Fytyra e turinj të Shqipërisë – nga Faik Konica
“Fytyra e turinj të Shqipërisë” është një rubrikë satiro-letrare e krijuar nga Faik Konica te “Albania” e tij e llojit “Portrete e karaktere”. Kjo kronikë shoqërohet herë-herë nga një rubrikë tjetër satirike, të cilën ai e quan, me shumë lezet e shije, “Një koqe kripë”, përkthim nga frëngjishtja i togëfjalëshit “Grain de sel” për të shfaqur kështu grimcat e veta humoristike nëpërmjet personazhit të Demir-Onbashit krijuar prej tij. Këto dy rubrika satiro-humoristike, tepër të suksesshme për kohën, shfaqin nga ana tjetër një lojë mjeshtërore të fjalëve me stërhollje të mendimit dhe me një mësim të madh, përherë aktual, nga i Madhi Konica, i cili kërkoi me ngulm, si rrallë kush, stërvitjen mendore të popullit për përparimin e tij, në stilin modern të kohës. Por le t’ia lëmë fjalën Faik Konicës, apo Trank Spirobegut, sipas pseudonimit të tij, atij mjeshtri të gjuhës letrare shqipe dhe gjallërues nga më të zellshmit të shpirtit të kombit shqiptar.
Materiali u përgatit nga M. Maneshi me drejtshkrimin e sotëm.
***
Fytyra e turinj të Shqipërisë – Silahu i zapties
Faik Konica
Një mik më dërgoi një copë fletë që gjeti në silah të një zaptie tosk. Kjo kartë është për të vënë re: e ndotur në një vend me vaj a me dhjamë, në një tjetër me gjak – gjak kauri a gjak pule? – bie erë hudhër, duhan e raki. E me një dorë që dridhet a s’ka zakon të shkruaj, një sërë mendimesh radhiten, si një sërë margaritarësh. E vura nën qelq, e po e vë re ditë për ditë me çudi, si një gjë e kushtueshme dhe e rrallë, që duket njëmijë vjetësh e vjetër, po që është e re, e tanishme. Duke mos qenë një njeri që e ka për zakon t’i mbajë krejt për vete gjërat e mira, si lakmitar i pangopur, – po shfaq këtu se ç’thotë Karta e Silahut:
1. Nuk më pëlqen penda e hekurt [pena me majë]. Kalemi i shkretë është më i mirë: i bën një majë nga të dy anët, e me njërën shkruan, me tjetrën kruan kokën a kurrizin kur të hanë.
2. Ngjyra (boja) s’më pëlqen aq e hollë: duhej të ish e trashë, që edhe të shkruaj, edhe të më zërë vendin e melhemit për plagët e këmbës.
3. Këndova programin politik të një shoqërie shqiptare. S’më pëlqeu. Programi im është: kush ka vjedhur më tepër pula nëpër fshatrat e kaurëve është më tepër matriot a mëmëdhetar, e ai duhet të jetë më i pari.
4. Kur të bëhet Shqipëria më vete, krojet do të derdhin raki në vend të ujit, e do të rrimë tërë ditën të shtrirë në diell, të “llafosemi”, të pimë e të kruhemi me kalem.
5. Jam gati të vritem për Shqipërinë, po me një kusht: të mos vdes! Që pastaj të rrojë mirë, sepse të gjithë do më nderojnë e do të më japin duke thënë: “Ja, ky u vra për Shqipërinë”.
T. Sp. (Trank Spiro)
***
Një koqe kripë
Në një kaush (kazermë) zaptiesh, një atdhetar bën propagandë; thotë se “atdheu është vendi ku flenë kockat e më të dashurve.” – Po ahere (thotë Demir-Onbashi, të cilit i vete mendja te pulat që ka vjedhur e ngrënë), të mos i themi atdhe, po puladhe, se besa! që nga Gjiri i Prevezës e gjer në anë të Shkumbit [Shkumbinit] kam lënë kudo mijëra kocka pulash, e s’kam kocka më të dashura!
Një [tjetër] koqe kripë
Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak:
Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk.-Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke (ujkonjë).
Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (në shkallën sipërore).
Këpucëgrisurit
Shkon e vjen poshtë e përpjetë
Këpucëgrisuri i shkretë,
Shkon e vjen edhe përgjon,
Ç’thotë atdhetari e ç’mendon.
Ha bukë bashkë me atdhetar,
Edhe e bën veten gomar…
Me atdhetar motin shkon,
Por në bukë e kripë e tradhëton.
Se kështu është jetë e fëlliqtë e tij,
Me fitu bukë me tradhëtij…!
Këpucëgrisur i mjerë,
Si nuk të pashë të mbathur njëherë.
Po me gjysmë këpucë në kam [këmbë],
Për Ramazan e për Bajram?…
Pra, besoi fjalëve të mia,
O i mjerë të ka vra Perëndia!
Se ai që vëllain e vet tradhëton,
Me gjysmë këpucë jetën e shkon!…