Mirënjohja, veçori njerëzore që të lartëson
Shpesh kemi dhënë mendime, nga më të ndryshmet, duke mbrojtur secili prej nesh idetë e tij lidhur me mirënjohjen si veçori te karakterit individual, por edhe familjar, të jetës në komunitet e më gjërë. A janë të gjithë njerëzit mirënjohës, të asaj çfarë marrin apo përfitojnë në rrugë të ndryshme ( jo vetëm financiare), dhe a duhet të harrojnë ato gjëra apo sjellje të të tjerëve, të cilat i kanë bërë ata që të ndjehen më të qetë, më të lehtësuar, më me krahë e më të fuqishëm në jetën e tyre? A duhet të jetë njeriu mirënjohës, dhe a duhet ta shpreh mirënjohjen në një mënyrë a një tjetër? A duhet që t’ja kërkosh tjetrit mirënjohjen çdo ditë apo javë, edhe për dicka që ti e ke bërë pasi ke pas mundësi ta besh duke mbrojtur edhe ecurinë e punës apo bisnesit tënd? Kështu, mund të rendisim shumë pyetje të tilla. Secili, mund të jap përgjigje të ndryshme, varësisht me atë çfarë jeta i ka provuar . Gjithashtu, jemi të njohur me shprehje të tilla si: “Bëje të mirën, hidhe ne det se të del në tokë “, “ Mos prit të të kthehet prej atij që i ke bërë një të mirë”, “ E mira shpërblehet me të keqe”, etj. Pra , të tilla shprehje e vlerësojnë ndihmën, mbështetjen që duhet të japim gjatë jetës për njeri – tjetrin, me mënyra të ndryshme, e duke mos e menduar që do ta kesh mirënjohjen e menjëhershme për to. Ndërsa shumë thënie të tjera, të fusin në mendime, pasi sipas tyre, në se e bën një nder apo një të mirë ndaj dikujt, mund të të shpërblehet me një të keqe. Te dya variantet qëndrojnë, dhe mbrojtësit e tyre mund të sjellin plot raste për të provuar variantin që mbrojnë. Por unë mendoj, se më së shumti, jeta tregon se mirënjohja përbën një vlerë të shtuar në karakterin dhe moralin e secilit. Sigurisht, kjo është e varur jo vetëm me personin, përfshi edhe origjinën e tij, por edhe me kohën e shumë rrethana të tjera . Kështu, ndoshta edhe opinioni i përgjithshëm sot, është me mendimin, se ashtu si shumë gjëra të tjera që lidhen me shoqërinë e sotme njerëzore, kanë ndryshuar, edhe mirënjohja, ka evoluar në mënyrën se si ajo serviret, por nuk është e pranishme në çdo hap të marrëdhënieve midis njerëzve, sic ishte më parë, duke e zbehur edhe vlerën e saj në këto marrëdhënie. Akoma më e dukshme bëhet kjo, kur bëjmë fjalë për shoqërinë tonë, qoftë në atdhe, ose në diasporë. Duke ardhë në zbehje shumë nga normat tona morale që lidhen me sjelljen, dashurinë, ndihmën, besimin etj, të cilat kanë konsoliduar për një kohë të gjatë marrëdhëniet mes njerëzve gjatë organizimit të jetës që nga familja deri te grupet shoqërore në një teritor të caktuar. Edhe mirënjohja ka shoqëruar këtë proces, për fat të keq, në rënie të kësaj vlere njerëzore. Tek shumë nga njerëzit tanë, edhe këtu në diaspore, çfaqet mendimi: “Mundohu, bëj diçka për të ec përpara, por mos u merr me shqiptar”. Po pse të jetë krijuar ky mendim vallë? Thjesht nga inati, xhelozia që na shoqëron që në ardhjen këtu larg atdheut, apo ka një bazë më të hershme në qenien tonë ( që sigurisht nuk marrim përsipër ta shtjellojmë në këtë shkrim të shkurtër), apo ka një mungesë besueshmërie midis shqiptarëve në varësi të kohës kur kanë emigruar, para apo pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Ndoshta të dy anët mund të jenë faktor i krijimit të atij mendimi që cituam më lart, duke sjellë në vend të dashurisë e mirënjohjes për njeri- tjetrin, mosbesimin, ndarjen e mosmirënjohjen, të cilat nuk na lënë të rritemi të bashkuar e të kemi një zë të fuqishëm që të shpreh vlerat dhe forcën e komunitetit kudo ku ka shqiptar.
Në komunitetin shqiptar të qytetit të Filadelfias në SHBA, prej 14 vitesh është ngritur Shoqata Atdhetare-Kulturore “Bijtë e Shqipes”, e cila përveç ruajtjes e trashëgimisë të gjuhës e historisë tonë kombëtare në brezin e ri, mundohet të nxisë afrimin e bashkatdhetarëve tanë në gjirin e saj . Organizimi ë festimeve masive të festave të Nëntorit, e 7-8 Marsit, e pavarësisë të Kosovës, si dhe mjaft veprimtari që lidhen me përkujtimin e figurave të mëdha kombëtare në fushën e historisë, gjuhës, artit e kulturës, veçanërisht aktiviteti i shkollës shqipe “Gjuha Jonë ”, kanë krijuar një emër të kësaj shoqate që po njihet e shtohet me antarë e miq të saj çdo ditë e më shumë. Kryesia e saj, mundohet të jetë pjesëmarrëse në familjet shqiptare në raste të ndryshme, veçanërisht në fatkeqësi, pasi ky është momenti më i vështirë të të qënit në emigrim, ku të mungojnë njerëzit e afërt, miqtë e shokët e mëparshëm të dheut tënd. Njoftimet në FB dhe WEB-in e shoqatës për fatkeqësinë e ndodhur, luajnë një rol të rëndësishëm duke bërë që pjesëmarrja e njerëzve në varrim të jetë e madhe, gjë që lehtëson jo pak familjarët e prekur nga ajo. Në këtë mënyrë shumë ngjarje të tilla organizohen e përjetohen si në Shqipëri.
Nuk kanë munguar rastet kur janë organizuar fushata për mbledhje fondesh për të ndihmuar familjet e prekura nga fatkeqësia, apo edhe duke dhënë ndonjë ndihmë modeste nga ana e shoqatës, pa përmendur kurorën me lule që dërgohet në çdo rast të tillë, duke respektuar të ndjerin dhe familjen e tij.
Nuk me harrohet biseda që zhvilluam me një bashkatdhetar nga Librazhdi, që kishte ardhur tek vajza e tij ku qëndroi për 3 muaj, ndërsa një ditë përpara se të udhëtonte për Shqipëri, dhëndërri i tij Refik Albrahimi, në moshën 55 vjeçare vdes nga një atak në zemër. Tek kjo familje shkuam me disa shoke për ngushëllim, ndërsa disa të tjerë nga kryesia e shoqatës kishin marrë pjesë në funeralin e varrimit , duke dërguar edhe kurorën në emër të shoqatës. “Megjithëse ishte një vdekje e papritur për ne, pas pak kohe e harrova dhimbjen dhe fillova të mendoj si do të bëjmë për varrimin, pasi nuk po shihja asnjë shqiptar tjetër përveç njerëzve të familjes dhe 2-3 të tjerëve”, – fillon e tregon i moshuari. Në fytyrën e tij nuk kishte vetëm dhimbje por edhe lot gëzimi, pasi shqetësimi i tij i momenteve te para nuk ekzistonte më. “Faleminderit shumë të gjithë shqiptarëve këtu, -vazhdon ai- vecanërisht ju të shoqatës, që me sa kuptova unë na nderuat jo vetëm me pjesëmarrjen, por me ndihmën tuaj u bënë kaq shumë pjesëmarrës në ceremoninë e varrimit që na e lehtësuan dhimbjen”. Grupi i djemve të Librazhdit , sic thirren këtu, janë kaq të mirë, të bashkuar e të gjindshëm për çdo situatë, – i themi ne , – dhe janë një shembull ku secili prej nesh, mund të marrë prej tyre.
E tillë ishte edhe vdekja e kuksianit Hasan Kotarja, për të cilin komuniteti dhe shoqata e tyre, kontribuan për t’u duk gjithçka si në atdhe, ndërsa femijtë e tij te vegjël u vendosen në shtëpi të re, falë këtij kontributi të bërë nga bashkatdhetarët e tij. Ishte një mirënjohje e shprehur me vepra, ashtu sic duhet.
Ndërsa , ditët e fundit ndahet nga jeta një shqiptar tjetër në Filadelfia, Behar Alimadhi, i njohur si xha Behari. Ishte një burrë i rrahur me jetën, që pavarësisht vështërsive, e kishte ndërtuar atë duke pas me vete mençurinë, që e kanë jo shumë veta. I qeshur, i urtë por i muhabetit, xha Behari i jepte shije e bukuri vendit ku ishte. Vinte nga familje e madhe nga zona e Skraparit, por që ishte vendosur në Fier për shumë kohë. Mbarte me vete ndjenja të forta të atdhedashurisë, kontribues i bashkëpunimit mes shqiptarëve, çka e bëri që të jetë një mbështetës i fuqishëm e i drejtëpërdrejtë për restaurimin e godinës të shoqatës tonë 10-12 vite më pare, e anëtar i saj qe nga krijimi. Si i tillë, ai do të trashëgonte tek femijtë e tij këto cilësi. Vajza e tij Frida Sulo Alimadhi, një eksperte e arrirë në kontrollin financiar, u tërhoq vitin e fundit si anëtare e kryesisë të shoqatës, për ti qëndruar sa më afër babait të saj, deri ditën e fundit. Ndërsa djali i xha Beharit, Gentiani me arsim juridik, një nga themeluesit dhe president i shoqatës “ Skënderbeg” në Parma të Italisë njëkohësisht edhe anëtar I shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, udhëton pothuajse çdo vit në Filadelfia për të marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes të Flamurit tonë kombëtar pranë bashkisë të këtij qyteti, ndërsa kthehet pastaj për të vazhduar aktivitetet atje, në Itali, për të vazhduar punën dhe veprimtarinë atdhetare.
Këto ditë shoqata “Bijtë e Shqipes”, mori nga kjo familje një letër ku shprehej “…falenderim dhe mirënjohje për nderin që treguat per babain tonë të dashur….” Letra vazhdon: “…Në kohë të vështira si këto për ne, ngushëllimet tuaja të sinqerta, prania juaj tek homazhet dhe ndarja e kujtimeve me të gjithë, na e lehtësuan dhimbjen dhe na bënë të ndjehemi edhe më krenar për babain tonë të mrekullueshem. Gjithashtu ju falenderojmë nga zemra për kurorën e bukur që sollet për babanë. …Për këto arësye ne si familje i dhurojmë shoqatës këtë çek modest, për të kujtuar dhe nderuar kujtimin e tij…”.
Ishte një mirënjohje, që e shprehur në këtë formë, përmbante një vlerësim të madh brenda nga ana e kësaj familje. Fjalët e mësipërme të shkruara plot ndjenjë, sigurisht i marrim si mesazh për të vazhduar në punën tonë, ti qëndrojmë komunitetit afër me mundesitë që kemi, veçanërisht në raste të tilla. Të gjithë gëzohen nga prania e miqve dhe e shokëve. Gëzohen edhe trarët e shtëpisë, kur vjen një mik–, thonte një burrë i mënçëm në fshatin tim dikur. Dhe të gjithë e ndjejmë këtë në këto raste. Njeriu si qënie shoqërore, ka nevojë për njerëz, ka nevojë të ndaj me to çdo të mirë apo të keqe të tij. Sigurisht me njerëz të mirë, dashamirës, që gëzohen për të mirat apo arritjet e tjetrit dhe jo për njerëz zemër ngushtë, ziliqar, dashakeqës, që nuk ndajnë të keqen e tjetrit, nuk hidhërohen në raste të tilla. Kohërat kanë ndryshuar, dhe njeriu është bërë më “privat” edhe brenda familjes, e jo më në shoqëri , sepse “ shif rrushi rrushin e piqu” . Por prap se prap, secili e pëlqen që të dëgjoje fjalë të mira, të merituara, për veten e tij, e kur këto fjalë, kur këto vlerësime vijnë nga një grup njerëzish që janë të organizuar në shoqata apo shkolla, ndjenja e krenarisë rritet pa masë. Prandaj, është në dorën tonë t’i fuqizojmë këto qendra të komunitetit shqiptar, ti mbështesim organizatorët në punën e tyre vullnetare që bëjnë për të realizuar misionin kombëtar të këtyre qendrave. Të shohim përpara, duke mos paragjykuar, por duke vlerësuar në radhë të parë, duke iu bashkuar nëpërmjet pjesëmarrjes direkte të sa më shumë bashkatdhetarëve, për t’i shndrruar këto qendra social- kulturore, në një vend bashkimi, dashurie për njëri – tjetrin, në një vend ndihme dhe sigurisht në një vend ku mësohet gjuha jonë shqipe, historia e kultura e lashtë e kombit tonë. Këtu, në këto qendra, të bëhen vërejtje për të përmirësuar më tej punën e bërë e bashkërisht hajdeni ti bëjmë, por më parë kemi nevojë për fjalë të mira për çfarë është bërë mirë, duke shprehur mirënjohjen në mënyra të ndryshme, për gjithçka që i ka shërbyer misionit për të bashkuar shqiptarët. Secili nga ne ka mundësi të lërë një emër të mirë në këtë drejtim. Jo për lavdi, por sepse kemi detyrimin për të qenë shqiptar kudo që jemi, sado larg atdheut jetojmë.
Filadelfia, Shtator 2016
Autori i këtij shkrimi është kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia