Frederik Gjerasi: Drama shqiptaro-ruse
Kujtimet e përkthyesit të rusishtes të Enver Hoxhës
Shqipëria është vend i vogël dhe në botën e trazuar gjithmonë ka patur nevojë të përkrahet e të mbulohet nga një vend i madh. Historia deshi që pas Luftës së Dytë Botërore, për 15 vite të lidhim miqësi me Bashkimin Sovjetik, pastaj me Kinën e, pasi nuk ditëm t’i ruajmë marrëdhëniet e mira edhe me këtë vend, ramë në humnerë.
Sot zhvillimi historik e ka sjellë Shqipërinë në miqësi me Perëndimin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë strategjik kryesor. Ne shqiptarët i jemi mirënjohës Amerikës sepse, në Konferencën e Paqes në Paris, presidenti Uillson mbrojti pavarësinë e Shqipërisë, ndoshta i ndikuar nga Bajroni, që i krahasonte shqiptarët me skocezët në trimëri, në veshje e zakone, sepse nga malet e Skocisë e kishte origjinën vetë familja e Uilsonit. Simpatia e tij për shqiptarët vinte dhe nga njohja personale me Fan Nolin tonë të madh. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjetën punë e strehim emigrantët e parë nga Shqipëria e varfër, atje i bashkoi e i frymëzoi me ligjëratat e tij Fan Noli për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Ne i jemi mirënjohës Amerikës për përkrahjen e çështjes së shqiptarëve të Kosovës. Sot, përmes peripecive të një tranzicioni të tejzgjatur, Amerika na ndihmon të vendosim në Shqipëri demokracinë dhe shtetin ligjor. Por edhe ne shqiptarët diçka kemi bërë për Amerikën: i kemi dhënë asaj shumë vajza e djem nga më të mirët, që janë shkolluar e punësuar atje dhe po integrohen pa probleme në shoqërinë merikane.
Në këtë libër do të flas për Rusinë, për miqësinë e dikurshme të saj me Shqipërinë. Kam dashur t’i harroj ato çaste të trishtuara e të tensionuara të jetës sime, kur përktheja grindjet e sherret midis udhëheqësve shqiptarë e atyre sovjetikë në fund të viteve ‘50 e në fillim të viteve ’60. Por njerëz të tjerë, përfshi edhe autorë të huaj, kanë botuar libra, ku e kanë vënë personin tim, përkthyesin, në qendër të shtjellimit të ngjarjeve, që lidhen me dramën shqiptaro-ruse, duke i interpretuar ato sipas dëshirës e qëllimeve të veta. Nuk dua të hyj në polemika, veçse dëshiroj të tregoj disa të vërteta për ato ngjarje, ashtu siç i kujtoj unë.
Do të shkruaj për të kaluarën, por kujtimet e saj zor se mund të jenë objektive. Është vështirë të tregosh për ngjarjet e shkuara pa pasion dhe pa anshmëri. Unë jam munduar të them të vërtetën.
Një autor shkruan se “të vërtetën mund ta durosh vetëm në doza të vogla, por pa të vërtetën jeta s’ka kuptim”.
Do të flas për disa nga tiparet e karakterit rus e të shpirtit rus, ashtu siç i kam njohur unë, për ngjarjet pas prishjes së miqësisë shqiptaro-ruse, për shembjen e Bashkimit Sovjetik, për Rusinë e sotme, për dramën e re, që lindi në marrëdhëniet tona lidhur me ngjarjet në Kosovë, nga që Rusia mban anën e Serbisë. Por tani edhe Serbia ka kërkuar të futet në Bashkimin Europian, do vijë koha që ajo ta njohë shtetin e Kosovës dhe atëherë Rusia ndoshta do ta kuptojë sa keq është sjellë përsëri me Shqipërinë e vogël dhe me shqiptarët.
Rruga historike e Rusisë është plot ngjarje tragjike: 300 vjet të pushtimit tataro-mongol lanë gjurmë në mentalitetin e njerëzve të kohës së Rusisë së carëve. Pastaj ndodhi Revolucioni i Tetorit, u krijua një shtet i ri, me ideale të reja, që nuk u çuan dot deri në fund. Këto tregojnë se populli rus gjithmonë është përpjekur të arrijë një jetë më të mirë.
Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia u kthye nga Europa për të riintegruar ekonominë dhe shoqërinë. Nga ana e saj, Europa pranoi ta bënte Rusinë furnizuesen kryesore me naftë e gaz, u ndërtua gazsjellësi i ri “Rrjedha e Veriut” nëpër Detin Balltik, që mënjanonte Ukrainën. Gjermania po e përdorte Rusinë si treg eksporti dhe, me rublat që fitonte, do të paguante naftën e gazin. Edhe vendet e tjera europiane e zgjeruan tregtinë me Rusinë, sidomos për prodhime bujqësore.
Pas kolapsit të viteve ‘90, në fillim të shekullit të ri, me ndihmën e dollarëve të naftës e të gazit, Rusia kaloi një periudhë zhvillimi të shpejtë. Miliarda dollarë shkuan në ndihmë të nënave për lindjen e rritjen e fëmijëve, në ndërtimin e banesave, në shëndetësi dhe në gjithë infrastrukturën, megjithëse shumë të ardhura i përvetësuan burokratët e korruptuar. Ekonomia ruse mundi të kapërcejë vështirësitë e krizës që filloi në vitin 2008. Por ajo sërish ka probleme: disa degë janë të prapambetura, ende vazhdon me përparësi shitja e lëndëve të para, niveli i jetesës ende lë për të dëshiruar, financimi i shëndetësisë dhe i arsimit nuk është i kënaqshëm, ende mbetet problem strehimi. Në këto drejtime Rusia ka përcaktuar objektiva e afate zhvillimi, që natyrisht tani detyrohet t’i rishikojë nga pasojat e krizës globale dhe sanksioneve. Veçanërisht rënia e çmimit të naftës dhe kursit të rublës e rritën presionin mbi ekonominë ruse dhe sollën largimin masiv të kapitaleve nga Rusia.
Sot populli rus është i bashkuar rreth presidentit Putin, autoriteti i të cilit është rritur. Kjo shpjegohet ndoshta nga që populli ka frikë mos përsëritet kolapsi i viteve ’90 të Jelcinit dhe oligarkëve. Populli rus nuk do që të kthehet e kaluara komuniste. Rrjedha e lumenjve të historisë nuk kthehet mbrapsht. Por atij nuk i pëlqen kur sheh përpjekje që njerëzit të humbasin kujtesën historike. E kaluara mund të shihet nga këndvështrime të ndryshme, por atë nuk mund ta fshijmë. Përderisa asnjë nuk mendon të kthehet e kaluara, thonë disa, atëherë kot që harxhojmë kohë të merremi me të. Ky arsyetim është naiv, sepse njerëzit duan ta kuptojnë të kaluarën që të ecin më të qartë në të ardhmen. Një autor rus thotë: “Nuk ka pse të kemi turp nga historia jonë, ta fshehim atë, të heqim dorë e të bëjmë sikur ajo nuk ka qenë. Gjithçka ka qenë, idetë e Revolucionit të Tetorit, vitet ’30 me persekutimet, sistemi i triskëtimit. Por ishte dhe fitorja mbi fashizmin, ishin pesëvjeçarët, fluturimet kozmike. Kjo ishte jeta jonë, me të gjitha gabimet e ëndrrat e bukura. Pse ta fshijmë atë?”
Njerëzit në Rusi nuk i shohin me sy të mirë ata që kërkojnë të lënë në harresë ose të shtrembërojnë historinë e Luftës së Madhe Patriotike të popujve sovjetikë. Ata mbetën të zemëruar kur udhëheqësit e Perëndimit bojkotuan ceremoninë e 70-vjetorit të Fitores mbi fashizmin më 9 maj 2015 në Moskë…
*****
Hrushovi donte ta eliminonte Enver Hoxhën
Në fillim Hrushovi sikur nuk kishte mendim të keq për Enver Hoxhën. Në udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik tashmë ishte krijuar një besim në miqësinë shqiptaro-sovjetike. Por Enveri ishte irrituar shumë kur Hrushovi rivendosi marrëdhëniet me Jugosllavinë. Sovjetikët mbase kishin arsyet e veta në atë kohë që të afronin në anën e tyre këtë shtet të madh me popullsi kryesisht sllave, që kishin luftuar kundër fashizmit dhe udhëhiqeshin nga një parti që quhej “Lidhja e komunistëve jugosllavë”. Hrushovi e kërkonte afrimin me Jugosllavinë edhe për të treguar, se gjoja fajin e prishjes së marrëdhënieve e kishte patur Stalini. Në të vërtetë, disa autorë që më vonë e kanë studiuar këtë problem, nuk rëndojnë me faj në mënyrë të njëanshme as Stalinin dhe as Titon. Edhe kinezët atëherë kishin lëkundje në qëndrimet ndaj Jugosllavisë, sepse niseshin pikërisht nga fakti që popujt e atij vendi kishin luftuar me repartet partizane në vitet e luftës.
Hrushovi po bënte ndërrime në udhëheqjet e vendeve socialiste, hiqte “dogmatikët” stalinistë dhe vinte njerëz që mbështetnin vijën e tij liberale, si Gomulka në Poloni, Kadari në Hungari Zhivkovi në Bullgari etj. Në këto kushte, Enver Hoxha po shqetësohej shumë për fatin e vet. Aq më tepër kur Hrushovi rehabilitoi Titon. Enverit vërtet i hyri frika e ndonjë rreziku të mundshëm kundër personit të tij. E kishte ngritur në qiell Titon dikur, por pastaj e shante si askush tjetër.
Nuk e kuptoj, pse disa ngulin këmbë dhe shprehen sot kundër atyre, që vlerësojnë si shkak të prishjes së Enverit me Hrushovin frikën e tij se sovjetikët do ta rrëzonin, siç kishin vepruar me udhëheqje të tjera “dogmatike” në kampin socialist. Por këtë e pranon vetë Enveri në shkrimet e tij. Kështu, te “Hrushovianët”, ai thotë se Hrushovi donte “ta marrë kalanë shqiptare nga brenda”, se ai luftonte që elementët antimarksistë “atje ku ishin në udhëheqje të viheshin nën kontrollin e tij dhe atje ku s’ishin, të silleshin, duke eliminuar udhëheqësit e shëndoshë me intriga, me puçe ose dhe me atentate”. Enveri përmend “vdekjet e çuditshme, të papritura” të Gotvaldit, Bierutit, madje të Dimitrovit. Të gjitha këto rrethana nuk mund të mos e trembnin Enver Hoxhën dhe ta shtynin drejt marrjes së qëndrimeve të guximshme për të ruajtur karrigen.
Enver Hoxha fliste me urrejtje për Titon, kurse ky i thoshte Hrushovit fjalë të rënda kundër Enver Hoxhës. Qysh në fjalimin e tij të Puljas, Tito kërkonte të hiqeshin nga postet Enveri dhe Mehmeti. Në kujtimet e veta, Hrushovi shkruan se kur do të normalizonte marrëdhëniet me Titon, qysh në vitin 1954, shumica e partive komuniste e mbështetën, me përjashtim të Enver Hoxhës, i cili “ka karakter të ashpër dhe kur flet për çka nuk i pëlqen, sikur ia kap fytyrën ngërçi dhe gati sa s’kërcet dhëmbët”. Nuk e kuptoj dot nëse këto përshtypje për Enverin i lindën vërtet Hrushovit qysh atëherë, në fillim apo pas gjashtë vjetësh, pas grindjeve të mëvonshme në Moskë, në nëntor I960. Ndoshta janë të dyja bashkë.
Për vizitën e tij në Moskë në qershor 1954, Enver Hoxha thotë se “Hrushovi bënte sikur nuk i vinte re qëndrimet e ndryshme që kishim me njëri-tjetrin për Jugosllavinë”. Me porosi nga Moska, ambasadori Leviçkin e takoi disa herë Enverin dhe i bënte presion që të mos kundërshtojë rivendosjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Pas një viti Mikojani e ftoi “për pushime” dhe qysh ditën e parë i la takim me Tempon në Moskë. Pas Kongresit 20, në dhjetor 1956, kur ishte thartuar me Titon pas ngjarjeve të Hungarisë dhe fjalimit në Pulja, Hrushovi në Moskë i bën elozhe dhe ngrinte dolli për Enver Hoxhën. Në kujtimet e tij për këtë pritje, Hrushovi thotë se donin ta bënin Shqipërinë “një xhevahir që të joshte botën myslimane”… Dhe vërtet, pas kthimit nga vizita në Moskë në dhjetor 1956, ku Hrushovi kishte hedhur idenë e bazës së nëndetëseve në Vlorë dhe premtonte xhevahire, Enveri tha se shembulli i Shqipërisë do t’i ndihmonte vendet e botës myslimane të shohin se “marksizëm- leninizmi ishte fari ndriçues i jetës së begatshme e të lirë të popujve”. Ai sikur e besoi që Hrushovi nuk kishte ndërmend ta hiqte.
Në mbledhjen e Moskës të partive komuniste në nëntor 1957, ku ishte dhe Mao Ce Duni, Enverit i kishin rënë në sy divergjenca ideologiike të sovjetikëve me kinezët, të cilët dolën me parullën “imperializmi është tigër prej letre”. Enver Hoxha ndiqte me interes vërejtjet e kinezëve për kongresin 20 dhe më pas qëndrimet e tyre të hapura ndaj Hrushovit. Por udhëheqja kineze në të vërtetë nuk kishte për Stalinin vlerësime të njëjta me udhëheqjen shqiptare. Kinezët thonin se “Stalini ishte një udhëheqës i madh, që ka bërë gabime të mëdha”. Kurse Enver Hoxha nisej nga pozita dogmatike dhe nuk pranonte që Stalini kishte bërë gabime.
Me 1958 De Goli nuk pranoi të vendoseshin në Francë raketat amerikane. Atëherë Hrushovi mendoi që nga Shqipëria të kërcënonte Italinë e Greqinë dhe të propozonte që Ballkani dhe Adriatiku të ktheheshin në një zonë pa armë bërthamore dhe pa raketa. Ishte vazhdim i tezës utopike të Hrushovit për “botën pa ushtri, pa armë e pa luftra”. Ai erdhi për vizitë në Shqipëri në maj 1959 dhe, sapo zbriti nga avioni, siç dihet, kërkoi të mos flitej për Jugosllavinë gjatë ditëve që do të qëndronte në Shqipëri. Hrushovi i rekomandoi shqiptarëve të mbjellin më shumë agrume, se të gjitha ja blen Bashkimi Sovjetik. Por Enveri kërkonte uzinë metalurgjike. Pas prishjes u tha se Hrushovi donte ta bënte Shqipërinë “si kolonitë e bananeve”, dhe siç i kishte thënë Malinovskit që në Butrint mund të ndërtohej një bazë ideale për nëndetëse. Gjatë ditëve të qëndrimit të Hrushovit në Shqipëri si përkthyes ishte Agim Popa. Myfit Mushi ishte transferuar nga aparati i KQ në Ministrinë e Jashtme. Shkak duhet të ketë qenë se pas dënimit të Teme Sejkos nuk po shiheshin me sy të mirë shumë kuadro nga Çamëria. Ditën e fundit, kur Hrushovi do të fliste nga ballkoni i ish godinës së komitetit ekzekutiv të Tiranës, u ndesha në korridoret e aparatit me Liri Belishovën, e cila ishte treguar shumë aktive në organizimin e pritjes së Hrushovit. Më tha të bëhesha gati se do të lexoja përkthimin e fjalës së Hrushovit në miting. I fola Agimit për këtë, por e pashë që ai donte ta lexonte vetë dhe unë nuk e zgjata.
Mosmarrëveshjet ruso-kineze dhe reagimi i shqiptarëve
Qysh në shkurt të vitit 1960, kur Enveri dhe Mehmeti ndodheshin në Moskë, Mikojani u kish folur me orë të tëra për mosmarrëveshjet me Kinën dhe iu lut t’i mbanin gjërat sekret. Ky ishte çasti që priste Enveri. Tani e tutje ai do t’i bënte veshët katër, që të mësonte çdo lajm që vinte nga Kina.
Ato ditë prilli në tavolinën e librave të rinj të bibliotekës gjeta një broshurë me kopertinë të kuqe me titull “Rroftë leninizmi”, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Leninit. Ishte përkthyer nga gjuha kineze në shqip, botuar në Kinë. Më tërhoqi shumë leximi që në faqet e para, aty flitej me gjuhë të fortë kundër revizionizmit të Titos, por kuptohej qartë se fjala ishte për revizionizmin e Hrushovit.
Revizionistët akuzoheshin se kishin shtrembëruar mësimet e Leninit mbi karakterin e epokës sonë, se përhapnin iluzione të gabuara mbi zbutjen e natyrës së imperializmit. Kritikohej me emër Titoja dhe nënkuptohej Hrushovi edhe për problemet e luftës e të paqes, për shkarje në pozitat e pacifizmit borgjez, për absolutizimin e rrugës paqësore të kalimit në socializëm dhe mohimin e nevojës së revolucioneve proletare e nacionalçlirimtare, e të tjera akuza në terminologjinë e asaj kohe. Zbrita nga kati i katërt të takoja shefin tonë të sektorit të propagandës, i fola i emocionuar për këtë libër që porsa kishte ardhur në bibliotekë, por ai ishte njeri i mbyllur, pinte shumë duhan e alkool, kishte halle familjare dhe nuk e prishte shumë gjakun për këto punë.
Erdhi mesi i qershorit të vitit 1960, në Tiranë të nxehtit qe rritur, ishte e pamundur të mbaje xhaketën dhe ne, punonjësit e aparatit të KQ, e linim atë varur në zyrë dhe nuk e merrnim me vete kur mbaronte orari zyrtar dhe shkonim në shtëpi. Unë isha treguar i pakujdesshëm dhe atë ditë nuk e kisha as në zyrë xhaketën. Kisha dalë nga shtëpia me një këmishë me katrore dhe mëngë të shkurtra.
Po lexoja në zyrë kur hyri Sadik Myftiu, zëvendësi i Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës, që mungonte atë ditë dhe më thotë: Eja shpejt, se të kërkon shoku Enver në zyrë. Në korridor takova njërin nga shokët që punonte afër zyrës time dhe i mora xhaketën, më rrinte ca e vogël. Përpara më printe Sadiku, i shkurtër e i imët, siç ishte, çeli zyrën e Haxhiut, pasi u mendua pak, hapi ngadalë derën që të çonte në zyrën e Enverit dhe më bëri shenjë të hyja. Në tavolinën përballë pashë të përkulur mbi shkresa Enverin. Ky ngriti kokën, vështroi vrenjtur në drejtimin tim dhe foli: Po ti ç’do?! U trondita. Megjithëse e dija që më njihte, u përgjigja: Më thanë se më keni kërkuar. Po ti ç’do?!, përsëriti ai me një ton më të vrazhdë. Unë ngriva. Ndjeva një zhurmë të lehtë nga mbrapa. Ktheva pak kokën. Kishte hyrë edhe Sadiku në zyrë, rrinte prapa meje dhe tani po dilte. Kuptova se Enveri i drejtohej atij e jo mua. Sadiku kishte gabuar që më “shoqëroi” deri këtu, unë fundja isha punonjës i aparatit dhe kaloja shpesh para atyre zyrave për të shkuar në bibliotekë. Më shkriu gjaku. Eja këtu pranë, Frederik, më tha Enveri me një ton të butë, do më përkthesh nga rusishtja këtë material.
Sovjetikët kishin sjellë një kopje të procesverbalit të bisedës së De Golit me Hrushovin, që kishte shkuar në Paris për mbledhjen e të katërve. Hrushovi thoshte se do të largohet pa filluar mbledhja, sepse Ajzenhaueri ka ardhur në Paris për bisedime e në të njëjtën kohë dërgon aeroplanë spiunë mbi Bashkimin Sovjetik (sapo ishte rrëzuar nga sovjetikët një aeroplan spiun U-2 dhe ishte kapur piloti amerikan). De Goli mundohej t’i mbushte mendjen Hrushovit të mos dështonte mbledhja.
Përkthimi nga rusishtja në shqip ishte i lehtë për mua. E lexova sikur të ishte shkruar në shqip. Madje një herë më ndërpreu Enveri dhe më tha të përktheja më ngadalë. Në fund më falënderoi. Kur dola nga dhoma e tij, pashë se më priste në korridor një shok i drejtorisë sonë, i cili më njoftoi se duhej të paraqitesha menjëherë te zyra e Hysni Kapos. Ky më komunikoi se nesër do të niseshim për në Bukuresht, me një delegacion që e kryesonte ai për në kongresin e partisë rumune. Në delegacion bënin pjesë edhe Sul Baholli dhe Thanas Nano. Ky i fundit ishte nëndrejtori im.
Zyrtarisht thuhej se në Bukuresht delegacionet pjesëmarrëse në kongresin e partisë rumune do të mblidheshin për të caktuar datën e mbledhjes së 81 partive, por në të vërtetë parashikoheshin ngjarje dramatike, sepse Hrushovi nuk do të duronte dot deri atëherë pa i sulmuar kinezët. Pra, dilte e nevojshme që në delegacion të ishte dhe një njeri që të dinte mirë rusishten dhe të njihte problemet ideologjike që po rriheshin në gjirin e lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare.
Mund të përmendja me hamendje disa arsye, përse më zgjodhën mua si përkthyes. Ndoshta sepse flitej që unë e dija rusishten më mirë se shokët e tjerë, sidomos e shqiptoja mirë. Sepse kisha marrë baza më të forta se shokët e tjerë shqiptarë në gjuhën ruse. Kur isha në vitin e pestë të universitetit, ambasadori ynë në Moskë, Mihal Prifti më zgjodhi përsëri të përktheja gjatë një pritjeje në aeroportin e Moskës, kur Nexhmije Hoxha me një delegacion të Kuvendit Popullor shkonte për vizitë në Kinë. Kur fillova të përktheja përshëndetjen e përfaqësuesit të Sovjetit Suprem, Nexhmija tha se më njohu nga zëri që isha spikeri i Radio-Moskës. Pas disa muajsh, kur mbarova studimet, ajo do më emëronte në drejtorinë e saj të propagandës dhe kulturës.
Për të më marrë si përkthyes mund të ketë qenë edhe propozimi i Ramiz Alisë, i cili sapo kishte ardhur në krye të drejtorisë së propagandës dhe sillej mirë ndaj meje, ndoshta sepse në moshë isha punonjësi më i ri në aparat. Ai më thoshte se jam “nga fshati i gruas” së tij elbasanase prej familjes së respektuar të Xhuvanëve. Mund të shtoja dhe një hamendje tjetër: unë kisha diksion e zë të mirë dhe këtë ndoshta e pëlqente Enver Hoxha, i cili e kishte pasion të veçantë të dallohej për lexime pompoze të fjalimeve të tij.
Në ditët e para të atij qershori më thirri në zyrë Ramiz Alia, më tregoi një artikull të gazetës Pravda kundër dogmatizmit, që aludonte hapur kundër kinezëve dhe më tha t’ia sillja pas 3-4 orësh të përkthyer në shqip. Pa dashje dhe pa më shkuar mendja se ku ishte qëllimi, i thashë se do t’ia diktoja daktilografistes direkt dhe për një orë përkthimi do të ishte gati. Ai vështroi me një mënyrë domethënëse nga Manush Myftiu, që ndodhej aty rastësisht. Më vonë e kuptova se isha piketuar e propozuar për përkthyes. Megjithatë, Enver Hoxha donte të më provonte vetë, prandaj më thirri në zyrë një ditë përpara se Hysni Kapo të nisej për në mbledhjen e Bukureshtit më 20 qershor 1960. Duhet të pranoj se unë vërtet e shqiptoja mirë rusishten, por nuk mund të pretendoja se e zotëroja si duhet të folurit rusisht. Vetëm pesë vitet në Bashkimin Sovjetik nuk mjaftonin që të përktheja saktë në rusisht, aq më tepër që unë vetëm dy vitet e para kisha bërë mësime të rusishtes dhe nuk përpiqesha të mësoja mirë gramatikën e saj, sepse nuk studioja për letërsi. Veç kësaj, vitin e parë në universitetin e Kievit flitej dhe ukrainisht. Megjithatë, nuk mund të kundërshtoja dhe pa dashje u futa në një vorbull nga ku nuk do të dilja dot.
Ditët e Bukureshtit dhe radiogramet e Enverit për Hysniun
Në Bukuresht shkuam disa ditë para fillimit të kongresit të partisë rumune. Hysni Kapon e vendosën në një vilë, ne të tjerët te një hotel aty pranë. Shëtitëm nëpër Bukuresht të shoqëruar nga ministri i ndërtimit i Rumanisë. Në kryeqytetin rumun atëherë bëheshin ndërtime të shumta, me të cilat ministri mburrej. Brodhëm edhe nëpër parkun e madh, që atëherë më duket mbante akoma emrin e Stalinit, ose të paktën nuk i kishin vënë ende emër tjetër.
Të nesërmen Hysniu do të dilte shëtitje nëpër rrugët e Bukureshtit. Më mori vetëm mua me vete. Nga pas vinte një oficer i sigurimit, veshur civil. Hysniu mbante një kostum veror në ngjyrë të çelët dhe këpucë lëkure të bardha, që nuk i shihje ndër banorët e Bukureshtit dhe mua më linin një ndjesi jo të këndshme, sepse njerëzit kthenin kokën. Megjithëse ishte vapë, Hysniu mbante kollare.
Kongresi i partisë rumune mbahej në një sallë të re, të madhe, pothuaj ngjitur me ish pallatin e mbretit dhe lidhej me të me një korridor të ndërtuar posaçërisht. Në kongres, i pari nga miqtë foli Hrushovi. Ai përsëriti tezat e tij, nuk përmendi njeri me emër, por duke kritikuar “dogmatikët”, aludoi hapur për kinezët. “Disa janë larguar nga mësimet e Leninit, i cili, po të ngrihej nga varri, do t’ua tërhiqte veshin”, tha Hrushovi. Kurse kryetari i delegacionit kinez, Pen Çen, atëherë kryetar i Bashkisë së Pekinit, në fjalën e tij para kongresit iu përgjigj se “revizionistët janë larguar aq shumë nga mësimet e Leninit, sa po të ngrihej ky nga varri e të zgjaste dorën për t’u tërhequr veshin, nuk do t’i arrinte dot!” Delegatët e kongresit, natyrisht e kuptuan se për kë aludohej.
Pas dy ditësh që vazhdonin punimet e Kongresit, lajmërohemi se të nesërmen do të ketë mbledhje të delegacioneve. Atë mbrëmje vonë, më thërret Hysniu në vilë, aty vjen Andropovi, atëherë drejtor i drejtorisë së jashtme të KQ të PKBS për vendet socialiste, i shoqëruar nga Mogjorosh, sekretar i KQ të Rumanisë, që shihte vëngër. Ai na dorëzoi një material prej 60 faqesh, të përkthyer në shqip e të daktilografuar, ku shtroheshin të gjitha pikëpamjet e Hrushovit dhe kontradiktat me kinezët. Veprimi i sovjetikëve ishte vërtet i djallëzuar: Kur kishin aq kohë sa t’i përkthenin e daktilografonin në shqip këto 60 faqe, përse na i sollën aq vonë në prag të mbledhjes? Me siguri që të mos kishim mundësi të përgatiteshim dhe të shkonim në mbledhje sa për të ngritur dorën “pro” në përkrahje të Hrushovit!
Shpejt e shpejt u bë një përmbledhje e materialit sovjetik 60 faqesh në vetëm 1-2 faqe, që të mund të transmetohej me radiogram nga ambasada jonë për në Tiranë. E priste Enver Hoxha, që ndiqte me interesim të veçantë ngjarjet në Bukuresht nëpërmjet radiogrameve. Të nesërmen, kur ishim ulur në tavolinën e gjatë të mbledhjes së Bukureshtit, Hysniu më porositi të merrja një bllok e të mbaja shënim gjithçka thuhej. Unë stenografi nuk dija, por më ndihmoi përvoja që kisha fituar në universitet, kur mbaja shënim leksionet e lëndëve për të cilat nuk kishte tekste: ca fjalë shqip midis rusishtes, ca fjalë të plota e të tjerat me shkurtime, ca me shenja të veçanta, etj. Kur ndonjëherë lodhesha dhe i ndërprisja shënimet, Hysniu më binte me bërryl dhe unë vazhdoja.
Nga Tirana i erdhën Hysni Kapos me radiogram për gjithë natën idetë e fjalës, që ky duhej të mbante të nesërmen dhe vetëm në mëngjes unë e përktheva atë në rusisht. Të gjitha delegacionet u ulën rreth tryezës së gjatë në katin e dytë të pallatit mbretëror. Mbledhjen e hapi i zoti i shtëpisë, Georgiu Dezh. Ai ja dha fjalën delegacionit shqiptar, sepse ndoqi rendin alfabetik. Hysniu pyeti nëse ka mundësi të mos ndiqet rendi alfabetik, Dezhi ia dha fjalën bullgarit, duke ruajtur përsëri rendin alfabetik, që më pas u prish, sepse Hrushovi nuk duroi dot të priste radhën. Ai foli plot pasion kundër kinezëve. Ndër të tjera tha se, po të doni, jua japim Stalinin ta varrosni në sheshin Tien An Men! Pas tij u përgjigj Pen Çeni me një gjuhë edhe më të ashpër. Deri atëherë Hrushovi ndodhej në ngjitje të autoritetit të tij dhe ishte hera e parë që i kundërviheshin në mënyrë të tillë, prandaj u skuq i gjithi nga zemërimi. Mbaj mend se u bë një pushim, unë zbrita pranë sallës së madhe të kongresit, mora disa kokrra qershi dhe po ngjisja shkallët ngadalë. Kur befas, në mes të shkallëve, hapet një derë në formë perdeje, që nuk binte në sy, e cila të çonte në dhomat ku ndoshta mbreti rumun dikur sillte dashnoret ose kishte ndonjë dhomë pune. Prej andej del me vrull Hrushovi, i nxehur e i skuqur, gati sa nuk u përplas me mua. U ngjit me të shpejtë shkallëve si një derrkuc. Por u kthye befas dhe bërtiti drejt meje: “Asnjë të mos dalë gjëkundi”. Ktheva pak kokën dhe pashë Pospjellovin që kishte nxjerrë kokën te perdet e derës nga doli Hrushovi. Me sa duket, ky i kishte dhënë urdhër të shkruante përgjigjen kinezëve sipas porosive të tij.
Më egër filloi t’i sulmojë Hrushovi kinezët, të cilët përsëri u përgjigjën me të njëjtin ton. Nga vendi, si dhe të tjerët, Hysni Kapo lexoi në shqip paragrafin e parë të fjalës së tij të shkruar. Pasi e përktheva këtë paragraf prisja të lexonte Hysniu më tej, por ai më tha “vazhdo”. Vetë rrinte në këmbë dhe unë vazhdoja përkthimin e shkruar me dorë. Tashmë dihet përmbajtja e kësaj fjale, që mund të përmblidhet shkurt: Udhëheqja e partisë sonë do t’i studiojë me kujdes materialet e të dyja palëve dhe do ta thotë fjalën e vet në mbledhjen e 81 partive, që është caktuar për në nëntor në Moskë, por më parë të dyja palët le të përpiqen t’i zgjidhin mosmarrëveshjet midis tyre. Kjo natyrisht, nuk i pëlqeu Hrushovit. Ai kërkonte miratim të plotë nga të gjitha partitë e vendeve socialiste. Dhe nuk nguroi të shfaqte pakënaqësinë e tij. Në tekstin e fjalës sonë kishte një frazë që gjoja shprehte në formë figurative dashurinë e veçantë të shqiptarëve për sovjetikët: “Edhe në qoftë se në botë do të ndodhë ndonjë kataklizmë, shkruhej në tekstin tonë, arkeologët e ardhshëm do të gjejnë pranë njëri-tjetrit shqiptarët dhe rusët”. Më kujtohet se atë mëngjes, kur përktheja dhe shkruaja me të shpejtë këtë diskutim, nuk më kujtohej si thuhej në rusisht fjala “kataklizmë”, më dukej sikur ajo duhet të ishte ndryshe në këtë gjuhë, por sapo mbarova së lexuari këtë frazë, Hrushovi më ndërpreu dhe me sarkazëm tha: Lëreni atë botë kur do të jemi varrosur, ne kërkojmë të jemi bashkë dhe në unitet sa të mbetemi gjallë! Unë prita një moment mos kishte ndonjë përgjigje nga Hysniu, sepse këtij sikur i ndryshoi fytyra, por në fakt ai nuk e kuptonte rusishten, nuk më kërkoi t’ia përktheja replikën e Hrushovit dhe unë vazhdova më tej leximin.
Historia e rishkruar dhe mashtrimi i Thanas Nanos
Në librin “Hrushovianët”, duke i tragjedizuar gjërat, Enver Hoxha shkruan: “Shoku Hysni Kapo, në emër të Partisë dhe në bazë të direktivave të hollësishme që i dërgonim çdo ditë, shpesh dhe dy herë në ditë, sulmoi metodat komplotiste që përdorën sovjetikët, mbrojti Partinë Komuniste të Kinës dhe kundërshtoi vazhdimin e një mbledhje të tillë”. Në të vërtetë Hysni Kapo nuk e sulmoi Hrushovin, megjithëse ai një herë i përmendi emrin: “Hë, shoku Kapo, a foli Pen Çeni për bashkekzistencën paqësore?” Në të vërtetë Hysni Kapo as e përdori shprehjen “metoda komplotiste” për sovjetikët, siç thotë Enver Hoxha, as nuk guxoi të kundërshtojë vazhdimin e mbledhjes. Është e vërtetë që Hrushovi tha në fjalën e tij të dytë në mbledhjen e Bukureshtit “a doni t’ju dërgojmë ju, shoku Kapo, të merreni vesh me Maon”. Por është e sajuar përgjigja e Kapos se “unë nuk marr urdhra nga ju”. Ai vetëm përmendi se disa ditë më parë ishin mbledhur ministrat e brendshëm të vendeve socialiste dhe kishin vënë në dukje ndërhyrjet e revizionistëve jugosllavë në këto vende. Por kjo nuk kishte fort lidhje me temën e diskutimeve në atë moment.
Enver Hoxha shkruan gjithashtu: “Andropovi, njeriu i prapaskenave dhe i intrigave (prandaj e kanë bërë edhe shef të KGB-së), ishte ndër më aktivët dhe bënte çmos që ta detyronte Partinë tonë të aderonte në komplot”. E vërteta është se Andropovi, siç e përmendëm, erdhi një natë para fillimit të mbledhjes së Bukureshtit dhe i dha Hysni Kapos materialin sovjetik prej 60 faqesh, në vend që të na e jepte 2-3 ditë përpara, kur rrinim pothuajse kot në Bukuresht. Kjo ishte vërtet një taktikë jo e ndershme e sovjetikëve. Por më vonë s’patëm ndonjë kontakt me Andropovin dhe nuk di që ai “të ketë bërë çmos që ta detyronte partinë tonë të aderonte në komplot”!
Nga të gjitha vendet socialiste të Europës Lindore kishin ardhur në Bukuresht sekretarët e parë. Është e vërtetë se në pushimin tjetër na u afrua Georgiu Dezh dhe na u lut të lajmëronim të vinte urgjent në mbledhje shoku Enver. Ne ju japim dhe avionin tonë, shtoi ai. Natyrisht, ai vinte me porosi të Hrushovit, që ndoshta dyshonte se Hysniu fliste me kokë të tij, por nuk erdhi të na e thoshte këtë vetë, siç shkruan Enver Hoxha në librin e tij “Hrushovianët”. Hysniu u përgjigj se shoku Enver nuk vjen, partia jonë do ta thotë fjalën e saj në mbledhjen e nëntorit në Moskë. Enveri ndiqte ngjarjet dhe i dërgonte radiograme Hysniut.
Ditën e fundit të mbledhjes, të premten, delegacioni kinez donte ta merrte përsëri fjalën për të replikuar ndaj disa akuzave që iu bënë. Kur nuk ju dha fjala, Pen Çeni tha se do ja jepnin çdo delegacioni një kopje të diskutimit të tyre. Erdhi njëri nga kinezët edhe te ne, kur ishim jashtë, në këmbë, të katër ne shqiptarët, dhe i dha Hysniut në dorë kopjen e materialit të delegacionit kinez. “Na, Frederik, mbaje këtë dokument të rëndësishëm në çantë bashkë me materialet e tjera”, më tha Hysniu. Unë zgjata dorën ta marr, por më doli përpara Thanasi: Po e mbaj unë, shoku Hysni, se është material i rëndësishëm.
Të nesërmen, e shtunë, u kthyem në Tiranë aty nga dreka. Sapo zbritëm, Hysniu më tha: Ti je beqar, nuk ke obligime familjare, shko lër valixhen në shtëpi dhe kthehu në zyrë të zbardhësh shënimet që ke marrë, sepse shokët e Byrosë duan të dinë sa më parë me hollësi për mbledhjen.
Më caktuan daktilografiste Zoica Kroin, një grua e urtë, punëtore dhe e sjellshme. Unë shihja shënimet dhe i diktoja. Punova me të deri vonë në darkë, pastaj erdhi një daktilografiste tjetër dhe gjithë natën zbardha mbi 100 faqe të daktilografuara. Nga ora 3 e mëngjesit daktilografistja më tha se kisha dremitur dhjetë minuta. Çdo 2-3 orë vinte vetë Hysniu ose dërgonte njeri për të marrë faqet e daktilografuara.
Të dielën, rreth orës 8 të mëngjesit, kur po përfundoja zbardhjen e shënimeve të mia, Hysniu erdhi me disa shtojca të daktilografuara që i qepi në faqet ku flitej për gjoja diskutimet e tij në mbledhjen e Bukureshtit. I lodhur, siç isha, i vështrova ato shtojca, ku shkruhej se Hrushovi i tha Hysniut ashtu e ai ju përgjigj kështu, por s’bëra zë, tunda kokën në shenjë pohimi, firmosa poshtë materialin si procesverbal të mbledhjes së Bukureshtit dhe u nisa në shtëpi për të fjetur.
Të hënën vajta në zyrë. Më thërret Thanas Nano dhe më kërkon kopjen e diskutimit që nuk e folën dot kinezët dhe na e dorëzuan ditën e fundit në Bukuresht, e kërkonte Hysniu. Po atë dokument e morët ju, shoku Thanas, ishim të gjithë aty, kur e morët, iu përgjigja menjëherë. Ai u mendua ca i ngrysur e më tha: “Mirë, mirë, shko, por herë të tjera të jesh më vigjilent”. U nisa të dal nga zyra e tij, por kur i isha afruar derës, seç më hipi në kokë dhe iu ktheva: “Vigjilencën tregojani vetes tuaj, mos duhet të takoj shokun Hysni e ta sqarojmë?!” “Jo, nuk është nevoja”, më tha me ton më të butë, megjithëse unë i kisha folur me inat. Bëra gabim që nuk e vazhdova më gjatë këtë çështje. Thanasi mund t’i ketë thënë se e humba unë, por mua nuk ma përmendi më njeri tjetër çështjen e dokumentit. Ai me siguri vetëm dyshonte se mund ta gjente te unë dokumentin, ndryshe nuk do ta linte me kaq. Por mënyra sugjestionuese, si ma tha nuk ishte korrekte.
Dënimi i Liri Belishovës dhe Koço Tashkos
Më 5 shtator u mbajt plenumi i KQ, ku u dënuan Koço Tashko dhe Liri Belishova. Ndodhesha lart në bibliotekë kur mbahej plenumi, dëgjova që dikush e kritikonte ashpër Lirinë dhe ajo i përgjigjet: “Ti flet kështu se ke lexuar procesverbalin e Frederikut, por unë në Pekin e në Moskë s’kisha informacion për ngjarjet e Bukureshtit”. Unë isha lodhur një natë të tërë për ta zbardhur atë procesverbal të mallkuar që do të më sillte kokëçarje të tjera. Do të më kërkonin shënime e procesverbale të tjera për ngjarjet që do të vinin.
Siç dihet, kinezët i kishin folur delegacionit shqiptar në Pekin, ku bënte pjesë dhe Liria, për kontradiktat me Hrushovin. Pak kohë më parë ata i kishin folur për to edhe Gogo Nushit, kur ky kryesonte delegacionin shqiptar në Konferencën botërore të sindikatave në Pekin. Mirëpo Liria menjëherë pas kësaj kishte takuar sekretarin e ambasadës sovjetike dhe e kishte informuar. Edhe gjatë kthimit në Moskë, ku e pritën udhëheqës sovjetikë dhe biseduan për Bukureshtin, ajo u kishte thënë “gabim ka bërë Hysni Kapo”. Kjo e kishte tërbuar Enver Hoxhën.
Drejt Moskës
Pas mbledhjes së Bukureshtit unë fillova të merresha më shumë me përkthime. Nga partitë e vendeve socialiste vinin kopje të letrave që ato i dërgonin Partisë Komuniste Kineze. Së fundi, erdhi një letër nga PKBS drejtuar Enver Hoxhës, ku kërkohej një takim për të shmangur që “shkëndija” e ndezur në Bukuresht në marrëdhëniet midis dy partive tona të mos kthehej në një “zjarr të madh”.
Udhëheqja shqiptare refuzoi dy herë gjatë muajit gusht ofertat sovjetike për bisedime. Më 27 gusht u niset një letër sovjetikëve dhe kinezëve, ku Enver Hoxha shprehte dëshirën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre nëpërmjet bashkëbisedimeve në nivel të lartë, para mbledhjes së Nëntorit. Këtë letër prej disa faqesh Ramizi ma dha për ta përkthyer në rusisht, dhe kur e mbarova më tha se duhej të shkoja në Durrës t’ia tregoja Mehmet Shehut që ishte atje me pushime. Kur arrita në plazhin e Durrësit, në bllokun e vilave të udhëheqësve, Mehmet Shehu më priste ulur pranë një tavoline nën një tendë disi të fshehur, jo larg detit. E lexova përkthimin ngadalë, ai më ndiqte me tekstin shqip përpara dhe më la ta mbaroja pa më bërë ndonjë vërejtje.
***
Udhëtimi i delegacionit për në mbledhjen e 81 partive në Moskë u bë në fillim të nëntorit jo me Tu-104, por nga aeroporti i vogël në krah të rrugës së Durrësit, në hyrje të Tiranës. Kishin ardhur për të na përcjellë familjarë të anëtarëve të delegacionit, anëtarë të Komitetit Qendror, shumë sigurimsa. Ishin mbajtur parasysh fjalët e Ten Hsiao Pinit se sovjetikët mund të sajonin ndonjë avari me avionin Tu-104, prandaj Enver Hoxha do të nisej me Il-in e vogël qeveritar me pilot Babaçe Faikun. Ishte marrë me qera edhe një avion çek, i njëllojtë me tonin, i cili punonte zakonisht linjën Pragë-Tiranë. Ishin zgjedhur çekët, sepse deri atëherë Novotni njihej nga Enveri si njeri “pozitiv”. Në avionin shqiptar hipën Enver Hoxha, Hysni Kapo, Llambi Peçini, si oficer i Sigurimit dhe profesor Gjata, mjeku neurolog i Enverit. Kurse në avionin çek hipën Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Manush Myftiu, që shkonte deri në Budapest për në Karlovi Vari dhe unë. Udhëtimi eci mirë, me disa lëkundje të avionit kur kaluam alpet e Shqipërisë dhe pastaj disa male të Jugosllavisë. Kur nuk ishim larg Beogradit, del nga kabina koloneli çek, një burrë trupmadh, që dinte rusisht, dhe ma bën me shenjë që të afrohem.
“Njoftohem se në Budapest është mot i keq dhe duhet të zbres në Beograd”, më thotë ai. Në Beograd jo, i përgjigjem menjëherë. Koloneli çek buzëqeshi dhe më vuri dorën në sup: E di, u thashë se do të zbres në Bratislavë. Ja thashë këtë dialog Mehmetit. Kur përmenda fjalën Beograd, ai reagoi menjëherë, por pastaj sikur u qetësua. Nuk kaloi dhe pak kohë, kur komandanti i avionit çek doli dhe më thirri përsëri. Ai piloti juaj qenka i marrë, më tha, po zbret në Budapest nën përgjegjësinë e tij. U mendua pak i mërzitur. Nuk kam ç’të bëj, më tha, më vjen turp, do të zbres edhe unë në Budapest.
Në aeroportin e Budapestit dëbora kishte mbuluar çdo gjë. Kishin dalë të na prisnin disa kuadro kryesore hungarezë, që na përcollën deri në hotel. Erdhi edhe vetë Janosh Kadari në drekën që u organizua. Nuk u hap fare problemi i mosmarrëveshjeve. Pasi pushuam, u nisëm me tren për në Moskë.
Në “stacionin e Kievit” të Moskës, na priti Kozllovi, që atëherë quhej figurë e dytë pas Hrushovit. Kishin dalë për të pritur delegacionin edhe shumë studentë shqiptarë në Moskë që mezi i kishin lënë të futeshin në stacion. U dëgjuan himnet dhe roja e nderit parakaloi me hap të rëndë sa lëkundej platforma. Pastaj u nisëm për në rezidencën e caktuar, një vilë nga ana e kodrave “Lenin”.
Në kujtimet e veta te “Hrushovianët” Enver Hoxha shkruan: “Këtë vilë, më kishin thënë njëherë, e kemi rezervuar për Çu En Lain dhe për ty, tjetër njeri nuk vëmë. Edhe në vilë na kishin bashkuar me kinezët…” Nuk e di kur i paskan thënë kështu Enverit, por i kam përkthyer unë fjalët e Kozllovit që tha se “në këtë vilë ka ardhur shpesh Ho Shi Mini”. Gjithashtu nuk kisha parë që të vërtetohej me “aparat verifikimi dhe zbulimi” se “vilën e kishin mbushur me aparate përgjimi”, siç shkruan Enveri. Pas disa ditësh dëgjova se si në ambasadën tonë në Moskë gjoja ishin gjetur aparate përgjimi dhe Mehmet Shehu doli në mes të hollit të madh të ambasadës e i drejtohej tavanit, dmth sovjetikëve që përgjonin, duke thurur ligjërata të gjata kundër revizionistëve. Enveri ishte në zyrën e ambasadorit dhe dëgjonte. Ndoshta dëgjonin dhe 3-4 vetë të tjerë të ambasadës, duke zgjatur kokën, si puna ime. Ishte një skenë mjaft tragjikomike.
***
Më 7 nëntor shkuam në Sheshin e Kuq, për të parë paradën e festës. Mbaj mend se makinat tona u futën në Kremlin, aty zbritëm dhe iu afruam murit në anën e prapme të Mauzoleut. Arritëm herët dhe po prisnim të na tregonin vendet e caktuara, nga ku do të shihnim paradën. Në këtë çast zbriti nga makina Ekaterina Furceva, me trup të gjatë dhe e veshur me shije, u afrua dhe përshëndeti Enverin e të tjerët. Unë përktheva. Pastaj asaj ndoshta iu kujtua se ishte informuar për diçka jo të këndshme lidhur me Shqipërinë. Furceva u largua pak nga Enveri dhe m’u afrua. “Sa djalë simpatik”, më tha me dashamirësi. Unë bëra sikur i buzëqesha.
Kur u kthyem në rezidencë nga Sheshi i Kuq dhe po hanim drekën, Ramizi më pyeti “ç’të tha Furceva” dhe unë i tregova. Atëherë më tha me shaka, pse nuk bëre ca flirte me Katerinën?! Kam lexuar për fatin e Furcevës; burri i saj, Firjubini, zv/ministër i jashtëm, nuk e donte, sillej keq, ajo gjente gëzimin në takimet pas shfaqjeve me artistë të teatrove të Moskës, që e donin dhe e respektonin. E akuzoi më vonë Hrushovi se kishte përvetësuar disa mobilje për martesën e vajzës, siç bëheshin intriga në atë kohë, dhe pati një fund të trishtueshëm.
Në mbrëmjen e 7 nëntorit u shtrua një darkë në sallat e Kremlinit. Për krerët e delegacioneve të 81 partive, të ftuar në darkë, banketi u shtrua në sallën Andrejevskij, më e vogël se salla e madhe Georgievskaia. Tavolinat ishin vendosur në formë T-je, në krye ishin kryetarët e delegacioneve të partive të vendeve socialiste dhe të disa partive komuniste më të mëdha të vendeve kapitaliste. Në këtë sallë nga delegacioni ynë u ftua vetëm Enver Hoxha, unë i rrija gjithmonë pranë, si më kishin porositur, nga që kishte nevojë për përkthyes, por mbase edhe që të mos mbetej vetëm, se s‘dihej ç’mund të bënin sovjetikët. Mbaj mend se Enveri vajti u ul në mes të delegatëve të partive komuniste të vendeve kapitaliste, në një karrige nga mesi i bishtit vertikal të T-së. Nga sovjetikët që merreshin me organizimin dhe protokollin erdhën me vrap, iu lutën Enverit të shkonte në vendin e caktuar, bashkë me kryetarët e delegacioneve të vendeve socialiste, erdhën madje nga udhëheqja sovjetike, donin ta merrnin patjetër, por ai nuk lëvizi. Unë u ula në krah të djathtë të tij. Në të majtë ishte një afrikan i dobët që dinte frëngjisht dhe me të Enveri shkëmbeu disa fjalë. Unë doja të mbushja gotën me ndonjë pije, por ai piu vetëm ujë të gazuar. E mbushi gotën me “Borzhomi”. I thashë me shaka se këtë ujë e preferonte Hrushovi kur mbante fjalime ose pas ndonjë dreke të rëndë. Ai nuk reagoi, rrinte si i zemëruar.
Pas darkës u ngritëm dhe lëvizëm nëpër salla e korridore, takuam anëtarët e delegacionit tonë, që kishin ngrënë në një sallë tjetër. Enveri dhe Mehmeti u veçuan, më morën dhe mua me vete. Unë kisha vetëm kostumin veshur, në ngjyrë gri të çelët, atë mbajta gjatë gjithë muajit, në punë dhe në pritje. Enveri kishte veshur atë natë një kostum të zi, xhaketën e kishte të lirshme e të gjatë, pantallonat shumë të gjera. Kishte paraqitje të mirë, por kur e shihje nga prapa, të binin në sy veshët e tij të dalë që përpiqej t’i mbulonte me flokët e gjatë. Nëpër salla e korridore të Kremlinit vërshuan pas ngrënies plot njerëz të ftuar, deputetë, artistë, gjeneralë, anëtarët e delegacioneve të huaja. Ecnin ngadalë në grupe, ose veç e veç, takonin të njohurit, përshëndeteshin, bisedonin. Edhe ne po lëviznim ngadalë. U ndeshëm me Kosiginin dhe filloi një bisedë. Kosigini fliste i qetë, e pyeste Enverin për njerëzit e familjes që i njihte me emër, të njëjtën gjë bëri dhe Enveri, siç duket dikur kishin kaluar pushimet bashkë. Kur Enveri iu ankua për qëndrimet e Hrushovit, Kosigini u vrenjt në fytyrë dhe u përpoq ta zbuste bisedën, tha se “Hrushovin e kemi si baba”.
Zemërimi i Enverit
Më datën 8 nëntor sovjetikët i shpërndanë të gjithë delegacioneve, duke përfshirë edhe delegacionin e PPSH, një letër të gjatë që KQ i PKBS i drejtonte KQ të PK të Kinës, ku renditeshin të gjitha kritikat dhe akuzat që Hrushovi kishte kundër kinezëve. Në këtë letër nuk sulmohej drejtpërdrejtë PPSH, por në njërën nga faqet e saj radhiteshin të gjitha vendet socialiste dhe nuk përmendej fare Shqipëria. Enveri e Mehmeti u kapën pas kësaj dhe po reagonin akoma më keq. Kinezët i shtynë më tej, i vunë në dijeni se Hrushovi në bisedë e sipër me Liu Shao Çinë kishte thënë “Ne e humbëm Shqipërinë, nuk humbëm ndonjë gjë të madhe, por edhe ju nuk fituat ndonjë gjë kushedi çfarë”.
Erdhi Andropovi te vila dhe e njoftoi Enver Hoxhën për takimin që Hrushovi do të bënte në Kremlin me delegacionin shqiptar, për të diskutuar problemet e marrëdhënieve midis dy partive. Enveri e refuzoi ftesën. Kisha vendosur që takimi të bëhej, i thotë ai Andropovit, por u vura në dijeni të Letrës, që i shpërndatë partive, ku Shqipëria nuk figuronte si vend socialist, prandaj në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj ftesën, ky është një shantazh se mund të na përjashtojnë nga kampi socialist. Andropovi i thotë, që letra nuk kishte asnjë lidhje me Shqipërinë, por Enveri ngulte këmbë në të tijën.
Mbaj mend se Enver Hoxha vajti takoi Moris Torezin, mbasi ishin zhvilluar takime në vilën ku rrinim me disa nga udhëheqësit kryesorë sovjetikë, por në librin “Hrushovianët” ai, si dhe herë të tjera, e lëviz radhën e ngjarjeve dhe thotë: “Ndërsa mbledhja vazhdonte, sovjetikët dhe Hrushovi i trembeshin shumë fjalës sonë dhe donin me çdo kusht të na bindnin që ne të hiqnim dorë nga mendimet tona, të paktën të zbutnim qëndrimin. Ata vunë Torezin për ndërmjetësim, kur e panë qe ne refuzuam takimin me Hrushovin. Torezi na ftoi për darkë, na mbajti një leksion për unitetin dhe na këshilloi të ishim të “përmbajtur e gjakftohtë”. Moris Torezi sigurisht i dinte çështjet, pse kishim biseduar së bashku, por dukej qartë që tani vepronte si emisar i Hrushovit. Por u lodh kot. Ne ia refuzuam çdo propozim…”. E shënova këtë paragraf nga libri “Hrushovianët”, sepse unë nuk isha dëshmitar i këtij takimi, Enveri e dinte vetë frëngjishten dhe Torezi kishte qenë edhe mysafir në Shqipëri. Por vlen të kujtoj këtu se vetëm 4 vite më parë, në fjalën e tij përshëndetëse në Kongresin 20, Torezi renditi si klasikë emrat e Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit.
Më 10 nëntor erdhën në vilë njeri pas tjetrit me ZIM-a të zinj Kozllovi, Susllovi, Mikojani, Andropovi e të tjerë. Biseda u zhvillua në një dhomë të vogël të vilës, që u mbush me tym duhani. U bënë debate të ashpra, sovjetikët herë e ngrinin zërin, herë zbuteshin. Përkthente Myfiti, që ishte thirrur nga hotel “Moska”, ku rrinte bashkë me grupin e punës, kurse unë mbaja shënime për çka thuhej, sepse do të informohej KQ në Tiranë e do të përsëritej historia me procesverbalin e Bukureshtit.
Qëllimi i udhëheqësve sovjetikë duhet të ishte joshja e delegacionit tonë që Enver Hoxha të mos kritikonte Hrushovin në fjalën e tij në mbledhjen e Moskës e të radhitej në anën e shumicës. Gjatë një pushimi dolën të gjithë në korridor, i fundit qëndroi në dhomë Susllovi, i gjatë e thatanik, me sy të ftohtë, me duar e gishta të gjatë, me të cilat u përpoq të hapte dritaren. Unë po mblidhja letrat e mia, u ngrita dhe hapa dritarezën e vogël, por Suslovi donte ta hapte të gjithë dritaren dhe ndenji për të marrë ajër të pastër, pa patur frikë se ftohej. Mua më hynë dridhmat dhe dola nga dhoma. Edhe pas pushimit nuk u arrit ndonjë mirëkuptim, po ashtu dhe të nesërmen.
Takimi me Hrushovin
Me këmbënguljen e palës sovjetike, më 12 nëntor u organizua takimi me Hrushovin. Ky na priti në zyrë, përkrah kishte Kozllovin, Mikojanin, Andropovin e të tjerë, na prezantoi dhe “shqiptarin rus”, siç e quajti ai P. Llaptievin, një burrë i ri i përgjumur që merrej me Shqipërinë në aparatin e KQ. Këtë e njihja se kishte ardhur dy vite më parë në Shqipëri me një delegacion të shoqatës së miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, njeri si i fjetur, që në një miting në Korçë mori papritmas guximin të fliste në shqip nga ballkoni, por e ndërpreu, sepse i shqiptonte shumë keq ato pak fjalë nga shqipja që kishte mësuar në shkollë.
Sapo u ulëm të gjithë, Enver Hoxha ndezi cigaren, dukej se kishte emocione. Hrushovi e priti paksa të thithte cigaren dhe i tha: Shoku Enver, kjo ka qenë zyra e Leninit, ai e kishte ndaluar këtu duhanin dhe që nga ajo kohë në këtë zyrë nuk pihet duhan.
Unë kam respekt për Leninin, i përgjigjet Enveri, po të jetë kështu, po e shuaj.
Hrushovi priti sa Enveri të shuante cigaren dhe e ftoi të fliste. Jo, u përgjigj ai, ju na kërkuat takim, çfarë kishit për të na thënë?
Hrushovi i thotë: Ju jeni miq dhe na keni ardhur mysafirë, keni të drejtën të flisni i pari.
Në Shqipëri, tha Enveri, e kemi zakon që, kur vjen miku, i zoti i shtëpisë e fillon bukën i pari dhe ha 40 kafshita pas mikut!
Atëhere Hrushovi filloi të flasë: Nuk po e kuptoj, çka ndodhur midis nesh. Marrëdhëniet tona kanë qenë shumë të mira. Apo mos vallë ju ka mbetur qejfi për atë shakanë që bëra kur isha në Shqipëri, kur thashë mos mbillni plepa anës rrugëve, por mbillni mollë?
Ne nuk merremi me shaka si ajo e plepave, ju përgjigj Enver Hoxha, kemi ardhur për bisedime serioze.
Filloi debati për problemet e marrëdhënieve midis palëve. Myfit Mushi përkthente dhe unë mbaja shënime.
Hrushovi tha se gjithë ato vite kishte kritikuar qëndrimet e Stalinit, kishte liruar nga kampet e përqendrimi të gjithë të dënuarit, kishte rehabilituar shumë komunistë e kuadro, se i kishte ardhur keq që u dënua Liri Belishova, e cila i kishte rënë në sy se interesohej për t’i krijuar kushte të mira Hrushovit kur ai ishte për vizitë në Shqipëri një vit më parë. Dhe këtë pakënaqësi ja shprehu Enver Hoxhës. Ky i tha se ju keni përjashtuar e dënuar udhëheqës të dëgjuar dhe ne nuk kemi ndërhyrë, i kemi quajtur ato punë të brendshme tuajat. Por Hrushovi ngulte këmbë, se ju silleni egër (dikur ai ishte shprehur kundër dënimit të Liri Gegës që kishte qenë me barrë). Ne, thoshte ai, nuk sillemi kështu me ata që i largojmë nga udhëheqja, ja për shembull, ç’më shkruan këto ditë Bulganini që është liruar nga detyra, lexoje ti shqiptari ynë. Dhe Llaptievi nxori nga dosja një letër.
Ç’na duhet kjo letër, ndërhyri brutalisht Mehmet Shehu. Por Llaptievi filloi ta lexojë: “I dashur Nikita Sergejeviç, në prag të përvjetorit të Revolucionit të Tetorit ju shpreh mirënjohjen për gjithçka po bëni në të mirë të popullit sovjetik…” Të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar thanë, se nuk donin ta dëgjonin këtë letër të Bulganinit. Ndoshta ky kërkonte ndonjë lëmoshë nga Nikita, i cili e lëvdoi qëndrimin e tij dhe filloi të shfrynte kundër Zhukovit: S’ka turp, shkon të gjuajë peshk, pa le!
Erdhi një moment kur Hrushovi u gjet ngushtë dhe për të dalë nga situata akuzoi përkthyesin.
Ai pyeti: “A e di mirë rusishten përkthyesi?” Ishte një metodë e vjetër e sprovuar e fajësimit të përkthyesit kur njëra nga palët në bisedime donte të kapërcente situatën e vështirë ku kishte rënë. Mua po më vinte keq për Myfitin që ishte zverdhur nga ajo akuzë e papritur, por Enveri i doli në mbrojtje.
Udhëheqësit shqiptarë po përgjigjeshin gjithnjë e më me arrogancë. Në një moment Hrushovi i nxehur i tha Enver Hoxhës se kështu me mua u përpoq të fliste Makmilani. Menjëherë kërceu nga karrigia Mehmet Shehu: “Shoku Enver, ky po na krahason me Makmilanin!” U ngritën dhe Enveri e të tjerët dhe dolën nga dhoma, pa ja dhënë dorën sovjetikëve.
Takimi me Hrushovin u ndërpre. I fundit dola unë nga dhoma. Pasi mblodha letrat e mia, i arrita të tjerët te ashensori, isha tronditur shumë nga sjelljet arrogante të të dy palëve në atë takim. Aty kuptova se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të rrahur me vaj e me uthull në kësi grindjesh brenda partisë së tyre, e kishin ndarë mendjen për t’u prishur me Hrushovin. Por nuk ma merrte mendja, se Hrushovi do të hakmerrej tej asaj që ata parashikonin.