Albspirit

Media/News/Publishing

Pekin, Forumi i Shkëmbimeve Kulturore Kino-Shqiptare

Në Panairin e 23-të Ndërkombëtar të Librit në Pekin të premten pasdite u zhvillua Forumi i Shkëmbimeve Kulturore Kino-Shqiptare dhe promovimi i librit “Nënë Shqipëri”, në gjuhën kineze.

Veprimtaria u organizua me nismën e Administratës Shtetërore të Shtypit,Botimeve, Radios, Filmit dhe Televizionit të Kinës, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim” si dhe të Radios së Jashtme të Kinës (CRI).

Në Forum ishin të pranishëm përfaqësues të të dy vendeve si këshilltari i Departamentit të Importimit të Botimeve pranë Administratës Shtetërore të Shtypit dhe të Botimeve Chen Yingming, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe drejtor i Shtëpisë Botuese “Dituria”, Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë Ijaz Spahiu, drejtori i Shtëpisë Botuese “Onufri” Bujar Hudhri, anëtari i Institutit të Studimeve Artistike të Kinës dhe përkthyes i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën kineze Zheng Enbo, zëvendësrektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe kryetar i Shtëpisë Botuese “Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim” Cai Jianfeng etj.

Nga 27 deri më 29 prill të vitit 2015, një delegacion kinez i fushës së botimeve vizitoi Shqipërinë dhe midis dy vendeve u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit “Për përkthimin e veprave klasike nga letëria kineze dhe shqiptare”. Sipas marrëveshjes, Kina dhe Shqipëria në 5 vitet e ardhshme do të përkthejnë dhe botojnë 50 vepra klasike letrare.

Me mbështetjen e Administratës Shtetërore të Botimeve, Radio, Film, Televizionit të Kinës, Shtëpisë Botuese kineze “Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim” po realizohet projekti për përkthimin dhe botimin e veprave klasike të letërsisë kineze dhe shqiptare, në të cilin janë përfshirë specialistë të kësaj fushe.

Poema “Nënë Shqipëri” është fryti i parë i këtij projekti bashkëpunimi. Ajo është përkthyer në kinezisht nga albanologu dhe përkthyesi i njohur kinez Zheng Enbo, i cili e përzgjodhi atë nga 15 veprat e shkrimtarit dhe poetit të mirënjohur shqiptar, Dritëro Agolli.

Veprimtaria u hap me një video prezantuese të shkëmbimeve kulturore Kinë-Shqipëri, ndërsa ambasadorja e Kinës në Shqipëri, zonja Jiang Yu nëpërmjet një mesazhi urimi vlerësoi përpjekjet e të dy palëve për këtë projekt, duke përcjellë përgëzime për veprimtarinë dhe sugjerime për bashkëpunimin e ardhshëm me dy vendeve.

Drejtuesit e ceremonisë dhe miqtë nga Shqipëria përshëndetën Forumin. Kreu i Shtëpisë Botuese “Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim”, Cai Jianfeng tha se botimi i poemës “Nënë Shqipëri” do të njohë lexuesit kinezë me letërsinë dhe kulturën e Shqipërisë. Ai theksoi se ky projekt do të shtojë bashkëpunimet e të dyja vendeve në fusha të ndryshme si dhe do të zgjerojë bashkëpunimin me vendet e tjera të Europës Qendrore e Lindore.

Shefi i Administratës Kombëtare të Shtypit, Botimeve, Filmit, Radios dhe Televizionit tha se “Projekti i përkthimit të veprave të letërsisë shqipe në kinezisht dhe atyre të letërsisë kineze në gjuhën shqipe” është një vlerë e shtuar në bashkëpunimin në fushën e shtypit. Botimi i i një serë librash, si poema “Nënë Shqipëri” është jo vetëm dëshmi e shkëmbimeve kulturore dhe miqësisë midis Kinës dhe Shqipërisë, por një vlerë për kulturën kineze dhe atë të Evropës Qendrore dhe Lindore.

Please follow and like us: