Albspirit

Media/News/Publishing

Gazetat e kohës kur shqiptarët vrisnin konsuj rusë!

Daut Dauti

Janë mbresëlënëse gazetat tona që janë botuar para një shekulli e më herët. Niveli profesional i gazetarisë është i lartë kurse ai intelektual është i thellë. Për shkak të kohës, i tillë është edhe niveli i atdhedashurisë.
Këto dy fotografi janë të faqes 3 dhe 4 të gazetës Drita, të datës 23 shkurt (ditë e hëne) të vitit 1904. Këtë gazetë, me Alfabet të Stambollit, e ka botuar patrioti dhe intelektuali i shquar, Shahin Kolonja. Gazeta është botuar në Sofje të Bullgarisë. Nën titullin e gazetës shkruan: Gazetë e përdyjavshme që mbron të drejtat e kombit shqiptar.
Në faqen 1 është editoriali i Kolonjës me titull: ‘Inglitera dhe Turqia’. Kjo është një analizë që dëshmon njohurinë e thellë që ka Kolonja për çështjet ndërkombëtare të asaj kohe. Faqja 1 përmbanë edhe një ‘Letër nga Janina’ por edhe një artikull të rëndësishëm për gjuhëtarët me titull: ‘Rregullat shkronjtorake të gjuhes shqipe – Rrënjët e emrit’. Ky artikull vazhdon në faqen 2.
Në faqen 3, siq shihet edhe në fotografinë e parë, është një poezi e titulluar: Dimeri dhe varfëria (Shqiptarët atëherë, sikur edhe sot, nuk mund të botojnë gazetë pa poezi).
Por, në faqen 3 (shih foton 1) është artikulli më i rëndësishmi i këtij numri të gazetës. Artikulli i titulluar:’ Një puhi e re në Maqedoni’ pos situatës në Maqedoni, përmbanë bisedën e Kolonjës me Misirkofin i cili ishte mësuesi i fëmijëve të konzullit rus Rostkofskit në Manastir.
Në fillim të vitit 1904 Rostkofskin e vrau Halimi, një ushtar shqiptar. Misirkofi ka qenë dëshmitar i vrasjes. Varianti i Misirkofit tregon se Halimi nuk e kishte përshëndetur Rostkofskin kur kishte kaluar pranë tij. Prandaj, konzulli rus kishte zbritur nga pajtoni dhe kishte shkuar që t’ia merrte numrat e ushtarit, pra Halimit, në mënyrë që të ankohej në komandën e ushtrisë otomane. Vetëm për këtë arsye, sipas Misirkofit, Halimi e kishte vrarë konzullin dhe e kishte gjuajtur edhe Misirkofin por ky kishte shpëtuar pasi që ishte bërë kinse plumbi e kishte kapur. Pra, e kishte luajtur rolin e të vdekurit.
Shahin Kolonja nuk i beson këtij varianti pasi që ai kishte informata se konzulli i ishte kërcënuar me kamxhik Halimit për mospërshëndetje. Halimi, i cili në këtë rast kishte qëlluar të bënte roje rrugës ku kalonte konzulli rus, ishte si çdo shqiptar që nuk i duron kërcënimet. Pa e qarë kokën se kush ishte ky rusi, Halimi kur e kishte pare kamxhikun që fishkëllonte në drejtim të tij, ia kishte kthyer pushkën konzullit të cilin plumbi e kishte lënë të vdekur në vend. Pastaj, Halimi e kishte gjuajtur edhe Misirkofin i cili ishte ne pajton. Konzulli rus ishte i njohur për përdorimin e shpeshtë të kamxhikut tij. I kamxhikoste kalimtarët nëse nuk ia lëshonin rrugën kur kalonte ai. Dhe kështu, konzulli e përdori kamxhikun deri kur hasi në Halimin, i cili për këtë vrasje, u dënua me varje. Kjo ishte një vit më vonë kur në Mitrovicë një tjetër ushtar shqiptar e kishte vra një konzull tjetër rus të quajtur Shçerbin.
Në faqen 4 është artikulli: ‘Lufta Japano-Ruse’ dhe artikulli: ‘Turqia’ në të cilin flitet se si ‘Turqia po ua pi gjakun shqiptarëve’ në rajonin e Gjakovës dhe katundeve përrreth. Një artikull tjetër, i titulluar ‘Reformat e çuditshme brenda në Stamboll’ flet për shqiptarët shërbëtorë të Sulltanit siq ishte rasti i ‘një këpucëgrisuri’ të quajtur Tahir dhe për një tjetër të quajtur Fehim, i cili ia mori gruan mikut të tij. Gruaja ishte e bukur dhe nënën e kishte nga Gjirokastra kurse babain nga Plasa e Korçës. ‘Te bukura reforma qe bejne ne Stamboll’ – është fjalia me të cilën Kolonja e përfundon artikullin.
Janë edhe dy artikuj për reforma në turqisht dhe në fund të faqes, siq shihet në fotografinë e dytë, në anën e majtë, është botuar Alfabeti i Stambollit duke i krahasuar shkronjat e këtij alfabeti me ato në frengjisht, osmanisht (turqisht), greqisht dhe duke dhënë shembullin e shqiptimit.

press1press2

Please follow and like us: