Udhëtimi nga refugjate në ambasadore
Shtatëmbëdhjetë vite më parë unë isha refugjate.
Që nga ajo ditë e jetoj momentin kur unë dhe tre motrat e mia u ndamë nga prindërit, atëherë kur forcat paramilitare serbe erdhën për të na larguar nga shtëpitë tona si pjesë e kampanjës për spastrim etnik.
Gjithmonë do ta kujtoj nënën time përderisa më përqafoi dhe tha “Vlora, kujdesu për motrat dhe kurrë mos harro prej nga vjen”.
Kujtoj ecjen, pa asgjë, pa e ditur se ku po shkojmë, pa adresë, pa fotografitë e familjes, e ndarë nga gjithçka që doja dhe njihja. Nuk kisha asgjë përveç shpresës – shpresë që një ditë do të kthehesha në shtëpi.
Mizoritë e tilla nuk shpalosin vetëm më të keqen, ato gjithashtu vënë në pah më të mirat e njerëzimit; solidaritetin, dhembshurinë dhe kujdesin ndaj njeri tjetrit.
Ne kosovarët jemi provë e gjallë që kur ekziston solidariteti mes shteteve të lira nëpër botë, jeta e mund vdekjen dhe e mira triumfon mbi të keqen.
Deri sa të vdes nuk do të harroj solidaritetin që na është ofruar mua dhe motrave të mia, kur kemi kaluar kufirin për në Maqedoni.
Isha e dërmuar, kisha mbajtur motrën time të vogël në krahët e mi. Pashë një det me njerëz, shqiptarë nga Maqedonia.
Ata ishin duka na pritur me ujë, ushqim dhe lodra. Kurrë nuk kam menduar që një i huaj mund të jetë aq i ndjeshëm.
Aty ishte një njeri duke pritur për të strehuar refugjatë në shtëpinë e tij. Ai më pa mua me motrat dhe shpërtheu në vaj. Ai u afrua dhe më tha “Unë quhem Mexhit. Kam tre fëmijë. Nuk do t’ju lë në rrugë. Shtëpia ime është e juaja”.
E në fakt, shtëpia e tij u bë e jona për tre muajt në vijim. Tërë fshati erdhi dhe na vizitoi, duke na dhënë ushqim dhe rroba për mua dhe motrat e mia. Ata u përpoqën që të na bënin të qeshnim. Do të jem mirënjohëse përgjithmonë.
Tre muaj më vonë, pas kampanjës së udhëhequr nga SHBA-të, Kosova u çlirua, dhe të gjithë u kthyem në shtëpitë tona duke u bashkuar me familjet tona.
Përderisa ne kosovaret ishim me aq fat sa të mirëpriteshim dhe bota të reagonte më shpejtësi për përfundimin e luftës, zemra më thyhet kur e shoh atë që po ndodh nëpër botë sot.
65 milion persona janë refugjatë sot. Ky është numri më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore. Mirëpo duhet të kujtojmë që këta nuk janë vetëm numra, këta janë njerëz.
Janë jetë të ndërprera në gjysmë. Janë ëndrra dhe shpresa të ndërprera në gjysmë.
Bota nuk duhet, asesi, të jetë indiferente. Është e tmerrshme të shohësh diskursin në lidhje me refugjatët sot. Ata janë duke u trajtuar si çështje politike.
Si një person që ishte njëherë refugjate, me të vërtet dua që ju ta dini se sa gabim është kjo. Rastet e refugjatëve janë çështje humanitare.
Ata janë të deportuar apo të detyruar me forcë që të largohen. Dhe më besoni, askush, asnjë, nuk dëshiron ta lë shtëpinë.
Të gjithë duhet të kemi zemrat e hapura. Përderisa politikanët kanë nevojë që të punojnë për të gjetur një zgjidhje, ne kemi nevojë që të jemi human. Nuk duhet ta lëmë humanitetin të vdes.
Sepse në qoftë se nuk e kemi më, në çfarë do të shndërrohemi? Çfarë vlera dëshirojmë t’ju trashëgojmë fëmijëve tanë? Çfarë po i mësojmë ata me veprimet tona?