Albspirit

Media/News/Publishing

Evropa ime: Në udhëtim

Para referendumit për çështjen e refugjatëve në Hungari, Gyorgi Dalos reflekton për propagandën e qeverisë së Orbanit.

Ungarn Georgy Dalos Schriftsteller Buchemesse Leipzig 2011 (imago stock&people)

Në Liqenin Balaton, ku po festoja datëlindjen e një shoqeje hungareze, padashur i bëra vetes pyetjen: pse e pushtoi Putini në të vërtetë dy vjet më parë Gadishullin e Krimesë? Krimeja është e shtrenjtë, infrastruktura turistike atje është e dobët, nga territori ukrainas ajo arrihet me vështirësi. A nuk do të ishte më e lehtë që të pushtohej plazhi hungarez Hévíz, dhe pa shkrepur asnjë fishek, por me para? Në thelb kjo ka ndodhur: qyteti është plot me tabela në gjuhën ruse, të cilat bëjnë publicitet për shërbimet lokale: larje, masazh, kujdes mjekësor dhe terapi. Një fjalor i vogël bazë synon t’i lehtësojë blerjet. “Sa kushton…?” mund të lexojë udhëtari nga Rusia në transkriptim cirilik dhe në gjuhën hungareze, po ashtu si “faturën, ju lutem”, si dhe të zgjedhë midis birrës së çelët dhe të errët. Edhe për shpirtin është menduar: si fillim, shërbesat fetare mbahen në një shtëpi të përshtatur për falje, por që tani po mblidhen para për ndërtimin e një kishe të vërtetë ortodokse.

Që nga hoteli mund të prenotosh udhëtime me autobuz: për në qendrën tregtare Parndorf në kufi me Austrinë, për në Bratislavë duke përfshirë edhe darkën, për në Györ dhe për në abacinë Pannonhalma duke përfshirë edhe drekën, për në Szigliget për të provuar verën dhe për në Puszta, për kalërim të shpejtë. Çmimet e këtyre udhëtimeve speciale variojnë midis 35 dhe 95 euro, dhomat e hotelit janë te 200 euro. Para vetes kemi atë shtresë të mesme, e cila është shtylla kurrizore e botës putiniane. Më të pasurit nuk kërkojnë vetëm Wellness dhe shërim, por hedhin sytë edhe nga vilat dhe banesat, të cilat broshurat i ofrojnë në gjuhën e vendit. Një shtëpizë luksoze në Budapest – për 200.000 euro – ndoshta është e shtrenjtë për ta, por një daçë modeste e epokës së Kadarit në Balaton për 75.000 euro ata janë në gjendje ta blejnë.

Ruajtje e tensionit deri në ditën e referendumit

Rrugës nga Liqeni Balatoni për në Budapest sheh tabela gjigande, në të cilat qeveria Orban bën publicitet për referendumin në 2 tetor. Në sfond blu me gërma të verdha shkruhen pyetje si: “A e dinit se Brukseli do të shpërngulë dhe vendosë tek ne me detyrim një qytet të tërë me migrantë?”  ose “A e dini se atentatet e Parisit i kryen migrantët?”ose “A e dini që migrantët kanë përdhunuar 300 gra deri tani?” Nën çdo pyetje është shkruar me gërma të vogla: “Referendum, 2 tetor 2016”. Propaganda e fshehur e qeverisë për këto çështje nuk i drejtohet as përfundimit me sukses të referendumit, prej të cilit thuajse nuk varet asgjë – në fund të fundit BE nuk ka ndërmend t’i imponojë ndonjë kuotë Hungarisë. Për Orbanin është e rëndësishme që të ruhet tensioni deri ditën e votimit.  Nuk ka gjë më të thjeshtë se, kur mediat janë prona jote, të mobilizosh demokracinë kundër demosit, ta përkundësh turmën e përçmuar në iluzionin se edhe ajo mund të vendosë për diçka.

Më 13 gusht më ftuan si orator në Marienborn, ku u festua përvjetori i 20-të i Qendrës Përkujtimore për ndarjen gjermane. Përpara aktivitetit, na ftuan të kalonim në kontenjerë dhe në kabina rojesh, të cilat tani, më shumë se çerek shekulli pas rënies së Murit më tepër të duken groteske, se sa të fshehta. Në fund të fundit, RDGJ nuk ishte Kore e Veriut dhe asnjëherë nuk u arrit që dy shtetet gjermane të izolohen hermetikisht nga njëri-tjetri. Vetëm përmes televizionit, 70 përqind e gjermanolindorëve kishin përditë mundësi që të shikonin shtetin fqinj dhe për dekada të tëra jetonin me paralelet vizuale të Republikës Federale Gjermane.

Dyshim kundër udhëtarëve nga Lindja e Afërt në RDGJ

Ne vizituam dhomat ku ruheshin listat përkatëse me ndalimet e hyrjes. Këtu mblidheshin edhe pasaportat e parashikuara për një verifikim më rrënjësor, dhe vendoseshin në raftet me titujt “DDR”, “BRD” dhe “Bota e jashtme”. Por ekzistonte edhe një raft i katërt, me etiketën e vogël “Kairo”. Nën kodin e kryeqytetit egjiptian regjistroheshin si të dyshuar potencialë për terrrorizëm udhëtarë nga Lindja e Afërt, migrantë që udhëtonin midis Berlinit Perëndimor dhe Gjermanisë Perëndimore.

Në rrugë prej Berlinit për në Marienborn unë duhet të zbrisja në Magdeburg. Që në stacionin kryesor të trenit, vagoni pa kabina qe mbushur plot. Unë nuk dua ta shkel në asnjë mënyrë rregullin e korrektesës politike, por numri më i madh i pasagjerëve dukej që ishin udhëtarë arabë, midis tyre qe një çift me katër fëmijë dhe tepër shumë bagazhe. Kreu i familjes u ul pranë meje. Unë gjithë kohën ndiqja lajme televizive në kompjuterin tabletë që kisha me vete – gjithçka për Lojërat Olimpike në Rio, ndër të tjera edhe skenën e përsëritur disa herë, se si sportisti egjiptian refuzoi t’i japë dorën kolegut të tij (nga Izraeli v.red.). Fqinji im shikonte ekranin tim dhe pastaj më shihte mua. Mendova që po të kishim një gjuhë të përbashkët, do të kishte qenë ndoshta e mundur që të gjenim një temë të përbashkët.

Në Magdeburg të gjithë zbritën dhe treni i distancave të afërta e vazhdoi rrugën për në Marienborn-Helmstedt vetëm gjysëm orë më vonë. Këtë herë vagoni ishte thuajse bosh, por – çfarë çudie! – arabët “e mi” ende ndodheshin aty. Unë i përshëndeta me një lëvizje spontane koke. Kreu i familjes nuk reagoi, por këmbeu disa fjalë me të shoqen, e cila pas kësaj më pa mua, edhe fëmijët m’i hodhën sytë. Isha i sigurtë që flisnin për mua. Në fund të fundit ne ishim të njohur.

Shkrimtari dhe historiani hungarez György Dalos jeton në Berlin. Në vitin 1995 atë e nderuan me Çmimin- Adalbert-von-Chamisso, në vitin 2010 me Çmimin e Librit të Lajpcigut për Mirëkuptimin Evropian.

Please follow and like us: