Albspirit

Media/News/Publishing

Meta: Mos i hapim Shqipërisë një sherr 30 vjeçar!

Meta: Mos i hapim Shqipërisë një sherr 30 vjeçar!

Në procesverbalin e mbledhjes me dyer të mbyllura të mbrëmjes së 20 korrikut, ku pak orë para kalimit të draftit përfundimtar në Kuvend, kreu i Kuvendit Ilir Meta është përplasur ashpër me kryetarin socialist të komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafajn, dhe pak orë më vonë ky debat do të bëhej publik në mbledhjen e hapur të Konferencës së kryetarëve të mëngjesit të 21 jkorrikut, ku Xhafaj do të bënte deklaratën e bujshme që: Dashuria mes PS-së dhe LSI-së kishte përfunduar.
Debati i plotë në Konferencën e Kryetarëve
Ilir Meta – Fillojmë Konferencën e Kryetarëve, pasi edhe ju keni angazhime të tjera. Pasi fola me zotin Paloka, unë së bashku me zotin Ruçi menduam që këtë mbledhje të Konferencës ta zhvillojmë sot dhe jo nesër, duke qenë se edhe konsensusi është arritur. Seancën e nesërme ta kemi si seancë solemne dhe të mos hyjmë në debatet e zakonshme të të enjteve, meqenëse edhe trupi diplomatik do të jetë i ftuar, prandaj të diskutojmë dhe të rregullojmë çdo gjë sot. Në lidhje për mënyrën e votimit nen për nen. Meqenëse bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese do të ishte më korrekte që votimi i neneve të bëhej më elektronikë, për efekt dokumentimi, sepse evidenton saktësisht votimin me të paktën 93 vota. Shërbimi i Teknologjisë dhe Informacionit do të marrë të gjitha masat që procesi i votimit të ecë normalisht. Nesër nuk do të ketë asnjë problem me shërbimin e IT. Në lidhje me mënyrën e shqyrtimit të ndryshimeve kushtetuese. Duke qenë se procesi i shqyrtimit dhe miratimit të amendamenteve kushtetuese, që finalizojnë punën për reformën në sistemin e drejtësisë, kanë një rëndësi të posaçme dhe meqenëse nesër do të jenë të pranishëm dhe përfaqësues të trupit diplomatik, do t’i sugjeroja Konferencës së Kryetarëve të vendosim së bashku që votimi për ndryshimet kushtetuese të bëhet menjëherë pas përfundimit të diskutimit në parim, duke e mbyllur plotësisht pikën e parë të rendit të ditës. Më pas Kuvendi mund të vazhdojë punimet me diskutimin dhe votimin e çështjeve të tjera të rendit të ditës.
Fillojmë me pikën e parë për draftkalendarit 1-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 25 – 29 korrik 2016 dhe më pas me pikën e dytë për mbarëvajtjen e seancës së nesërme që ajo të jetë sa më dinjitoze dhe e përgjegjshme.
Gramoz Ruçi – Është pozitive ajo që u arrit dhe që është kërkuar prej një periudhe të gjatë. Sigurisht është bërë një punë voluminoze dhe serioze. Opinioni publik shqiptar dhe ndërkombëtar janë fokusuar tek dita e nesërme, ndaj do të isha dakord me togfjalëshin që thatë Ju ku seanca e nesërme të jetë një seancë solemne. Sipas Rregullores janë të dyja mundësitë, ndryshimet kushtetuese janë të rëndësishme dhe nuk lihen në gjendje të lirë ku të regjistrohen emra pa fund dhe të bëhet një seancë pa fund e tjera e tjera. Unë do të kërkoja mirëkuptimin e Konferencës, por veçanërisht të opozitës që ne nuk do të kishim kundërshtim nëse konkludonim këtu në çfarëdo lloj mënyre dhe të përcaktonim një kohë. Nuk bëhen ceremoniale duke paraqitur ndryshimet kushtetuese nga komisioni përkatës i reformës në drejtësi. Mund të shikojmë variantet, ose me një qëndrim në emër të grupeve parlamentare dhe të kalonim direkt në votim, do të ishte shumë serioze.
Ilir Meta – Ju për cilin variant jeni?
Gramoz Ruçi – Unë jam për të përcaktuar një kohë. Kjo çështje është diskutuar aq shumë për dy vjet rresht saqë do të isha edhe partizan i asaj që të paraqitej nga komisioni përkatës kurorëzimi i kësaj reforme dhe grupet parlamentare me nga 1 folës pa kufizim kohe. Nga 1 folës nga secili grup parlamentar, ku të shpalosin pikëpamjet e tyre dhe ta mbyllim. Nëse ka pretendime të tjera që të vendosim 2,3,4 apo 5 folës ….. të mos degradojë si nëpër ligjet e zakonshme, këtë problem kam unë.
