Opari dhe Lekasi, sa pranë Korçës dhe sa larg Voskopojës
Reportazh nga S. Demolli
Ka vite që banorët e krahinës së Oparit në qarkun e Korçës, e kanë bërë traditë festën e tyre ç’do verë në fund të gushtit. Zanafilla është përkujtimi i çlirimit të zonës nga pushtimi nazi – fashist, po edhe data e ngjarje të tjera historike të luftrave shekullore për liri e pavarsi, që dëshmojnë se kjo Krahinë ka prodhuar më shumë trimëri, se sa ar dhe argjend. Por LANÇ. mbetet e pashlyer edhe në kujtesën e brezit të ri, sepse përpos lirisë që i solli vendit, si aleat përkrah Forcave Përparimtare që fituan Luftën e Dytë Botërore, e vuri atë në udhën e lidhjes me vendet e tjera të Evropës, të cilën e kishte trasuar prej shekujsh Skënderbeu me emrin e tij.
Por oparakët kanë të drejtë të krenohen edhe më shumë në këtë festë mbarëkrahinore e më gjerë, pasi krahina e tyre është një ndër zonat e para të çliruara në Shqipëri, e dyta qysh në verën e vitit 1942 pas asaj të Pezës. Në Opar u krijuan dy brigada partizane; Brigada e XV dhe ajo e XX – të. Këshilli i Qarkut të Korçës, Ansambli i Ushtrisë Popullore Shqiptare. Në LANÇ. morën pjesë drejt për drejt me armë në dorë 500 djem e vajza oparake, me komandantët e tyre të lavdishëm si Asllan Gurra, Agush Gjergjevica, Haxhi Çemerica, Shaban Zereci, Xume Protopapa, Koçi Brozdoveci, të cilët luftuan me heroizëm kundër pushtuesëve nazi – fashistë jo vetëm në Lavdar, Qafën e Martës, Qafën e Gjarpërit e atë të Beçit, në Mazrekë, Moglicë e Gur të Prerë, por në të gjithë vendin, duke i dhënë atij 100 dëshmorë.
Dhe s’kish si të ndodhë ndryshe në këto maja malesh, si ajo e Ostrovicës, Bofjes, Kurorës, Lenijes, Koshnicës, maleve të Gjergjevicës e Voskopojës, të cilat kanë qënë në shekuj simbole qëndrese, me banorët e tij të lindur me krrabë e pushkë në dorë e, me luftëtarë të tillë legjendarë që nga kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1700 me Ibrahim Burrin ose Dusharin, Hysni Zelin, Abdylazim Hazizin e patriotët Shahin Matraku, Mehmet Dushari, Hasan Moglica, Pandeli Leço, Dhosi Havjari, Rakip e Seit Shukulli e deri tek Riza Kodheli pjesëmarrës në Luftën e I – rë e të II – të Botërore.
Për këtë në ceremoninë e jubileut të 74 – vjetorit të çlirimit të krahinës këtë vit, morën pjesë, bënë homazhe duke vendosur buqeta me lule e kurora pranë lapidarit të të rënëve në Lekas dhe përshëndetën, në mitingun e organizuar me këtë rast, Kryetari i Komitetit të Veteranëve të LANÇ. Korçë Tomor Hasanbella, Kryetari i Bashkisë Sotiraq Filo, deputeti i Korçës Ilir Pendavinji e të ftuar të tjerë. Kurse të rinjtë e të rejat e fshatit, kishin përgatitur vetë një koncert të pasur me këngë burimore, të cilin e shfaqën për të pranishmit në festë. Në Opar, sipas studiuesëve, e ka zanafillën dhe ende këndohet në dasma e gëzime kënga e “Ago Ymerit”, që daton prej 650 vjetësh.
Janë me kujtesë historike oparakët, si gjithë populli ynë dhe, kujtesa ka gjithmonë të drejtë. Të drejtë kanë edhe banorët e kësaj krahine – humbëtirë, që mund ta quajmë sot për shkak të një tranzicioni të ashpër pas ndrrimit të sistemit, i cili pothuajse i ka boshatisur fshatrat e saj. Kështu sipas burimeve nga gjendja civile, nga rreth 7.000 banorë që kishte në vitin 1992, tani Lekasin, Gjergjevicën, Marjanin, Denasin, Shkozanjin, Xerjen, Brozdovecin, Mazrekën, Tudasin, Gërmujasin nuk i popullojnë as 1.000 veta. As luftrat nuk sollën pasoja të tilla, thotë mësuesi në pension Belul Ruka. Se luftrat fillojnë e mbarojnë, kurse fukarallëku që ka pllakosur fshatin gjatë kësaj kohe nuk tundet. Jo se më parë kemi rojtur më mirë, po të mos i mjelësh bagëtinë, se nuk ke rrugë ta nxjerrësh bulmetin e produktet e tjera në treg, kjo do të thotë që votat tona i merr gjithmonë lumi.
Rruga… Një e tillë, në kuptimin e standarteve të kohës, nëpër krahinën e Oparit ka qënë deri në fillim të shekullit të XX – të: “Udha e Karvanit”, që lidhte Selanikun e Manastirin me portin e Durrësit, duke kaluar nga Korça, Voskopoja, Opari, Skrapari, Berati e Myzeqeja. Kurse sot Opari është pa rrjet rrugor dhe në fshatrat e tij mund të shkosh me çarter, ose parashutë, pasi në vijë ajrore nuk është më shumë se 15 km nga Korça në jug – perëndim të saj, ose nga toka vetëm me motoçikletë, automjete të tipit xhip dhe kafshë samari. Kjo për 13 km. rrugë po ti biesh për Lekas nga Shipska, ose rreth 20 km. po të kalosh nga Gjergjevica. Pasi që rruga deri në Voskopojë nuk mungon.
Këtë e dinë drejtuesit e Bashkisë Korçë, ku bën pjesë sot ish – Komuna e Lekasit pas ndarjes teritoriale – administrative të vendit në vitin 2015 dhe është njësi administrative e saj. Madje kryebashkiaku Sotiraq File, kur doli para një viti e u kërkoi votën banorëve të Oparit të Sipërm, u tha: “Mos u ankoni për rrugët, se i pashë me sytë e m’i kur ardha këtu…” dhe ua solli Korçën tek dera. Por edhe pse ka kaluar një vit rruga ala po përurohet, ashtu si ajo Lekas – Mazrekë dhe dy urat që lidhin fshatrat Denas dhe Gërmujas, ku prindërit për të dërguar fëmijët në shkollën 9 – vjeçare të Lekasit i kalojnë ata dimrit me kalë në dy lumenjtë e rrëmbyer malorë. Por si thotë populli, me të taksuar nuk prishet shtëpia, pa le Bashkia dhe, na gënjeve njëherë? Të lumtë, o File, se nuk të njihnim, por po të na gënjesh sëdyti, fajin e kemi vetë e do të flasim në atë gjuhën tonë: “purishte” që të na kuptosh…
Dhe banorët e Oparit presin shumë nga qeveria lokale, por edhe nga ajo e madhe, për të krijuar jo vetëm qytete, por dhe fshatra cilësisht të banueshëm për të gjithë, të mundshëm për veprimtarinë e gjithkujt, me qëllim shmangien e ndryshimeve demografike të kushtëzuara, siç ka ndodhur deri më sot. Kjo dhe për faktin sepse zona të tilla rurale, si Opari e Vithkuqi të Bashkisë Korçë, janë zona të rëndësishme të prodhimeve blegtorale, frutave,nënprodukteve të dyta të pyllit e, me vendodhjen, klimën, ekosistemin e pasur e të paprekur, pasurinë e paçmuar etno – kulturore etj. janë pjesë e Shqipërisë, këtij vendi të fundit të Evropës, siç thonë të huajt, që duhet vizituar e jetuar.
Këtë oparakët, ashtu si gjithë fshatarët shqiptarë e dinë mirë. Se rrallë ka nga ata që nuk e kanë provuar migracionin dhe emigrimin. E të punosh e jetosh në dhe’ të huaj, në mos syrin, mënyrën e shikimit do ta ndërrosh patjetër. Kjo duket tek ata që janë kthyer e vazhdojnë të kthehen në vendlindje… Tek vilat që ngrenë dhe bizneset që çelin. Vetëm dy – tre vitet e fundit janë ndërtuar 15 – 20 të tilla, në Marjan, Gjonbabas, Tudas e atje ku më skeptikët mendonin se këto fshatra do të zhdukeshin nga harta gjeografike. Na gjeti si kovaçi, që bën masha e kaci për të tjerët e, për vete s’ka, thotë ndërtuesi Edmond Meçe nga Brozdoveci. Ndërtime të tilla siç dimë të bëjmë ne oparakët me gurë dekorativë të gdhendur e rasa të nxjerra nga Ostrovica, do ta bëjnë krahinën tonë më të begatë e më të vizitueshme, thotë ai.
Tradita e ndërtimit në Opar është një pasuri tjetër e paçmuar dhe, bashkë me mjeshtërinë trasmetohet nga brezi në brez. Oparakët njihen si ndërtues të famshëm brenda dhe jashtë vendit, prej kohëve të lashta e deri më sot. Mjafton të përmendim një nga mrrekullitë e botës Taxh Mahallin e ndërtuar nga Mehmet Isaja prej Shkozanji, kompleksin arkitekturor të Litharicës së Ali Pashë Tepelenës, me arkitekt Petro Korçarin nga Marjani, harqet e gurtë të Urës së Gorricës Berat, ngritur nga usta Mahmuti i Lekasit e, deri tek firma “Opari Construction” në ndërtimin e shumëkatësheve në Filadelfia të Amerikës, me pronar Berti Lekasi e, sa e sa shumë të tjerë.
Po zemra e ekonomisë është blegtoria. Gjëja e gjallë të mban gjallë, thonë oparakët dhe bagëtia e shëndoshë tregon edhe ekonomi të shëndoshë edhe vend të pasur. Për këtë numuri i krerëve ka ardhur nga viti në vit, duke u shtuar, por vetëm dy baxho, si ato në Marjan e Mazrekë janë të pamjaftueshme për të përpunuar qumështin që prodhohet. Ja, Veli Llapanji në Tudas ka fermë me 30 krerë lopë, po qumështin nuk mund ta tregtojë dot. Kështu edhe Kajo Hasanllari, Nevruz Xhezari Shkozanj që kanë ferma të tilla etj. Këtu janë edhe rezervat më të mëdha për të shtuar të ardhurat, thotë Atip Mesuti ky blegtor vizionar nga Lekasi dhe tregon me dorë malet përreth luginës. Kullotat alpine të Ostrovicës, Bofjes, Kurorës, Malit të Gjergjevicës, atij të Dusharit etj. që kapin një sipërfaqe prej 12.000 ha, kanë një kapacitet kullosor për të mbarështuar rreth 30.000 krerë gjedhë e bagëti të imta.
Jo vetëm kaq, por flora e pasur e krahinës, me një numur pafund bimësh endemike e subendemike, 200 lloje prej të cilave janë me vlera të mëdha mjekësore, përbëjnë një pasuri të madhe botanike dhe ekonomike, thotë Eqerem Meçollari, ky Profesor Doktor nga Shkozanji – autor i Enciklopedisë Botërore të Patates, i cili si shkencëtar është i pranishëm vazhdimisht pranë fermerëve, me këshillat e asistencën e tij teknike nëpërmjet gazetës “Korça” e “Agrobiznes”. Dhe shumë nga familjet e migruara nga Opari në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Durrës, Elbasan, vijnë e mbledhin bimë medicinale në vendlindje gjatë verës, duke u vetëpunësuar kështu si punëtorë sezonalë. Dhe çajin e Ostrovicës, salepin e Kurorës, murrizat e Gjergjevicës, sherbelën, apo rakinë e thanës të Mazrekës ta rrëmbejnë nga dora në treg.
Por relievi i Oparit i dominuar nga maja malesh, ku më e larta ajo e Ostrovicës arrin 2383 metro mbi nivelin e detit, që përthyhen nga pllaja, lugina të ngushta e të gjera që zbresin deri 600 – 700 metro mbi nivelin e detit, si në Denas, Xerje, Osojë është aq i pasur me përrenj e lumenj malorë, të cilët janë degë të Lumit Devoll dhe Lumit të Malësisë ose Kelizonit, si dhe mjaft liqene alpine. Duke shfrytëzuar kapacitetin hidrik të tyre, në Oparin e Sipërm kanë filluar e po ndërtohen tre hidrocentrale dhe kaskada e Devollit, me liqenin e madh në Oparin e Poshtëm, të cilët do të prodhojnë miliona kilowatorë energji elektrike. Pasuri e madhe ujore për zonën janë edhe 12 ujëmbledhës të ish – kooperativës socialiste, që shpëtuan nga furia e “terapisë së shokut” e shërbejnë për ujitje.
E përpos blegtorisë e frutikulturës, numuri i kufizuar i krahëve të punës dhe mundësia e vogël e përdorimit të mekanikës bujqësore, i ka shtyrë shumë nga banorët e kësaj zone të zhvillojnë bletarinë që bashkë me mjeshtërinë e ndërtimit është një nga traditat më të vjetra e të çmuara, po aq sa bleta. Vetëm vëllazëria Reshat, Fehmi e Luan Meçollari, që e morën dashurinë për profesionin e bletërritësit bashkë me “qumështin e bletës” nga babai i tyre Bezati në Shkozanj, kanë sot fermën e tyre me 300 zgjoje e, mjalti “Ostrovica” është aq i kërkuar në treg. Kurse numuri i zgjojeve në tërë Oparin është mbi dy mijë dhe kjo banore më e lashtë se njeriu në glob, po fiton ç’do ditë e më shumë terren në malet shqiptare, duke e ëmbëlsuar jetën e njeriut. Mjalti, pitet, frutat, lëngje e produkte të brumrave të trajtuara me mjaltë, janë oferta të veçanta karakteristike të Oparit që po kërkohen gjithë e më shumë, në menunë e lokaleve turistikë.
Kështu të huajt që do ta vizitojnë nesër krahinën nuk do të çuditen si koloneli i Divizionit francez 372, me mijrat e xixëllonjave që mbushnin luginën e Gjergjevicës, atë natë korriku të vitit 1918, kur ai marshonte me trupat e tij, për t’iu ngjitur kurrizit të “Krokodilit”, të ndeshej me trupat austriake tek Guri i Prerë. Por do të çuditen me bletët, me monumentet e tjera të natyrës të cilët nga 27 gjithsej në rrethin e Korçës, 23 për qind e tyre gjenden në këtë krahinë. Pa përmendur ato të kulturës, të cilat nuk mungojnë edhe në këtë zonë të thellë e, nuk mund të lë pa përmendur vetëm një prej tyre: Kishën e Shën Triadhës buzë Shkëmbit të Tudasit, ose vendlindjes të Princit Tudor, ndërtuar sipas studiuesëve prej shekullit të XII – të, restauruar nga Princesha e Muzakajve Kyrana në shekullin e XV – të e, që shpëtoi për fat nga shembja, prej ish – Drejtorit të Monumenteve të Kulturës skulptorit Vasillaq Kolevica.
Natyrisht, ata e kushdo që vjen në Opar s’ka si të mos çuditet me faktin, që pikërisht këtë drejtor që mbajti kishën në këmbë, e rëzuan nga karrikja se nuk ishte mili (tar) tant i partisë që fitoi Bashkinë. Siç do të bënin kryq, kur të shikonin se në shkollat e Oparit, sot nuk ka të emëruar asnjë mësues me arsim të lartë, por edhe drejtor i shkollës 9 – vjeçare të Lekasit është një teknik i mesëm, i cili dikur mezi ka mbaruar shkollën e mesme bujqësore të natës! “E di Partia!”, thonë prindërit e fëmijëve dhe presin që nga krahina e tyre të dalin talente, për t’u bërë njerëz të shquar si kompozitori i operetës së parë shqiptare me origjinë nga Opari, Artisti i Popullit Kristo Kono, fjala vjen. Apo Piktori I Popullit Guri Madhi, emrin e të cilit e mban edhe Galeria e Arteve në Korçë. Pse jo edhe shkrimtarë si oparakët Fatmir Gjata, Gaqo Veshi, Hysen Kobellari, aktorë si Marko Bitraku, profesorë si Aleko Veshi në mjekësi, Miçe Veshi në hidroenergjtikë, Bardhyl Taçi në aviacion e plot e se e sa oparakë të tjerë që kanë spikatur në të gjitha fushat e dallohen për progres.
E di Partia, thonë prindërit si qëmoti dhe, sot në Opar nuk gjen as berber e, oparakët shkojnë ti qethë Bashkia e tyre në Korçë bashkë me taksat. E di Partia dhe, nesër injoranca mund të shkojë dorë për dore me dhunën. Ja pse Opari dhe Lekasi janë aq pranë Korçës, dhe njëkohësisht aq larg Voskopojës, ndonëse e kanë tek pragu i derës. Sepse Voskopoja vërtet po rilind. Po rilind nga djersa dhe mundi i banorëve të saj. Por edhe nga ndihma e qeverisë, pse jo edhe e perëndisë.