Shenjtërimi i Nënë Terezës, Urdhri i motrave: Ndihemi të lumtura dhe të bekuara
Kthimi i Nënë Terezës në shenjtore gëzoi shumë njerëz, e ndër to edhe motrat e Urdhrit ndërkombëtar “Misionarët e Bamirësisë”.
Ishte paraardhësi (jo i drejtpërdrejtë) i Papa Françeskut, Papa Gjon Pali i II-të, ai që anashkaloi rregullat e Vatikanit për të përshpejtuar procedurat e ngritjes së saj në këtë status, lëvizje së cilës i detyrohet kanonizimi i murgeshës së të varfërve vetëm 19 vite pas vdekjes.
“Nuk kam fjalë ta rrëfej lumturinë tonë. Jemi bekuar me këtë shenjtërim, sepse e dimë që Nëna është në parajsë dhe do të lutet për të gjithë ne, e do të dërgojë nga atje lart bekimet e saj. Jemi të ngazëllyera, jemi mirënjohëse dhe falënderojmë Zotin”, tha motër Laisa.
Kritikat që e kanë shoqëruar gjatë jetës, e që nuk munguan as pas vdekjes, nuk e kanë ndryshuar adhurimin ndaj saj si model i mëshirës e dhembshurisë, si njeriu që i solli lehtësim të sëmurëve dhe atyre në prag të vdekjes.
“I jam shumë mirënjohëse Zotit dhe jam e lumtur për Nënën tonë. Ne punuam me të, qëndruam e jetuam me të, ndërsa ajo vet bëri gjithçka mundi për ne. Sot (dje) me meritë të plotë puna e saj lartësohet e ne nuk mund të jemi më të lumtura se kaq”, tha motër Apolene.
Të dielën, Nënë Tereza u shpall zyrtarisht shenjtore për besimtarët e fesë katolike. Bamirësja bëri të gjithë botën të flasë për të, ndërsa misioni i themeluar prej saj është i pranishëm në shumë vende të globit.
Pikërisht për këtë, Papa Françesku u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta thërrasim Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur dhe bujare, saqë në mënyrë spontane me shumë gjasë ne do të vazhdojmë ta quajmë Nënë Tereza”.