DENOHET PAS VDEKJES REGJISORI, PUBLICISTI DHE SHKRIMTARI TOMI MATO PER LIBRIN E TIJ: “KUTELI – KALVARI I NJE JETE PLOT BRENGA”
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec nr.138 datë 06.06.2016 dhënë prej gjyqtarit dhe njëherazi kryetar i kësaj gjykate Niko Rapi, pas tre vjetësh gjyq, me të paditurin Tomi Mato që nxorri në qarkullim librin;”Kuteli – kalvari i një jete plot brenga” dhe ndërroi jetë gjatë këtij procesi gjyqësor, ngarkon gruan dhe dy djemtë e tij, të paditur për këtë libër, që pas vdekjes së autorit, si trashëgimtarë të tij t’u paguajnë familjes së Kutelit, e cila është edhe paditëse shumën prej 1.500.000 lek, si shpërblim për dëmin jopasuror (moral), të shkaktuar dhe të pësuar nga botimi në muajin nëntor 2012 të librit të lartpërmendur.
Detyrimin e familjes së paditur të Tomi Matos, të bëjë përgënjeshtrimin e librit të tij;”Kuteli- kalvari i një jete plot brenga”, në media lokale në qytetin e Pogradecit për tre ditë rresht në formën e një lajmi, njoftimi me shkrim, me gjatësi një faqe të përmbledhur me titra, nëpërmjet të cilit të evidentohet në mënyrë të plotë objekti dhe ndërgjyqësia e padisë si dhe mënyra e përfundimit të procesit gjyqësor. Ndërkohë është ligjëruar edhe masa e sigurimit të padisë sipas vendimit të ndërmjetëm të marë nga kjo gjykatë në dhjetor 2013, që pala e paditur të tërheqë nga qarkullimi të gjitha kopjet e librit “Kuteli – kalvari i një jete plot brenga”, botuar në nëntor 2012 si dhe ç’do ribotim të mundshëm të tij.
Një vendim i tillë ka shokuar mbarë opinionin letrar në Pogradec e juglindje të vendit dhe, sidomos mjaft prej atyre që e kanë lexuar këtë libër, jo vetëm për vlerat që ai bart në llojin e letërsisë memorialistike, por veçanërisht për të drejtën që ka gjithkush për ushtrimin e lirisë së shprehjes, lirisë së mendimit, lirisë për të dhënë e marë informacion e ide, sipas Konventës Evropiane të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut. Për më tepër kur liria e shprehjes paraqitet si e drejtë kryesore e ç’do njeriu, pasi përmes saj garantohet shkalla më e lartë e demokracisë së një vendi.
Po pse u anatemua libri “Kuteli kalvari i një brenge” nga familjarët e tij dhe autori Tomi Mato u kryqëzua në gjykatë se, “gënjen, shtrembëron…” dhe libri i tij “është i mbushur në ç’do faqe me fantazi e dialogë të sajuar nga T. Mato”, që s’kanë të bëjnë me jetën e shkrimtarit dhe ekonomistit Dhimitër Pasko, i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli?
Le ta freskojmë kujtesën për këtë figurë të madhe të letërsisë shqipe, duke cituar shkurt nga gazeta “Drita” 8 maj 2005, ato që thotë vetë bija e tij Atalanta Pasko: “… shkollën fillore e kreu në vitin 1919… pasi priti dy vjet… në vitin 1921 Kuteli shkoi në Selanik, ku i ati kishte mundur t’i siguronte një bursë për në shkollën tregtare rumune… Kuteli shkoi Bukuresht (1928) dhe filloi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëkohësisht si llogaritar… Në vitet 1928 -1933 drejtoi gazetën “Shqipëria e Re”… u diplomua në vitin 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare… Të gjitha këto shkrime, ndërsa drejtonte Bankën Nacionale të Rumanisë… Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan dhe e nisën në front… një telegram urgjent nga Pogradeci i thosh se nëna e tij ishte sëmurë dhe, se duhet të nisej sa më shpejt për në vendlindje… Mundi të arrijë në Pogradec në shtator 1942. Nëna kishte ndërruar jetë më 28 gusht… në nëntor 1943 botoi librin “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”…kushtuar kujtimit të babait, vrarë e djegur me gjithë shtëpi prej ushtarëve italianë në shtator 1943… Në nëntor 1944 shkoi në Berat si këshilltar në ministrinë e sapokrijuar të financave. Pranë kësaj ministrie punoi deri në janar 1945, ku u emërua anëtar i Këshillit të parë të administratës të bankës dhe drejtor i Drejtorisë Qendrore… Aktiviteti i Kutelit si ekonomist mori fund në kohën e caktimit të kursit midis frangës shqiptare dhe dinarit jugosllav, ku ai kundërshtoi kursin që sugjeronin e zbatonin jugosllavët… Dha dorëheqjen si drejtor i bankës… kjo ndodhi në gusht 1946. Kuteli kishte tre muaj që ishte martuar. Shoqka e jetës së tij ishte Efterpi Skëndi, nga një familje e dëgjuar korçare, me të cilën ishte njohur në shtator 1945… Pas 20 vjetësh në letrën e fundit drejtuar së shoqes, Kuteli do ta përmblidhte kështu aktivitetin e tij në fushën ekonomike: “Të kam treguar se gjermanët do të më varrnin përpara bashkisë, kur muarën vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin…” … Shkalla që Kuteli i jepte Nolit në hierarkinë e letërsisë shqipe ishte ajo e Mjeshtrit, ndaj dhe e pat propozuar për Kryetar Nderi të Lidhjes… Më 16 maj 1947 e arrestuan. Shkaku s’u tha asnjëherë zyrtarisht… pas shtatë muaj hetusie i vunë damkën “armik i popullit”… shpëtoi vetëm novela “E madhe është gjëma e mëkatit”, e cila ishte e përzier me letra të tjera… e varrosën të gjallë në dhe’, por disa të burgosur trima dhe zemërmirë ndërhynë dhe e shpëtuan… Më vonë e nisën për në Tiranë, sepse tani duhej si përkthyes (po në qeli). U lirua në prill 1949 me “falje”. E priti e shoqja që e kishte ndjekur burg më burg”.
Pikërisht këto etj. janë edhe ngjarjet më kryesore që përshkruan me vërtetësi, sinqeritet e paparagjykime me stilin e tij letrar Tomi Mato në moshën 86 vjeçare, në formë kujtimesh rreth jetës dhe veprës së bashkëqytetarit të tij Dhimitër Pasko, në librin e vet publicistik: “Kuteli kalvari i një jete plot brenga”, papretenduar se është biograf i tij, por duke synuar ta bëjë atë të njohur për brezin e ri, me kredon që e shpreh në parathënie të librit: “Jam krenar që jam bashkëqytetar i Lazgush Poradecit dhe Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit). Të dy i kam dashur, adhuruar e respektuar. I kam çmuar si dy personalitete me vlera dhe përmasa jo të zakonta: njëri poet i madh dhe tjetri prozator mjeshtër. Të dy kanë vënë gurë në themelet e letrsisë moderne shqiptare”.
Dhe libri, përveç familjes Pasko, sa kohë ishte në qarkullim u mirëprit dhe u vlerësua jo vetëm nga lexuesit e zakonshëm, por edhe nga opinioni letrar e pati vlerësime kudo që u promovua, në Pogradec, katedra e letërsisë, në Universitetin e Tetovës, Elita “Letër – Art” Qarku Korçë, që e nderoi autorin pas vdekjes, me çmimin “Mitrush Kuteli” etj. Madje edhe studiuesit e letërsisë Arjan Llanaj e Spiro Gjoni, të thirrur si ekspertë letrarë në këtë gjyq, përpos të tjerash pohojnë që autori nuk është nisur me qëllimin e keq në hartimin e kësaj vepre.
Libri “Kuteli – kalvari i një jete plot brenga” sipas tyre; “në përgjithësi paraqet disa vlera, si në planin ideor ashtu edhe atë artistik. Ai krijon për lexuesin një farë imazhi të figurës së Kutelit, të jetës dhe të krijimtarisë së tij letrare, duke u përqëndruar në një sërë faktesh dhe momentesh domethënëse, të cilat zbulojnë gjithashtu disa veçori dalluese të karakterit të tij. Megjithatë kjo dëshirë e mirë e autorit për të ngritur një monument respekti, dashurie e adhurimi për bashkatdhetarin dhe mikun e tij, por edhe për shkrimtarin dhe njeriun e shquar Mitrush Kutelin, është pjesërisht e realizuar, si në aspektin përmbajtësor ashtu dhe vlerat artistike të saj… Natyrisht asnjëri prej nesh nuk është dhe as ka qënë biograf i Kutelit. Madje as autori i librit nuk e ka pretenduar një gjë të tillë, por mendojmë se … duhet të ishte më shumë kërkues nga vetja, aq më tepër kur shkruante për një bashkatdhetar, për një krijues me emër, për një mik e pse jo, për një idhull të tij. Në të tilla kushte duhej të kërkonte më shumë edhe në drejtim të stilit të të shkruarit, edhe të leksikut të përdorur, dhe të ruajtjes së standardit…”.
Sigurisht, e mira s’ka fund, thotë populli. Ca më tepër në letërsi e arte, ku nuk mund të bëjmë krahësime brenda llojit, se ç’do të thoshim p. sh. po të sillnim ndërmend “Ali Pashë Tepelena” e “Plaku i Butkës” të Sabri Godos për të mos shkuar deri tek letërsia memorialistike e S. Cvajgut. Sepse siç dihet, kur mbarojmë së lexuari një libër gjykojmë në rradhë të parë për vlerat e tij dhe, nëse nuk na pëlqen mund të djegim librin, por jo autorin, siç ndodhi me “kalvarin plot brenga të Kutelit” që u kthye nga gjykata e Pogradecit në “kalvar plot strese të Matos”, duke e çuar atë deri në një atak të përballueshëm që i mori jetën.
Lexuesit edhe mund ti falet… Po gjyqtarit? Dhe sipas palës së paditur, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec hetimin gjyqësor të kësaj çështje e ka shqyrtuar mbi vlerat e librit dhe jo mbi fakte, kur Gjykata Evropiane ka vënë theksin mbi dallimin midis “fakteve” dhe “gjykimit të vlerave”, duke patur parasysh se e vërteta e “gjykimit të vlerave” është detyrë e pamundur. Për analogji, në çështjen Dalban kundër Rumanisë, Gjykata shprehet: “ nuk ka prova që përshkrimi i ngjarjeve i dhënë në artikuj ishte tërësisht i pavërtetë”. Kryesisht mbrojtja në bazë të qëllimit të mirë ka dhe nevojën për të provuar të vërtetën (qëllimin e mirë të provës). Nëse një botim ka qëllime legjitime, çështja është me interes publik dhe janë bërë përpjekje të arsyeshme për të vërtetuar faktet, shtypi nuk do të jetë përgjegjës edhe nëse faktet në fjalë, vërtetohen se janë të pavërteta”.
Sepse në fund të fundit, “të kërkosh gjilpërën në kashtë” është një detyrë e paarsyeshme dhe, se kështu publicistit rrallë do t’i duhej të publikonte ndonjë gjë, nëse do të kërkohej që të botojë vetëm për fakte që provohen plotësisht. Pasi që, nëpërmjet punës krijuese gjithkush shpreh jo vetëm një vizion personal të botës, por gjithashtu edhe pikpamjet e tij për shoqërinë në të cilën jeton. Ashtu siç u shpreh edhe Tomi Mato, faji i të cilit pas vdekjes, në rast se “provohet” se ka fyer Kutelin e vdekur, sipas Gjykatës së Pogradecit që e quan veten “dispozitë ligjore”, u kalon trashëgimtarëve të dëmshpërblejnë dëmin jopasuror të shkaktuar prej tij.
Gjyqtari në këtë rast, sipas burimeve nga kjo Gjykatë, nuk mban përgjegjësi, në rast se gruaja dhe bijtë e Tomit, cënohen me pa të padrejtë të thirrur në cilësinë e palës së paditur në këtë gjykim paradoksal, sepse s’ishte faji i gjyqtarit, por faji i babait të tyre – të ndjerit të paditur Tomi Mato. Kulmi i drejtësisë, por edhe kulmi i tragjikomedisë, në këtë farsë gjyqësore!
Po cili ishte Tomi (Thoma) Mato. Regjisor, publicist, shkrimtar, personalitet i kulturës në Pogradec e më gjerë. Lindur në Pogradec më 16 prill 1927. Kreu liceun “Jordan Misja” në vitin 1952 dhe, u diplomua regjisor në Akademinë e Arteve të Bukura në Çekosllovaki në vitin 1957, me dramën shqip “Halili dhe Hajrija” të përkthyer nga vetë ai, e cila u shfaq në skenën çeke dhe atë shqiptare. Më pas emërohet dhe punon si regjisor në teatrin profesionist “A.Z.Çajupi” Korçë, teatrin “Zini Sako” Gjirokastër e, mbyll karierën me teatrin e estradës profesioniste Pogradec. Gjatë punës 35 – vjeçare si regjisor, realizoi mbi 130 premiera teatri dhe estrade, disa prej të cilave u lauruan nëpër festivale me çmime kombëtare. Talenti i tij spikati edhe si shkrimtar e publicist; me dhjetra skeçe e botime si : “ Lulishte për gjyshërit , librin lertaro- publicistik “Të vërteta dhe të pathëna për Lazgushin”- botuar në vitin 2000, “ Lavdia dhe tragjedia e një muzikanti “ kushtuar Jashar Nazifit 2006, kujtime e publicistikë “Kuteli – kalvari i një jete plot brenga” 2012, “Historia e lëvizjes kulturore – artistike” e pabotuar, si dhe një numur të madh shkrimesh e artikujsh, në gazetat e përditëshme. Eshtë nderuar nga Bashkia Pogradec në vitin 2003, me titullin “Krenaria e qytetit” dhe në vitin 2011 me diplomën e “Mirënjohjes” për kontributin e shquar në zhvillimin e artit e të kulturës.
U nda nga jeta më 15 janar 2015. S. Demolli.