Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea sjell dramën ballkanike në Tiranë

Ema Andrea sjell dramën ballkanike në Tiranë. Dramaturgë nga vende të ndryshme të Ballkanit takohen nga data 26 shtator deri më 2 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar

ema“Tani është ora 10. 33. Shkurt. Po lexoj shënimin e agjentit tim, i cili më rrëfen se një teatër ka ndërprerë prodhimin e njërës nga dramat e mia “Brinjtë si muret e gjelbër”, pasi teksti dhe kërcënimi i luftës në Lindjen e Mesme krijon metafora të padëshiruara, po e citoj: ” Rezistencë individuale e një dhune të frikshme “. Ndoshta më vonë gjatë ditës do të qaj. Ndoshta duhet të filloj të shkruaj kartolina: “Dashuria- nën dritaret e mia po përpëlitet Lago di Como, kurse sipër majat me dëborë; Alpet shkëlqejnë me një forcë të tillë saqë nuk mund t’i shikosh. Mjegulla ngrihet lehtazi prej ujit, kurse dielli qëndron mbështetur në asgjë. Është kaq herët dhe pranvera pothuaj është këtu. Po shkruaj ATË. Jam e vetme. Më mungon. Mua”. Ivana Sajko, dramaturgia e re nga Zagrebi, shkruan kështu, në hyrje të dramës “Gruaja bombë”, sjellë në gjuhën shqipe nga Ben Andoni, që do të lexohet nga data 26 deri më 2 tetor në skenën e Teatrit Kombëtar. “My name is Balkan”, quhet aktiviteti i cili përgjatë një jave pritet të sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar,“Lexime skenike të dramës bashkëkohore ballkanike” nën drejtimin e Ema Andreas. Në një kohë kur flitet gjithnjë për një rënie të ndjeshmërisë ndaj dramaturgjisë, dhe kur drama shqipe ka kohë që përpëlitet në përpjekje për të gjetur veten, Andrea provokon estetikisht me një aktivitet që synon të sjellë një tablo jo vetëm të mënyrës sesi shkruhen dramat sot në Ballkan, por dhe ti japë zë, një disipline të rëndësishme të teatrit siç është dramaturgjia. Janë mbi dhjetë dramaturgë nga vende të ndryshme të Ballkanit që do të vijnë përmes leximeve nga aktorë të Teatrit Kombëtar, të pjesëve që vijnë për herë të parë në shqip. Risia e këtij aktiviteti përtej evidentimit të rëndësisë mbi ruajtjen e dramaturgjisë dhe zhvillimin e saj, është dhe fakti që për herë të parë në një kohë të shkurtër në gjuhën shqipe vijnë mbi 10 drama, që do të jenë një literaturë e mirë jo vetëm për studentët e dramaturgjisë, por dhe mundësi për regjisorët për ti vendosur në skenë. “Nëpërmjet përkthimeve, vjen një njohje ndryshe e realitetit ballkanik, përmes kahjeve e këndvështrimeve artistike të Ballkanit për të cilin ne (ndoshta për shkak të gjuhës), nuk kemi mjaftueshëm lidhje, njohje apo bashkëpunime. Kjo, shpresoj të jetë një provokim apo nxitje, për bashkëpunime në të ardhmen”, thotë Andrea. Regjisorja dhe dramaturgja Simona Semeniç vjen me dramën “Pesë djelmoshat”, një dramë për pesë aktorë me prolog dhe epilog, nën përkthimin e Nikollë Berishajt. Dramaturgjia maqedonase prezantohet nga Debar Maalo me pjesën “Demoni”, shqipëruar nga Milena Selimi. Vepra nis me fjalën e Plakës e cila uron mirëseardhjen në Debar Maalo.” Shihni këtë bukuri. Shtëpi të vogla me oborre, pompa uji dhe stola, vazo me borzilok, gardhe, hardhi, porta të bukura, lehë me bathë dhe karafila, aromë lulebliri, kopshte, puthje e ngrohtë si rinia. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Këtu ka qenë një tmerr. Gjithçka ishte beton, hekur, asfalt.  Këtu ka patur godina të shëmtuara, pa rregull, pa plan. Fryma të merrej, nuk shihje një ditë të bardhë. Në këtë vend, ku jemi ulur, ishte errësirë, dielli s’hynte.  Fole gjarpërinjsh, vend i zi. Përballë ishte një godinë me shtatë kate. Shyqyr Zotit tani e kanë shembur. Po i kthehet shpirt Debar Maalës, falë vetëm një njeriu. Shumë histori ka për të. Për disa ai është bamirës dhe hero. Për të tjerët vrasës dhe demon. Kështu flitet për të, për KOCEN nga Debar Maala. /PAUZË/ Kthehet nga Plaku, Thuaj edhe ti diçka!”, thotë ajo.  Udhëtimi në këto drama është një udhëtim në zemër të shpirtit ballkanik, përmes personazheve që vijnë nga jetët që mbushin fshatrat dhe qytetet e kësaj hapësire për të na treguar një Ballkan të bukur dhe përmes dhembjes. “Gërricje apo si u vetëvra gjyshja ime” quhet drama e autores serbe Tanja Sljivar, që vjen në shqip nën përkthimin e Ben Andonit. Interesante është dhe ardhja në shqip nën përkthimin e Milena Selimit e dramës Fasule, të Elin Rahnev me një tekst plot ngjyra. “Më gënjente gjithmonë. /Pauzë/ Aq shumë dëshiroja t’më gënjente. T’më shihte e t’më gënjente. Në sy….Ashtu e dashuroja…Dhe eksitohesha. Ndihesha mirë. Pothuaj çmendesha t’më gënjente. Ndryshe, çfarë do bënim për dyzet vjet. Kështu, të paktën, argëtoheshim. Dhe ishte e jashtëzakonshme. Po, kur e mendoj tani..ndiheshim mirë. E di se çdokush mund t’më gënjejë. Për çfarëdo gjëje të dojë. /Pauzë/ Më gënjente gjithmonë. Hem vetëm mua më donte, ndërsa i donte të gjithë burrat. Dro veç për për mua mendonte, ndërsa mendonte për gjithë lagjen. Hem gatuante fasule për mua, në të vërtetë gatuante për gjithë ushtrinë. Epo ajo është aristokrate, unë diçka më poshtë, /pauzzë/. E vërtetë është se prej saj lexova Çehovin. Eee, se mos është e lehtë ta lexosh të gjithin. Aspak s’është e lehtë. S’mundesh gjithë jetën, vetëm prej një Serebrjakovi, të rrish me llambën ndezur./Pauzë/ Më pëlqen. Edhe fasulja. Thonë se shëron sëmundje. Edhe Çehov shërokëka sëmundje../pauzë/ edhe mundet /mendohet/ ama mund t’më gënjente si askush tjetër. /pauzë/ “, shkruan Rahnev.  Dramaturgjia rumune prezantohet me dramën “Mihaela, tigresha e qytetit tonë” nën përkthimin e Ardian Kyccykut.  Dramaturgu Filip Vujosheviq vjen me veprën „Jeta s’luan vendit, jeta vazhdon“. Dramaturgjia greke prezantohet nga Andreas Fluraqis nën përkthimin e Romeo Çollakut. Ngjarja ndodh pak para perëndimit të diellit në bregdet. MEDEA, e mbuluar me burkë, është shtrirë me sytë mbyllur në një shezlong të thyer, ka pranë vetes një çantë plazhi. Jeton Neziraj, nga Kosova vjen me “Mishtore”, një shfaqje teatri me katër aktorë me disa derra me disa lopë me disa kuaj me një kryeministër me një milka e me disa inspektorë vendës e ndërkombëtarë. Ndërsa Stefan Çapaliku vjen me komedinë e verdhë “Një zjarrfikës në oborrin e teatrit”. Përgjatë një jave skena e Teatrit Kombëtar do të kthehet në një qëndër të dramës bashkëkohor ballkanike, përmes leximeve të emrave më në zë të teatrit sot, nën intepretimin e aktorëve si Neritan Liccaj, Rovena Lule, Erjona Kakeli apo Gert Ferra. Një aktivitet i cili pritet të ndërgjegjësojë mbi rëndësinë e të shkruarit drama, si qasja më e mirë përmes së cilës mund të shohim në skenë realitetin.

A.B

Please follow and like us: