të familjes që është kryepeshkop shumë i rëndësishëm i Kishës Katolike, ndërkohë që një tjetër punon për Papën si oficer i lartë ushtarak. Ata gjenden në ushtrinë e Mbretit të Spanjës dhe janë kalorësit më të shquar. Në anën tjetër, një kushëri i tyre bëhet një nga pashallarët më të rëndësishëm në Stamboll dhe arrin të bëhet Vezir i Madh. Më në veri, në Moldavi, një tjetër shqiptar luan një rol të jashtëzakonshëm. Është e vështirë të përgjithësosh rolin e shqiptarëve në atë periudhë, por kur sheh pozicionet e rëndësishme që ata kanë mbajtur në politikë, shoqëri dhe ushtri, vjen në përfundimin se ata gjendeshin kudo.”
Më tej ai shton:
“Unë i jam referuar një raporti të një diplomati austriak, që thoshte”:
“Nëse dikush dëshironte të bënte tregti me Perandorinë Osmane, ishte shumë e rëndësishme që të njihte një shqiptar”.
Këto thënie të professor Malcolmit na bëjnë të ndihemi krenar për zotësitë që tregonin shqiptarët. Por nga ana tjetër nëse e shohim me një sy pak më kërkues ndaj vetvetes, na lind pyetja: Çfarë bënë këta njerëz për vetë Shqipërinë dhe shqiptarët? Le t’i referohemi një figure tjetër, aventureske, shqiptare që kishte shkaktuar një ndër ngjarjet më të mëdha të kohës së vet në Perandorinë Osmane:
…Patrona Halil…
Sipas rrëfimit të Lordit anglez Sanduich i cituar nga Sir James Henry Skeene[21], Patrona Halil ishte lindur në një familje shqiptare në Hurpisht, një fshat afër Manastirit në vitin 1690 dhe ka vdekur më 25 nëntor 1730, në Stamboll. Ai njihej si Arnauti Horpeshteli, por bashkëvendasit e tij shqiptarë e thërrisnin Patrona. Ai udhëhoqi një kryengritje, e cila arriti të rrëzonte Sulltan Ahmetin e III–të dhe të sillte në fuqi Sulltan Mahmutin e I – rë. Pas kësaj aventure ai vetë u ekzekutua në prani të sulltanit që vetë e kishte sjellë në fuqi bashkë me 7000 pasonjësit e tij shqiptarë. Sulltani u zëvendësua, por Patrona e pagoi me jetë të mirën që i bëri bashkë me mijëra shqiptarët e tij.
Kur dëgjon për këto fakte të shtohet admirmi për De Radën, pasi aftësitë gjeniale të tij si shqiptar, ndonëse mund t’i shkrinte në shërbim të një kauze tjetër, i përdori për kombin e vet, gjuhën dhe çështjen tonë kombëtare.
Arbëreshi De Rada – Vija ndarëse midis errësirës otomane dhe dritës shqiptare që po lind’te
Brenda Kolegjit të Shën Mitrit në vetë kishën e saj, La Luna na spiegon me durim për atë çfarë ishte kolegji para De Radës, gjatë De Radës dhe pas tij deri më sot. Kolegji i Shën Mitrit, na thotë ai, është ndërtuar, këtu, rreth truallit të Kishës së Shën Adrianit[22] e ngritur rreth vitit 1000. Kolegji e ka filluar veprimtarinë e tij në vitin 1470 i themeluar nga pararadhësit tanë shqiptarë. Kisha është një shembull i arkitekturës Normano – Bizantine dhe në të gjënden shumë vepra arti, mozaike dhe relike të vjetra antike. Bien në sy kolonat korinthiane të zbukuruara me gdhendjet në krye me formën e gjetheve të bimës mesdhetareacanthus mollis.
Në mënyrë të veçantë ai na spiegon për mozaiqet origjinale të gjarpërinjëve në dysheme, ndër të cilët dallohet njëri i cili ka tre nyje të përdredhura në trup në formë unazash, dëshmi e trinitetit. Më pas ai na tregon bustin e De Radës i cili gjëndet brenda oborrit të kolegjit, ballë për ballë me atë të Garibaldit. Dhe vijon me tregimin rreth historisë së De Radës:
Këngët e Milosaos, Këngët e Serafina Topisë, Skënderbeu i Pafan…
De Rada fitoi emër me poemën epiko – lirike “Këngët e Milosaos” botuar në vitin 1836. Këtu e ka bazën edhe fillimi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe i letërsisë tonë të romantizmit. Më pas ai vazhdon me një vepër tjetër, edhe kjo me subjekt nga Shqipëria, e njohur me emrin “Këngët e Serafina Topisë”. Por vepra më e rëndësishme e De Radës mbetet “Skënderbeu i Pafan”, të cilën e botoi në vitin 1896. Veprat e tij mendohet se i njihte edhe nga vetë Viktor Hygoi por në veçanti ato njiheshin nga poeti i shquar francez La Martin.
“De Rada u lind në vitin 1814 në Maki të Kalabrisë. Mësimet e para i mori këtu në ketë kolegj ku jemi sot” na tregon La Luna. Më 1834 ai shkoi për të studiuar drejtësi në Napoli, ku mori pjesë gjallërisht në lëvizjen politike dhe kulturore të kohës. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “Shqiptari i Italisë“. Më 1848 ai u kthye në Maki deri në fillim të viteve 60 të shek. XIX. Në vitin 1861, boton librin “Principet e Estetikës” (Principi di estetica), pastaj “Lashtësia e Kombit Shqiptar” (“Antichità della nazione albanese“). Në vitin 1864 boton “Rapsodi të një poeme arbëreshe” (“Rapsodie d’un poema albanese“). Këto vepra ndikuan fuqishëm në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Ai kishte korrespendencë me veprimtarë tjerë të çështjes kombëtare, ndër të cilët me Dora D’Istrian. Ai përkrahu lëvizjen për bashkimin e Italisë. Ndërkohë përkrahu Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878. Revista e tij “Fjamuri i Arbërit” botuar nga viti 1883 e ndihmoi jashtëzakonisht shumë çështjen kombëtare shqiptare. Në vitin 1902, pak para vdekjes ai botoi një “Testament politik” për çështjen shqiptare. De Rada ka një meritë të veçantë në studimin e gjuhës dhe gramatikës shqipe. Ai ka botuar dy vepra gramatikore ku argumenton lashtësinë e gjuhës shqipe. Po ashu ai organizoi dy kongrese të gjuhës shqipe njerin në vitin 1895 në Koriliano Kalabro dhe një në vitin 1897 në Lungro. Ai e dha mësimin e gjuhës shqipe këtu në Kolegjin e Shën Adrianit [23] – Shën Mitër Coronës për dhjetra vjetë.
Pas këtij rrëfimi të La Lunës mendja të shkon tek shumë studjues të cilët janë marrë dhe merren me çështjen e arbëreshëve të Italisë. Duke respektuar punën e tyre, në këtë shkrim, e gjej me vend t’i referohem një shkrimtari të famshëm austriako – anglez, i cili konsiderohet si rrëfimtari më i mirë midis udhëtarëve britanikë të kohës. Dhe këtë emër ai e ka fituar me librin e tij të njohur “Kalabria e Vjetër”[24]. Ai është:
Norman Dauglas[25] – “Shqiptarët dhe Kolegji i tyre” dhe “Një Profet Shqiptar” në librin: “Kalabria e Vjetër”
Norman Dauglas ka studjuar tërë grupet etnike dhe jetën e tyre në Kalabri duke u ndalur tek arbëreshët. Ndër të tjera për arëbëreshët ai shkruan:
“Këto fshatra jo-italiane datojnë nga shekujt pas vdekjes së Skënderbeut kur Sulltani (The Grand Signor) e përforcoi pushtetin e tij. Refugjatët arritën grumbuj – grumbuj nga deti. Atyre iu dhanë toka të egra ku do të vendoseshin. Të ardhurit e rinj u morën për bizantinë.
Kolonitë e shqiptarëve u shpërndanë nëpër tërë Italinë e Jugut më së shumti në Pulia, Kalabri dhe Sicili. Disa u vendosën dhe në veri edhe në qendër. Ishte edhe një vendbanim në Lumin Po, por që është reduktuar në 200 banorë; shumica e tyre më vonë janë absorbuar dhe shkrirë brenda elementit italian. Sipas Angelo Masci (1846) ai thotë se janë 59 fshatra të tyre, me 83 mijë banorë – veçanërisht në Siçili; Morelli thotë se numri i përgjithshëm i arbëreshëve për Italinë dhe Siçilinë është tek 103.466. Nëse ky numër është i vërtetë, atëherë kjo shumë tani duhet të kalojë të dyqindmijët. Unë mora vesh se tani gjenden 80 fshatra të populluara prej arbëreshëve me nga 2500 banorë secili, po të llogarisim edhe ata që kanë emigruar në ShBA. Gjuha shqipe tashmë zotëron më shumë se tridhjetë alfabete të ndryshme, secili me më shumë se tridhjetë germa. Gjithsesi, në këto katërqind vjetë ata nuk e kanë ndarë mendjen se cilin do të mbajnë.”
Më pas Norman Duauglas ndalet tek themeluesi i vërtetë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Jeronim De Rada. Ai pasi përshkruan jetën e tij, vështirësitë, dramat e tmerrshme familjare, faktin që ai nuk kishte udhëtuar kurrë jashtë, madje as në vise të tjera arbëreshe brenda Italisë, thotë:
“Shkrimet e tij të shumëllojshme – dhe padyshim risia e temës së tij qendrore – tërhoqën vëmendjen e gjuhëtarëve dhe filologëve gjermanë të kohës, të tërë të dashuruar pas lirisë, folklorit dhe poezisë. Shkrimtari i njohur italian Cantù, e vlerësoi atë shumë lart. Lamartini, në vitin 1844 i shkruajti atij: ‘’Unë jam i lumtur për vëllazërinë poetike dhe politike që ekziston midis teje dhe meje. Poezia erdhi nga brigjet tuaja dhe duhet të kthehet andej nga erdhi’’. Herman Buchholtz zbulon tek ai skena të denja për shkrimet e Shekspirit dhe pasazhe madhështore të denja për skena eskiliane në tragjedinë e tij Sofonisba. Dijetari i madh Gladstone thuhet se i shkruajti një kartolinë ku e lavdëronte për përpjekjet e tij në emër të vendit të vet”.
Ishte ai që krijoi gjuhën letrare të vendit të tij, që hyjnizoi lidhjet midis Shqipërisë dhe Pellazgëve dhe që formuloi ambiciet e saj politike. Deri në atë kohë ajo ishte thjesht një mit”.
Dhe shton:
“De Rada ishte një patriot i flaktë prej të cilit morën trajtë aspiratat e stuhishme të Shqipërisë. Ideali që e drejtoi krejt jetën e tij ishte ringjallja e vendit të tij. Dhe nëse vemendja e kongreseve ndërkombëtare dhe lingusitikës e folklorit është tërhequr tek ai cep i vogël i botës, nëse në vitin 1902 njëzet e dy gazeta i kushtoheshin çështjes shqiptare, (vetëm në Itali botoheshin tetëmbëdhjetë të tilla dhe një në Londër), e tëra ishte merita e tij. Biografët e tij numërojnë dyzet e tre vepra të dala nga pena e De Radës. Në krye të tëra veprave të tij qëndron “Fjamuri i Arbërit”. Gazetaria, folklori, poezia, historia, gramatika, filologjia, etnologjia, estetika, politika, morali – asnjë prej tyre nuk mungon në penën e tij të talentuar.”[26]
Shënimet e këtij udhëtimi do t’i mbyllja me një falenderim për tërë ata arbëreshë të cilët i shërbyen çështjes tonë kombëtare. Ndaj duke u larguar nga Kalabria më vjen ti shkruaj këto vargje:
Lamtumirë!
Sa shumë kanë ardhur dhe kanë ikur,
Tek ty Kalabri’ e Vjetër?
Për të parë dhe ndjerë gjithçka:
Deri tek kujtimet e mugëta’ hi-mbetur.
Të arbëreshëve, anë detit, një kujtim,
I qënies tonë pellazgjike – një vegim,
Thirrje e gjakut të pa tretur, i pasosur – kurrë:
Që buron dashuri dhe mall si uji në një gurrë.
Një ditë është pak, as një jetë nuk mjafton,
Të shuash mallin shekullor që të pushton,
Mes vëllezërish humbur deteve, gjetur në Kalabri
Që të falin sot kaq ndjenjë, dramë e poezi.
Mirëupafshim në Sicili,
Mal Berisha, Kalabri, Korrik, 2016.
_______________________
[1] www.aacl.com
[2] Greçi, arbërisht Katundi, është një fshat arbëresh në provincën e Avellinës në Kampanja të Italisë. Të ardhurit shqiptar aty u morën gabimisht për grekë prandaj fshati mori këtë emër. Nga ky fshat është edhe Filomena Boscia, nëna e legjendës amerikane të televizionit Regis Philbin, i njohur si njeriu që ka ndjetë përpara ekranit të televizionit – transmetim të drejtpërdrejtë dhe të rregjistruar – më shumë në historinë e televizionit. Ai në vitin 1999, në kohën e luftës në Kosovë, pranoi botërisht se ishte me nënë arbëreshe.
[3] I lindur në vitin 1967 në Shën Mitër Koronë të krahinës së Kozencës, La Luna mësimet e para i mori në Kolegjin e Shën Adrianit ku kishte dhënë mësim De Rada. Ai studioi letërsi dhe gjuhë klasike në Universitetin e Kalabrisë. Diplomën e mbrojti me temën për Këngët e Milosaos. Më pas u transferua për studime në ShBA ku vazhdoi krijimtarinë dhe kërkimet shkencore rreth De Radës. Ai ka themeluar Institutin Italian të Studimeve De Radiane. Që nga viti 2013 ai është profesor i gjuhës italiane në Universitetin Rhode Island në ShBA. Midis kërkimeve dhe botimeve të tij shquhet botimi i korespendencës së De Radës me Niccolò Tommaseo i cili ishte një linguist gazetar dhe eseist italian dhe botuesi i fjalorit të Gjuhës Italiane në tetë volume, një fjalori sinonimesh dhe vepra tjera. Vepra e La Lunës verteton klasin e lartë të veprimtarisë së De Radës edhe në këtë rast. La Luna shkruan vjersha në gjuhën arbëreshe.
[4] Arnaut – është një emërtim për të treguar shqiptarët. Në gjuhën turke moderne shqiptarët quhenArnavut dhe rrjedh prej emërtimit turk të Shqipërisë, Arnavutluk, ose vendi i shqiptarëve. Edhe në Ukrainë, shqiptarët e vendsur atje të cilët jetojnë në Budzhak dhe më vonë të vendosur në Azov Littoral të Zaporizhia Oblast njihen si arnavutë. Në qytetin e Odesës gjënden dy rrugë me emrta Rruga “Arnauti i Madh” dhe “Arnauti i Vogël”. Shqiptarët njihen si arnavutë në tërë botën arabe.
[5] Montecilfone, arbërisht Munxhufuni është një komunë arbëreshe në Provincën e Kampobasos në rajonin Molise. Aty jetojnë rreth 1500 banorë.
[6] Liliana Corfiati ka lindur në fshatin arbëresh Campomarino. Ajo është piktore autodidakte por është profesionalizuar në Milano nën kujdesin e pedagogëve Brera, Aldo Fornoni dhe Luigi Regianini. Ajo ka ekspozuar në qytete të ndryshme nëpër bienalet e Milanos, Firences, Romës, Padovës, Venecias e deri në Brazil. Tematika e punimeve të saj është bazuar kryesisht në eksodin e shqiptarëve të krishterë drejt Italisë, në shek XV – të, të përndjekur nga otomanët. Pikturat e saj murale kanë rritur në mënyrë të ndjeshme turizmin në zonën e saj arbëreshe të Compomarinës.
[7] Revista Katundi Yne, Viti I 47 – të I botimit, nr 157, 2016.
[8] Lirio Nushi është një artist shqiptar me banim në Greqi. Ai ka studjuar për shkencat kompjuterike dhe multimedian në Athinë. Në të njejtën kohë ai ka pasion për muzikën dhe traditat të cilat e kanë çuar tek produksioni i CD – ve muzikore që përmbajnë “Këngë Arbëreshe” me motive të vëllëzërve tanë të Italisë së Jugut.
[9] Angelo Mascin ka lindur në Santa Sofia d’Epiro më datën 7 dhjetor, 1758. Ai lëvizi që aty për në Napoli, për të vijuar studimet tek Xhuzepe Bugliari në Batalionin Mbretëror Maqedon të Napolit. Në vitin 1810, ai arriti të bëhej komisioner i Kalabrisë veriore dhe Bazilikatës.
