Zëri i Ndërgjegjes
Nga Reshat Kripa*/
Një mbrëmje, Hektori mori fletoren me poezitë dhe shkoi në shtëpinë e Petritit. E gjeti me penel në dorë. E vetmja gjë e mirë që kishte bërë, pasi ishte liruar nga burgu, ishte se ishte martuar me një vajzë të shtresës së tij. Kishin një djalë dy vjeç. Banonin në një shtëpi private, së bashku me dy prindërit, punëtorë në ndërmarrjen bujqësore. Kishte filluar punë si murator në ndërmarrjen e ndërtimit. Profesionin e kishte fituar qysh në burg.
– Çfarë po pikturon? – e pyeti Hektori.
– Jetën time, – u përgjigj dhe i tregoi konturet e një pikture që ende nuk ishte mbaruar.
Hektori e vështroi. Ishte portreti i një personi që i drejtohej dikujt me duart përpjetë. Shprehja e fytyrës së tij dukej sikur lutej. Piktura kishte nënshkrimin; “Mëshirë për atë që rrëzohet!”
– Çdo të thotë kjo?
– Nuk e kupton?
– Më duket si ndjesa që kërkon ndonjë që ka kryer ndonjë faj.
– Unë do ta quaja krim.
– Krim, përse?
– Sepse faji mund të shlyhet me disa vite burg ndërsa, nëse ke kryer ndonjë krim, atëherë ndërgjegja të bluan zemrën dhe shpirtin. Ndjenja e përgjegjësisë të bren vazhdimisht.
Petriti fliste me një zë të tillë, thuajse ishte ai që e kishte kryer atë krim. Ishte hera e parë, pas kaq vitesh, që Hektori dëgjonte mikun e tij të fliste në këtë mënyrë.
– A të ka takuar rasti të njohësh ndonjë kriminel që ka vrarë dikë? – vazhdoi Petriti. – Unë kam njohur një të tillë në burg, një që ishte penduar për atë që kishte bërë por që nuk mund ta kthente më prapsht. E kishte ndërgjegjen të copëtuar. Ajo e gryente vazhdimisht. Nuk gjente qetësi as natën. Ngrihej nga shtrati dhe thërriste: –“Falmë, falmë!”- por asnjë nuk i përgjigjej. Atëherë dergjej përsëri në shtrat duke qarë me ngashërim. Portretin e këtij njeriu kam dashur të paraqes në këtë pikturë.
Hektori filloi ta vëzhgojë portretin me një vëmendje akoma më të madhe. Për një çast iu duk se tiparet e saj i ngjanin fytyrës së një të njohuri. Po vriste mendjen se kujt. Së fundi e gjeti. Tiparet e fytyrës në pikturë ishin të njëjta me ato të Petritit. Këtë dyshim e shprehu.
– Doja një fytyrë për këtë portret, – u përgjigj Petriti. – Fytyrën e të njohurit tim nuk mund ta pikturoja. Kjo do të thoshte ta dënoja atë edhe një herë. Mund të sajoja një fytyrë çfardo, por më dukej se kjo nuk do të ishte e plotë. Ndaj i dhashë tiparet e mia portretit.
– Je piktor i madh, miku im. Portreti yt është një kryevepër në pikturë. Ky portret mund të konkurojë në çfardo lloj ekspozite në botë.
– Për mua, ato dyer do të qëndrojnë vazhdimisht të mbyllura. Si shkruante Migjeni? –“Vetëm unë me ju po knaqem si fëmija”- Edhe ne jemi të detyruar të kënaqemi vetëm ne me veprat tona. A nuk po të ndodh edhe ty me poezitë kështu?
Hektorit iu kujtua poezia që ia kishte dërguar gazetës “Letrari i ri”, e cila nuk denjoi as t’i kthente përgjigje. Këtë ia tha edhe bashkëbiseduesit. Ai e dëgjoi dhe i tha:
– Sidoqoftë të mos na mposhtë pesimizmi. Unë kam bindjen se më në fund e vërteta do të triumfojë. Për këtë duhet të kemi besim. Do të vijë dita kur veprat tona do të publikohen botërisht.
Fjalët e mikut të tij e ngrohën Hektorin. Kishte nevojë për fjalë të tilla. I tregoi fletoren me poezi.
– Lexoi! – i tha.
Petriti mori fletoren dhe filloi ta lexojë. Ishte një tufë me njëzetepesë poezi. I
kushtoheshin atdheut, dashurisë, familjes, shoqërisë. Ato ishin shkruar me ndjenjë. Në mënyrë të veçantë aty ku shprehej dëshira për liri.
– Të lumtë, miku im! – i tha. – Dëgjoje këtë strofë: Në këtë kaos, këtë vend të nxirrë,/ Nga këta “bandillë” këta “xhevahirë”,/ Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,/ Zërat tanë të lirë, Zë në shkretëtirë! A nuk të duket e goditur?
Fjalët i pasoi një heshtje. Secili sillte në mendje vargjet e kësaj poezie. Së fundi Hektori foli:
– Si thua?
– Një medalion për shumë gjëra. Një medalion për kohën, politikën, njerëzit dhe tërë sfumimin e njeriut. Poezia ka stil, patos, lirizëm, por edhe një lidhje historike mes fjalës dhe kohës që përcillet. Mesazhi i kësaj poezie është se, edhe pse je “zë në shkretëtirë” e ke thënë fjalën tënde jashtë kësaj shkretëtire. Muzikaliteti i kësaj poezie, nuk vjen vetëm nga rima, por nga fuqia e fjalës dhe nga mesazhi metaforik që ajo përcjell. Ata që kanë vesh dhe ata që kanë sy e ndiejnë me tërë kompleksitetin e shqisave fuqinë dhe moralin e fabulës. Ju keni përjetimin e një zëri “luanor” në këtë “shkretëtirë”, ku forca e zërit u premton më shumë se sa pakësia njerëzve të mavijosur nga dhjami politik. Në këtë mesazh janë ëndrra të ardhura në mes trazimesh, por janë edhe trysni që flaken dhe çlirohen mjeshtërisht nga “brumbulli” i karshillëkut dhe shpërdredhjes njerëzore, që gjen përshtatjen në hapësirën e mjerë dhe të shkretë të politikës zhargone. Një poemë prekëse, tema e së cilës i përshtatet çdo situate tjetër që njeriu me vullnet e synime të qarta i përballon. Urime, miku im.
Petriti heshti. Një kritik i vërtetë letrar nuk mund të fliste më mirë.
– A e dini se jeni një analist i vërtetë letrar? – i tha Hektori. Ju falënderoj së tepërmi. Por, më thoni, a nuk janë një zë në shkretëtirë pikturat e tua të mrekullueshme?
– Po, jetojmë në një epokë të gabuar, në një epokë kur do të mësosh dhe nuk të lejojnë, do të punosh dhe nuk të lejojnë, do të jetosh dhe nuk të lejojnë edhe për të jetuar.
– Megjithatë ne duhet të vazhdojmë të krijojmë. Të krijojmë deri sa të vijë dita jonë, dita e demokracisë së vërtetë. Atëherë t’i nxjerrim në dritë për të shpërthyer.
Ky ishte si një betim i dytë që bënin për të qëndruar në ballë të rezistencës aktive kundër përbindëshit që kishte zaptuar atdheun. Pas kaq kohësh e ndienin veten të lirë ashtu si “Herkuli” i pikturës që i kishte dhuruar Petriti, ditwn qw u lirua nga burgu, që shpërtheu zinxhirët me të cilat e kishin lidhur.
U përqafuan me njëri-tjetrin ashtu si nuk ishin përqafuar kurrë.
***
Një trokitje në portë e zgjoi Hektorin nga ëndërrimet ku ishte zhytur. U ngrit dhe e hapi. Para tij qëndronte Bledari.
– Ç’kërkoni? – e pyeti me një ton mospërfillës
– Dua të bisedojmë.
– Ju kam thënë, ndërmjet nesh ka mbaruar gjithçka.
– Ju lutem, vetëm pak minuta dua të më kushtoni.
Hektori u mendua për disa çaste, pastaj u tërhoq mënjanë për t’i hapur rrugën. Bledari hyri në dhomë.
– Flisni! – foli Hektori pasi zunë vendet.
– E di që nuk do të më besoni. E di që do të mendoni se më kanë futur për t’ju spiunuar dhe keni të drejtë. Megjithatë dua, për herë të parë në jetë, të jem i sinqertë me ju. Unë kam nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit para një jave. Nuk munda të rezistoja më. Kështu jam gatuar. Detyra që më kanë ngarkuar është pikërisht vëzhgimi juaj. Por kam një brengë. Më bren ndërgjegjja për fajin e kryer ndaj jush para shumë viteve.
– E pastaj? – e ndërpreu Hektori.
– Pastaj? E di që nuk do të më besoni, por unë e ndiej për detyrë t’ju lajmëroj: Ruhuni! Jeni vënë në shënjestër. Tani do të iki, por e di që dikush tjetër më ndjek nga prapa. Ndaj kur të dalim do të më shtysh që të besojnë se ti nuk më pranove.
U ngrit dhe u drejtua nga porta. Hektori e ndoqi.
– Hap portën dhe më shty me forcë, – tha Bledari.
Hektori hapi portën dhe i dha një të shtyrë të fort që e rrëzoi për tokë.
– Shporru dhe mos të të shoh më! – thirri me zë të lartë.
Bledari u ngrit dhe u largua. Një hije lëvizi pas tij. Hektori mbylli portën dhe u kthye në dhomë. Ndodhia i kishte ardhur papritur. Të ishin vërtetë të sinqerta fjalët e tij apo vazhdonte ende lojën? Nuk ishte në gjendje t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje. Kishte nevojë të këshillohej me ndonjë. Po me cilin? Përveç Petritit ai nuk kishte shok tjetër. Të shkonte tani atje druhesh se mos e survejonin. Tashmë nata e kishte mbuluar qytetin. Ishin orët e vona të saj. Në atë kohë nuk kishte ku të shkonte. Vendosi ta linte për të nesërmen. Por edhe të nesërmen nuk bëri gjë. Përvoja e kishte mësuar që të ishte shumë i kujdesshëm.
Te Petriti shkoi pas një jave. E gjeti vetëm. Gruaja me djalin kishin shkuar për një vizitë. Sa u ulën i tregoi ngjarjen me Bledarin. Ai e dëgjoi me vëmendje dhe nuk fliste. Nuk i ndërhyri në asnjë frazë.
– Po ti, pse nuk flet? – e pyeti Hektori.
– Të flas? E çfarë të flas?
– Petrit, ku e ke mendjen? – pyeti Hektori duke kuptuar se miku i tij kishte fluturuar diku larg.
Petriti u ngrit dhe doli nga dhoma. Pas pak u kthye. Në duar mbante disa nga pikturat e tij. Ishin pikërisht ato, për të cilat Hektori mendonte se kishin një kuptim alegorik. Tema kryesore e tyre ishte brejtja e ndërgjegjes. Kjo kuptohej edhe nga titujt që kishte zgjedhur autori.
– I shikon këto, – foli më në fund Petriti. – A mund të më thuash se çfarë shprehin?
Hektori qëndronte i habitur para tyre. Çfarë lidhje kishin këto piktura me ngjarjen në fjalë? Këtë nuk e shpjegonte dot.
Petriti e vështronte. Një psherëtimë i doli nga gjoksi i tij.
– Përse? – pyeti më në fund Hektori.
– Plagë zemre, – u përgjigj Petriti.
Hektori kuptoi që miku i tij fshihte diçka. Patjetër kjo duhej të ishte mjaft e rëndë, të cilën ai nuk guxonte ta shprehte.
– Petrit, – iu drejtua mikut të tij, – Çfarë të mundon? Fol dhe do të shohësh se do të lehtësohesh.
– Të flas? Edhe unë dua të flas por a mund të tregohet dobësia e karakterit?
– Patjetër.
Fjalët e Hektorit ngrohën zemrën e Petritit. Filloi të fliste. Në fillim pak i drojtur dhe me një zë që mezi dëgjohej. Me kalimin e kohës sikur u çlirua nga ankthi dhe fjalët i shqiptonte më rrjedhshëm. Çuditërisht, kur përfundoi, e ndjente veten krejt të çliruar. Kishte hequr nga zemra një brengë të madhe.
Petriti kishte lindur në vitin e fundit të luftës, njësoj si Hektori. Ishte djalë i vetëm. Zoti nuk u kishte falur prindërve fëmijë të tjerë. Në përgjithësi familja e tij nuk ishte përzierë në mosmarrëveshjet e kohës së luftës, por biografinë ua “prishte” një kushëri i babajt, pjesëtar i çetave nacionaliste që, me mbarimin e luftës, ishte arratisur jashtë shtetit me shumë të tjerë. Kjo gjë bënte që peshorja, kur vinte puna për ndonjë vlerësim, të anonte nga i arratisuri. Megjithëse rridhte nga një familje e ndershme, që nuk i ishte dëgjuar zëri ndonjëherë për keq, ata shikoheshin pak shtrembër nga qeveritarët dhe kjo vetëm për faj të atij kushëririt.
Me gjithë këto, i ati bëri si bëri, duke ndërhyrë sa te njëri aq dhe te tjetri, mundi t’i nxirrte të birit të drejtën e studimit në fakultetin e pikturës. Para Petritit ishin hapur rrugë të reja. Ishte një nga studentët më të shkëlqyer të fakultetit, një as i vërtetë që i kishte mbaruar studimet me rezultatet më të larta. Bënte pjesë në dy apo tre studentët më të mirë të universitetit dhe kishte të drejtë të krenohej.
Si i ri që ishte kishte plot ëndrra. Mendonte se do të emërohej në ndonjë vend me rëndësi në kryeqytet. Ndoshta mund ta mbanin edhe si pedagog në universitet. Këtë mendim ia kishin shprehur edhe nja dy pedagogë që ia njihnin aftësitë. E ëndërronte veten ndoshta edhe në postin e ndonjë drejtori drejtorie ose edhe atë të ndonjë zëvendësministri. Ishte në moshën e rinisë, në moshën e iluzioneve.
Por hija e zezë e kushëririt të largët e ndiqte hap pas hapi. Ajo hije çuditërisht afrohej aq shumë dhe zmadhohej pambarimisht, sa e tmerronte kur mendonte pasojat. I duhej patjetër të gjente mënyrën për të shpëtuar prej saj
Dikush i kishte thënë se paskësh dëgjuar diku se do të emërohej mësues në një shkollë fshati të largët, diku në veriun e vendit. U mendua dhe u mendua gjatë për këtë çështje. Vendosi të kërkonte ndihmën e kryetarit të degës së Punëve të Brendëshme të qytetit. Kishin qenë shokë bange në shkollën shtatëvjeçare. Kur Petriti kishte filluar gjimnazin, shoku i tij kishte kaluar në shkollën e Sigurimit të Shtetit. Megjithatë shoqërinë e kishin ruajtur. Në pushimet e verës shoqëroheshin vazhdimisht.
Shkoi. Do të bisedonte hapur. Besonte se do ta kuptonte. Ai i kishte të gjitha mundësitë për ta ndihmuar.
Kryetari sa mori vesh kush e kërkonte, urdhëroi ta fusnin brenda.
– Ç’ e mirë të solli sot këtu? – e pyeti.
Petriti i shpjegoi hollësisht hallin e tij. I tha se për shkak të kushëririt të largët, me të cilin nuk kishin pasur lidhje fare, rrezikohej të emërohej në një fshat të largët, në një kohë që kishte përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera. I tregoi edhe diplomën me notat . I foli, gjithashtu, edhe për ëndërrimet e tij për poste më të larta.
Kryetari e dëgjonte me vëmendje dhe e la të fliste pa e ndërprerë. Hera-herës vinte buzën në gaz, sidomos kur pa diplomën. Kur mbaroi, i tha me një zë të qetë:
– Ik tani dhe do të lajmëroj unë!
Petriti u largua me shpresë se puna do të rregullohej. Këtë ia tha edhe të atit. Ai e shikoi ndër sy dhe i tha
– A e mendove mirë?
Nuk e kuptoi se çfarë donte të thoshte i ati me këto fjalë. Megjithatë nuk e zgjati.
Pas dy javësh një polic u paraqit në shtëpi.
– Ju kërkon kryetari në turizmin e qytetit, – i tha.
U nis. Sapo mbërriti atje gjeti shokun e tij, i cili e shpuri në një dhomë të veçantë. Kryetari porositi dy dopio konjak. Nuk kishin filluar ende të pinin kur ai i tha:
– Dëgjo Petrit, e bisedova çështjen tënde me shokët dhe ata janë dakord. Do të emërohesh drejtor në një shkollë të rëndësishme në qytet. Pas disa vitesh mund të shkosh edhe më lart. Varet nga puna jote.
Fantazia e Petritit filloi të fluturonte. Ëndrra e tij po realizohej. Po i hapeshin horizonte të pafund ku do të shpërthente talenti i tij.
– Falemnderit, – i tha me zërin që i dridhej nga emocioni. – Nuk e di në se do të më jepet mundësia t’jua shpërblej.
– Ajo varet nga ju, – vazhdoi kryetari.
– Në ç’mënyrë?- pyeti pa vetëdije Petriti.
– Të bashkëpunosh me ne.
Një mjegull e mbuloi. Sytë filluan t’i errësohen. Veshët t’i buçasin. Shoku i kishte kërkuar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. I dukej sikur e kishte goditur rrufeja.
– Po unë jam mësues, – mundi t’i thoshte
– Kjo s’do të thotë gjë, – iu përgjigj ai. – Ju mund të punoni në profesionin tuaj dhe kjo nuk ju pengon që të kontribuoni edhe për partinë dhe pushtetin popullor. Kjo është detyra kryesore e çdo shqiptari. Shpejt do t’ia shihni hairin kësaj pune.
Petriti nuk dinte çfarë t’i përgjigjej. Kryetari e vuri re një gjë të tillë dhe nuk e zgjati më tej, por iu drejtua:
– Mirë, për sot e lemë me kaq. Do të takohemi përsëri. Mendohuni për çfarë ju propozova dhe… – Zëri i tij u rëndua – mos bëni gabim ta bisedoni me njeri, as edhe me prindërit tuaj.
U ndanë.
Kaluan dy javë. Një korrier e lajmëroi se duhej të paraqitej në të njëjtin vend të nesërmen në orën 22.00. Shkoi. E priste një fytyrë e panjohur që iu prezantua me emrin Filip. Në dhomën e barit ishin edhe dy operativë sigurimi të tjerë. Kësaj here nuk kishte më biseda midis miqsh. Zotëronte gjuha e kërcënimeve. Emërim në ndonjë zonë të humbur të vendit, internim e ndoshta edhe burgim.
Para syve i qëndronte një letër e shkruar me makinë shkrimi. Sytë i ishin veshur. Nuk lexonte dot. Truri i rrihte si çekan. Megjithatë, me vështirësi, mundi të dallojë një fjalë, në krye të letrës, të shkruar me shkronja të mëdha: DEKLARATË
E kuptoi se çfarë ishte ajo letër. Ishte ndëshkimi i tij në këmbim të karrierës. Kërcënuesit ndërroheshin me njëri-tjetrin. Dilnin, futeshin në bar, pinin ndonjë konjak ose fërnet dhe ktheheshin më shumë të egërsuar. Ai ishte i detyruar të qëndronte më këmbë dhe të dëgjonte ligjëratat e tyre. Nuk e linin të ulej. Pëshpërimat e tyre ogurzeza gjëmonin në veshët e tij.
Po agonte. Petriti ishte i kapitur. Filipi i zgjati letrën.
– Nënshkruaje! – i pëshpëriti.
Operativi këmbëngulte. Ai nguronte. Por ngurimi i atij njeriu pati një fund. Nuk mundi më të rezistonte. Vetëdija kishte fluturuar. Me duart që i dridheshin, mori penën dhe nënshkroi. Ishte nënshkrimi i parë i turpit të tij.
Filipi mori shkresën, e futi në çantë dhe i tha:
– Tani shkoni qetësohuni në shtëpi!
U nis. Rrugën e përshkoi si një i dehur ose më saktë si një sonambul. Të njohurit e përshëndesnin, por ai as që i shikonte.
Së fundi arriti në shtëpi. Familjarët ishin alarmuar.
– Isha te një miku im, – u tha dhe u mbyll në dhomën e tij.
E ëma e pyeti se çfarë kishte ndodhur por ai nuk iu përgjigj
– Lereni të qetë, – tha i ati që kishte kuptuar se diçka duhej të kishte ndodhur.
Petriti u shtri në shtrat dhe filloi të qante. Qante me dënesë, por pa nxjerrë zë. Nuk donte ta dëgjonin. Mbuloi kokën me jorgan. Çfarë t’u thoshte? Që kishte nënshkruar atë deklaratë të turpshme? Pasi kaloi vala e parë e zuri gjumi, një gjumë i rëndë i mbushur me ëndrra të llahtarshme.
Pas një jave erdhi emërimi. E kishin caktuar drejtor në njërën nga shkollat e mesme të qytetit. Por atij tashmë nuk i hynte në sy asgjë. Ëndërrimet e dikurshme kishin perënduar një herë e mirë.
Gjatë gjithë kohës që Petriti tregonte, Hektori qëndronte në heshtje. Rasti i tij i kujtoi edhe drama të tjera të ndodhura në atë kohë. Një rast i ngjashëm me të i dukej edhe ai i Bledarit. Ishin një nga metodat kryesore që përdorte Sigurimi i Shtetit për të rekrutuar
agjentët e tij.
– Po pastaj? – pyeti Hektori.
– Pastaj? – vazhdoi Petriti. – Mendoja si do ta kaloja këtë pengesë. Duheshin përdorur dredhira të ndryshme. Mendoja të rrija i veçuar. Po të më pyesnin, do t’u thoja se me mua nuk bisedonte njeri, pasi druheshin nga detyra që kisha. Por, a do të kisha sukses me këtë mënyrë? Nuk e dija.
Pasi nxori një psherëtimë vazhdoi:
– Në shkollë vinte vazhdimisht Filipi. Ai ishte caktuar operativ i sigurimit për shkollën. Lidhjet i mbante me sekretarin e rinisë por, kur kalonte pranë meje, më pyeste gjoja me mospërfillje:
– E, ç’na thua, a kemi ndonjë gjë të re?
Unë bëja sikur nuk e kuptoja ku e hidhte fjalën dhe i thosha:
– Çfarë do të kemi veç punës së përditshme.
Një ditë arrestuan tre djem të rinj, Rolandin, Shezaiun dhe Nikollën. Ishin maturantë. U akuzuan për krijimin e një grupi antipushtet që bënte agjitacion dhe propagandë. Arrestimi i tyre bëri bujë të madhe në të gjithë qytetin.
Kishin kaluar disa muaj qysh atëherë. Të arrestuarit mbaheshin në degën e Punëve të Brendshme. Nuk ishin dënuar ende. Një ditë, rastësisht, takova kryetarin e degës. Ai më përqafoi me një buzëqeshje, që m’u duk e shtirur.
– Nesër, nga dreka, dil nga zyra ime. Dua të bisedojmë diçka të rëndësishme, – më tha.
Qetësia ishte prishur përsëri. E dija që vajtja ime atje, me siguri, do të kishte pasoja të tjera. Ai vend ishte foleja e prapaskenave. Çfarë kishte përgatitur që donte të më fuste edhe mua në këtë valle?
Megjithatë nuk kisha nga t’ia mbaja. U detyrova të shkoj. Më futën drejt e në zyrën e tij. Ai nuk e zgjati shumë me përshëndetjen, por u fut drejt e në temë.
– Kemi një denoncim të disa mësuesve për ata nxënësit e arrestuar. Lexojeni dhe është e mira ta nënshkruani edhe juve. Emrin tënd do ta mbajmë të fshehtë.
Më zgjati një letër të shtypur. E lexova. Më erdhi të pështirë. Ata mësues që deri në atë çast, i kisha konsideruar si njerës të ndershëm, kishin rënë aq poshtë sa të nënshkruanin një gjë të tillë kaq të ulët, aspak dinjitoze për një intelektual.
– Hë, çfarë po mendohe? – pyeti kryetari.
– Unë nuk di asgjë nga ato që kanë deklaruar ata, – iu përgjigja.
– I marrë qenke! Se mos ata kanë dëgjuar me të vërtetë? Hajde tani, shkruaj poshtë nënshkrimeve të tyre: “Vërtetoj deklaratën e kolegëve të mi” dhe nënshkruaje.
Më zgjati penën. Mua më dridheshin duart. Nuk guxoja.
– Ju kam premtuar, së shpejti ju pret kryeqyteti, lavdia. Mos e shkelmoni!
Në sytë e tij dallova një shenjë kërcënimi. Prapa atyre premtimeve të bukura fshihej burgu. U theva. Mora penën, shkrova ato që më diktoi dhe nënshkrova. Ishte nënshkrimi i dytë i turpit tim.
Pas dy muajsh mora vesh një lajm të kobshëm. Rolandi kishte ndërruar jetë. Në çfarë rrethana? Asgjë nuk dihej. Qarkullonte vetëm një lajm, i përhapur me siguri nga Sigurimi i Shtetit, Rolandi na paskësh vdekur gjoja nga një hemoragji cerebrale. Kurse unë kisha bindjen se atë e kishin mbytur në tortura.
U trondita së tepërmi. Ndjeva vetëdijen të më padiste. Kisha qenë edhe unë një nga shkaktarët e asaj vdekjeje. Ai nënshkrimi im i mallkuar e kishte shpënë atë djalë të ri në qiell. Po, po në qiell, sepse në tokë nuk kishte më vend për njerëz si ai.
Tronditja shpejt u kthye në revoltë. Brenda meje ziente një vullkan që, deri atëherë, kishte qenë i fshehur. Mendova t’ia përplas në fytyrë shokut të fëminisë sime. Ishte më e pakta çka që mund të bëja.
U drejtova për në degën e Punëve të Brendëshme, ku kërkova kryetarin. Meqënëse më kishin parë edhe herë të tjera të takohesha me të, më përcollën në zyrën e tij. Nuk prita të fliste. Fola unë:
– Përse i morët jetën?
Më shikoi i habitur se ku e kisha gjetur guximin të flisja ashtu para tij. Nuk i kishte ndodhur kurrë më parë një rast i tillë. U përgjigj me një zë të akullt:
– Ia mora unë apo ju? Haruat deklaratën tuaj?
– Atë deklaratë ma nxorrët ju me kërcënimet tuaja. Ju e dinit që nuk kishte asnjë të vërtetë në të.
Një e qeshur histerike mbuloi dhomën. Unë ngriva. Si ishte e mundur të qeshte para një ngjarje të tillë? Fillova të vjell prej goje shprehje të tilla që në asnjë çast tjetër nuk do të guxoja. E kisha humbur arsyen. Kujtoja se kisha para meje një shok të shkollës. Harova se ai ishte kryetari i degës, njeriu më i fuqishëm i qytetit. Kur e pa se kalova çdo kufi, thërriti dy policë, të cilët më kapën për krahu dhe më flakën përjashta.
Të nesërmen i drejtova një letër Seksionit të Arsimit në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit, ku i komunikoja dorëheqjen time nga detyra e drejtorit dhe nga arsimi. Nuk isha i denjë të punoja në atë sektor.
Fillova punë si punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit. Nuk kaloi më shumë se një muaj dhe më arrestuan. Më dënuan për agjitacion dhe propagandë.
Përse përfundova në këtë gjendje? Edhe ti e përfundove shkollën me rezultate të shkëlqyera, por nuk re në grackën që rashë unë. Kërkoja lavdinë. Por për të arritur këtë duhej të paguaje një çmim. Ky është kushti i Sigurimit të Shtetit. Ai e ka si parim gjurmimin e atyre që kërkojnë të arrijnë majat. Në mënyrë të veçantë të atyre që kanë ndonjë “kleçkë” në biografi. Një nga këta jam dhe unë. Një gjë të tillë e pagova shumë shtrenjtë. Po ty a të ka ndodhur kjo?
Hektori u mendua para se të përgjigjej. Asnjëherë në jetën e tij nuk e kishin thirrur për ta bërë bashkëpuntorë. Ai i ishte nënshtruar fatit. E dinte gjendjen e tij dhe nuk kishte kërkuar kurrë të ngrihej më lart se një punëtor i thjeshtë.
– Jo! – iu përgjigj mikut të tij, – asnjëherë!
– E shikon, të thashë? Sigurimi ndiqte gjithmonë ata që kërkonin të ngjisnin shkallët e karrierës.
Heshti. E kishte përfunduar historinë e tij. Edhe Hektori nuk fliste. Historia e Petritit e kishte tronditur, sepse sinqeriteti me të cilin e kishte treguar ai e kishte befasuar. Ishte hera e parë që dëgjonte një reflektim të tillë të ndërgjegjes. Në atë kohë ishte e modës që njerëzit të hiqeshin të gjithë heronj, të viheshin në garë se kush mund të tregonte më shumë “heroizmat” që kishte kryer në kohën e luftës apo periudhës së ndërtimit të socializmit.
*Fragment nga romani “Ëndrrat e thyera”