Rrëfimi: Si refuzuan komunistët Nënë Terezën
Nënë Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në vitin 89, ndonëse kishte shprehur dëshirën edhe më parë, por regjimi i atëhershëm e kishte quajtur atë agjente të huaj.
Historiani Ksenofon Kristafi, ish-drejtor i Drejtorisë Konsullore në Ministrinë e Jashtme tregon përpjekjet dhe vështirësitë që u hasen për miratimin e vizitës së Gonxhe Bojaxhiut në Shqipëri edhe pse ministri i Jashtëm i asaj kohe Reis Malile nuk ishte kundër.
“Por, nuk ishte në kompetencën e vet, duhet të njoftonte Ramiz Alinë dhe më kërkoi të shihja çfarë kishim në arkivën e ministrisë për Nënë Terezën. Më rezultoi se kishim vetëm një fije letër, në të cilën ishin vetëm të dhënat biografike të saj. Opinioni se ajo ishte agjente, kishte zënë rrënjë te udhëheqja e asaj kohe. Ka pasur një episod , – tha Rako Naço, – me Nënë Terezën në Meksikë.” Tregon profesor Ksenofon Krsiafi.
Incidenti kishte të bënte me një delegacion shqiptar në Meksikë që kryesohej nga Vito Kapo të cilën Nënë Tereza donte ta takonte.
“Zonja Kapo nuk e dëgjonte, ose bënte sikur nuk e dëgjonte, por ajo vazhdonte ‘Zonja Kapo, unë jam shqiptare dua të bisedojmë’, por Zonja Kapo vijonte të mos përgjigjej. Në një moment Nënë Tereza e prek lehtë në brryl dhe Zonja Kapo i thotë ‘Ik, nuk kemi çfarë të bisedojmë bashkë’. Natyrisht Nënë Tereza u largua e pezmatuar”, vijon profesor Ksenofon Krsiafi.
Me pas u kërkua informacion nga ambasada jonë në Romë nëse Nënë Tereza kishte kërkuar të vinte në Shqipëri.
“Po, ishte e vërtetë që Nënë Tereza kishte kërkuar që të vinte në Shqipëri. Erdhi përgjigjja nga Ramiz Alia dhe u bënë të gjitha formalitetet që Nënë Tereza të vinte në Shqipëri.”