Albspirit

Media/News/Publishing

Ndërkombëtarizimi i çështjes çame

 Shaban Murati

Njohja publike dhe zyrtare që Komisioneri për Fqinjësinë Europiane dhe për Bisedimet e Zgjerimit në Komisionin Europian, Johannes Hahn, shpalli për çështjen çame, përbën një pikë kthese historike në dinamikën e zgjidhjes së kësaj çështjeje. Është një ngjarje diplomatike, që shënon procesin e ndërkombëtarizimit të çështjes çame në planin diplomatik, dhe kjo paraqet një zhvillim tepër të rëndësishëm.

Çështja çame shndërrohet kështu në një problem ndërkombëtar dhe zgjidhjen e tij e kërkon faktori ndërkombëtar perëndimor. Tani mund të quhet i mbyllur kapitulli i pingpongut propagandistik e diplomatik vetëm midis dy shteteve, dhe nis kapitulli i ri kur Bashkimi Europian shtron se jemi para një çështjeje, që duhet zgjidhur.

Elementi i parë i rëndësishëm për t’u theksuar nga ky zhvillim i ri është se njohja që Komisioneri Hahn shpalli për ekzistencën dhe zgjidhjen e çështjes çame nuk është një opinion vetëm personal i tij, por është qëndrim zyrtar i Komisionit Europian, qëndrim zyrtar i qeverisë së Bashkimit Europian.

Hahn foli në kapacitetin e tij si anëtar i qeverisë europiane, si Komisioner, foli në një institucion të rëndësishme zyrtar të BE, siç është Parlamenti Europian, dhe foli në emër të qeverisë së BE, ku bën pjesë. Kjo është kaq e vërtetë, sepse edhe eurodeputetja greke Maria Spyraki, siç del nga procesverbali i mbledhjes, i kërkoi Komisionerit Hahn të prononcohej dhe të paraqiste qëndrimin e Komisionit Europian. Dhe Komisioneri u përgjigj në emër të Komisionit Europian.

Ky përgjithësim dhe zyrtarizim i jep njohjes diplomatike të çështjes çame dhe ndërkombëtarizimit të saj një dimension të ri të rëndësishëm diplomatik dhe zyrtar, sepse për të ardhur deri te qëndrimi i shprehur nga Komisioneri për njohjen e çështjes çame, Komisionit Europian i është dashur kohë e gjatë analizash dhe rrahje mendimesh brenda institucioneve të tij. Dhe tani me sa duket është gjykuar se kjo çështje jo vetëm ekziston, por edhe duhet të përfshihet në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë si një çështje për t’u zgjidhur.

Komisioni Europian nuk e konsideron më çështjen çame si një çështje të brendshme dypalëshe midis Shqipërisë dhe Greqisë, por e konsideron nga ato çështje, të cilat nuk mund të mbahen të mbyllura në sepete diplomatike, sepse mund të ketë pasoja të pakëndshme për strategjinë dhe interesat e BE në Europën Juglindore. Është e kuptueshme se kjo situatë e re diplomatike për çështjen çame fut në skenën e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë një faktor të ri dhe shtron përpara qeverisë dhe diplomacisë shqiptare detyrën e një impostimi të ri të veprimtarisë diplomatike të tyre lidhur me çështjen çame.

Njohja nga BE e ekzistencës së çështjes çame dhe e nevojës së zgjidhjes së saj është padyshim një sukses diplomatik i Shqipërisë dhe duhet konsideruar si i tillë nga të gjithë krahët e politikës në Tiranë, pavarësisht se çfarë humori kanë për njeri-tjetrin. Duhet vlerësuar merita e Kryeministrit Edi Rama në këtë proces diplomatik të ndërkombëtarizimit dhe të njohjes diplomatike të çështjes çame nga Komisioni Europian, sepse është i pari kryeministër në historinë e shtetit shqiptar, që e ka futur çështjen çame në programin e qeverisë së tij për politikën e jashtme. Çështja çame është çështje kombëtare, pjesë e çështjes se pazgjidhur shqiptare në Ballkan, dhe si e tillë duhet të bashkojë përpjekjet dhe strategjinë e politikës së jashtme të të gjitha forcave politike shqiptare, pavarësisht se kush është në pushtet në momentin e dhënë.

Insistimi i Tiranës në Bruksel, duke paraqitur dosjen e plotë dhe reale të çështjes çame, duket se ka dhënë efektin e vet, duke krijuar bindje tek Komisioni Europian se ka një çështje sa historike aq dhe aktuale në marrëdhëniet midis dy shteteve, të cilës i ka ardhur koha e rrugëzgjidhjes. Ndërkombëtarizimi diplomatik i çështjes çame duhet të zgjojë dhe të nxisë kontributin diplomatik të të gjitha forcave dhe të të gjitha partive politike shqiptare.

Mendimi im është se Shqipëria duhet ta kishte përshëndetur zyrtarisht mirëkuptimin, që tregoi Komisioneri Hahn dhe Komisioni Europian për njohjen dhe për nevojën e zgjidhjes së çështjes çame. Ndërkombëtarizimi fillon nga vlerësimi i faktorit europian në këtë rast. Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë nuk duhet ta lenë këtë shans historik të ndërkombëtarizimit diplomatik të çështjes çame të kalojë si një festë ditore. Ata duhet të bëhen protagonistë të vazhdimit dhe të thellimit të procesit të ndërkombëtarizimit diplomatik të çështjes çame.

Sa më shpejt dhe sa më seriozisht ata duhet t’ia bëjnë të njohur dhe t’ua transmetojnë deklaratën e Komisionerit Hahn të gjitha qeverive dhe diplomacive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare të NATO-s, të shoqëruar me dosjen shqiptare të çështjes çame. Përkrahja për çështje delikate të marrëdhënieve dypalëshe midis shteteve europiane nuk është gjë e shpeshtë në diplomacinë europiane. Qeveria dhe diplomacia shqiptare duhet të përurojnë një fazë të re të veprimit të tyre diplomatik ndërkombëtar për çështjen çame.

Duhet të marrin shembull nga vetë diplomacia greke në këtë drejtim, e cila zhurmoi me vite sallonet dhe forumet diplomatike për të ashtuquajturën çështje të Himarës dhe e bëri atë pjesë të raporteve zyrtare të njërës apo tjetrës organizatë. Nëse Komisioneri Europian në emër të Komisionit Europian deklaroi se ekziston çështja çame si një çështje, që duhet të zgjidhet, është e kuptueshme se dhjetë herë më shumë duhet ta bëjnë pjesë të veprimit dhe të komunikimit diplomatik ndërkombëtar qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë.

Ata duhet të punojnë tani për të siguruar një përkrahje diplomatike sa më të gjerë ndërkombëtare për çështjen çame. Çështja çame doli tashmë nga rrethi vicioz i dialogut të shurdhëve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në planin diplomatik kjo sjell një rrethanë të favorshme për Shqipërinë. Është një rrethanë e favorshme, sepse ndërkombëtarizimi diplomatik është presion ndërkombëtar mbi qeverinë dhe diplomacinë greke dhe krijon një klimë ndihmuese për zgjidhjen e kësaj çështjeje të rëndësishme kombëtare dhe shtetërore.

Duhet parashikuar që Athina do të përpiqet ta neutralizojë, ta sfumojë këtë zhvillim të ri dhe ta heqë nga qarkullimi diplomatik dhe publik ndërkombëtar këtë akt historik të Komisionerit dhe të Komisionit Europian. Nuk duhet ta lejojë heshtjen për këtë akt qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë, të cilat duhet të organizojnë një plan të ri të qartë diplomatik për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të çështjes çame dhe për të përballuar taktikat e reja të diplomacisë greke.

Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen fakti që, pas deklaratës së Komisionerit Hahn, qeveria greke, sipas burimeve diplomatike greke, dërgoi urgjent në Tiranë sekretarin e përgjithshëm të MPJ të Greqisë për një vizitë të paplanifikuar, e cila me kërkesën greke nuk iu bë e njohur opinionit publik. Ka ardhur koha kur Shqipëria të flakë çdo lloj hezitimi për t’i bërë të njohura çështjet e saj jetike shtetërore dhe kombëtare në forumet dhe organizatat ndërkombëtare.

Ka ardhur koha që Shqipëria ta ngrejë çështjen çame si një çështje për t’u zgjidhur dhe ta bëjë pjesë të veprimit të saj ndërkombëtar. Mbajtja mbyllur e kësaj çështjeje ka qenë dhe është interes i diplomacisë dhe i qeverisë greke, të cilave u intereson që qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare të mos kenë njohuri për ekzistencën e një çështjeje të madhe të pazgjidhur midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Mjafton të kujtojmë se çfarë ka bërë diplomacia greke në këto 25 vjet në të gjitha organizatat ndërkombëtare me akuzat kundër Shqipërisë, duke ngritur pretendime për minoritetin grek në Shqipëri si një instrument presioni dhe frikësimi ndaj qeverive dhe diplomacisë shqiptare. Duhet mbajtur fort shënim dhe duhet analizuar mirë komunikata e Ministrisë së Jashtme greke kundër çështjes çame në datën 29 shtator, kur shpall se “Nuk ka çështje çame dhe se kurrë nuk ka qenë pranuar në rendin e ditës në bisedimet midis qeverive të Greqisë dhe të Shqipërisë”.

Këto qëndrime zyrtare të Athinës i skualifikojnë që në lindje të ashtuquajturat mekanizma dypalëshe, që ka propozuar ministri i jashtëm grek për të diskutuar çështjet e hapura historike dhe aktuale midis dy vendeve. Greqia nuk mund t’i imponojë Shqipërisë rendin e ditës të këtij mekanizmi, sepse secili shtet e përcakton vetë se çfarë problemi do të ngrejë. Duhet pritur që Athina të përpiqet në shumë mënyra për ta detyruar Tiranën ta heshtë çështjen çame.

