VJESHTE E ARTE E MIOS NE DEVOLL
Reportazh nga S. Demolli
Në fakt sivjet ajo ngjan më tepër me një pranverë. Shirat e vonë në fund të beharit bashkë me temperaturat e larta e kanë shtyrë vegjetacionin e bimëve dhe, u kanë dhënë mundësi, që shumë prej tyre të harlisen e të lulëzojnë përsëri. Megjithatë vjeshta ka filluar të duket me lukun e saj të okrës marramendëse, përfund plepave në Grykën e Cangonjit, atje ku lumi lë pas Devollin e rrjedh ngadalë e i përgjumur, duke marë me vete vetëm emrin, tatëpjetë fushës së Korçës. Por ca më shumë ajo bie në sy, në trupin e rëgjuar të manave të shkundur për raki. Ca mana të moçëm si pleq, rreth të cilëve mërzen në mesditë ndonjë tufë delesh, si në atë kryeveprën e vjeshtës të Piktorit të Popullit Vangjush Mio, ku dhëntë poshtë asaj kurorës së artë ripërtypin me një qetësi olimpike barin e kullotur, si të ripërtypin urtësinë e botës e filozofinë e thjeshtë të provincës.
Natyra fillon e vdes pa u ndjerë tani në vjeshtë, për t’u ringjallur plot vrull në pranverë. Kështu, që në zanafillë të botës, larg madhështisë së rremë të njeriut dhe marrëzisë paranojake të tij. E në këtë cikël të përjetshëm, më shumë se kush është bleta, kjo banore miliona vjet më e kahershme nga njeriu në glob, ajo që e ka gjetur veten e punon e fluturon papushuar për ta bërë jetën e saj mjaltë. Por në këtë vjeshtë të ngrohtë në Devoll, ato kullosin jo vetëm mbi lule, por edhe mbi fruta e, sidomos mbi rrush. Dhe si bletët deri von, luzmojnë fushës këto ditë fshatarët, që vjelin prodhimet e vona, por gatitin tokën edhe për mbjelljet e reja të vjeshtës. Punë, sa shumë punë!
Për këtë, në këtë stinë të ngarkuar me punë e bereqet trafiku në aksin rrugor Korçë – Bilisht – Kapështicë, është i dendur më shumë nga mjetet e transportit të prodhimit bujqësor, se sa nga automjetet që udhëtojnë drejt Greqisë. Karro, makina e traktorë me goma që çojnë në pikat e grumbullimit, të tregtimit e frigoriferë mollë, qepë, patate e perime të tjera. Prodhimi është i mbarë e Devolli kundërmon era mollë e lakror. Se njerëzit, në këtë valë pune nuk kanë nge as të pinë ujë dhe, hanë drekën në këmbë, atje nd’arë. Kështu ndjenjën e përgjegjshmërisë për punën tek devolliu e gjen tek thënia proverbiale e popullit të kësaj krahine: “Ruaje punën, si të vdekurin”, d.m.th. i rri asaj mbi kokë si xhenazes, ashtu siç gjen edhe ndjenjën e masës:”Barkun njëherë ta lesh pa ngrënë, nuku e harron një vit” . E, “matu dy herë, pa pri njëherë”. Ky është karakteri i tij, që Dritëroi e ka gdhendur me mjeshtëri të rrallë, si Fidia i antikitetit, tek poema e tij e njohur “Devoll, Devoll”, por edhe te një nga kryeveprat e tij për njeriun e thjeshtë të punës, siç është poema “Baballarët”.
Po ca nga këta djemtë e sotëm, me ato “pasqyrat”, që s’i heqin tërë ditën e ditës nga dora, nuk duan të na ngjajnë ne, thotë Abip Lulo nga Babani, që i ka lënë pas të shtatëdhjetat e nuk i ndahet punës, dhe; “hup – dup” si ata demat e hazdisur, nuk duan të futen në brazdë, po rendin poshtë e përpjetë pas pares që fitohet lehtë, e duhet t’ua thotë ajo gjermanka që duhet zanat. Bujqësia të pasur nuk të bën, por edhe fukara nuk të lë. Ja, e shikon këtë vilë, ku rrojmë?… Me këto krahë e me këtë tokë, sëbashku me Shpresën e kemi bërë. Po punë, jo llafe! Se puna e bujkut është luftë me natyrën. Qind për qind nuk mundet të fitosh, por edhe pa gjë nuk do të mbetesh. E sa më shumë të dish, aq më shumë do të fitosh. Molla nuk bëhet vetë. Ka sekrete… Kur e punon, e ujit dhe e plehëron i lutesh të bëhet. Po kur e krasit, e detyron të prodhojë. Me një llaf prodhimi është në dorën tënde. Po kur nuk di?… Kur nuk e rrëmben gërshërën të vish e të mësosh si krasitet, ç’para kërkon, o bir? Dhe jemi pastaj jashtë kohe, ne baballarët. Po ç’të bëjmë më shumë?… Ropatemi sa mundemi! Ja, sivjet p.sh. i futa ujë mollëve dë mars që të mos i gënjente moti e të çelnin para kohe. Po na dëmtoi breshëri dhe, kujt t’i qahesh për këtë, kur nuk e ke të siguruar më parë prodhimin? Jo, nga shteti dua atë që më takon, thotë ky bujk devolli dhe ta bën bromb me fund. Se në Baban të lajnë me raki.
Devolli sipas vjetarit statistikor të vitit 2015, ka rreth 13 mijë hektarë sipërfaqe toke bujqësore, në pronësi të 8043 fermave, të cilat kultivojnë rreth 4.000 ha drithra buke – kryesisht grurë, rreth 400 ha perime fushe të njoma e të thata, mbi 3.000 ha foragjere të njoma, 1050 ha pemë frutore, mbi 100 ha vreshta etj. Kushtet klimatiko – tokësore dhe tradita, e ka bërë këtë krahinë, si tërë zonën e Korçës, ndër më të njohurat në Shqipëri e jashtë saj për prodhimin e cilësinë e mollës. Marka “Mollë Korçe” identifikon mollën e prodhuar në këtë rajon dhe produktet e përpunuara që përdorin këtë mollë. Për këtë edhe struktura e mbjelljeve në fermën e Devollit, ka ndryshuar e po ndryshon drejt saj, duke rritur shtimin e sipërfaqes të kultivimit të mollës në blloqe, me mbi 1.000 ha e, numurin e rrënjëve në rreth 1 milion.
Faktorët që i kanë dhënë e po i japin shtytje specializimit të fermës për prodhim molle e frutash të tjera, si dardha, kumbulla, ara e lajthia, nuk janë vetëm kushtet gjeo – klimatike e tradita e krahinës, por edhe tregu; leverdia ekonomike, ku molla në raport me grurin jep mbi dhjetë herë më shumë të ardhura dhe subvencionet nga shteti, të cilat edhe në Devoll kanë qënë të ndjeshme. Që prej vitit 2007 buxheti i shtetit nëpërmjet ministrisë së bujqësisë, është duke mbështetur prodhimin bujqësor e blegtoral, duke u dhënë mundësi fermerëve në gjithë vendin të aplikojnë në skemat e mbështetjes të financuara nga qeveria.
Dhe fermerët e Devollit kanë përfituar e po përfitojnë konkretisht nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Kjo duket jo vetëm në mbjelljet e reja të mollës në një sipërfaqe prej rreth 30 ha, por edhe në shtimin e sipërfaqes ujitëse e sistemin ujitës të drufrutorëve, sipërfaqe e cila është aktive në rreth 4.000 ha, për format tradicionale dhe intensive të kultivimit të tyre, për mjete mekanike bujqësore e agregate të fermës, të cilat sot numërojnë rreth 600 traktorë me rrota e minitraktorë, 100 makina mbjellëse, mbi 10 autokombanja e dhjetra motokorrse. Gjithashtu shteti ka mbështetur përmes subvencionit në masën 70 për qind të normës së interesit për 5 vite rradhazi për kreditë deri në 25 milion lekë, që janë marë për grumbullimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore e blegtorale, gjë që ka çuar në ngritjen e 10 frigoriferëve që blejnë e konservojnë prodhimin e mollës, i cili në Devoll është mbi 20. 000 ton dhe, sëbashku me atë të fushës së Korçës, sipas burimeve nga Drejtoria Rajonale e bujqësisë, plotësojnë 70 përqind të nevojave të tregut të vendit.
Dëshmi e këtij kujdesi ishte edhe takimi i këtyre ditëve i Kreut të Parlamentit Ilir Meta dhe ministrit të bujqësisë Edmond Panariti, me fermerët korçarë, ku Meta u dha atyre mesazhin e qeverisë shqiptare, për t’u pasuruar me rrugë të ndershme, përmes rritjes e shtimit të prodhimit bujqësor që ka kushte e leverdi, siç janë molla, patatja e produktet blegtorale. Mbi të gjitha për të ruajtur e kultivuar vlera të veçanta, për të zgjedhur rrugën e përshtatëshme të zhvillimit. E natyrisht vlerat dhe kuintesenca e sistemit tonë kapitalist siç i dimë janë puna, prodhimtaria, kursimi dhe nikoqirllëku, shpirti i garës e progresi shoqëror, të cilat duhen nxitur jo vetëm nga shteti, por edhe nga shoqëria.
Dhe Devolli, ndonse nuk ndryshon nga kushtet social – ekonomike, ligjore dhe kulturore me krahinat e tjera, bën dallim në të gjithë vendin: i papërfolur deri më sot në kronikat e zeza për kultivimin famëkeq të hashashit. Madje mjaft prindër, kur bëjnë humor me fëmijët u kujtojnë atë që thonë qepa e kanabis për veten e tyre. “Qepa: Jam kokë me vlerë!… Më hanë të gjallë, po qajnë shpesh herë. Ia priti kanabis: Jam unë, më me vlerë!… Ata që më pijnë, i qajnë të tjerë”! Ndaj në Devoll, i falen vetëm punës e, nuk të ze syri as edhe një lypës. Varfëri ka, por më tepër, ka përzemërsi për të ndihmuar njëri – tjetrin. Ka përpjekje për të gjetur rrugë e mundësi të reja për të fituar e rritur mirëqënien.
Toka në këtë krahinë, me një lartësi thuajse mbi 900 metra mbi nivelin e detit e klimë të ashpër, nuk mund të mbillet më shumë se një herë. Por bujku devolli veç kulturës bazë që mund të jetë grurë, misër, fasule, a patate, do të marë patjetër diçka edhe për blegtorinë nga kulturat e ndërmjetme. Rezervat e prodhimit ata i shohin jo vetëm në teknologjitë e reja të kultivimit të bimëve bujqësore, por edhe tek farërat e zgjedhura e kultivarët e rinj produktivë të drufrutorëve. Për këtë, thotë Ani Merolli – drejtor i bujqësisë në bashkinë e Bilishtit, kërkesat e fermerëve për lloje gruri me prodhimtari të lartë si “Dajti” e “Silva” janë të mëdha, por nuk mund të plotësohen. Sepse fara cilësore që prodhohet nga instituticionet shkencore në Korçë dhe specialistët e licensuar, është në sasi të kufizuara.
Molla, kjo pemë frutore, të cilën Zoti sipas mitologjisë e vendosi ndër të parat në Kopështin e Edenit, si rezultat i punës së madhe të përmirësimit gjenetik, është aktualisht specia frutore me numrin më të madh të nënshartesave klonale. Mjaft specialistë të frutikulturës, siç është edhe Petrit Mekolli në Vranisht, kanë bërë investime të mëdha për prodhimin e fidanave me nënshartesë vegjetative, që mundësojnë një numur më të madh rrënjësh për njësi të sipërfaqes së mbjellë dhe varietetet më të përhapura në fermat e mollës Devoll janë Starking, Gold, Fuxhi kristalore, Grandy Smith etj. të cilët preferohen shumë nga konsumatori. Fermerë si Rakip Nuho, Myzafer Xhuti, Urim Gegolli, Enea e Ylli Myteberi, Rakip Musa etj. janë ndër prodhuesit kryesorë të mollës së Korçës.
Po tani që vjelja është në pikun e saj dhe prodhimi aq i mbarë, fermerët përballen sërish me probleme të menaxhimit të tij. Kapacitetet e ruajtjes dhe përpunimit të produkteve bujqësore e blegtorale janë ende të pamjaftueshme dhe, prodhimi që nuk tregtohet në kohë dëmtohet nga faktorët atmosferikë. Nuk na lodh puna për ta prodhuar mollën, qepën pataten e fasulen, sa na lodh stresi për ti shitur, thonë fermerët e Devollit. Tregu është dhimbja e kokës! Këtu kemi kusuret tona për cilësinë e kontrolluar, rritjen e eksportit e marrëveshjeve me kompani të huaja të agrobiznesit. Pra, arritjen e rezultateve konkrete në negocime për ta bërë prodhimin leka. Po a mund të shitet kjo mollë, që të bie në kokë nga shija, aroma dhe vlera ushqyese për pesë lekë, kur në Tiranë e qytete të tjera të vendit tregtohet nga 70 deri 100 lek/ kg? Ku është shteti me akcizën e mollës që futet nga jashtë në doganë? Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, Bashkia i ka bllokuar lejet e ndërtimit për depo në fushë dhe prodhimi, të cilin nuk kemi ku ta ruajmë është në pemtore e në rrugë, në mëshirë të fatit dhe të sekserëve që të pijnë sytë, si mizat, thonë ata. Kështu aksesi i reduktuar në burimet financiare nga djersa e tyre, është frika numur një! Dhe vjeshta e artë e Mios, duket më e ftohtë nga realiteti i përditshëm i këtyre njerëzve, në këtë krahinë të largët të vendit.