Albspirit

Media/News/Publishing

Diaspora nuk eshte e njerkes!

Nga Bujar Zhuri

Historia jonë gjithëkombëtare, zgjidhjet dhe fatet e saj në momentet kyçe të histories, i ka patur tek intelektualë të zotë që më shumë kanë qenë të detyruar të jetojnë në dhe të huaj, zgjedhje kjo diktuar nga faktorët politikë brenda vetë Shqipërisë. Të mos harrojmë se vëllezërit Frashëri, Jeronin de Rada, Luigj Gurakuqi e plot pinjollë të tjerë të Rilindjes sone Kombëtare si dhe Ismail Qemali, Fan Noli apo Faik Konica, Gjergj Fishta, Martin Camaj e shumë të tjerë që s’po i përmendim kanë bërë për çështjen tonë kombëtare më shumë se vetë politika dhe politikanët tanë brenda kufijve të Shqipërisë etnike. Në këtë shkrim nuk po ndalemi thjesht në këto fakte historike që tashmë njihen nga të gjithë por duam të prekim sadopak plagët që dhembin në shpirtin e diasporës sonë vlerën e të cilave e ka injoruar edhe vetë shteti ynë.

Së pari diaspora e vjetër dhe ajo e re si bartësja me e mirë e frymës patriotike, me trup jeton e shpërndarë në katër anët e globit e ngulur me rrënjë diku thellë e diku sipërfaqësor, diku me një numër më të madh e diku më pak në numër, diku më gjuhën e saj origjinale dhe diku më gjuhë të tjetërsuar, shpirtërisht jeton me afshin e tokës mëmë dhe të njerëzve të saj. Dihet se me dëshirë askush nuk e lëshon dheun e vet e të marrë udhët e botës por janë një sërë kushtesh objektive e subjektive që i kanë detyruar gjithë këta intelektualë të zotë dhe tërë atë pjesë të mençur të trurit Shqiptar të rrjedhë duke kapërcyer tashmë edhe oqeane. Por edhe pse larg kjo diaporë, e këta intelektualë kurrë nuk heshtën duke punuar që fryma patriotike dhe ndjenja e atdhedashurisë kurrë të mos shuhej ndër breza shqiptarësh.

Së dyti diaspora jonë është bartësja më e madhe e trurit intelektual shqiptar që qëllimisht është harruar apo përbuzur nga vetë administrata e shtetit tonë. Nuk janë të paktë profesorët, doktorët, shkrimtarët, artistët, filozofët, ekonomistët, inxhinierët që shërbejnë në dhe të huaj dhe janë mjaft të respektuar për vlerën që kanë dhe punën që bëjnë. Por si është e mundur që sot në Shqipëri bëhet reformë dhe nuk kërkohen apo thirren në konsulta njerëz të tillë që jo vetëm njohin ekonominë e tregut apo strukturat e shtetit demokratik por ata janë të zhveshur edhe më shumë nga interesat private? Qeveritarët shqiptarë udhëtojnë e shohin se si shkojnë gjërat në Perëndim por ata harrojne qe në këto administrata gjenden edhe shqiptarë të zotë që fare mirë mund të shërbenin si një kontigjent konsultues për administratën shqiptare në këtë periudhë të stërgjatur tranzicioni.

Me sa duket injoranca në administratat tona nuk ka dëshirë që dikush tjetër t’u përzihet, e aq më tepër intelektualë të diasporës pasi ua mësojnë të fshehtat “vjedhjet e korrupsionin” në punën e tyre. Së treti ka një koncept të gabuar për diasporën kur ajo trajtohet vetëm si burim financiar dhe i mohohet roli i saj aktiv në reformat. Kjo është disi e habitshme dhe jo pa qëllim që politikanë dhe individë të caktuar të veshur me pushtet i bëjnë vetëm thirrje diasporës: ejani të investoni pa marrë as të voglën iniciativë t’u shpjegojnë apo edhe ta mbështesin diasporën kur është fjala për organizim, transparencë apo gjithëpërfshirje. Diaspora ka vërtet resurse ekonomike por ajo ka edhe resurse intelektualo-njerëzore që të ngrejë një akademi të sajën që do të kishte qenë më më interes për vetë qeverinë se ekzistenca e një akademie të tillë do t’i shërbente si një konsulencë e hapur transparente dhe mjaft dobiprurëse për reformat dhe tërë problemet që e preukupojnë çështjen shqiptare sot. Fodullizmi i klasës politike shqiptare nuk ka dëshirë të marrë parasysh një fakt të tillë pasi shumë shpejt një pjesë të mirë të këtyre politikanëve u bie vlera dhe humbin pozicionin qe kanë.

Së katërti është thënë disa herë që të ngrihet një ministri e cila do të merrej me problemet e diasporës por kjo ka qenë më shumë një thashethemnaje sesa një propozim që mund të bëhej realitet. Diaspora ka kapacitete intelektuale-financiare që mund të ndihmojnë por ajo njëkohësisht ka nevojë edhe për ndihmë. Po të hedhim sytë tek numri kaq i madh i shqiptarëve në Itali, apo Greqi për të mos shkuar shumë larg problemi më madhor është ai i shkollimit të fëmijëve në gjuhën amtare si një e drejtë e sanksionuar edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Se pesti me rastin e nje aktiviteti qe do te mbahet ne  muaji nentor ne Tirane ku jane ftuar disa eksponente te diaspores,do te ishte mire qe kryeministri Rama si organiizator i drejtperdrejt i ketij aktiviteti te prononcohej per voten pro te diaspores sone ne zgjedhjet e 2017-es.

Kjo do ti jepte shancin qe te gjithe ata qe kane mundesi votimi edhe pse jetojne e punojne jashte Shqiperise do kishin edhe te drejten politike te zgjedhjes.

Share:
Please follow and like us: