Autoriteti i Konkurencës i heq ekskluzivitetin “Digitalb”; falas kanalet kombëtare
Platforma e të gjithë shqiptarëve. Kështu e quan veten Digitalb, që shkon më tej me sponsorizmin e himneve të një etnonacionalizmi histerik, apo të një fryme nacionaliste turbofolk. Natyrisht nuk kemi të bëjmë me dalldisje, por me biznes. Dhe te biznesi do parë edhe dëshira e Digitalb për të “qenë platformë e të gjithë shqiptarëve”. Aq sa sugjeron si mekanizëm “naiv” e në dukje “pa kosto” që edhe shërbime informacioni të hapura si Tv Klan apo Top- Channel t’i servirë me pagesë. Por kjo situatë që Digitalb ka imponuar në treg për shkak të pozicionit në shpërndarjen infrastrukturore ka marrë një goditje nga Autoriteti i Konkurencës, i cili me një vendim të vetin i ka nxjerrë petët lakrorit “kuqezi” që pëlqen ta shesë si mall me shumicë Digitalb.
“Në vitin 2014 Digitalb lidhi një marrëveshje me 14 operatore televizive, me afat nje vjeçar, duke mundësuar transmetimin e tyre në këtë platformë. Por ky dokument i dërguar edhe njëherë per miratim ka nje ndryshim: ai synon te përfshije 15 kanale ne platformën tokësore satelitore Digitalb ne çdo forme te tij per nje periudhe tre vjeçare. Qe ne kete pike, autoriteti vëren se afati per rinjoftim te marrëveshjes, kishte përfunduar. Por me i rendesishem eshte kufizimi qe Digitalb i bën operatoreve, duke mos i lejuar te bëhen pjese e platformave te tjera.
“Digitalb kushtëzon operatorin televiziv ne përfshirje vetëm ne kete platforme duke kufizuar mundësinë e konsumatorëve ne përzgjedhjen e platformave dixhitale, pra ne mënyre indirekte përjashton konkurrentin e tij ne tregun e prekur, i cili ka nje pjese tregu me diference te madhe nga Digitalb””, raporton “Vizion Plus” tekstin e marrëveshjes që Digitalb ka imponuar. Le të kujtojmë lojën që bëri kjo platformë ndaj AbCom pak muaj më parë(http://www.respublica.al/2016/01/24/konflikt-n%C3%AB-treg-apo-titull-i-nj%C3%AB-emisioni-t%C3%AB-ri), situatë e cila duket se është zgjidhur me rinegociim. Shembulli e ilustron më së miri praktikën me karakter ekskluziv që preferon Digitalb. Kjo është e drejta e vet në treg, ndonëse “tregu është i rregulluar”. Këtu na intereson fakti sesi për ato shërbime që jepen falas, befas vihet një tarifë, për të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtën logo. Kjo është si t’i thuash dikujt se nga oborri im duhet të paguash edhe për të parë qiellin. Autoriteti ka rekomanduar një zgjidhje që është në thelb rrëzim i marrëveshjes:
“Autoriteti dëgjoi pretendimet e Abcom, Tring dhe Shoqatës se Transmetuesve Televizive Kabllore e Valore Lokale. Ata kërkuan heqjen e ekskluzivitetit te Digitalb dhe kanalet kombëtare Klan e Top Chanel t’u ofrohen te gjitha platformave. Ato duhet te jene pa pagese, pasi sipas ligjit, kanalet kombëtare duhet te jene te lira ne transmetim. Po ashtu, marrëveshja dëmton te drejtën që ka çdo shqiptar te informohet pa pagese. Ne fund, autoriteti vëren se Digitalb nuk ka nje justifikim objektiv per te vendosur ekskluzivitetin ne marrëveshje. Ndaj, konkurrenca vendosi qe çdo kanal televiziv te jete i lire te regjistrohet ne çdo platforme qe dëshiron, me apo pa pagese. Po ashtu, ata janë te lire te transmetojnë ne ëeb ne kohe reale apo ne transmetim direkt programet e tyre”, raporton VP.
Kjo është ajo që duhej të kishte ndodhur me kohë: Liria për të zgjedhur në treg. Njësoj siç ndodh me ofertat kur një klient vlerëson vetë se kë preferon. Kjo do të thotë se Digitalb nuk kushtëzon dot më shfaqjen e një kanali televiziv në disa platforma të tjera. Dhe kjo nuk ka pse ta shqetësojë në fakt platformën në fjalë, pasi ajo deri më tani ka pretenduar se është më e mira. Rrjedhimisht shqiptarët sërish atë do të zgjedhin.
http://vizionplus.al/autoriteti-i-konkurrences-publiku-te-informohet-pa-…