Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama i sheh si Opozitën ashtu edhe Median si ziliqare

Nga Mimoza Kociu

Nëse ka një karakteristikë që i duhet njohur qeverisë së tre viteve të fundit, janë taktikat e larmishme e madje të pabesueshme që lëvron për ta hedhur nga të mundet përgjegjësinë për detyrimet që ka marrë që prej qershorit 2013, kur u votua me 1 milionë duartrokitje, ose shuplaka ndaj qeverisë paraardhëse sic I pëlqen kryeministrit. Pas cdo denoncim public i akteve që mbajnë firmën e saj, asnjëherë nuk merr përgjegjësi. Fajin e kanë gjithnjë të tjerët: PD-ja që e sulmon se do t’I marrë karrigen, njerëzit që nuk arrijnë ta kuptojnë se cdo akt, sado flagrant, bëhet për të mirën e tyre, ata që gënjehen nga opozita, e deri edhe media (jo të gjitha, vetëm ato që nuk I bëjnë fresk), që sic tha kryeministri në Opinion, qenka bërë bashkë me opozitën për ta rrëzuar nga pushteti.

Prandaj mesa duket “Fajin e ka Saliu”, e ka zëvendësuar me talljen nominale, e të përsëritur që u bën deputetëve të opozitës në kuvend. Natyrisht është zgjedhje e tyre, për ta pranuar apo refuzuar atë racion që kryeministri u jep cdo të enjte. Por tani kryeministri u është kthyer mediave. Pasi ndryshoi papritur mendim, e tre vjet pasi ndaloi importin e mbetjeve e riktheu atë me ligj, kryeministri po cuditet nga pakënaqësia e gjerë qytetare, që i ka mbërritur deri në faqen e vet të Facebook-ut, në një përmasë që asnjë denoncim i PD-së në këto tre vjet nuk e ka arritur dot.

E për herë të parë kryeministri detyrohet të ulet e t’u përgjigjet me rradhë kritikave e akuzave që i bëhen në Facebook, një ndjesi e reflektuar edhe në sondazhet e testimit të publikut, një pasion i vjetër i tij. Sondazhi më i shpejtë ishte thirrja publike e Ben Blushit për të shkruar neper kazanet e plehrave, emrat e deputetëve që votuan lejimin e importit të mbetjeve në Shqipëri. Vetë emri i kryeministrit e i disa deputetëve të spikatur, përfundoi në kazanët e plehrave jo vetëm në Tiranë. Por kryeministri duhet të lexojë edhe “sondazhin” me deputetët e vet, që i dhanë vetëm 63 vota për këtë ligj, akti më pak i votuar i kësaj mazhorance, që numëron rreth 90 mandate në parlament.

Përballë kësaj pakënaqësie, e heshtur brenda rradhëve të veta dhe e dukshme në opinionin publik, kryeministri i kthehet medias. Atë media që nuk ia pranon pa bërë zë si vartësit e vet justifikimet, e quan media kazani. Ky agresion verbal ndaj medias, wshtë një rast për t’u studiuar, i një vend të varfër, por me politikanë tejet të pasur, të cilët, përfshi kryeministrin kanë një standard jetese, që nuk i justifikohet nga paga, e që e shohin te media problemin qw kanw me qytetarwt. Ajo media që nuk përton të hapë arkivat e të risjellë në vëmendjen publike Edi Ramën dikur në opozitë, kundër ligjit Berisha me të njëjtin emër “Mbi menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që i referohej si ligji i plehrave, e mbështeste mbledhjen e 64 mijë firmave për një referendum popullor. Ajo media që I rikthehet edhe arkivës së tetorit 2013, kur si kryeministër, Edi Rama krenohej me të drejtë, se po mbante premtimin kryesor të fushatës, e deklaronte plot pathos nga foltorja e kuvendit, se vetëm interesa mafioze mund ta detyrojnë një qeveri të dobët të importojë plehra të botës. E për t’I vënë kapakun, garantonte qytetarët se “Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë deri ditën kur Shqipëria të jetë në gjendje t’i seleksionojë, t’i ndajë, t’i mbledhë, t’i përpunojë plehrat që prodhon vetë”.

Tre vjet më vonë, duke luajtur me termat “plehra” e “mbetje”, Edi Rama riktheu ligjin e Berishës, e amendoi, duke rrëzuar edhe firmën e tij të parë si kryeministër që ndalonte importin e mbetjeve. A nuk e shohim vallë secili, se në këto tre vjet procesi i ndarjes së mbetjeve në burim nuk ka ndodhur, jo në 374 njësi vendore para reformës territoriale, sic kryeministri justifikohet, por në asnjë prej tyre, qoftë edhe një të vetme, si projekt pilot, për të treguar vullnetin politik, se mjedisi është një temë që e ka për zemër? Kur pas tre vitesh, pa asnjë lloj paralajmërimi, rikthehet ligji i Berishës, i amenduar, për të cilin kryeministri pohon se po punohej prej dy vitesh, është llogjike që besueshmëria e kryeministrit të vihet në pikëpyetje.

Ndjesa e vonuar se duhej informuar publiku më herët, nuk vlen pa sqarimin se përse një vendim kaq sensitiv u mor krejt tinëz? Pse kryeministri i shqetësuar për mjedisin nuk e paraqiti vetë, por u fsheh pas tre deputetëve propozues, për tre muaj të tërë, deri ditën kur ligji u paraqit për votim në seancë plenare? Përse në vend të një sqarimi për qytetarët e vet, kryeministri i qan hallin industrisë ricikluese, një biznes si mijëra të tjerë, që paguajnë të njëjtat taksa të rritura në këtë vend?

Përse mendimi me shkrim i qeverisë për këtë amendim ligji, gjashtë javë para votimit, nuk ishte entuziazmues si vetë Kryeministri, por paralajmërues për rrezikun mjedisor që sjell ky akt i pallogaritur? “Mendojmë se përpara se të hapen mundësi për importim mbetjesh, duhet të shihet mundësia për rritjen e efiçensës dhe sasisë së ricikluar në tregun vendas. Deri më tani nga të dhënat rezulton se në Shqipëri gjenerohen 387 milionë kg mbetje në vit nga të cilat vetëm 17% e tyre riciklohet. Kjo tregon që 83% e mbetjeve është ende në treg, e paprekur nga kompanitë e riciklimit”, thuhet në mendimin e qeverisë.

A nuk përputhet ky mendim me kritikat që i adreson një pjesë e mediave, e pjesa dërrmuese e qytetarëve? Edhe paralajmërimi për anën tjetër të riciklimit në të njëjtin opinion të qeverisë është po aq shqetësues: “Financiarisht, ekziston një rrezik që duhet marrë parasysh, rreziku i tregut. Të gjitha avantazhet e përmendura në relacionin lidhur me rrjetin e eksporteve dhe të vendeve të punës rrezikohen nëse ricikluesit nuk kanë kontrata solide me kompanitë që blejnë produktet e tyre. Ky nuk do të ishte vetëm një problem financiar për shoqërinë e riciklimit, por edhe për vendin, pasi do ti ngeleshin miliona kg mbetje shtesë të importuara.”

Përse kryeministri nuk dha asnjë lloj sqarimi për këtë mendim me shkrim të firmosur në mungesë, e me porosi të tij nga zëvendëskryeministri Peleshi? Cfarë konkluzioni duhet të nxjerrin mediat e vetë qytetarët kur mësojnë ekzistencën e këtij dokumenti të lëshuar nga qeveria, ndërsa kryeministri u thotë tjetër gjë publikisht? Përse atëherë qytetarët e ajo pjesë e mediave që guxon, nuk duhet t’i kthehen sërish arkivës, për të kujtuar arsyet mafioze që vetë kryeministri i 2013-ës, na tregonte se fshiheshin pas një vendimmarrjeve të tilla?

Si mund të besohet kryeministri që thotë se po e bën për interes publik, kur nuk ka thënë asnjë cerek fjale që po ndryshon mendje për importin e plehrave? I njëjti kryeministër që ka kujdesin e vëmendjen të na tregojë edhe se sa herë Lulzim Basha udhëton në Hollandë? E teksa harxhon orë televizive për të sulmuar këdo që dyshon tek vendimi i tij, pse vallë ende nuk ka një listë zyrtare të mbetjeve që do importohen, apo një strategji për ndarjen e mbetjeve në Shqipëri, me afate e rezultate? Pse në vend të tyre kryeministri na servir shifrat e detajuara të investimeve e kostove të punës të ricikluesve dhe parashikimet e të ardhurave nga ky biznes?

Të gjitha këto pyetje pa përgjigje janë detaje të mungesës së qartë të vullnetit për ta adresuar si problem, e nuk duhet të jesh ambientalist që ta kuptosh se në këtë drejtim, qeveria nuk ka një plan. Këto ishin arsyet pse qytetarë të moshave e profesioneve të ndryshme, e shumë gazetarë, iu përgjigjën thirrjes së Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) të shtunën e 1 tetorit, për të protestuar para kryeministrisë, aty ku tani e ka zyrën Edi Rama. Një pjesë e mirë ishin të njëjtët që protestonin edhe në 2011 kundër importit të mbetjeve, të zhgënjyer nga një kryeministër që dikur ishte krah tyre, e pesë vjet më vonë, ua rrëzon kauzën me një votim surprizë, pa u thënë asnjë fjalë. Të zhgënjyer nga ish opozitari Edi Rama, që nga karrigia e kryeministrit është kundër referendumit që dikur e pati mbështetur.

Të neveritur nga ish opozitari që ditën dhe orën e protestës së tyre, mblodhi partinë për të justifikuar monopolizimin e ekraneve televizive, për të folur vetë, prapë për atë akt, jo për t’u kërkuar ndjesë. Me këtë taktikë vrau dy zogj: eklipsoi sa mundi protestën qytetare dhe e ndërseu publikun kundër televizioneve, që zgjodhën të përcillnin me ekran të ndarë protestën dhe fjalimin e gjatë të kryeministrit, këtë të fundit edhe me zë. Fakti që njerëzit dolën në protestë pas një thirrje në rrjetet sociale, pa pasur një projekt të financuar nga pas, nuk mori vëmendje, edhe pse është nga rastet e rralla që ndodh. Cështje u bë përse kryeministrit iu dha hapësira televizive, që e kishte parallogaritur ta merrte. E që këtu, u vijua me llogjikën se media qenka servile e kryeministrit, ndërsa kryeministri që po përdorte pushtetin e detyrës për të marrë vëmendjen mediatike, në kurriz të një proteste kundër tij, nuk paska përgjegjësi.

Kritikat e forta nën statusin e kryeministrit në Facebook drejtuar protestuesve, ishin imazhi më i qartë i ndjeshmërisë së publikut për importin e mbetjeve. Nëse ka dicka që ka ndodhur pa dëshirën e kësaj klase politike, janë mundësitë pa kufij të marrjes së informacionit sot, virtuale apo edhe fizike. Pra secili mund të krijojë një opinion të pavarur nga politika e media, nëse importi imbetjeve në vendin që 83% të plehrave të veta i ka të pamenaxhuara është gjëja që na duhet. Prandaj hedhja e përgjegjësisë tek media është vetëm një shembull më shumë, se transparencë nga kryeministri nuk ka për të patur për arsyet e ndryshimit të qëndrimit për importin e mbetjeve/plehra.

E nëse kryeministri ka nevojë për artikuj inkurajues që e paraqesin si të keqkuptuarin më të madh në 26 vjet demokraci, një reformator që të gjithë e paskemi zili prandaj e kritikojmë, situata duket edhe më e rëndë. Mungon vetëm sugjerimi se në cilin vend të shenjtë duhet të shkojë të këndohet kryeministri për të larguar “syrin e keq”.

PS: Titulli origjinalit : Media dhe ziliqarë

Please follow and like us: