El Pais, 11 nëntor 1982: Akuzohet për tradhti ish-kryeministri i Shqipërisë
Ja çfarë shkruante e përditshmja më e madhe spanjolle për akuzat e Enver Hoxhës ndaj Mehmet Shehut pas vetëvrasjes së tij:
“Presidenti i Shqipërisë Enver Hoxha ka akuzuar për tradhti të lartë dhe spiunazh të trefishtë (në shërbim të SHBA-së, KGB-së sovjetike dhe UDB-së jugosllave), Mehmet Shehun, ish-kryeministrin dhe grushtin e hekurt të vendit për 27 vjet. Shehu u vetëvra 18 dhjetorin e shkuar. Atëherë u tha se Shehu ishte viktimë “e një depresioni”, por tani Hoxha ka deklaruar se “Shehut nuk i mbetej veçse një rrugëdalje, turpi i vetëvrasjes”. Nxënës i liceut teknik në Tiranë, Shehu i lindur në vitin 1913, mendohet se është vënë në shërbim të Shteteve të Bashkuara pas kthimit nga Brigadat Ndërkombëtare në luftën e Spanjës. Më vonë, iu bashkua KGB-së sovjetike dhe do ta përfundonte karrierën si spiun në shërbim të UDB-së jugosllave. Në kritikat e tij, Enver Hoxha, 74 vjeç, president i shtetit të vetëm zyrtar marksist-leninist-stalinist në botë, ka risjellë stilin më të rafinuar të kritikës staliniste. Ai ka sulmuar Shehun në atë mënyrë sa do të befasonte çdo biograf të ish kryeministrit, një njeri i devotshëm i Stalinit që në një rast i tha sovjetikut Mikoyan që “gabimi i vetëm i Stalinit ishte që jetoi pak dhe t’i jepte fund bandës së tradhtarëve që e rrethonin në Kremlin”.
Thashetheme që vijnë nga qarqet e huaja në Tiranë, pohojnë se çfronëzimi zyrtar i kryeministrit shqiptar, mund t’i paraprijë rrëzimeve të tjera të kuadrove të shquar shqiptarë që tashmë ndodhen shumë larg detyrës së drejtimit. Gjeneral Shehu udhëhiqte shërbimet sekrete shqiptare së bashku me të afërmin e tij Feçor Shehu dhe nuk mund të jetë zhdukur pa lënë pas një grup besnikësh.
“Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij po përgatisnin akte banditizmi në shërbim të Uashingtonit, Beogradit dhe vendeve të tjera”, thotë Hoxha, i bindur se ish-kryeministri i tij ishte gati të përmbushte “urdhrin e UDB-së jugosllave” për ta vrarë. Presidenti shqiptar gjithashtu akuzon jugosllavët se kanë sponsorizuar zbarkimin e dështuar në brigjet shqiptare (26 shtatorin e shkuar) të një komandoje të Leka Zogut, pretendent për fronin e Shqipërisë, i dëbuar nga Spanja tre vjet më parë dhe i cilësuar nga propaganda zyrtare si “një njeri i ndyrë, trafikant armësh, droge dhe femrash”.
Por Leka Zogu, është shfaqur në intervistat e fundit si armik i Jugosllavisë së tanishme. Qeveria e Beogradit është shënjestra e akuzave më të rënda të Hoxhës kryesisht për çështjen e minoriteteve shqiptare në Serbinë jugosllave. Hoxha akuzon Jugosllavinë se po shtyp nacionalizmin shqiptar “të mijëra heronjve të rinj të Kosovës”.
“Nëse pushtuesit ruso-bullgarë do të vinin në Alpet tona, do të iknin ashtu siç ikën gjermanët nga Stalingradi”, tha Enver Hoxha, i cili u tërhoq nga Pakti i Varshavës në vitin 1968. Nga ana e saj, gazeta sovjetike Izvestia, i shtriu edhe një herë dorën Shqipërisë në një editorial të botuar 9 janarin e shkuar ku “sovjetikët përgëzonin shqiptarët për 36-vjetorin e Republikës Popullore”. Hoxha ka thënë së fundmi se dëshiron të krijojë “marrëdhënie normale diplomatike, mbi bazën e mosndërhyrjes” me Spanjën, Republikën Federale të Gjermanisë dhe Britaninë e Madhe.