Tereza e Kalkutës, nga Nënë në Shenjtore
Pas një jete të përkushtuar ndaj të varfërve, ajo do të shenjtërohet nga Papa të dielën
Disa dekada më parë, në një ditë të zakonshme, Nënë Tereza do të ishte duke pastruar krimbat e një trupi të vdekur në rrugët e Kalkutës. Një gazetare shkroi: “Nuk do ta kisha bërë këtë për miliona dollarë”. Nënë Tereza iu përgjigj: “As unë”.
Pas një jete mes këtyre momenteve, Nënë Tereza e Kalkutës do të jetë Shën Tereza e Kalkutës. Selia e Shenjtë pret që çerek milion njerëz të ndjekin shenjtërimin e saj në sheshin e Shën Pjetrit të dielën, të udhëhequr nga Papa Françesku. Rreth 20 vite pas vdekjes, Vatikani do të tërheqë numrin më të madh të pelegrinëve se në çdo ngjarje tjetër të mbajtur këtë vit.
Shqiptarja e lindur në 1910, Nënë Tereza, u përkushtua ndaj të varfërve që e bëri atë një prej katolikeve më me ndikim në shekullin XX. Ajo la pas një organizatë me mijëra njerëz në 12 shtete, që vazhdojnë punën e saj. Por, jeta e saj shërben edhe si një provë që pakicat fetare dhe gratë mund të arrijnë aty ku nuk e pret njeri.
Gjatë gjithë jetës dhe deri në vdekje, nacionalistët indianë kanë vënë në pikëpyetje arsyet e murgeshës, duke hamendësuar se ajo ishte e shqetësuar vetëm për katolicizmin e vendit. Një nga udhëheqësit e Vishwa Hindu Parishad, një organizatë nacionaliste Hindu, tha se së fundmi shenjtërimi i saj do të ishte një “rënie e kambanave të alarmit”, sepse në Indi do të kishte më shumë konvertime të besimit. Po ashtu, më tepër fonde do të jepeshin për konvertimin e besimit në Indi.
Ende në rangjet më të larta qeveritare, Shenjtorja e ardhshme mbetet një figurë e respektuar pavarësisht reagimeve të mundshme politik. Kryeministri i Narendra Modi tha se: “Është e natyrshme për ne indianët që të ndihemi krenarë për shenjtërimin”. Ky nuk është një gjest i vogël kur mendon afërsinë e Kryeministrit me liderin e organizatës nacionaliste Rashtriya Swayamsevak Sangh, që ka thumbuar herë pas here murgeshën në të kaluarën. Zoti Modi ka caktuar ministrin e Punëve të Jashtme, Sushma Swaraj, që të marrë pjesë në shenjtërim.
Në vitin 1950, Selia e Shenjtë e lejoi Nënë Terezën që të hapte një urdhër fetar “Misionaret e Bamirësisë”, që do të ndihmonte të varfrit. Dy vite më pas, ajo çeli strehën e parë në Kalkutë që do të përkujdesej për njerëzit në agoni dhe pranë vdekjes. Duke vepruar si një pakicë fetare, shumë shpejt do të përqafohej nga shumica.
Autoritetet indiane i dhuruan një strehëz pranë tempullit të perëndeshës Kali, që shpesh është lidhur me vdekjen. Strehëza që më parë mirëpriste pelegrinët hindu, u bë vendi ku misionaret katolike kujdeseshin për të sëmurët dhe të varfrit. Fillimisht, fluksi i njerëzve të sëmurë nuk iu pëlqeu priftërinjve të tempullit. Por, ndryshuan mendje kur panë me sytë e tyre se si Nënë Tereza kujdesej për plagët e njerëzve që lëngonin. Kur njëri nga priftërinjtë e tempullit ishte pranë vdekjes, ajo u përkujdes personalisht për të dhe ai u varros sipas ritualeve të besimit të tij fetar.
Kjo shënoi fillimin e një tradite bashkëpunimi dhe shërbimi me indianët e të gjitha besimeve fetare.
Veshja e saj, e bardhë me blu, tashmë është kthyer në simbol. Në fillim, ajo u vesh në këtë mënyrë për t’u identifikuar me njerëzit që ajo iu shërbente.
Gjashtë dekada pas themelimit, Misionaret e Bamirësisë kanë më shumë se 5500 anëtare që ndjekin besimin e Nënë Terezës në 133 vende. Ato punojnë në azile, jetimore, u vijnë në ndihmë njerëzve me lebrosë, si dhe në qendrat e rehabilitimit nga drogat dhe alkooli. Qindra dhe mijëra njerëz punojnë vullnetarisht.
Për angazhimin e saj, sikurse dhe frymës që frymëzoi veprimtarinë e saj, Nënë Terezës iu dha çmimi Nobel për Paqen në 1979. Pas marrjes së çmimit, popullariteti dhe ndikimi i murgeshës vinte direkt pas Papës, Gjon Pali II. Kjo në një Kishë që supozohet se i shtyp gratë.
Lartësimi i Nënë Terezës ka sfiduar gojëdhënën se gratë nuk mund të bëhen aktore të rëndësishme të Kishës Katolike. Në disa mënyra, ajo ishte më e fuqishme se kardinalët që zgjedhin Papën, të cilët jo të gjithë kishin marrëdhënie personale me Papa Gjon Palin II, ashtu sikurse Nënë Tereza.
Gjatë takimit në Rimini në 1987, një takim i përvitshëm i krerëve të organizatave humanitare, Nënë Tereza planifikoi të mbante një fjalim. Gjithsesi, për shkak të një ndryshimi në minutën e fundit, vendi i vetëm nga ku ajo mund të fliste ishte në një hapësirë që ishte rezervuar për një nga kardinalët. I informuar për këtë gjatë fjalimit të tij, kardinali shkeli protokollin dhe menjëherë i ofroi kohën e tij të mbetur, një gjest jo i vogël në hierarkinë kishtare.
Të dielën, Papa Françesku do të bëjë zyrtare atë çka miliona njerëz kanë pritur që të bëhet realitet që kur Nënë Tereza vdiq më 5 Shtator 1997: Të jetë Shenjtore. Një sixhade e madhe me fytyrën e saj do të varet nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit. Nga atje, ajo do të shikojë mijëra njerëz të mbledhur duke buzëqeshur. Pavarësisht të gjithë vuajtjeve që ajo ishte dëshmitare, Nënë Tereza do të ketë shumë arsye që të ndihet e lumtur.
Javier Martínez-Brocal
The Wall Street Journal