19 VJET MË PARË NISTE LËVIZJA STUDENTORE E 1997 NË KOSOVË
Në nëntëmbëdhjetëvjetorin e saj, Lëvizja Studentore e ’97-s është vlerësuar pikë kthese në historinë më të re të Kosovës.
Ish-drejtuesit e kësaj lëvizje, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se ky organizim i studentëve, i mbështetur edhe nga rektori historik i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, ka ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tyre, ajo protestë ishte edhe një mesazh i qartë për klasën politike të kohës.
Ish-kryetari i Lëvizjes Studentore të ’97-s, Bujar Dugolli, ka thënë se protestat studentore të vitit 1997 i kanë ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë. Sipas tij, ajo dinamizoi rezistencën dhe aktivitetet e mëvonshme kundër okupatorit. “Lëvizja studentore, e cila filloi në tetor të vitit 1997, tashmë është cilësuar lëvizje e cila ka filluar lëvizjen e hapave pozitivë drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pra, është një pikë kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse pas asaj date dinamizmi i rezistencës dhe aktiviteteve të mëvonshme çlirimtare filloi të përhapej në Kosovë. Kështu që, 1 tetori i vitit 1997 është një pikë kthese në historinë më të re të Kosovës, e cila kishte si objekt universitetin, por synim kryesor kishte çlirimin kombëtar, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Dugolli. Ai ka deklaruar se Universiteti i Prishtinës në çdo kohë, sikurse para 19 vjetëve, ka kryer misionin e tij historik. “Universiteti para 19 vjetëve e përfundoi një mision të rëndësishëm historik. Ne sot e kujtojmë këtë datë historike dhe ndihemi krenarë me të kaluarën tonë, me rezistencën për liri dhe pavarësi. Prandaj, këtë përvjetor ua uroj të gjithë studentëve dhe profesorëve”, është shprehur Dugolli.
Kurti: E thyem heshtjen e ‘status quo’-s
Edhe Albin Kurti, një nga udhëheqësit e kësaj proteste, ka thënë se Lëvizja Studentore e ’97-s kishte bashkuar mbi 20 000 studentë e profesorë të cilët në mënyrë paqësore e dinjitoze marshonin, duke kërkuar lirimin e pakusht të objekteve dhe të hapësirës së okupuar universitare. “Më 1 tetor 1997 kishte rilindur një subjekt i rëndësishëm dhe i pazakonshëm, që ishte i gatshëm të ballafaqohej për të vërtetën dhe të drejtën, për lirinë dhe barazinë. Lëvizja Studentore kishte bashkuar mbi 20 000 studentë e profesorë të cilët në mënyrë paqësore e dinjitoze marshonin, duke kërkuar lirimin e pakusht të objekteve dhe të hapësirës së okupuar universitare. Kjo kërkesë vazhdon të jetë e paplotë në realizimin e saj. Në pjesën veriore të Mitrovicës objektet e Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik dhe Shkollës së Lartë të Elektroteknikës dhe Makinerisë, që kanë qenë degë të UP-së, vazhdojnë të jenë objekte të okupuara”, ka thënë Kurti për gazetën “Epoka e re”. Ai ka shtuar se studenti shqiptar i UP-së, i bërë subjekt më 1 tetor 1997, ishte ndërhyrja e cila edhe e ka thyer heshtjen e “status quo”-s edhe e ka ndryshuar kahun e procesit politik përkundër politikës pasive. “Këtu ka pasur rëndësi të jashtëzakonshme rektori i atëhershëm, prof. Ejup Statovci. Atë nuk e zmbrapsi kurrfarë trysnie apo kërcënimi, përkundër se banesa e tij modeste dhe zyra i ishin bastisur aq shumë herë. Ai nuk u zmbraps pavarësisht arrestimeve disa herë përgjatë viteve të ’90-ta nga policia e Serbisë. Ngjarjet mundësohen nga masat e njerëzve dhe institucionet, kurse prodhimi i ngjarjes përfundon i identifikuar me një apo fare pak njerëz. Kështu ka qenë rrjedha e historisë, përkundër secilës mund të pohojmë për 1 tetorin. Nëse ngjarjen e 1 tetorit e prodhuam të gjithë ne studentët dhe profesorët e Universitetit, atë ngjarje e mundësoi kryesisht vetëm një njeri, Ejup Statovci”, ka deklaruar Albin Kurti.
Lajçi: Protestat e ’97-s zgjuan nga gjumi strukturat e atëhershme politike
Edhe Driton Lajçi, një nga udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, ka thënë se protestat e ’97-s janë një ngjarje e rëndësishme për Universitetin e Prishtinës dhe për Kosovën. Ai ka treguar se qëllimi i tyre ka qenë lirimi i objekteve universitare dhe liria e Kosovës. “Pas 19 vjetësh e kujtoj me respekt si datë dhe si ngjarje, meqenëse kemi arritur ta përmbushim qëllimin tonë të kohës. Kemi organizuar një protestim paqësor dhe aktiv, i cili ka shkuar në favor të Universitetit të Prishtinës”, ka deklaruar Lajçi për “Epokën e re”. Ai ka thënë se organizimi studentor i ’97-s ka pasur efekt shumëdimensional dhe ka qenë një mesazh për ta zgjuar nga gjumi klasën e atëhershme politike. “Në aspektin njerëzor është mbytur frika, kurse në aspektin politik gjërat kanë lëvizur nga vendi. Ka qenë një mesazh për t’i zgjuar nga gjumi edhe strukturat e atëhershme politike. Ka qenë edhe një largim i frikës, mjegullës dhe paqartësive të kohës kur Kosova ndodhej në një okupim klasik, në një shkelje të vrazhdë të të drejtave të njeriut, në dhunë të përditshme individuale dhe masive nga forcat policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme e instaluar në territorin e Kosovës”, është shprehur Lajçi, duke shtuar se i gjithë ky aktivitet studentor ka qenë një veprimtari e rrezikshme. “Natyrisht, ta kthesh një faqe tjetër të historisë ka qenë një veprimtari shumë e rrezikshme për të hapur dyer të tjera të mëdha. Më pas liridashësit dhe UÇK-ja përfundimisht i bënë hapat e mëdhenj dhe të fundit drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Lajçi.
Ai ka thënë se të gjithë duhet të angazhohemi në mënyrë që të kemi sukses si në fushën e arsimit, po ashtu edhe në segmentet e tjera. “Gjërat gjithmonë duhet t’i kuptojmë në kontekst të kohës. Madje në kuadër të këtyre zhvillimeve, në drejtim të agjendës evropiane, duhet të bisedojmë, të bëjmë kompromise dhe marrëveshje brenda universitetit me faktorë të tjerë politikë sepse është e domosdoshme të jetë një garniturë tjetër në sistemin demokratik”, ka vlerësuar Driton Lajçi.
Mavraj: Më 1 tetor ra miti i frikës
Edhe Muhamet Mavraj, prijës i Lëvizjes Studentore të ’97-s, ka treguar për “Epokën e re” se për 1 tetorin e ’97-s kanë punuar gati dy vjet. “Për 1 tetorin e 1997-s kemi punuar gati dy vjet pak nga pak, që nga lënia e Kosovës jashtë tryezës ndërkombëtare në Dejton të ShBA-së. Me këtë datë ndahen epokat e Kosovës: nga politika pasive, gradualisht kalohet në rezistencë aktive. Pra, Lëvizja Studentore është fazë e ndërmjetme e dy politikave të kundërta, një fazë kalimtare. Kështu, hap pas hapi, shkuam edhe drejt luftës çlirimtare dhe fundit të sundimit të Serbisë në Kosovë. Ky fund është rezultat, gati njëshekullor, i brezave tanë. Më 1 tetor është mposhtur frika e Kosovës, ka rënë miti i frikës dhe secili shqiptar është ndier mirë, më solidar me tjetrin. Me një fjalë, u rikthye vlera tradicionale. Përvjetorët e 1 tetorit ushqejnë një impuls krenarie, natyrisht, por na bëjnë t’i kujtojmë shumë shokë tanët dëshmorë. Ata do të donin që ky vend të ishte edhe më mirë sesa është, sidomos në veri”, ka thënë Muhamet Mavraj.
Luma: 1 tetori i ’97-s i hapi rrugë UÇK-së
Ish-nënkryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së (1997-1999), Ernest Luma ka thënë se 1 tetori i vitit 1997 është datë e kthesës së madhe historike për lëvizjen e gjithëmbarshme në Kosovë. “Pati dhe ka data e ngjarje të rëndësishme, para dhe para kësaj date por, krahas atyre që bënë kthesat në kapitujt më vendimtarë, është pikërisht kjo datë dhe, përgjithësisht, Lëvizja Studentore e UP-së, e 1997-1998-s. Tekefundit, është Universiteti i Prishtinës vendrritja dhe vendlindja e vërtetë e të gjitha projekteve më të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Aty ishte më shumë se universitet. Ishte akademi shkence, ishte akademi ushtarake, ishte presidencë, kuvend dhe qeveri e qeverisje e vërtetë e Kosovës, që nga vitet ’60-’70 deri në fundin e viteve ’90, deri kur krisi pushka dhe pushuan fjalët”, ka thënë Luma për gazetën “Epoka e re”, duke shtuar se ajo gjeneratë bëri punën që i takonte. “Rrjedhimisht, edhe ne si gjeneratë nuk bëmë mrekullinë apo ku ta dimë se çfarë. Në ato vite kryem një detyrë që na takonte, të cilën, po të mos e kryenim, nuk do ta kryenim si studentë një detyrim ndaj vendit. Ne e bëmë punën tonë, por punën më të madhe dhe vulën e dhanë studentët, profesorët dhe heronjtë që ranë fronteve. Po e parafrazoj një ish-udhëheqës të UÇK-së: 1 tetori dhe Lëvizja Studentore ’97-’98 ishte porta e parë që i hapi rrugë daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Luma.
Bajrami: Ngjarjet e 1 tetorit 1997 ndryshuan historinë e Kosovës
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se protestat studentore të vitit 1997 ndryshuan historinë e Kosovës.
Bajrami ka thënë për gazetën “Epoka e re”, se ato protesta demonstruan fuqinë e rinisë studentore dhe UP-së, si dhe shënuan kalimin nga rezistenca paqësore në atë të armatosur, duke thyer mitin serb. “Ngjarjet e 1 tetorit 1997 ndryshuan historinë e Kosovës. Ato demonstruan fuqinë e rinisë studentore dhe UP-së, si dhe shënuan kalimin nga rezistenca paqësore në atë të armatosur duke thyer mitin serb dhe duke treguar gatishmërinë e rinisë për shtetndërtimin dhe pavarësinë e vendit. MASHT-i shpreh respektin për gjeneratën e studentëve dhe profesorëve që organizuan protestën e 1 Tetorit në krye me Rektorin Statovci. Duke qenë krenar me rolin e studentëve dhe profesorëve sot kur kauza e jonë është realizuar me pavarësinë e vendit tonë ne duhet të punojmë në krijimin e universiteteve cilësore që hapin perspektiven për rininë tonë. Me ketë rate të gjithë studentëve dhe profesorëve i uroj fillimin e vitit akademik”, ka thënë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.
Please follow and like us: