Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja në tempullin e jetës

rivi

Riviera DEDAJ

Vdekja e Aida Çajkës, bashkë me foshnjen e saj, që priste ta sillte në jetë këto dite, është një tragjedi jo vetëm familjare. Është një indinjatë mbarë qytetare. Duhet të jetë edhe një kambanë alarmi. Pa i hyrë një analize se kush e kishte fajin, sepse nuk e bëjmë dot dhe shpresojmë që prokuroria e gjykata të bëjnë drejtësi për këtë rast, po i hyjmë asaj që shohim dhe dëgjojmë çdo ditë. Mjerimit në spitalet tona publike.

Mua më ka rastisur jo pak të shkoj si gazetare por edhe si shoqëruese e të afërmëve në spitale. Ajo që sheh rëndom në urgjenca është neglizhenca totale. “Nuk e gjen gje fëmijën nga temperatura”, ishte përgjigja që mora njëherë në urgjencën pediatrike, aty ku pas orës 20:00 gjen vetëm specializantë (pra mjek që s’kanë mbaruar shkollën ende). Dhe nuk është vetëm kjo. A do të shkosh tek materniteti? Do të presësh në radhë për 5-6 orë për të bërë një eko. Nuk ka rëndësi gjendja shëndetësore, ke dhimbje, marrje mendësh, nuk qendron dot në këmbë dhe në ajër të rëndë?! Ti duhet të presësh aty. Edhe pse pas portës janë një tufë mjekësh e infermierësh që zihen për pacientët dhe bëjnë hyrjen selektive për vizitë dhe egzaminime.

Dmth nëse nuk ke të njohur dhe nuk ke para je i destinuar të vuash. Pa folur këtu për një tufë letrash që të duhen për të shkuar nga mjeku i përgjithshëm tek ai specialist. Ndaj zgjidhja më e thjeshtë në disa raste është vizita apo egzaminimet në klinika apo spitale private.

Dhe nuk mund të rri pa permendur këtu një episod që më ka ndodhur para 5-6 vitesh. Një person i familjen time, i shtruar në QSUT, ku bënte dialize dha komplikacione të tjera dhe me ambulancë u dërgua në urgjencën e maternitetit Mbretëresha Geraldinë. Aty qendruam për afro 30 minuta në këmbë, në korridor. Mjekët nuk erdhën që nuk erdhen…edhe pse hemoragjia ishte e theksuar. Teksa e shihja të humbte ndjenjat kontaktova në telefon me drejtorin e asaj kohe, Halim Kosova. Pas këtij moment erdhën 2 mjekë, jo Një. Iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe fatmirësisht ia doli!

Po sot çfarë ndodh? Asgjë s’ka ndryshuar nga ai premtimi madhor i shëndetësisë falas dhe shëndetësisë së barabartë për të gjithë. Madje, siç thotë një mik i imi mjek: “Me ardhjen e Ramës në pushtet kemi lulishten para QSUT-së më të bukur”. Deri këtu mbeti reforma.

Spitalet vazhdojnë të vuajnë për bazën materiale dhe për medikamentet. Këto raste janë bërë publike disa herë në media. Kushtet e tjera higjieo-sanitare, sigurisht janë të njëjta.

Rryshfeti vazhdon të jetë forma më e mirë e motivimit të mjekëve. Këtu, nuk dua ti fus gjithë në një thes. Gjithkush nga ne ka hasur mjekë shumë të përkushtuar dhe dinjitoz në punën e tyre. Madje për disa paciente që janë me semundje kronike, mjeku bëhet si njeri i shtëpisë.

Në rastin e Aida Çajkës, 35 vjeçares që vdiq në javën e 42-të të shtatzanisë, pra në kohën kur duhet të lindte dhe duhet tu çonte beben në shtëpi dy fëmijëve të tjerë duket se janë përzier keqas të gjitha këto: Neglizhenca, paaftësia, mungesa e aparaturave dhe organizimi në spital.

Nuk di nëse ka një vend tjetër të botës, ku një grua 42 javëshe shtatzënë bartet sa në një spital në tjetrin për plot 7 orë me ambulancë. A nuk do të ishte më mirë të shtrohej në maternitet dhe të shkonin aty mjekët specialistë për konsulte. 7 orë sorollatje në kërkim të jetës. 7 orë vuajtje për një nënë shtatzënë që i kishte plasur shpretka por askush nuk e kuptoi deri sa dha shpirt në sallën e operacionit. Edhe sa jetë duhet të humbin që të marrim sherbimin e duhur në spitale?!

Please follow and like us: