Filtrat ku do kalojnë ata që do të kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët
Njerëzit që do të përzgjidhen për të kontrolluar gjyqtarët dhe prokurorët e rinj të Shqipërisë, do të kalojnë në disa filtra derisa ta fitojnë këtë status të ri. Kushtetuta ka përcaktuar jo vetëm kontroll dhe monitorim domethënës nga të huajt, por ka përjashtuar nga kandidimi të gjithë ata që punojnë si gjyqtarë dhe prokurorë gjatë dy viteve të fundit.
Tre janë institucionet e reja që nën monitorimin e rreptë të vëzhguesve ndërkombëtarë do të kontrollojnë pasuritë dhe figurën morale e profesionale të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
“Institucionet e rivlerësimit” sipas përcaktimeve në aneksin e kushtetutes janë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Komisioneri Publik.
Brenda datës 26 shtator, Presidenti i Republikës duhet të shpallë jo vetëm vendet vakante për plotësimin e këtyre institucioneve kontrolluese, por edhe mbledh aplikimet e kandidateve që do të shfaqin interes për të qenë pjesë e këtyre organeve të reja.
Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti duhet të shpallë një listë me kandidatë, të cilët plotësojnë kriteret formale dhe një listë me kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara.
E veçanta është se listën fillestare të Presidentit të Republikës do ta vlerësojnë fillimisht tre vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët do të kenë në dispozicion dy javë për të monitoruar pastërtinë e kandidatëve aplikues.
Pas këtij kontrolli, lista e verifikuar nga të huajt, do ti rikthehet presidentit i cili ia përcjell bashkë me rekomandimet e monitoruesve Kuvendit të Shqipërisë, transmeton ‘rtsh’.
Kushtetuta i ka dhënë parlamentit të drejtën të votojë kandidatet me të mire me 84 vota. Votimi në Kuvend do të jetë akti final pas një procedure teknike e relativisht të gjatë kontrolli edhe nga vetë deputetët.
Tjetër risi që sjell ndryshimi i kushtetutës është përjashtimi nga kandidimi i njerëzve që kanë ushtruar detyra në piramidën aktuale të drejtësisë gjatë dy vjetëve të fundit.
Për shkak të prezencës domethënëse të vëzhguesve ndërkombëtarë në pastrimin e drejtësisë në Shqipëri, gjuhët zyrtare të që do të përdoren do të jenë gjuha shqipe dhe ajo angleze.