Aleksandri i Madh, strategu i pashoq i historisë
Kur shekulli i parë Para Krishtit ishte në fundin e vet e do të lindte një epokë e re (pas Krishtit), gjithë Egjeu e tokat që i lagte ai, ishin nën sundimin pers, sundim i cili kishte nënshtruar tërë Armeninë, Turqinë e sotme, Turkestanin, Afganistanin, Sirinë, Palestinën, Qipron, Trakën dhe Bullgarinë Jugore. Perandoria perse ishte një perandori e madhe që bota nuk kishte parë kurrë më parë një të tillë. Shumë shpejt edhe Greqia, e cila ishte aq e çoroditur nga ndarjet dhe luftërat e brendshme, do të binte nën pushtetin pers. Grekët Jonikë të Azisë së Vogël që ngritën krye kundër persëve, patën edhe mbështetjen e maqedonasve të cilët e detyruan Persinë të përgatitej për të nënshtruar edhe kështjellën e fundit, Greqinë.
Në këto kushte, mbretëria e panjohur maqedonase, e cila pretendonte se ishte me prejardhje greke, tërhoqi vëmendjen e grekëve të cilët deri atëherë nuk është se i kishin vlerësuar aq sa duhej. Maqedonasit e vërtetë ishin një popull flokartë dhe sykaltër, me lëkurë më të bardhë nga grekët. Në damarët e tyre rridhte gjak nordik dhe kishin zbritur në këto vise nga Danubi në kohët parahistorike. Ishte një lidhje me grekët, por këta të fundit nuk e pranonin këtë lidhje. Babai i Aleksandrit të Madh, Filipi, ishte 23 vjeç kur hipi në fron. Ishte një burrë i pashëm, i ushtruar mirë fizikisht dhe i pajisur me një kulturë e cila ishte athiniote. Aristokracia e viteve të tij ishte e helenizuar, por jo gjithnjë veprimet e tij ishin të tilla, sepse shpesh ai nuk kishte mundur dot t’u shmangej veprimeve të cilat e shpinin deri te origjina e tij prej malësori jo fort të gdhendur.
U martua me Olimpian, bija jetime e mbretit Neoptolemeut të Epirit nga Molosët. Olimpia merrte pjesë në vallet e shenjta për nder të perëndive të natyrës e në këto rite ajo shfaqej e mbështjellë rreth trupit me gjarpërinj nga të cilët nuk kishte frikë. Burrat e shihnin me tmerr ashtu mes gjarpërinjve, ndërsa ajo zbavitej. Ishte një priftëreshë mistike e lindur, sikurse ishte një zbutëse gjarpërinjsh, si dhe një valltare e mahnitshme. Kishte një bukuri të egër dhe të frikshme të cilat i kishin bërë përshtypje të madhe Filipit, princit të ri maqedonas, gjaknxehtë dhe aventurier. Dhe një ditë i kërkoi mbretit të Epirit dorën e saj. Olimpia ishte bijë mbreti e kishte ndjenja të thella fetare të cilat i manifestoi gjithë jetën. Ajo kishte sjellë në shtëpinë e re pas martese një gjarpër të cilën e quante si të dërguar nga Perëndia dhe dhëndri i ri u tmerrua kur ajo e mbante në shtratin e ri bashkëshortor. Olimpia e quante gjarprin dashnor hyjnor, ndërsa dhëndri shihte nga vrima e derës nëse ishte gjarpri brenda në dhomën e tij. Gjarpri quhej Amoni dhe një ditë nusja e re mbeti shtatzënë dhe, sipas ëndrrës që tha nusja e re, sikur Zeusi-Amoni kishte zbritur në jetën e saj gjinore e kështu ideja e turbullt se Amoni kishte lënë shtatzënë Olimpian, sundoi gjithë jetën perandorinë e re të Maqedonisë.
E nga kjo shtatzëni lindi një djalë. Ishte vjeshtë e vitit 356 p.e.r. Fjalë të shumta shoqëruan lindjen e këtij djali, fjalë që përktheheshin se kishte lindur një pishtar i cili dikur do të përfshijë tërë Lindjen. Babai, mbreti Filipi, ishte gjithnjë i zënë me punët e luftës. Perandoria e tij ishte në rritje e zgjerimi saj drejt Jugut e Lindjes ishin edhe koordinatat e reja të synimeve të mbretit. Ideja ishte se kjo mbretëri e vogël duhet të zgjerohej. Ndërsa babai shihte punët e luftës, me rritjen e fëmijës merrej e ëma, Olimpia nga Molosët e Epirit. Dhe edukimin e fëmijës ajo e bëri si i pëlqente asaj. Kishte një zell për ta patur zili në mirërritjen dhe edukimin e djalit të saj, i cili mori kryesisht një edukim fetar. Djali u rrit shpejt dhe dorën e babait e ndjeu rrallë. Filipi e admironte djalin e tij i cili po rritej mirë, por ndihej keq për drejtimin që po merrte edukimi i tij. Sporti e burrëroi shpejt djalin, stërvitjen në fusha me kuaj i mprehën shikimin, e ai u bë shumë shpejt një kalorës i jashtëzakonshëm, një vrapues i paarritshëm si dhe një mjeshtër në përdorimin e shpatës.
