Hill: Shqipëria s’donte të ishte një me Kosovën
Ambasadori Christopher Hill ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i SHBA-ve në Shqipëri pas 45 vjet izolimi të diktaturës komuniste
Ai ndodhet në Shqipëri me rastin e ceremonisë së 25-vjetorit të rikthimit të personalit të Ambasadës amerikane në godinën që kishte shërbyer si seli diplomatike në vitet 1930.
Gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës” ambasadori Hill kujton kohët e shërbimit të tij në Shqipërinë e porsadalë nga diktatura, ndërsa duke folur për zhvillimet në Ballkan thotë se “është një proces ende pa përfunduar”.
Ai tha ndër të tjera se “kam punuar në Shqipëri dhe më vonë kur bisedoja me negociatorin e Kosovës, një gjë e kuptova më mirë se të tjerët: që Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën, e kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë rreth krijimit të Shqipërisë së Madhe”.
Zëri i Amerikës: Ambasador Hill, ju ishit diplomati i parë amerikan, që erdhët në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, e cila për shumë dekada nuk kishte lidhje me SHBA-të dhe e kishte deklaruar atë si armikun më të madh. A mund të ndani me ne çastet e para kur erdhët këtu? Si ishte të punoje në një vend të sapodalë nga diktatura komuniste, vendi më i izoluar, njëlloj si Koreja e Veriut, që ju gjithashtu e njihni mirë?
Ambasadori Hill: Viti 1991 ishte shumë i rëndësishëm, sepse nga fillimi i atij viti SHBA dhe Shqipëria rifilluan marrëdhëniet diplomatike, të ndërprera qysh nga viti 1946. SHBA sollën një ekip për të vëzhguar zgjedhjet në fund të marsit 1991 dhe më vonë unë isha përfaqësuesi i parë, që nisa punën dhe hapa ambasadën, në pritje të ambasadorit të parë Bill Rajerson. Ishte një vit i vrrullshëm, kur ndodhën shumë gjëra. Por ai ishte një vit shumë i veçantë dhe i vështirë për vetë shqiptarët. Në fundin e një diktature, këtu ishin gjithë problemet; nga mungesa e ushqimit dhe e shërbimeve, uji dhe energjia. Shqiptarët ndeshnin shumë probleme çdo ditë. Ne u përpoqëm të ndihmonim, por detyra kryesore ishte ta bënim jetën e tyre më të mirë duke ndihmuar që të ata kapërcenin tranzicionin shumë të vështirë. Unë kurrë nuk u ndjeva në rrezik dhe kisha një mbështetje të jashtëzakonshme nga shqiptarët dhe partitë politike. Kishte një konsensus në Shqipëri, madje edhe mes një pjese të ish-komunistëve, se ishte koha të ecej përpara dhe të bashkëpunohej me SHBA. Pata një mbështetje të madhe këtu dhe shqiptarët më bënë të ndjehesha si në shtëpi.
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=muO1mZeQ_dQ]