Taktika e parë pritet të jetë paraqitja e çështjes çame si një rivendikim territorial i Shqipërisë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, që mund të shkaktojë destabilizim rajonal, etj. Çështja çame nuk ka asnjë lidhje me ndonjë pretendim territorial të Shqipërisë ndaj Greqisë. Duke shtrembëruar kërkesat për zgjidhjen e çështjes çame, Athina synon të trembë diplomacinë europiane me gjoja pretendimet territoriale të Shqipërisë dhe të popullsisë çame për territoret e Greqisë së Veriut.

Nuk duket rastësi që në këtë fushatë denigrimi për çështjen çame është bashkuar edhe Serbia, duke e paraqitur çështjen çame si pjesë të të ashtuquajturës “Shqipëri të Madhe”, siç shkruante dhe portali serb “B92” në 29 shtator. Një taktikë e re e sponsorizuar nga diplomacia dhe nga institucionet e specializuara greke është provokimi në Shqipëri i një klime urrejtjeje dhe ndarjeje krahinore për ta paraqitur çështjen çame si një çështje të huaj për krahinat e tjera të Shqipërisë. Është një taktikë djallëzore për të ndezur përçarjen krahinore dhe për të vënë shqiptarët kundër shqiptarëve në çështjen kombëtare.

Ky zhvillim negativ nxori krye në mënyrën më të mjerë gjatë fushatës për zgjedhjet e pjesshme në Peshkopi, kur shpërtheu papritur një histeri filogreke dhe antishqiptare me devizën se çfarë duan çamët në Dibër. Ishte një rrymë qëndrimi e sofistikuar për të kundërvënë krahinat shqiptare kundër njëra-tjetrës dhe për ta tjetërsuar çështjen çame nga identiteti i saj mbarë shqiptar.

Përballë një zhvillimi historik, kur Komisioneri dhe Komisioni Europian pranojnë dhe njohin ekzistencën e çështjes çame si një problem dypalësh, që duhet zgjidhur, kemi qëndrimin konservator dhe ultra nacionalist të qeverisë dhe të diplomacisë greke, të cilat në dy komunikata të njëpasnjëshme në datën 29 shtator sulmojnë me fjalor të ashpër, aspak diplomatik edhe Komisionerin Hahn, edhe zëdhënësen e Komisionit Europian. Reagimi hiperemotiv grek ka të bëjë me prishjen e komoditetit të diplomacisë greke, e cila ishte mësuar që në BE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare të jepej vetëm pasqyra greke për marrëdhëniet me Shqipërinë.

Por kohërat kanë ndryshuar dhe diplomacia greke nuk po përshtatet dhe ndaj po bën njërin gabim pas tjetrit lidhur me çështjen çame dhe lidhur me marrëdhëniet me Shqipërinë. Gabim i saj ishin deklaratat e pakontrolluara të ambasadores së re të Greqisë në Shqipëri, e cila i nisi ditët e para me prishje urash në marrëdhëniet dypalëshe, duke pretenduar ringjalljen e marrëveshjes së vdekur të detit dhe se çështja çame nuk ekziston.

Gabimi i dytë i madh i diplomacisë greke është mungesa e guximit për të diskutuar në tavolinën diplomatike dypalëshe çështjen çame dhe refuzimi për ta bërë atë pjesë të rendit të bisedimeve midis dy shteteve. Greqia po përsërit gabimet që bëri Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Serbia nuk pranonte ekzistencën e problemit të Kosovës, nuk e njohu kurrë të drejtën e Kosovës për republikë, dhe tani pas prishjes së Federatës Jugosllave po vazhdon rrugën e gabuar të mosnjohjes së shtetit të pavarur të Kosovës. Ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës ka qenë një nga faktorët më të rëndësishëm të procesit të njohjes dhe të pavarësimit të Kosovës.

Ndërkombëtarizimi diplomatik do të çojë edhe në njohjen dhe në pranimin nga Greqia të nevojës për zgjidhjen e çështjes çame. Komisioneri Europian Hahn e vendosi gurin historik të ndërkombëtarizimit të çështjes çame. Siç kam shkruar prej vitesh, çështja çame është një çështje politike dhe pjesë e dosjes diplomatike të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Është një çështje, që po ecën, dhe do të ecë në rrugën e zgjidhjes. Zgjidhja tashmë nuk ka vetëm kuadër dypalësh. Ndërkombëtarizimi diplomatik i çështjes çame e nisi rrugën e tij dhe ky është një proces historik, që nuk mund ta kthejë prapa asnjë lloj diplomacie e vjetruar recidiviste. Koha e çështjes çame ka ardhur.

Please follow and like us: