Drago Siliqi: Në kërkim të së resë
Çështja e të kërkuarit të së resë në letërsi ka qenë gjithmonë e dorës së parë për artistët e vërtetë. Vetëm nëpërmjet kërkimeve individuale të shkrimtarëve më të ndryshëm, letërsia ngrihet deri në shkallën e edukimit estetik të njerëzve, me anën e pasqyrimit të saj të veçantë. Aty ku fillon uniformiteti dhe rutina, aty mbaron letërsia si art, dhe sa më i dobët që të jetë individualiteti artistik në një vepër letrare, aq më e vogël dhe e dobët është rrezja e pasqyrimit, aq më pak emocion, pra edhe edukon ajo. Por çështja e kërkimit të së resë në letërsi është sa e thjeshtë aq edhe e komplikuar. Veçanërisht në periudhën që kalojmë, kur letërsia jonë, përgjithësisht, në vijën frontale ka një ngritje të mirë në cilësi, në radhët e shkrimtarëve tanë flitet mjaft për kërkim, për vepra me individualitet artistik të veçantë. Dhe kjo vjen, në radhë të parë, sepse janë pjekur dhe rritur më shumë kërkesat e lexuesve dhe se vetë niveli i letërsisë sonë gjendet sot në një fazë të re. Po, ç’gjë e përbën të renë në letërsi, në kuptimin cilësor të fjalës, kjo është shpeshherë mjaft relative, aq më shumë sepse rrugët dhe format e kërkimit të së resë janë nga më të ndryshmet dhe se e reja në art, që nga faza e kërkimit deri në të shfaqurit e saj me tërë shtatin e vet, bën një rrugë me mjaft zigzage dhe herë-herë bën një metamorfozë të plotë. Një ditë, një shok shkrimtar, më thoshte rreth çështjes së novatorizmit: Ku ta dish se cila nga veprat e letërsisë sonë të sotme mund të jetojë e të jetë interesante për pasardhësit tanë; ndoshta ndonjëra nga ato që ne s’na bie në sy …” Pa dyshim që kjo lloj të kuptuari s’ka asgjë të përbashkët me konceptin e drejtë mbi të renë në letërsi dhe përgjithësisht mbi novatorizmin, pasi së pari, po të mendosh për të nesërmen të shkëputur nga e sotmja, është e pamundur të përgjithësosh objektivisht, sepse shkëputesh nga ai perceptim real i procesit të njohjes, që është treguesi dhe seleksionuesi më i mirë i së resë apo i së vjetrës dhe, së dyti, sepse një interpretim i tillë i cekët të çon lehtë në formalizëm, pasi e reja nuk kuptohet si krijim dhe kërkesë objektive e realitetit dhe në shërbim të tij, por si pjellë subjektive e artistit, duke injoruar rolin e rëndësishëm që lot vepra novatore, në radhë të parë për bashkëkohësit. Prandaj pra, ka rëndësi të dorës së parë të dallojmë mirë dhe drejt se ç’është me të vërtetë e re në letërsi, pasi frytet e rrugës së kërkimit janë nga më të ndryshmet. Përveç talentit të shkrimtarit, në kërkimin e së resë në art, rëndësi të veçantë ka pozita nga e cila nisesh për të kërkuar, e cila mund të jetë realiste ose formaliste. E theksojmë këtë, mbasi në këtë pikë zënë fill dy degëzimet e mëdha të artit të sotëm botëror, të artit realist me karakter gjithnjë e më shumë socialist e objektiv dhe të artit dekadent borgjez, me kënd gjithnjë e më të ngushtë individualist e subjektiv. Prandaj pra, kur flasim për kërkimin e së resë dhe për novatorizmin në letërsi, në radhë të parë këtu kemi të bëjmë direkt me çështjen e përmbajtjes e të formës. Në letërsinë tonë sot, një pjesë e mirë e autorëve më të talentuar, çështjen e kërkimit të së resë e kanë në rend të ditës. Në vështrim të parë të duket sikur kjo çështje zien më shumë në radhët e poetëve, pasi në poezi, për vetë karakterin e saj sintetik dhe të formës së veçantë që ka ajo, qoftë edhe nga ana e jashtme, çdo kërkim gjë e re bie më lehtë në sy. Po pikërisht në këtë periudhë, kur kërkimi i së resë është bërë një problem dite, ka rëndësi të kuptohet drejt ky fenomen, pasi duke i hedhur një vështrim veçanërisht prodhimit tonë poetik, ka mundësi dhe rrezik kuptimi të njëanshëm. Talenti i vërtetë e kërkon të renë gjithnjë, gjatë gjithë rrugës së tij krijuese. Po në çdo letërsi në tërësi dhe te çdo shkrimtar në veçanti, çështja e kërkimit të së resë bëhet problem veçanërisht jetik në momente të caktuara të zhvillimit letrar dhe sidomos atëherë kur nga prodhimi i shumë, krahas vlerave të vërteta, krijohen dhe mjaft vepra epigone e uniforme. Poezia jonë regjistronte dhe përgjithësonte në fillim impulset shpirtërore të njerëzve të çliruar, që ndienin në ato momente pas stuhisë siç thotë Gorki, te “Kënga e skifterit”, “gazin e fitores”. Kontrasti i thellë i së kaluarës me të sotmen, me anët dhe ngjyrat e tij të veçanta, ishte konflikti i brendshëm i poezisë sonë të kësaj periudhe. Njerëzit i prekte thellë ky konflikt, kur shprehej me mjete të efektshme, sepse në atë periudhë, sikur edhe pa detaje të veçanta, t’u flisje atyre me fjalë të përgjithshme e të forta mbi kontrastin e dy botëve që ishte aq i freskët në kujtesë, prapë i emociononte estetikisht. Të kujtojmë fjalët e këngëve të luftës dhe të pasçlirimit, si dhe vjershat e para mjaft retorike të poetëve tanë. Këto të gjitha ishin pjellë objektive e kohës dhe hodhën bazat e artit tonë të sotëm poetik … 1961.