[10] Vjershë arbëreshe kushtuar Shenjtores Vener(a). Saint Venera (Veneranda, Veneria, Venerina, Veneranda, Parasceve) mendohet se ka vdekur me datën 26 qershor 143. Ajo ka predikuar nëpër Itali, kryesisht në Kalabri dhe në Kampanjë, prandaj edhe nderohet në Santa Sofia d”Epiro.
[11] Ligjërimet arbëreshe, “Gjuha e Bukës dhe Gjuha e Zemrës” nga Prof Gjovalin Shkurtaj, Tiranë 2006.
[12] Francesco Altimari (shqip: Françesko Altimari) është studjues dhe albanolog arbëresh. Ka lindur me 21 shkurt 1955 në Kalabri. Ai ka kryer studimet në Universitetin e Kalabrisë në vitin 1978 per letërsi dhe filozofi. Ai është Antar Nderi i Akademisë së Shkencave të RSh dhe një ndër zerat më të fuqishëm të arbëreshëve të Italisë në mbrojtje të gjuhës amtare, traditës dhe kulturës së tyre. Ai ka ligjëruar jo vetëm në Universitetet italiane por edhe në Universitetin e Tiranës, Prishtinës dhe Tetovës.
[13] Dr Robert Elsie – Historia e Letërsisë Shqipe, Shtëpia botuese Dukagjini, Tirana & Peja 1997
686 pp.
[14] Papa Klement XI (1649 – 1721), ka lindur si Giovanni Francesco Albani, në një derë të shquar me baba shqiptar të quajtur Carlo Albani (1623 – 1684), familja e të cilit ishte vendosur në Urbino në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe nënë italiane të quajtur Elena Mosca (1630 – 1698) bijë e familjes fisnike Mosca e Pesaros. Ai ka shërbyer si Papë nga viti 1700 deri sa vdiq në vitin 1721.
[15] Francesco Crispi (1818 – 1901) vjen nga një familje arbëreshe. Ai e fliste italishten si gjuhën e tretë apo të katërt Gjuhë të parë kishte shqipen. Xhaxhi I tij Xhuzepe ka shkruar monografinë e parë në gjuhën shqipe. Crispi ishte një prej protogonistëve të lëvizjes për bashkimin e Italisë të njohur si Risorgimento. Ai ka qenë mik i ngushte dhë bashkëluftëtar i Xhuzepe Garibaldit dhe i Xhuzepe Mazzinit dhe një prej arkitektëve të këtij bashkimi që u arrit në vitin 1860. Ai ka qenë kryeministër i Italisë nga viti 1887 deri në vitin 1891 dhe nga viti 1893 deri në vitin 1896.
[16] Arbëreshë të përmendur: Lekë Matrënga, (1567 – 1619) prift i ritit bizantin-ortodoks dhe shkrimtar, autor i të parit katetizëm në gjuhën shqipe në vitin 1592, dhe i librit të parë shqip në toskërisht; Imzot Nilo Katalano (1637 – 1694) prift, leksikograf dhe krye-peshkop i Durrësit; Josif Nikollë Brankati (1675 – 1741); At Gjergji Guxeta (1682 – 1756), apostull i arbëreshëve që mbrojti gjuhën shqipe ndër arbëreshët e Sicilisë; Imzot Feliçe Samuel Rodota (1691 – 1740) i pari peshkop arbëresh i ritit bizantin për arbëreshët e Kalabrisë; Jul Variboba (1727 – 1788), shkrimtar; Nikoll Keta, prift ortodoks, shkrimtar; Papa Anton Santori (1819 – 1894) poet dhe shkrimtar; Dhimitër Kamarda (1821 – 1882) prift ortodoks, gjuhëtar dhe historian; Gavril Dara i Riu (1826 – 1885) poet, politikan shkrimtar; Anselmo Lorekio (1843 – 1924) gazetar, poet, politikan, themelues i revistës La Nazione Albaneze; Zef Serembe (1844 – 1901) shkrimtar; Francesko Muzaka (1852 – 1931) patriot, themelues i Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Palermos me kontribut në pavarësinë e Shqipërisë nga otomanët; Zef Skiroi (1885 – 1925) poet dhe albanolog, përfaqësuesi më i njohur i arbëreshëve të Sicilisë; At Nilo Borxhia, murg, filolog, shkrimtar; Papa Tani Petrotta (1882 – 1952, albanolog, filolog, shkrimtar, themelues i katedrës së gjuhës shqipe në Palermo; Papa Marko la Piana (1883 – 1958) studjues i shqipes; Papa Dushko Vetmo (1914 – 1999) prift ortodoks shkrimtar, titullar i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kozencës; Papa Domeniko Belushi (1918 – 1988) poet i njohur me emrin “Vorea Ujko”; Lluka Perone (1920 – 1984), poet folklorist dhe shkrimtar; Karmell Kandreva (1931- 1982) shkrimtar; Imzot Sotir Ferrara (1937) peshkop bizantin i Sicilisë; Paolo Petta (1942 – 1999) historian; Josef DioGuardi, (1940) politikan, Karmine Abate (1954) shkrimtar; Francesko Altimari (1955) albanolog, Mateo Mandala (1958) shkrimtar; Terence Toci (880–1945) politikan, pjesmarrës në përpjekjet për pavarësimin e Shqipërisë, 1880–1945.
[17] Shqiptarët dhe Garibaldi, botuar nga Rilindja, Prishtinë, 1983, shkruar nga Koli Xoxi.
[18] Robert Elsie, History of Albania.
[19] Sir Noel Malcolm: Agents of Empire, Knights, corsairs, Jesuits and spies in the sixteenth-century Mediterrane World. Oxford University Press, published September 3, 2015.
[20] Beteja e Lepantos ishte një beteje detare e zhvilluar me datën 7 tetor 1571 në të cilën u ndeshën flota e Lidhjes së Shenjtë, një koalicion i mjeteve detare të vendeve të krishtera europiane të organizuara nga Papa Piu V. Trupat e krishtera fituan mbi ato osmane në ndeshjen e tyre vendimtare në Gjirin e Korinthit.
[21] Henry Skene: The Albanians: Edinburgh New Philosophical Journal (1849), p. 307-329, and in:Journal of the Ethnological Society of London, papers from vol. 1, 2 (1850), p. 159-181.
[22] Peter Prifti – The Arbëresh Church in Italy – Albanian Catholic Bulletin 1984, Nr. 1-2.
[23] Kisha dhe Kolegji Shën Adrianit gjënden brenda kompleksit të Kolegjit të Shën Mitër Koronës dhe përbën zanafillën e tij. Shqiptarët/arbërshet e kanë gjetur të ngritur atë kolegj kur arritën në San Demetro Corone të cilën e emërtuan sipas ndjesive të veta për këtë shenjt.
[24] The Project e-Book Gotenberg – Old Calabria, published electronically in 2005.
[24] Old Calabria, Albanians and their College and An Albanian Seer, page 191 – 205.
[25] Norman Douglas (1868-1952) ka lindur në një fshat austriak të quajtur Thüringen afër Bludenz me nënë austriake dhe baba skocez. Ai ka marrë mësime në Skoci, Angli, Gjermani dhe Francë. Shërbeu si diplomat për një periudhë të shkurtër por karriera e tij u ndërpre për shkak të një skandali në vitin 1886. Më pas emigroi dhe u vendos në Napoli të Italisë. Ai ka shkruar një seri veprash interesante, por veprat e tij më të vlerësuara janë “Era e Jugut” dhe “Kalabria e Vjetër” Në këtë vepër ai jep një përshkrim tepër interesant të arbëreshëve të Italisë, fenë e tyre të krishterë, të dyjëzuar, gjuhën shqipe me tridhjetë alfabete, fshatrat dhe vendbanimet. Norman Douglas mendohet të jetë i pari udhëtar britanik që shkel dhe shkruan për zonat arbëreshe të Italisë së Jugut. Ai, me gjuhën e tij të mrekullueshme në fakt i ka dhënë një njohje të jashtëzakonshme kulturës shqiptare në Itali, figurave si Francesco Crispi, ndihmesën e dhënë Garibaldit prej arbëreshëve. Por ajo që bie më shumë në sy është studimi që ai i ka bërë Jeronim De Radës.
[26] Po aty, faqe 182