Rrënimi publik i tolerancës
Paramendoni këtë skenë: Dy veta, shqiptarë të moshës madhore, takohen diku në ndonjë shesh të Prishtinës, nisin të debatojnë për një temë dhe saora pastaj përplasen me fjalë, nisin të shajnë njeri-tjetrin dhe madje, kacafyten fizikisht.
Rrallë, tepër rrallë na ndodhë të jemi dëshmitarë të një tablloje të këtillë.
Paramendoni tash një situatë tjetër: Dy veta, shqiptarë të moshës madhore, ‘takohen’ diku në ndonjërin prej Rrjeteve të shumta shoqërore në Internet, dhe nisin të komunikojnë për një çështje të cilin njeri prej tyre e ka ngritur për diskutim. Nuk vonon dhe nisë përdorimi i sharjeve dhe fyerjeve të të gjitha llojeve, të cilat në fund, madje, marrin edhe trajtën e kërcënimeve, nëse rastësisht ndodhë që ata të dy të takohen, përnjëmend, e jo në këtë realitetin virtuel të internetit.
Shpesh, shumë shpesh na ndodhë të lexojmë në Facebook dhe kudo tjetër konfrontime të kësisojta.
Në rrugë dhe në sheshe pra, këta që jemi dhe qysh jemi, e kemi goxha të qartë se si duhet të sillemi dhe çka duhet t’i themi njeri-tjetrit. Është Kodi i sjelljes i cili njëmend shumë rrallë prishet.
Në Rrjetet shoqërore, në Facebook e në Internet pra, Kod të tillë nuk ka. Ndalesat e vetme, së paku në rrethanat e tanishme, lidhen me ato ‘siguresat’ që i kemi secili prej nesh në ndërgjegjen tonë, e cila, si këtu, ashtu edhe kudo tjetër në Botë, është mall që fatkeqësisht prishet lehtë, nëse nuk ndihmohet dot edhe nga mekanizmat kolektiv shoqëror, si dhe nga Rendi dhe Ligji. Ne pra vetë, duhet ta dijmë, ose edhe e dimë çka lejohet dhe çka nuk lejohet në një shoqëri, por pos dijes sonë dhe ndërgjegjes sonë, janë edhe mekanizmat tjerë, apo ‘siguresat kolektive’ të cilat aktivizohen nëse nuk i përmbahemi Rendit në një shoqëri.
Aktualisht, siç u pa sidomos javëve të fundit, kur në Rrjetet shoqërore u trajtuan disa tema aktuale të ndijshme për shoqërinë kosovare, komunikimi në Facebook dhe gjetiu, në adresat e ngashme, ndër ne karakterizohet me mungesë argumentesh, me fyerje, sharje, urrejtje madje, ndaj pothuaj secilit që provon të mendoj ndryshe për një temë të caktuar. Diçka e tillë ka qenë e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.
Nuk ka kurrfarë ndalesash në këtë ‘bashkëbisedimin’ në faqet e Rjeteve shoqërore. Gjithçka lejohet. Është një lloj territori që nuk kontrollohet fare, prandaj, herët a vonë, secili që synon të jetë i arsyeshëm në këtë hapësirë publike, ose detyrohet të tërhiqet me ka krejt, ose edhe vet të bëhet pjesë përbërëse e një ‘pazari të madh’, ku objektivisht ndodhë degradimi total i komunikimit midis njerëzve.
Kjo çka po ndodhë në Facebook dhe gjetiu, për fatin tonë të mirë, nuk është reflektim i mirëfilltë (adekuat), i gjendjes në shoqërinë reale. Por, e gjithë kjo urrejtje, i gjithë ky mosdurim, i cili karakterizon këtë territor të komunikimit publik, nuk ka si të mos shihet si një paralajmërim shumë i keq i një gjendje në-ardhje-e-sipër në shoqërinë kosovare. Këta që flasin në këtë mënyrë në Rrjetet Shoqërore, të cilët pra shquhen me mungesë elementare të tolerancës për mendimin e tjetrit, të cilët as që e durojnë konceptin e ‘tjetrit’ në shoqëri, janë një lloj i ‘zëdhënësve’ të një ardhmënie të kësaj shoqërie e cila mundet saora, të bëhet kopje e gjithë kësaj përplasjeje që ndodhë në Realitetin virtuel.
Aktualisht pra, duhet thënë sërish, ka shumë urrejtje dhe mosdurim në Rrjetet shoqërore, dhe ende ka mbizotërim të tolerancës në Rrjetet e realitetit të mirëfilltë. Por, ky ‘raport i forcave’ gjithsesi do të pësojë ndryshim në vitet e ardhshme, me siguri në dëm të tolerancës dhe në dobi të urrejtjes së shumëllojshme, nëse në ndërkohë ne si shoqëri, si institucione publike, si struktura të shtetit, nuk vetëdijësohemi për kërcënimin e madh që po na kanoset nga kjo dukuri gjithnjë e më masive në Rrjetet shoqërore.
Edhe në këtë fazë, e cila realisht shquhet me një progres enorm kah e keqja, kah e mbrapshta, shumëkush ende e sheh këtë fenomen si kalimtar, apo edhe si një hapësirë ku gjërat nuk duhet marrë seriozisht.
Është gabim.
Herët e vonë, përplasjet e Internetit bëhen edhe përplasje në realitet, me pasoja të paparshikueshme për stabilitetin e Kosovës.
Nuk ka si të jetë ndryshe.
Kështu është kudo, kështu do të jetë edhe në Kosovë.