“Është shenjte Tereza, por do të vijojmë ta quajmë Nënë”
Formula e Shenjtërimit/
Për nderimin e së Shenjtnueshmes Trini,/
për lartimin e fesë katolike/
dhe thellimin e jetës së krishterë,/
me autoritetin e Zotit tonë, Jezu Krishtit,/
të Shenjtorëve Apostuj Pjetër e Pal e Tonin,/
Pasi reflektuam gjatë,/
kërkuam shumë herë ndihmën hyjnore/
e dëgjuam mendimin e shumë prej vëllezërve tanë në Ipeshkvni./
e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte
Të Lumen Terezë të Kalkutës
Dhe e shkruajmë në Librin e Shenjtorëve,
duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale
me devocion ndërmjet shenjtorëve.
Në shenjtërimin e Nënë Terezës, “murgeshës së të fundmëve” Papa Françesku e nxiti Kishën t’ia shtrijë dorën refugjatëve e të burgosurve”. Më se 120 mijë besimtarë në Meshën, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit, pjesëmarrës në një nga çastet më të rëndësishme të Jubileut të Mëshirës.
Papa i njohu, kështu, meritat Motrës së vogël, e cila ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre. Dora e saj shtrëngoi mijëra duar, që shtriheshin për të kërkura ndihmë. E kudo shtrihet një dorë, që kërkon ndihmë për t’u ngritur përsëri në këmbë, atje duhet të jetë edhe prania jonë e prania e Kishës, që mbështet e jep shpresë! – kujtoi Ati i Shenjtë Bergoglio, duke shtuar jashtë tekstit fjalët, që e prekën aq turmën, sa ta ndërpriste me duartrokitje të fuqishme:
“Mendoj se ndoshta do ta kemi pakëz vështirë ta quajmë Shën Tereza. Shenjtëria e saj është aq pranë nesh, aq e dhembshur dhe e frytshme, sa, vetvetiu do të vijojmë ta quajmë Nënë Tereza!”
Këto, fjalët e Papës, që e ka bërë mëshirën program të papnisë së Tij e që në vijim të homelisë kujtoi: “Gjatë gjithë jetës së saj, Nënë Tereza, qe bujare e shpërndarëse e mëshirës hyjnore, gjithnjë e gatshme për të gjithë, mikpritëse e mbrojtëse e jetës njerëzore, jetës së braktisur e të flakur tutje. U angazhua në mbrojtje të jetës, duke theksuar vazhdimisht se “kush nuk ka lindur akoma, është më i ligshti, më i vogli, më i mjeri” e duke ua njohur dinjitetin, që ua jep vetë Zoti; e ngriti zërin aq, sa të dëgjohej nga të pushtetshmit e tokës, që t’i pranonin fajet përballë krimit të varfërisë së krijuar prej tyre:
“Bamirësia është thirrje. E mëshira për të ishte “kripë” që i jepte shije çdo vepre, ishte “dritë”, që ndriçonte errësirën e njerëzve, të cilët nuk kishin më as lot për të qarë mbi varfërinë e tyre, mbi vuajtjen e tyre”.
Kështu Papa, i shoqëruar nga duartrokitjet e mijëra të pranishmëve, në një Shesh që sot skuqte nga Flamujtë Kuq e Zi, pranë e pranë të cilëve, ato blu e verdh të Kosovës, që valëviteshin kudo.
Françesku theksoi në vijim edhe se “Misioni i saj në rrethinat e qyteteve e në periferitë ekzistenciale, mbetet, në ditët tona, dëshmi që flet vetë për afërsinë e Zotit pranë të varfërve më të varfër.
“Le të jetë Ajo modeli juaj i shenjtërisë!” – u tha Papa vullnetarëve, duke ia dorëzuar këtë figurë simbolike mbarë botës së vullnetariatit, në sa kremtonte, i rrethuar nga 70 kardinaj, 400 ipeshkvij, 1700 meshtarë.
Por vendet më të zgjedhura sot i ruajti për të varfërit: ata qenë në krye të vendit në festën e shentjërimit të Nënës së tyre në shpirt, e edhe në krye të gostisë së festës, që shtroi për ta Françesku në tremen e Sallës Pali VI.
Kështu, me këtë ceremoni madhështore, Papa Begoglio e shkroi Nënë Terezën në librin e shenjtorëve të Kishës katolike, që mbarë bota të mund ta kundrojë.
Do ta marrin me vete, në kthim, qindra mijëra besimtarët, jehonën e paharrueshme të formulës së shentjërimit:
e deklarojmë dhe e quajmë Shenjte
Të Lumen Terezë të Kalkutës…
duke vendosur që Ajo të nderohet nga Kisha universale
me devocion ndërmjet shenjtorëve….(Radio Vatikani)