Albspirit

Media/News/Publishing

Divorcet në shoqërinë shqiptare…

Entela Binjaku

Stina e verës dhe rituali i dasmave janë tashmë një simbiozë në shoqërinë tonë. Në kushtet kur një e treta e popullsisë ka emigruar, kur në vendet ku jetojnë e punojnë gushti është muaji i pushimit, shumica e dasmave në vend zhvillohen gjatë muajit gusht. E kombinuar edhe me një kulturë të trashëguar ku dasmat zhvillohen gjatë stinës së verës, me ndryshimin se tanimë zhvillohen përgjatë gjithë ditëve të javës e jo vetëm në fundjavë, martesa është nga të paktat ngjarje jetësore që mbledh bashkë familjen shqiptare. Bashkë me zhvillimet martesore mund të flasim edhe për zhvillimet e dukurisë së divorcit, sepse ku ka një divorc, ka pasur një martesë.

Nëse për martesën mjafton një “po” mes partnerëve, për divorcin ka një seri çështjesh që duhen vlerësuar e që tregojnë kompleksitetin e zgjidhjes së këtij institucioni. Para viteve ‘90 qëndrimi i shoqërisë ndaj divorcit dhe të divorcuarëve ishte i ngurtë, konservator dhe i kushtëzuar nga orientimi i një regjimi që nuk lejonte “shthurjen e shoqërisë”. Pas viteve ’90 ky qëndrim erdhi duke ndryshuar; madje që në vitet e para, vitet ‘91 dhe ‘92 vëmë re një numër të lartë të divorcesh ku ju jepej fund atyre martesave që qëndronin “në këmbë” vetëm falë presionit të regjimit;

Nga të dhënat e viteve 1990 – 2000 vihet re se numri i martesave në këto vite ka ardhur gradualisht në ulje ndërsa numri i divorceve nga viti në vit në rritje.

Në vitin 1990 shënohen 28.992 martesa në vitin 2000 kemi 21.290 të tilla. Në vitin 1990 kishim 2675 divorce, në 2000 kishim 2168 divorce ndërkohë në 2008 kishim 3610 divorce. Në vitin 1990, për njëqindmijë banorë realizoheshin 8.9 martesa, në vitin 2000 ky indikator është 6.7. Viti absurd ‘97 karakterizohet nga një shifër e ulët e divorceve për shkak se regjistrat e gjyqësorit u dogjën dhe institucionet nuk funksiononin. Në vitin 2008 për çdo njëqind martesa që u realizuan shtatëmbëdhjetë të tjera përfunduan në divorce.

Për periudhën 01.01.2013 -01.10.2013 numri i rasteve për zgjidhje ne Gjykatën e Tiranes ishte 764 raste, nga të cilat 563 ishin raste te mbartura dhe 201 raste te reja.

Ndërkohë që në 2014 në kryeqytet ishin 660 raste te paraqitura për zgjidhje martese, nga të cilat 563 raste ishin te mbartura dhe 240 raste te reja

Në 2011-2015 në vend janë divorcuar 34.332 çifte, nga këto afërsisht 7080 çifte janë vitin që kaloi pa llogaritur 1800 syresh që kanë aplikuar për zgjidhje gjatë këtij viti.

Numri më i madh i divorceve shënohet në Tiranë e pasuar nga qytetet e mëdha si Vlora, Elbasani e më pak divorcohen në Tropojë e Pukë.

Këto të dhëna flasin për ndryshime të sjelljes shoqërore tek qytetarët shqiptarë. Një familje shkon drejt shpërbërjes, për shkak se shërbimi dhe përkushtimi ndaj njësisë së formuar nga kombinimi i dy personaliteteve të ndryshme, nuk mjafton për të mbajtur gjallë institucionin.

Për ndryshim të sjelljes shoqërore të qytetarëve tanë mund të flasim po të shohim edhe raportin e martesave për njëqindmijë banorë. Po të shikohet me kujdes numri i divorceve që kryhen për çdo njëqind martesa konstatojmë se në total shoqëria shqiptare ka nivel të lartë divorcesh duke shënuar tashmë një tjetër etapë në modelin social të saj.

Divorci është një proces në përgjithësi traumatik që nis me shpërbërjen e raportit martesor dhe përfundon me zgjidhjen ligjore të këtij institucioni. Shpesh herë ky proces edhe kur mendohet t’i ketë dhënë fund një situate të vështirë, është shoqëruar me dhunë e konflikte që ju kanë marrë jetën qytetarëve, ose që kanë shenjuar thellësisht jetët e pasardhësve. Një ndër vështirësitë më të mëdha që e pason këtë proces është

Mospagesa e detyrimeve financiare që i lindin ish-bashkëshortit ndaj pasardhësve, gjë e cila ndodh në 70% të rasteve, apo mosrespektimi i detyrimit ligjor për të takuar fëmijën ose fëmijët, për shkak të pengesave që krijon njëri prind për tjetrin flasin për vështirësi që nuk po arrijnë ende të kapërcehen.

Numri në rritje i divorceve nga njëra anë flet për një shoqëri që emancipohet ku individi aspiron lumturinë; fakti se një pjesë e madhe të divorcuarve rimartohen, tregon se shpresa për këtë lumturi dhe besimi tek institucioni i familjes tejkalon përvojën e hidhur që krijon divorci. Ky numër në rritje tregon se varfëria e gjithanshme e shoqërisë e ka kërcënuar këtë institucion duke e çuar drejt shpërbërjes. Varfëria dhe dukuritë që lindin prej saj apo që e krijojnë atë të tilla si: emigrimi, përdorimi i alkoolit, i substancave të ndaluara, varësia nga lojërat e fatit, papunësia e lartë etj,. kanë qenë disa nga shkaqet që kanë rritur në këtë mënyrë numrin e divorceve.

Të tjerë faktorë që çojnë në divorc lidhen me zhgënjimin e pritmënive nga institucioni i martesës, me adulterin, konfliktet e forta që shkojnë drejt dhunës verbale e fizike etj. Mungesa e tolerancës në shoqërinë shqiptare ndaj bashkëjetesës shpesh herë nxit çiftet të përshpejtojnë martesën kur ende nuk kanë njohje të thelluar ndaj njëri-tjetrit.

Në ato çifte kur funksioni i riprodhimit nuk përmbushet dhe përfaqëson të gjithë motivin e martesës, ai zbeh çdo lloj funksioni tjetër mes partnerëve duke bërë që mjaft martesa të shkojnë drejt zgjidhjes.

Prirja e rritjes së divorceve në vendin tonë mund të lidhet me disa faktorë si : urbanizimin i jetës, shqiptare, modifikimi i raporteve familjare, rënia e ndikimit të faktorëve të traditës, rritja e shkallës së emancipimit të gruas, rritja e tolerancës sociale ndaj njerëzve me statusin e të divorcuarve etj.

Ndër treguesit fillestarë që flasin për një martesë që nuk kryen funksionet e saj është pakënaqësia ndaj bashkëjetesës në çift, pakënaqësi që në fazën fillestare nëse ndahet më të tjerë, ndodh të diskutohet me miq apo të afërm; Në një numër të madh rastesh, për shkak edhe të mendësisë së mbyllur, por edhe për shkak se këshilluesit e martesës mungojnë, ky divorc emocional përballohet në heshtje ndërkohë që vjen e zgjerohet.

Në një fazë tjetër pakënaqësia ndaj njërit-tjetrit shfaqet hapur dhe partnerët nisin edhe të përballen me të, ndërkohë që në fazën e tretë partnerët arrijnë në përfundimin se qëndrimi së bashku është i pamundur dhe raporti nuk mund të vazhdojë.

Në këto dy dekada e gjysmë familja shqiptare është zvogëluar, i ngjan më shumë familjes së tipit bërthamë; gjatë kësaj periudhe janë rritur familjet njëprindërore, shoqëria ka treguar një lloj tolerance ndaj bashkëjetesës, ka më shumë çifte që jetojnë një kohë të gjatë pa lindur fëmijë etj., por Aktualisht familja shqiptare gjendet njëherazi nën ndikimin e mjaft faktorëve të trashëguar edhe të rinj, duke qenë e vetme, e pambështetur dhe e papërkrahur nga shteti dhe shoqëria. Ndaj që të kuptojmë sjelljen shoqërore të qytetarëve shqiptarë në kushtet e një shoqërie të varfër por që kërkon të emancipohet, nevojitet që prej shifrave të dalim në përfundime dhe prej analizës së tyre të dalim në rekomandime. Demokratizimi i shoqërisë shqiptare vjen edhe nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të shoqërisë për domosdoshmërinë e ndihmës ndaj familjeve në nevojë, ndaj çifteve që janë në krizë dhe ndaj nevojës për të promovuar një nga vlerat e kësaj shoqërie që ka në qendër një familje ku marrëdhëniet të jenë të ngrohta, intime dhe të forta.

Please follow and like us: