Brexit dhe e ardhmja e Europës
Një grup ekspertësh paraqesin propozimin e tyre për të shpëtuar BE-në nga shpërbërja dhe për t’i dhënë Britanisë së Madhe akses në tregun europian edhe pas daljes nga unioni.
Askush nuk e di ende kur Mbretëria e Bashkuar do të paraqesë një axhendë për negocimin e daljes nga Bashkimi Europian. Por është tashmë e qartë se Brexit do të riformësojë hartën e Europës. Dhe, veçanërisht duke marrë parasysh mungesën e përgatitjes së Britanisë për pasojat e vendimit të saj – strategjia, prioritetet dhe madje edhe afati kohor mbeten të pasigurta – kjo nënkupton se BE duhet të fillojë të kuptojë si të nxjerrë më të mirën nga kjo. Ja se si mundet.
Le të fillojmë vetëm me ato që janë të sigurta: negociatat e Brexit do të jenë të gjata, komplekse dhe të hidhura dhe divorci do të ketë pasoja të thella gjeopolitike. Ndikimi i menjëhershëm është një ndalim i lëvizjes integruese që ka zgjatur prej 60 vitesh. Europa do të vuajë në kuptimin afatshkurtër dhe afatmesëm gjithashtu, teksa me gjasa do të shpenzohet energji politike e konsiderueshme për Brexit në pesë vitet e ardhshme, në një kohë kur BE ka nevojë për forcë për t’u përballur me rreziqe të brendshme dhe të jashtme. Në kuptimin afatgjatë, brexit me gjasa do të përshpejtojë daljen e Europës nga tabela kryesore e vendimmarrjes globale.
Britania nuk do t’ia mbathë këtyre pasojave. Ndërsa mund të largohet nga BE-ja, ajo nuk mund të zhvendoset larg Europës.
Kjo është arsyeja përse, ndërsa partnerët europianë të Britanisë nuk zgjodhën Brexit, ata duhet të menaxhojnë me sukses pasojat e daljes, gjë që kërkon balancim të dy prioriteteve. Synimi i tyre taktik duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje me Mbretërinë e Bashkuar që ruan integritetin e BE-së. Synimi strategjik është ruajtja e begatisë dhe ndikimit të Europës.
Me këto ide në mendje, unë bashkë me disa kolegë europianë – të gjithë duke vepruar në kapacitet individual – së fundmi publikuam një analizë që propozon një koncept për Europën në 10-20 vitet e ardhshme: një partneritet kontinental që do të krijonte një bazë të re për vazhdimin e bashkëpunimit ekonomik, të politikës së jashtme dhe sigurisë me Britaninë e Madhe.
Ideja bazë ekonomike është një themel për një marrëdhënie që është më pak e thellë sesa anëtarësimi në BE, por më e afërt se një marrëveshje e tregtisë së lirë. Nëse miratohet, Britania dhe BE-ja jo vetëm mund të ruajnë lidhjet e tyre ekonomike, por gjithashtu do të ofrojnë një model të ri të marrëdhënies së ardhshme mes BE-së dhe fqinjëve që nuk do t’i bashkohen së shpejti: Norvegjisë, Zvicrës, Turqisë, Ukrainës dhe disa vendeve jugore të Mesdheut.
Çdo propozim në lidhje me të ardhmen e marrëdhënies BE-Britani duhet të fillojë me një interpretim të kuptimit të referendumit Brexit. I yni, supozon se votuesit britanikë refuzuan si pamundësinë ligjore të kufizimit të valës së punëtorëve nga BE-ja dhe parimin e pakësimit të sovranitetit.
Këto dy kufizime politike duhen marrë parasysh. I pari implikon se një marrëveshje që do të zgjasë mes Britanisë dhe BE-së nuk mund të përfshijë lëvizje të lirë të krahut të punës. I dyti përjashton pjesëmarrjen në një qeverisje të përbashkët dhe lë të kuptohet se çdo bashkëpunim duhet të bazohet te marrëveshjet ndërqeveritare.
Problemi i parë është një bllokim serioz sepse BE-ja bazohet te lëvizja e lirë e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punëtorëve. Partnerët europianë të Mbretërisë së Bashkuar këmbëngulin se këto katër liri janë të pandashme dhe se nëse Britania do të ketë aksesin e lirë në tregun kontinental për shërbimet e përpunimit të të dhënave dhe ato financiare, duhet të pranojë akses të palimituar në tregun e punës për punëtorët polakë ose irlandezë.
Liria e lëvizjes së punëtorëve është padyshim integrale për BE-në. Në fakt, e drejta themelore për jetuar dhe punuar në një vend tjetër pa marrë leje nuk ekziston askund në botë. Për miliona, kjo e drejtë përbën thelbin e BE-së.
Por Britania e bëri zgjedhjen e vet dhe pyetja e duhur që duhet të bëjmë tani është nëse lidhjet e forta ekonomike mund të ruhen pa lëvizjen e lirë të forcës punëtore. Nga një pikëpamje ekonomike, përgjigjja është po: një treg thellësisht i integruar i mallrave, shërbimeve dhe kapitalit nuk kërkon lëvizje të plotë të forcës punëtore. Çfarë nevojitet është vetëm lëvizshmëri e përkohshsme për të shoqëruar integrimin e tregjeve të shërbimit.
Me fjalë të tjera, liria e lëvizjes së punëtorëve është politikisht thelbësore brenda BE-së, por ekonomikisht e parëndësishme kur lidhet me vende të tjera. Një marrëveshje ekonomike me Britaninë nuk ka nevojë ta përfshijë atë.
Problemi i dytë është i një natyre të ndryshme. Ndryshe nga një treg malli, një treg për shërbimet financiare ose të informacionit duhet bazuar mbi legjislacion të detajuar që siguron konkurrencë të drejtë dhe mbron klientët. Një pjesë e madhe e detyrës së BE-së është të përgatisë këtë legjislacion. Ndaj pyetja këtu është se si prodhuesit britanikë mund të ruajnë aksesin në tregun e BE-së (dhe e anasjellta) nëse nuk janë më pjesë e legjislacionit.
Zgjidhja e kësaj dileme do të jetë një synimet kryesore të partneritetit kontinental. Nëpërmjet tij, Britania do të marrë pjesë në një proces multilateral të konsultimit mbi hartimin e legjislacionit të BE-së dhe do të ketë të drejtën të ngrejë shqetësime dhe të propozojë ndryshime, që rezultati i procesit të mbetet sa më konsensual të jetë e mundur. Të dyja palët duhet të zotohen politikisht të dëgjojnë njëra-tjetrën. BE-ja, megjithatë, do të thotë fjalën e fundit, që ligji i saj të aplikohet dhe të vihet në punë.
Për të shijuar aksesin e plotë në tregun e BE-së, Britania duhet të bjerë dakord mbi një paketë politikash thelbësore për funksionim më të mirë të një tregu të integruar: rregullat e konkurrencës, mbrojtja e konsumatorit dhe të drejtat themelore sociale, për shembull dhe ndoshta gjithashtu rregulla të taksës minimale për të shmangur shtrembërimet si praktikat e fundit të Apple. Britania gjithashtu duhet të kontribuojë në buxhetin e BE-së, nga ku merren fondet e zhvillimit.
Disa kundërshtojnë duke thënë se marrëveshja është shumë e ashpër që Britania ta pranojë. Por a do të ishte më mirë për Britaninë të humbte aksesin në tregun e partnerit kryesor të tregtisë?
Të tjerë shqetësohen se BE-ja d të dorëzonte fuqitë e saj të vendimmarrjes, nëse konsultohet me të jashtëm. Por si mundet që të paktit pa të drejtë votimi – Britania dhe të tjerë – të dominojnë shumicën me të drejtë vote?
Ende të tjerë thonë se një marrëveshje e tillë do të japë shumë lëshime për Britaninë, duke nxitur që vende të tjera të kërkojnë një status të ndryshëm dhe duke çuar në shpërbërjen e BE-së. Por përse do të ishte më mirë për një vend anëtar të BE-së t’i bindet rregullave dhe të paguajë për buxhetin e BE-së pa pasur të drejtë votimi në hartimin e politikave? Dhe, larg nga pengimi i integrimit europian, një partneritet kontinental do të mund të mbështeste konsolidimin e thelbit të BE-së.
E vërtetë, secili duhet të paguajë një çmim. Por ky çmim do të jetë shumë më i ulët se ai që do të vinte nga humbja e begatisë dhe shkatërrimi i ndikimit global, në rast të moskrijimit të një partneriteti kontinental.