Edi Paloka – Do të jenë të ftuar ambasadorë e trup diplomatik?
Ilir Meta – Patjetër që po.
Edi Paloka – Edhe nuk jemi kundër që t’i japim një formë ceremoniale seancës së ditës së nesërme. Pa diskutim që edhe ky është një variant i pranueshëm për ne. E shoh të arsyeshme që të ketë nga një folës për grup për paraqitjen e draftit. Ne mund të shkonim edhe më tej duke propozuar që të kishte edhe një fjalë nga Kryetari i Kuvendit, për të mos e kaluar në kanale të tjera dhe për të mos i hyrë kurtheve politike, megjithatë jemi dakord dhe besoj se të dy palët do të jemi të përgjegjshëm.
Ilir Meta – Kush nuk do të jetë i përgjegjshëm do t’i vrasë opinioni i atyre që do jenë në sallë, nuk ka rëndësi. Për mua ka rendësi që të bihet dakord nëse do të jetë me kohë apo si ta vendosim. Zoti Xhafa si Kryetar i komisionit do të parashtrojë dhe më pas grupet, këtë merak kam, që të jemi të qartë. Nuk do të doja që të ngriheshin dhe të kërkonin fjalën për procedurë dhe më pas të fillojmë e të bëjmë debate politike.
Edi Paloka – Nga ju do flasë Kryeministri dhe nga ne një përfaqësues, që ta dimë dhe ne se kë të përcaktojmë. Nëse nga ju do ketë një përfaqësues grupi edhe ne do vëmë një përfaqësues grupi. Nëse nesër Kryeministri kërkon fjalën kalojmë detyrimisht në …..
Ilir Meta – Zoti Ruçi çfarë mendimi keni? Të biem dakord që të kemi një seancë sa më të përgjegjshme dhe të respektojmë procedurat e nevojshme dhe solemnitetin që do të jemi dakord. Mendoj që ta vendosim tani këtu apo gjatë kohës?
Gramoz Ruçi – Unë për deri sa e bëra atë propozim që mund të jetë edhe Kryeministri. Nëse Kryeministri do të preferojë të flasë, të paraqesë mendimin e tij dhe të grupit parlamentar, le të flasë Ai dhe mbaron çështja. Nëse Ai nuk do të flasë, Ju keni të drejtën sipas Rregullores që t’i përgjigjeni Atij. Unë këtë nuk e shikoj dhe nuk kam rezerva fare.
Ilir Meta – Zoti Xhafa, problemi është se ne socialistët pas 97-ës kemi qenë më tolerant se tani me thënë të drejtën. Edhe përpara kemi qenë më tolerant, absolutisht që po. Opozita që kemi bërë me Gramozin në vitet 92-96 që ka qenë në kohën më të egër të Berishës, ka qenë shumë më tolerante se opozita e Edi Ramës para tre vjetësh. Edhe pse e kishim kryetarin në burg dhe mbas 1997, kemi pasur parullën: “Sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”, apo jo zoti Spartak? Tani të lutem se nuk dua as unë të flas ndryshe nesër, si Kryetar Parlamenti, se unë votën e kam premtuar me kohë, por për mënyrën e të folurit, të heqim dorë nga këto provokimet për nesër, pastaj pasnesër bëjmë çfarë të duam. Pa konsensus nuk ka zbatim reforme, kjo është. Ne e dimë këtë gjë. Kështu, që është bërë punë e madhe, janë harxhuar nerva të mëdha. Nesër ta përballojmë sa më mirë dhe të evitojmë këtë mundësinë për ndonjë provokim deri në minutën e fundit, përndryshe pastaj unë do mbaj Parlamentin aty hapur, nuk e mbyll seancën deri sa të vijë z. Hann ta sqarojë çfarë ka ndodhur, apo të vijë znj. Noland apo ku di unë. Ne pa konsensus nuk dalim dot, sepse nuk ka reformë pa konsensus, madje konsensusi është më i rëndësishëm se reforma për mendimin tim, se ne nga kjo kemi vuajtur, që e përdorim drejtësinë sipas qejfit edhe në të kaluarën. Nuk e përjashtoj veten time nga këto përgjegjësi. Si ramë dakord Vali se ti je më e përqendruar se unë?
Valentina Leskaj– Do ketë një prezantim. Do jetë një këtej e një andej dhe kaq, që të mos e fillojmë diskutimin nga e para.
Ilir Meta – Dakord. Ti Fatmir çfarë mendimi ke si Kryetar Komisioni, për procedurë nesër? Ti kur do flasësh në emër të komisionit?
Fatmir Xhafa – Unë vetëm raportin kam.
Ilir Meta – Po, dakord. Tani duhen sqaruar këto dy çështjet e vetme që kanë ngelur pa u sqaruar për të cilat z. Hann ka dërguar këto formulimet, etj, etj. Si do sqarohet kjo, se nuk mund të ndalojmë ne aty në orën dhjetë, jo ishte kështu nuk ishte ashtu. Se nuk duam probleme, ky është problemi. Po qe se duhet të mblidhemi të gjithë këtu edhe t’i saktësojmë tërë natën. Dakord, Gramoz si e lamë atëherë?
Gramoz Ruçi – Nga një në emër të grupeve dhe kalojmë në votim.
Ilir Meta – ….Unë besoj se Fatmiri do t’i qëndrojë atyre linjave në emër të gjithë komisionit. Domethënë, me ardhjen e opozitës në komision, apo jo, i bie që Fatmiri të flasë në emër të komisionit, jo të gjysmës së komisionit, apo jo, dhe për eksperiencën që ka edhe me këshillat e zotit Ruçi si Kryetar Grupi do ta bëjë këtë punë me sukses besoj? Mirë, atëherë faleminderit! E mbyllim, atëherë Albana ka ndonjë gjë tjetër? Harruam gjë? Dakord, çfarë meraku tjetër ke?
Albana Shtylla – Normalisht, zakonisht diskutohet në parim për të gjithë rendin e ditës dhe pastaj futet çështja në votim. Ne sugjerojmë që meqë nëse është një çështje e rëndësishme të mbyllet diskutimi në parim dhe të kalojmë drejtpërdrejtë në votim për ndryshimet kushtetuese.
Ilir Meta – Dakord, çështjet e tjera të rendit të ditës t’i lëmë për më vonë apo…? Dakord, kështu e bëjmë. E bëjmë pushim, dakord u morëm vesh. Mirë e mbyllim atëherë? Fatmir mblidh komisionin, t’i themi atyre negociatorëve të mblidhen, sepse dëgjo, në qoftë se nesër deri në orën 10:00, nuk është mbyllur me konsensus unë aty do ta mbaj të hapur, të vijë Ambasadori Amerikan, të vijë Ambasadorja Europiane që nuk erdhën këtu dhe që bënin gabim shumë të rëndë që nuk erdhën këtu sepse Kryetari i Partisë Demokratike nuk vuri kusht, as qeveri teknike as qeveri ekspertësh, ajo ishte ideja ime. Meqenëse filloi loja, të shkojë të flasë me BE-në, me SHBA-në, doli edhe ai tjetri tha të kyçen të dy bashkë tha, dy Kryetarët e dy partive më të mëdha të Shqipërisë, e ta zgjidhin deri në fund, por jo propozimi i Partisë Demokratike edhe unë nuk mund ta pranoj këtë situatë deri në fund. Më fal, më fal nuk e kam…, e kam për të gjithë unë. Të lutem të zgjidhen të gjitha gjërat çfarë duhet, unë do t’i thërras të gjithë, përndryshe pastaj atje do të thërras atë të EURALIUS-në, hajde këtu sqaroje ti, hajde ti i Partisë Demokratike sqaro, hajde ti të dëgjojmë të gjithë që deputetët në fund të vendosin të ndërgjegjshëm se çfarë po bëjnë. Mos i hapim një sherr Shqipërisë për 30 vjet. Ky ka qenë i vetmi meraku im, asgjë tjetër, edhe për shkakun se jam edhe Kryetar Parlamenti dhe nuk dua të mbaj përgjegjësitë e mia e të gjithsecilit prej jush. Besoj tani nuk kemi nevojë për ta kthyer këtë në shfaqje çfarë je ti e çfarë jam unë, kush e do drejtësinë më shumë e ku di unë, etj. etj., Është shumë e rëndësishme dhe për ty Fatmir, se je Kryetar i komisionit, dhe ky komision pati probleme për shkaqe politike ta mbyllim me sukses këtë punë. Është bërë punë e madhe, punë akoma më e madhe kjo që vjen mbrapa, kjo nuk është gjë fare dhe ne pa këtë konsensus nuk e çojmë dot punën përpara me sukses, kështu që unë po flas me Oerdin tani dhe juve në këtë frymë që të komunikojë me Engjëllin dhe me Yllin dhe të vinë të takohen me ju dhe të mblidhet komisioni. Të vijë PD-ja në komision ta mbyllim. Dakord? Mirë, atëherë mirupafshim!
Please follow and like us: