Artur Zheji: Reforma në Drejtësi nuk duhet të jetë një kurth për “vrasje politike!”
Nëse marrim për të vërtetë, atë që shkroi gazetari i mirë Carlo Bolino, mik i mirë i Ramës gjithashtu, se nga ku do të fillojë betejën e vet Byroja Kombëtare e Hetimit, del në sipërfaqe maja e ajsbergut e një platforme. Gjithmonë nëse konfigurimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të jetë në dorën e Shumicës dhe e telekomanduar ‘underground’ nga vetë Rama.
Bolino na zbulon se objektivi kryesor do të jetë Sali Berisha dhe Çështja e bombës te Vefa.
Një pikënisje pra, për të hapur Kutinë e Pandorës, në emër të rivendosjes së një drejtësie historike, në lidhje me një person të vetëm.
Sot Sali Berisha, armiqtë e vet më të mëdhenj, më të egër, më hakmarrës dhe më të vendosur, i ka nga radhët e atyre, që dikur kanë qenë njerëzit e tij më të besuar. Qofshin roje, qofshin këshilltarë, qofshin gjithëfarëlloj partnerësh, të cilët një person që ka 26 vjet në politikë, i pret dhe i përcjell. Si çdo lider autoritar dhe i vetëmjaftueshëm, ai edhe i ka përdorur, por dhe është përdorur prej tyre. Sidomos ka ndihmuar që ata, të shumtët e larguar të ish-shpurës së tij, të rreshtohen sot dhe të bëjnë bereqet të majmë, te kundërshtarët e tij politikë.
Por nuk është ky objekti i këtij shkrimi, as sot dhe as mot.
Njerëzit në të gjithë botën, kur nuk kanë punë, kur i pllakos varfëria e pandreqshme, aq më tepër në një vend shumë të pasur nga Zoti, kur emigrojnë me dhjetëra mijëra çdo vit, siç edhe kanë shtegtuar mëse 200.000 frymë vetëm këto 3 vite, kanë etje për Drejtësi. Kanë etje për Gijotina, për ngjarje të bujshme dhe të zhurmshme, që krijojnë idenë se po shkon Haka te i Zoti.
Mirëpo nëse Sistemi i Drejtësisë që po përpiqemi të Reformojmë, shndërrohet në një fushatë Ndëshkimi popullor për disa persona të caktuar, dhe jo të shkohet nga investigimi i Dukurive Korruptive te Personat, atëhere këtu ka diçka serioze që nuk shkon.
Madje është alarmuese.
Vendosja e Objektivave paraprakë, është tipike e gjykimeve në diktaturë dhe orientimet me emra konkretë personash, është tipike Politike.
Nuk ka patur gjë më entuziaste dhe më populiste se Gjykatat e Kuqe Speciale, të viteve të tmerrshme ’45-’48, të shekullit të kaluar, që në emër të një Drejtësivënie të njëanëshme dhe të politizuar e me objektiva, themeluan një Diktaturë 45-vjeçare.
Dikush apo shumëkush, do të ngutet të më “sulmojë” se po mbroj Sali Berishën në këtë rast, duke u nisur nga dekonspirimi i lajmit të Karlo Bolinos, në lidhje me pikënisjen e hetimeve të Byrosë së re Kombëtare.
E vërteta është se unë po përpiqem, që në të vërtetë të mbroj nga politizimi paraprak, vetë Byronë Kombëtare të Hetimeve, nëse mundem.
Kronologjia e ditarit të punës, së një strukture investigative kombëtare, fillon normalisht punën, duke u nisur nga e sotmja drejt të djeshmes dhe nuk është normale të paracaktojë, ashtu si na thotë lajmi i Bolinos një ngjarje 18 vjeçare, ndërkohë që këtij vendi në këto 18 vite i janë grabitur 18 miliardë dollarë, në një formë ose në një tjetër.
Por ndoshta ishte një lajm falls apo një lapsus, por nëse është një përgatitje provokative e opinionit, është zgjedhur rruga më e gabuar.