Por djali e mbante veten për të madh. Madje edhe ndaj mësuesit të tij që në dy vitet e fundit ai pati një nga filozofët më të mëdhenj të njerëzimit, Aristoteli, i cili mësoi shpejt filozofinë, artet, gojëtarinë, muzikën, gramatikën, gjeometrinë, artet marciale. Madje në fushën e mjekësisë ai kishte njohuri më të plota se një mjek. Babai nuk besonte se do të bëhej burrëror i biri, sepse kishte pamjen e një vajze, me lëkurë të bardhë, kokën e mbante pak mënjanë dhe kishte një vështrim ëndërrues.
Princi i ri u rrit shpejt; ai shfaqi se ishte i etur për veprime, ishte një djalë që kërkonte personalitet, madje mezi priste të rritej që të merrte frenat e drejtimit të ushtrisë e të mbretërisë në duart e veta. Dy vjet ai ishte nën mbikëqyrjen e rreptë të Aristotelit dhe kështu Filipi realizoi një nga dëshirat e tij të fshehta; ta largonte djalin e tij nga ndikimi i së ëmës, Olimpias. Ishte 16 vjeç kur mori pjesë në një luftë, pasi i ati ishte i plagosur në shpatull. Babai mbeti i kënaqur nga beteja e parë dhe e ktheu në Maqedoni për t’u kujdesur për pushtetin e tij, sa kohë që mbreti ndiqte rrugën e luftës drejt lindjes. Persianët kishin një forcë të madhe ushtarake të cilët ishin ndalur te Bosfori e, ndërsa mbreti bënte përgatitje për një sulm ndaj tyre, princi mbështeste planet e babait. Këtë urrejtje ndaj persëve ai e kishte të kultivuar edhe nga mësuesi i tij, Aristoteli.
Mësuesi i ka nxitur djalit përfytyrimet e ëndrrat për beteja të mëdha si ajo për të goditur Mbretin e madh siç quhet atëherë mbreti i persëve, Dari. Filipi kishte ruajtur marrëdhënie të mira me grekët, marrëdhënie të cilat ai i kishte vendosur diku me dhunë, diku me lajka e diku i kishte blerë këto marrëdhënie të paqta. Vetëm me Spartën ai nuk kishte mundur dot të bënte aleatë. Marrëdhëniet e mira me grekët, ai donte t’i shfrytëzonte për një aleancë të madhe në një luftë kundër persëve të cilët ishin vendosur në detin Marmara.
Ai i shmangej konfliktit me inteligjencën athiniote e këtu ai kishte parasysh Demostenin i cili ishte armiku më i tërbuar kundër maqedonasit Filip, Demosteni, një i shëmtuar dhe shkurtabiq e kishte vlerësuar shpejt rrezikun e mbretit maqedonas, Filipit, dhe gjithnjë ka qenë në anë të kundërt të tij. Dhe nuk u shmang dot një luftë mes grekëve dhe maqedonasve. Luftë të cilën e fitoi Filipi e që në këtë luftë mori pjesë edhe Aleksandri i cili vendosi edhe fitoren e një krahu e nga ai sulm aq i rrufeshëm, grekët morën arratinë e Filipi u ndje zot i Greqisë. Dikush i tha se ai kishte shtënë në dorë Athinën e se mund ta shembte atë, ai u përgjigj se ai nuk kishte duruar dhimbjet e luftës për të shembur këtë qendër të përmendur të kulturës. Ai liroi robërit e Athinës e u siguroi një kalim të lirë.
Në këtë luftë ushtarët i thanë se ai, Filipi, ishte gjenerali i tyre, por Aleksandri ishte mbret i vërtetë. Tebanët e kishin shkelur miqësinë me Filipin e ai u tregua zemërgur ndaj tyre. Teba tani ra nën sundimin maqedonas. Ndërkohë mbreti vendosi një kurorë të re duke rrëzuar Olimpian nga posti i mbretëreshës. Ai e detyroi të birin të merrte pjesë në dasmën e re në të cilën princi mbyste brenda vetes zemërimin që po ndjente ndaj kësaj martese si dhe keqardhjen ndaj nënës së vet. Kur dikush, nën pushtetin e verës i bëri mbretit një urim në të cilën thuhej se nga martesa e re duhet të lindë një djalë që të jetë trashëgimtar i ligjshëm i mbretërisë, Aleksandrit nuk iu durua dhe në zemërim e sipër i tha se ai nuk ishte kopil, dhe i hodhi tjetrit në fytyrë një kupë të mbushur plot me verë. U përplasën mysafirët dhe Aleksandri duke treguar me gisht të atin tha se ky njeri që kërkon të dalë nga Europa në Azi nuk është i zoti të hidhet nga një minder në tjetrin. Mbreti në zemërim e sipër nxori shpatën dhe kërkoi të godasë të birin, i cili iku dhe shkoi në fisin e nënës.
Deri atë ditë Aleksandri nuk kishte menduar asnjëherë për fronin mbretëror, por marrëdhëniet jashtëmartesore të të atit, marrëdhënie nga të cilat ai kishte edhe fëmijë te tjerë, si dhe martesa e re e cila i dha një tjetër djalë Filipit, e detyruan princin tashmë 20 vjeçar që të mendojë seriozisht për fronin mbretëror i cili pa asnjë diskutim i përkiste atij. Me babanë u pajtua pas një viti dhe shumë shpejt u martua vajza e Filipit, Kleopatra në një stadium të Athinës.
Garda i rrinte pranë mbretit se flitej për një atentat grek ndaj tij. Dhe atentati ndodhi. Kur mbreti mendonte se gëzonte respektin dhe dashurinë e popullit, një maqedonas me emrin Pausania, i paguar nga grekët, vrapoi pranë tij dhe i nguli thikën në zemër.
Mbreti vdiq, Olimpia hyri përsëri në oborrin e mbretërisë maqedonase; ajo u hakmor ndaj mëtuesve të kurorës duke i hapur udhë tani kurorëzimit të të birit, Aleksandrit, si mbreti i ri i Maqedonisë.
Vdiq një mbret që kishte arritur të pushtonte helenët dhe të përgatiste shpirtërisht ushtrinë e tij në një sulm fatal kundër persëve. Filipi ishte një gjeneral i madh, një politikan i klasit të lartë me gjithë veset të cilave ai nuk mundi t’u shpëtonte dot.
Dhe në vitin 336 p.e.r Maqedonia do të kishte një mbret të ri, fare të ri, Aleksandrin, djalin e ligjshëm të Filipit.
Që në krye të herës mbreti i ri u kujdes që të eliminonte kundërshtarët e shumtë me të cilët ishte armiqësuar babai, e që ata përbënin një rrezik të përhershëm për pushtetin e tij të ri. Njohu kufijtë e pushtetit të vet dhe u mundua t’i përforcojë ata.
Ishte 20 vjeç, në një moshë të pafajshme, por në shpirtin e tij aq të qashtër, flinte një lakmi e madhe për pushtet dhe për famë të cilat ai i zgjeroi nga koha në kohë. Në shpirtin e tij të butë ishin dy faktorët që kishin ngjallur këtë lakmi kaq të madhe; së pari e ëma dhe mësuesi i tij, Aristoteli. Dikur kishte shkuar në Delfi, ishte një orakull, ai i Apollos me të cilin do të këshillohej për luftën e re që ai do të niste së shpejti kundër persëve. Por ajo ditë nuk ishte e përshtatshme dhe orakulli e njoftoi se nuk mund të takohen për të dhënë parashikimin e luftës së ardhme.
Por Aleksandri i ri nuk i përfilli fjalët e orakullit dhe u fut brenda në Delfi dhe në tempull e tërhoqi orakullin zvarrë. Ajo rezistoi, por ishte e kotë. Zemërimi i mbretit ishte aq i pakuptueshëm dhe ajo më në fund shpërtheu duke i thënë: “Biri im, ti je i papërballueshëm”. Atëherë mbreti u largua. Sikur ai kishte kërkuar vetëm këto fjalë dhe se ai nuk do të kishte nevojë për këshillime të mëtejshme nga Perënditë.
Ai kishte një inteligjencë të paparë, kishte njohuri nga fusha të ndryshme të jetës dhe kurrsesi nuk donte të binte poshtë hijes së babait të vet, përkundrazi, ai lakmoi më tej se i ati. Me grekët kërkoi të ndjekë të njëjtën politikë si edhe i ati. Demosteni, armik i betuar i Filipit, tani do të zbrazej ndaj mbretit të ri, megjithëse ia kishte frikën atij. Shtypi disa kryengritje të vogla nëpër Iliri, përforcoi lidhjet që atij i vinin nga e ëma, por po dëgjonte se Demosteni, thellë Greqisë, po nxiste persët në një sulm kundër një mbreti që ai e quante çunak.
Zbriti në Athinë e kërkoi të bënte bisedime me krerët e saj. Vendosi njëfare paqeje, por ai e dinte shumë mirë se kjo paqe ishte vetëm në dukje, se në thellësi grekët zienin nga urrejtja kundër kësaj fuqie të cilën ata nuk donin ta quanin perandori. Grekët që kishin patur aq histori nuk mund të pranonin aq lehtë një nënshtrim nga një fuqi e vogël të cilën shpesh edhe nuk e përfillnin. Mbreti i ri u shkëput shumë shpejt nga jeta e tij e përditshme dhe tani i ishte kthyer luftës. Ishte i ri për të përballuar këtë jetë të re, por ambiciet e tij ishin aq të mëdha, sa ai kishte rënë krye këput në prehrin e aventurës për të bërë histori. Njihte shumë mirë veprën e Homerit ”Odisea”, madje këtë libër e mbante gjithnjë me vete edhe gjatë luftës.
Vargje të tëra ai i recitonte edhe para ushtarëve të tij, ai nderoi shumë luftëtarë të Trojës e veçanërisht Akilin. Ai e ndjeu se Maqedonia ishte një skenë e vogël për një vepër të madhe të cilin ai e parashikonte, duke ndjekur kështu udhën e të atit. Ai donte të thyente persët të cilët deri atëherë ishin fuqia e vetme në gjithë hapësirën që ata kishin prekur. Ai ishte në kërkim të lavdisë, madje tej asaj që kishte arritur i ati.
Njihet takimi i tij me cinikun Diogjen i cili më një fener të ndezur ditën “kërkonte njeriun”. E gjeti një ditë Diogjenin në një lulishte tek ngrohej në diell. –Unë jam mbret Aleksandri! Dhe Diogjeni iu përgjigj;- dhe unë jam Diogjen ciniku! Më tej biseda kishte vazhduar edhe pak çaste. Mbreti:- çfarë mund të bëj unë për tu? Diogjeni:- Pa m’u largo një çikë nga dielli! E më pas mbreti u tha mbështetësve të tij se ai nëse nuk do të bëhej mbret, do të bëhej Diogjen!
Etja për aventura kishte hedhur rrënjë tani në shpirtin e djaloshit 23 vjeçar. Ai u nis nga Maqedonia me shpresë se do të largonte persët nga ishujt Egje. Ndërkohë, nga lindja, edhe Egjipti po përgatitej të ngrinte krye kundër persëve e kjo i vinte ndoresh Aleksandrit. Dhe kështu në vitin 334, pasi kishte vendosur njëfarë paqeje në shpinë të vet, ai ishte gati të niste ushtrinë drejt lindjes. Entuziazmi i tij rinor i nxitur edhe një mision hyjnor e bënin Aleksandrin të ndihej herë-herë deri në ekstazë. E kishin prekur deri në palcë heroizmat e luftës së Trojës e ai nuk mund të mos e prekte Trojën tashmë të rrënuar. Ai ndenji gjatë në muret e saj duke bërë kurban e lutje e në gjithçka të tijën aty, kërkonte të përsëritej historia e në vend të heronjve të Trojës tani do të ishte ai, mbreti i Maqedonisë.
Vizitoi varrin e Akilit, i bëri atij nderime madhështore, por i ishin afruar persët të cilët udhëhiqeshin nga Dari III e që sipas të gjithë historianëve e nënçmonte mbretin e ri duke e quajtur atë kalama e kokëkrisur. Graniko quhej vendi ku u bë edhe ndeshja e parë. Goditja e parë i theu persët të cilët i ikën sheshit të luftës, por që Aleksandri i ndoqi pas. Tre herë më e madhe ishte ushtria perse, por shpirti luftarak i ushtrisë së Aleksandrit ishte mbinjerëzore. Mbreti i ri ishte në ballë të luftës me kalin e tij, Buqefalin.
Lufta vazhdoi gjatë e në përfundim persët u thyen. Kampi i ushtrisë së tyre tani ishte në duart e maqedonasve. U organizuan festime për nder të hyjneshës Artemis e cila i kishte ndihmuar në këtë fitore. Persët në ikje digjnin qytete dhe këtë nuk mund ta lejonte mbreti i ri. Ndaj ai u vu në ndjekje të persëve. Lodhja mbi kalë e kishte kapitur atë dhe ai u hodh në valët e lumit Kidnos, por që doli që andej nën një palë ethe. Ai kërkoi një purgativ të fortë të cilën ia përgatiti një mjek që quhej Filip. E ndërsa mjeku po përgatiste ilaçin e fortë, erdhi një letër për mbretin të cilën ai e hapi më një frymë. Në letër thuhej se mjekët e tij ishin blerë nga grekët dhe se ata donin ta helmonin. Ai e mbaroi letrën, ia dha mjekut që i solli ilaçin, ndërsa vetë, pa pritur që tjetri ta lexonte atë, e ktheu kupën me një herë.
Ndërkohë në ikje e sipër, Dari, mbreti i Persisë, ishte vendosur në Sohoi, duke menduar se aty do t’i bënte qëndresën e fundit me shpresë se do ta thyente djaloshin kryeneç. Aleksandri kishte kapur një lartësi dominuese duke mundur të vrojtonte tërë lëvizjet e armikut e kjo i dha dorë që të ndërtonte edhe strategjinë e duhur për ta shpartalluar atë. Aleksandri mundi t’i thyente rreshtat e parë të armikut, mori krahët e tij të cilat ishin përforcuar edhe me grekë të cilët kishin marrë krahun e persëve dhe në një moment Aleksandri u hodh si i tërbuar aty ku gjendej mbreti pers, duke shtrirë njëri pas tjetrit prijësit persë, madje nuk kurseu as kuajt e qerres mbretërore. Por Dari arriti të largohet në panik e sipër, duke lënë peng aty gjithçka edhe nënën, gruan, dy vajzat si dhe djalin e tij. Persët aty lanë 100 000 vetë. Aleksandri në mbrëmje hyri në çadrën e madhe të mbretit dhe mbeti i çmeritur nga pamjet madhështore që pa aty. Një luks i paparë.
Heroi i kësaj fitoreje ishte padyshim Aleksandri. Ai ndihej fitues, madhështor dhe u mbulua me dafina. Pak më vonë ai hyri në çadrën e familjes së mbretit. Nëna mbretëresha ishte lemerisur nga frika se Aleksandri do t’i vriste në shenjë hakmarrjeje. Mbreti e dëgjoi nënën e armikut të tij.
Gjithë historia botërore ka folur për sjelljen e lartë të mbretit maqedonas ndaj familjes së mbretit pers, Darit, armikut të Aleksandrit. Ai e respektoi tërë familjen, gruan e Darit nuk e pa fare me sy, djalin e tij gjashtëvjeçar e ngriti në krahët e vet të fuqishëm duke thënë: -Sa bukur do të ishte sikur edhe babai i këtij djali të sillej po kaq miqësisht me mua! Mbretëresha persiane u mahnit nga sjellja e mbretit, këtij djaloshi të ri dhe i puthi dorën atij. Më tej në Damask në duart e Aleksandrit ra një korrespodencë e gjerë. Letrat dëshmonin se një numër i madh grekësh e kishin tradhtuar atë dhe ishin bërë palë me persët. Ditën tjetër i vjen një letër nga Dari e cila ishte shkruar me arrogancë e fyerje. Ai i kërkonte që të lironte familjen e tij, kundrejt një shpërblimi të majmë. Letra ishte fyese për mbretin maqedonas dhe në përgjigjen e tij ai i tha se ai tani nuk ishte më mbret, por mbreti ishte vendosur në dy betejat e fundit, në atë të Granikos dhe të Isos. Ndaj ai duhet t’i drejtohet si i drejtohet një mbreti, sepse ashtu i ka hije. Në letër ndihet epërsia e maqedonasit të vogël. Ai i kërkoi mbretit pers që të vijë e ta takojë, t’i lutet për familjen e vet dhe ai do ta lironte menjëherë. I kërkoi nga ana tjetër, se, nëse do t’i shkruante herë tjetër, duhet t’i drejtohet si i drejtohet një mbreti.
Aleksandri nuk kishte dashur ndonjëherë të pushtonte Persinë, por donte të çlironte Azinë e Vogël, Sirinë dhe brigjet e Afrikës Veriore nga sundimi pers, vende të cilat dikur ishin koloni të grekëve, por një tjetër dëshirë rrinte fjetur në shpirtin e mbretit të ri; ai donte të prekte Egjiptin e të vinte atje kurorën e faraonëve. Nuk i interesonin viset e pakufi të lindjes. Emrin e kishte fituar aq shpejt, kur kishte thyer fuqinë më të madhe të kohës, persët. Dhe ai e dinte mirë se në betejat e fundit sikur e kishte ndihmuar fati dhe se ai nuk kishte shfaqur asgjë nga madhështia e vet, ai ishte hero, por nuk kishte dëshmuar strategun. Kishte gjithçka në pëllëmbë të dorës, dinte të sillej njëkohësisht me shumë elementë të luftës e të sjelljes ditore, vizitonte të plagosurit, madje edhe i mjekonte ata, u jepte dhurata pafund, pinte verë me ta, recitonte vargje nga Homeri. Kohën që i merrte gjumi e quante kohë të humbur. Kalonte orë të tëra duke pirë, e herë edhe acarohej deri në kriza tërbimi. Viti 323 e gjeti në rrugën drejt Egjiptit, në qytetin e Tirit, qyteti më i madh e më i fuqishëm. Por ujërat i zotëronin persët pasi maqedonasit nuk ndiheshin zotër të flotave luftarake. Atje ata ranë në kontakt me fenikasit dhe qipriotët duke ndërtuar një aleancë të re. Ngritën barrikada ujore duke ua prerë udhët persëve.
Beteja ishte e përgjakshme dhe persët aty lanë 80 000 të vrarë.
Por po afronte ditëlindja e tij ai mbushte 24 vjeç dhe tani ai kishte aq pranë ëndrrën e tij për të prekur Egjiptin. Babai i tij Zeus-Amoni do ta ndihmonin që në këtë rrugë të mos ta ndalte askush. Sa herë është ndodhur ai para kundërshtarit të cilët kanë qenë gati me thikë në dorë për t’i dhënë atij goditjen vdekjeprurëse.
Dhjetëra herë, por ai i shkathët si një tigër dilte nga situata, duke e rrëzuar armikun përtokë. Ka marrë plagë të shumta për të cilat pak kujdesej. Pasuri të mëdha ka shtirë në dorë, pasuri të cilat më parë ishin pronë e persëve. Këto pasuri ai ua shpërndante ushtarëve si dhe u dërgonte njerëzve të vet në Maqedoni.
Një kuti shumë të bukur shtinë në dorë dikur dhe brenda ai vuri një dorëshkrim të “Iliadës” së Homerit. Dhe e preku Egjiptin mbreti maqedonas. Guvernatori i qytetit të parë e dorëzoi qytetin në paqe, nderoi mbretin dhe i fali atij plot pasuri. Egjiptianët që ishin lodhur nga sundimi i gjatë pers, i pritën si çlirimtarë maqedonasit. Ata ishin një popull besimtar me rrënjët thellë në misticizëm. 200 vjet këtë vend e kishin mbajtur persët dhe tani ata do të kishin zotër maqedonasit.
Populli e brohoriti pushtuesin e ri. Mbretit të ri i dhanë shumë emra e tituj të cilat e nderonin deri në një perëndi. Trupat e Aleksandrit që kishin luftuar për vite të tëra në vise të freskëta e të ftohta nuk mund të rezistonin dot në klimën përvëluese të Egjiptit. Ai u doli përpara trupave të Darit madje nuk përfilli edhe mendimet e të afërmve të tij, se vapa do të gjunjëzonte trupat e tij. Në rrugën e tij të gjatë drejt Egjiptit udhëtuan edhe familja mbretërore perse. Dhe të lodhura nga rruga e gjatë diku ata pushuan, por aty vdiq edhe gruaja e Darit, Statira, dhe Aleksandri u prek thellë nga kjo vdekje. Atij i shpëtuan lotë, kur pa kufomën e mbretëreshës perse dhe agjëroi një ditë të tërë, urdhëroi që të nderohej e vdekura sipas riteve perse.
Ndërkohë një eunuk, që shoqëronte familjen e mbretit pers, vrapoi drejt kampit pers duke i dhënë mbretit, Darit, lajmin e keq të vdekjes së gruas. Mbreti u hidhërua pa masë, dhe nën peshën e një mendimi se Aleksandri mund ta kishte bërë të tijën mbretëreshën perse, i binte kokës me duar. Por fjalët e eunukut të vet e qetësuan – Askush nuk u prek për asnjë çast, askush nuk i ka çnderuar pjesëtarët e familjes tënde,- I tha eunuku dhe fjalët e tij kishin qenë aq bindëse. Dhe vijoi:- Siç e shikoni, Aleksandri aq sa është mizor në luftë, aq është bujar si fitimtar. Më në fund u bind mbreti pers e duke vështruar qiellin tha se nëse perandorisë perse i ka ardhur fundi, në fronin e mbretit pers të hipi vetëm Aleksandri i Maqedonisë. Ndeshja tjetër u bë shpejt dhe sërish persët humbën. Dari nuk donte të ndeshej me maqedonasit. Humbja e gruas dhe sjellja e tyre ndaj familjes së tij kishte fashitur te mbreti pers çdo dëshirë për t’u ndeshur me pushtuesit e ri të Egjiptit të cilët populli i priti si fitimtarë.
Dhe kështu Aleksandri u shpall mbreti i Egjiptit, i ranë në dorë pasuri të mëdha, vepra arti, statuja madhështore. Nënën e Darit, Sysugambis, e nderoi si të ishte nëna e vet, por ethet për pushtime të reja, për pushtet e digjnin ende mbretin e ri të Maqedonisë. Ai i kishte rrëmbyer disa gjymtyrë persëve, por jo kryet e saj. Dhe sulmi drejt Suzës, kryeqytetit pers, nisi që në dhjetor të vitit 313 p.e.r. Lufta përfundoi shpejt. Persët u thyen dhe në pallatin pers tani rrinte mbreti nga Maqedonia.
Në fronin pers, në fronin e mbretit më të madh të botës, tani rrinte një djalosh maqedonas, një mbret tepër i ri për t’u kurorëzuar i tillë. Pasuri të mëdha shtinë në dorë pushtuesit e rinj. Një ditë mbreti takoi një ushtar që kishte ngarkuar një kalë me flori. Kali ishte ngarkuar rëndë dhe mbreti i tha ushtarit se atë flori duhet ta çonte në çadrën e vet, se ishte pasuria e tij.
Ndenji shumë kohë aty, sulmoi akoma në lindje duke kërkuar të prekë detin Kaspik, bëri luftime në Afganistan me fise të egra si skithët, ndërsa më tej edhe me kundërshtarin e tij të fundit Oksiartin, i cili ishte ngulur në një fortesë e cila ishte e pamposhtur. Aleksandri dërgoi trupat e veta dhe dikur e mori këtë kështjellë e mes robërve ishte edhe vajza e kundërshtarit, Roksana të cilën mbreti i ri nuk e preku me dorë edhe pse ajo ishte shumë e bukur. Ai u martua me të, por pa e bërë atë mbretëreshë. Me herët ai ishte martuar me Barcinën, por edhe atë nuk e kishte ngritur në rangun e një mbretëreshe. Dhe erdhi viti 324 kur Aleksandri hodhi vështrimin drejt Indisë.
Pushteti i kishte dhënë mbretit cilësi të tjera të cilat nuk i kishte demonstruar kurrë. Po merrte zakonet e një dhespoti, ndëshkonte ata që gabonin, sillej keq me këdo që e kundërshtonte në urdhrat që ai jepte. Rrëmbehej shpesh në marrjen e vendimeve, në tre vitet e fundit ai ishte bërë më gjakësor, ai shfrynte si i tërbuar edhe pa kurrfarë arsye madhore.
Diku zuri një mbretëreshë robinë të cilën e mori një natë në çadrën e vet dhe pas ca kohe ajo lindi një djalë të cilin ai e quajti Aleksandër.
Luftërat vazhduan shumë kohë dhe dikur ushtarët kërkuan që të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ia paraqitën kërkesën mbretit i cili nuk e miratoi, por kërkoi që t’u ngrerë moralin më tej, se ai kishte aftësi të mëdha për të entuziazmuar njerëzit dhe për t’i bërë për vete. Ai i pa nga afër trupat e tij, i erdhi keq për ta se ishin aq të lodhur sa i rrodhën edhe lotë. Dhe dikur ai u bind.
Vendimi i mbretit për t’u kthyer luftëtarët e mbetur në vatrat e tyre, i ngazëlleu luftëtarët, të cilët e festuan atë çast. Ndërsa përgatiteshin që të ktheheshin ata u ndeshën me kundërshtarët e vet dhe mbreti u ndje një çast aq i pambrojtur, një shigjetë iu ngul në gjoks dhe të gjithë kujtuan se ai vdiq. E mbajtën në një vig, por dikur ai kërkoi kalin dhe i hipi atij sikur të ishte shëndoshë e mirë.
U brohorit veprimi i tij nga ushtarët tashmë të ngazëllyer nga shfaqja e një heroi të vërtetë.
Ai kujtoi atë çast një thënie të Eskilit: ”Heronjve të mëdhenj u takon të bëjnë vepra të mëdha.”
Katër muaj zgjati plagosja e mbretit. Por drejtim i luftës tani do të merrte një tjetër kahje. Ai kërkoi që shumë ushtarë, oficerë të martoheshin me vajza perse më qëllim që të krijonin një lidhje. Ai vetë u martua me një nga vajzat e mbretit pers, Statirën si dhe me një tjetër vajzë të një mbreti tjetër, duke patur kështu katër gra. Shpresonte të kishte një djalë me vajzën e Darit që të trashëgonte fronin e mbretit pers. Kaluan dy vjet dhe ata nuk u kthyen në shtëpitë e veta e kjo kishte sjellë një farë rebelimi te ushtarët. Mbreti ishte ulur këmbëkryq në lindje dhe nuk po shkulej që andej. Dikur atë e zuri edhe paniku nga ndonjë rebelim dhe 10 000 ushtarë, ata më të moshuarit i urdhëroi që të ktheheshin në Maqedoni. Ai i joshte ata me pasuritë e mëdha që kishin fituar nga luftërat, ndaj duhet ta mbështesnin atë edhe nëse ai do të niste ndonjë luftë tjetër. Ai fliste para ushtarëve dhe tregonte plagët e shumta që kishte marrë në luftëra.
Por ditët që pasuan ishin të pakta për jetën e mbretit të madh të Maqedonisë; atë e zunë një palë ethe malarike të cilat e mbajtën disa ditë shtrirë dhe më 13 qershor të vitit 323 ai vdiq.
Ditët pas vdekjes ishin ditë të tmerrshme. Mbretëresha perse, nuk hëngri bukë disa ditë deri sa vdiq nga hidhërimi, Roksana i mbyti femrat e oborrit të mbretit tashmë të vdekur, por edhe atë vetë, djalin e saj Aleksandrin, Herkulin i mbyti më pas Olimpia, nëna e Aleksandrit.
Gjeneralët ndanë perandorinë e Ptolemeu, babai i Kleopatrës së famshme u bë mbreti i Egjiptit. Ai mori edhe kufomën e mbretit dhe e çoi në tokën e Nilit. Kufoma e tij u preh në qytetin e ri Aleksandria deri sa aty erdhën romakët.
Kështu mori fund Aleksandri III i Maqedonisë e bashkë me të edhe perandoria e tij.
Figura e tij gati mitike është vlerësuar gjatë gjithë historisë.
E kanë vlerësuar si gjeni, si një hero, si një qenie gati e mbinatyrshme, si një meteor që ndriçoi atë botë të mbytur nga errësira.
Të tjerët e quajnë një aventurier të cilin e ndihmoi fati si askënd në botë. Gjithsesi ai mbeti një nga udhëheqësit luftëtarë, një nga ushtarakët, një nga strategët më të mëdhenj të të gjitha kohrave, në të gjithë botën./Tirana Observer
15 fakte dhe kuriozitete pse Aleksandri i Madh ishte i madh
1- Është stërvitur në filozofi nga Aristoteli. Sa prej liderëve të historisë pohojnë se kanë pasur tutor një prej filozofëve më të mëdhenj? Prej të gjithë intelektualëve prestigjiozë të Akademisë së Athinës, babai i Aleksandrit zgjodhi Aristotelin 384-322 para Krishtit si instruktorin e djalit 13-vjeçar. Aristotelit, i cili kishte qenë student i Platonit, iu ofrua një shumë e mirë për të lëvizur në qytetin e Miezas, thellë në Maqedoni. Në tempullin e Nimfit ai mësoi gjeografi, zoologji, politikë dhe mjekësi.
2- I vuri emrin kalit Bucefalus. Filipi bleu një kalë me emrin Bucefalus për 13 talenta (1 talent=27 kg ar), por kafsha e inatosur kishte frikë dhe nga hija e vet. Aleksandri vuri bast me të atin se do të hipte mbi kalin e rrezikshëm. Ai e ktheu Bucefalusin drejt diellit, në mënyrë që hija t’i binte prapa dhe u ngjit mbi të. Atëherë babai i tha: “Biri im, duhet të gjesh një mbretëri po aq të madhe sa ambiciet e tua. Maqedonia është e vogël për ty”. Kali i mbeti besnik deri në vdekje, në Pakistanin e tanishëm.
3- E mori fronin e babait pa mëshirë. Babai i Aleksandrit u godit me thikë nga truprojat në vitin 336 para Krishtit, në një banket dasme. Disa mendojnë se Aleksandri fshihej pas vrasjes, madje detyroi Olimpian të vrasë beben e Filipit nga gruaja e fundit. Aleksandri shiti si skllevër 30 mijë banorë.
4- Perfeksionoi stilin ushtarak maqedonas, falangën. I zhvilluar nga Filipi, falanga ishte një formacion i ngushtë ushtarësh, që me taktikën e tyre ishin të pathyeshëm.
5- Kaloi ngushticën Hellespont. Pasi stabilizoi sundimin në Maqedoni dhe Greqi, Aleksandri hodhi vështrimin nga Azia dhe Perandoria Perse, që drejtohej nga Darius III. Me 60 anije, ai kali Hellespont-in, një ngushticë që ndan Evropën me Azinë, që tani quhet Dadanelles, në vitin 334 para Krishtit. Kur zbriti në breg, nguli shpatën në rërë dhe i deklaroi ato toka të tijat. Vizita e parë ishte për turizëm, në Trojë, pasi mbante nën jastëk Iliadën e Homerit.
6- Zgjodhi nyjën Gordione. Sipas legjendës, Phrygian-ët, që jetonin në Turqinë qendrore të sotme, ishin thënë nga orakulli të bënin mbret njeriun e parë që do të shkonte në qytet me një qerre. Siç e donte fati, ky burrë ishte Gordius, një fshatar i varfër. Pas kurorëzimit, Gordiusi ia dedikoi qerren Zeusit dhe e lidhi në një shtyllë jashtë tempullit me lëvore thane që forcohej me kohën. Thuhej që kushdo që zgjidhte nyjën do të pushtonte Azinë. Aleksandrit nuk e la t’i shpëtonte një mundësi e tillë, por në pamundësi ta zgjidhte, e preu me shpatë nga inati. Që prej asaj dite, nyja Gordon është sinonim i një problemi të vështirë që kërkon një zgjidhje origjinale.
7- Thjesht hyjnor, biri i deklaruar i perëndive. Pasi mundi persianët në betejën e Isusit, Aleksandri vendosi të hyjë në Egjipt, që ishte nën sundimin pers prej 200 vitesh. Egjiptianët i urrenin persianët për taksat e rënda dhe jotelarancën fetare. Ata e vajosën me kënaqësi Aleksandrin si faraon, duke nxitur një shkëmbim kulturor mes Greqisë dhe Egjiptit që zgjati 3 qind vjet. Në tempullin e Zeusit në Egjipt, priftërinjtë i thanë se ishte djali i Zeusit, gjë të cilën pavarësisht në e besonte apo jo, e përdori për avantazhin e tij.
8- Themeloi Aleksandrinë. Përveç ngritjes së qyteteve, Aleksandri themeloi 20 të reja, duke i vënë emrin e tij. Më jetëgjata është Aleksandria në bregun e deltës së Nilit.
9- Mposhti persianët. Prej më pak se një viti në Egjipt, Aleksandri vendosi të ndjekë perandorin pers, Darius III. Me një ushtri prej 47 mijë forcash përballë 200 mijë ushtarëve të Dariusit, Aleksandri ndau forcat perse. Dariusi shpëtoi me kalë, por u vra më vonë nga një prej burrave të tij.
10- E zgjeroi perandorinë në Indi. Vizioni i tij në Azi përfundoi në pjesën tjetër të Indisë. Duke dashur të pushtojë kontinentin, ai i bindi ushtarët të marshonin në lindje. Malet i lodhën burrat e tij. Shpejt madhe nga ç’e kish imagjinuar. Atëherë mblodhi ushtrinë e tij dhe u kthye, por nga një tjetër rrugë dhe ky ishte gabimi i Aleksandrit. 15 mijë burra vdiqën nga uria dhe nxehtësia në shkretëtirën Gedrosan, më shumë nga ç’humbi në betejë. Udhëtimi bëri të vetën dhe në shëndetin e Aleksandrit. Në një banket në Babiloni, ai piu shumë dhe u sëmur, me siguri për shkak të malaries. Vdiq disa ditë më vonë në moshën 33-vjeçare.
11 – Në 15 vite pushtim Aleksandri nuk humbi kurrë një betejë. Taktikat dhe strategjitë ushtarake të Aleksandrit të Madh janë ende të studiuara në akademitë e sotme ushtarake. Që nga fitorja e tij në moshën 18-vjeçare, Aleksandri fitoi reputacionin e të udhëhequrit të burrave të tij me një shpejtësi impresive. Pasi siguroi mbretërinë e tij në Greqi, në vitin 334, Aleksandri kaloi në Azi, ku shënoi një seri fitoresh përballë persianëve.
12– I vuri emrin e vet 70 qyteteve – një qyteti i vuri emrin e kalit të tij. Aleksandri i përkujtonte pushtimet e tij duke themeluar dhjetëra qytete të cilat ishin nën emrin e Aleksandrisë. Më i famshmi nga këto, ishte ai buzë Nilit, që sot është qyteti i dytë më i madh i Egjiptit. Gjurmë të qyteteve aleksandriane shohim sot në Turqi, Iran, Afganistan, Taxhikistan e Pakistan. Në Indi ai themeloi qytetin Bucefala, që ia vuri emrin sipas kalit të tij të preferuar, i cili u plagos rëndë në beteja.
13 – Kur Aleksandri takoi Roksanën, ishte dashuri me shikim të parë. Pas pushtimit spektakolar të vendit të quajtur Sogidan në vitin 327 para Krishtit, një fortesë e pathyeshme malore, 28-vjeçari Aleksandri po survejonte robërit e tij, kur i tërhoqi vëmendjen Roksana, një vajzë adoleshente. Më vonë, ai organizoi ceremoninë tradicionale dasmore, dhe pak muaj pas vdekjes së Aleksandrit, Roksansa solli në jetë djalin e tyre Aleksandri IV.
14 – Pasi mposhti persianët, Aleksandri filloi të vishej si ata. Pas 6 vitesh luftë me perandorinë persiane në vitet 330 pas lindjes së Krishtit, Aleksandri arriti të pushtojë Persepolisin, një qendër e kulturës persiane. Pasi kuptoi se mënyra më e mirë për të ruajtur kontrollin ndaj persianëve, ishte të vepronte si ata. Aleksandri filloi të vishte shirita e brez, modë e persianëve, sa që tronditi kulturën maqedonase kur u kthye.
15 – Shkaqet e vdekjes së Aleksandrit mbeten një nga misteret më të mëdha të botës antike. Në vitin 323 , Aleksandri i Madh u sëmur pas një gote me verë që piu gjatë një feste. Du javë më vonë, udhëheqësi 32 vjeçar vdiq. Duke qenë se babai i Aleksandrit u vra nga truproja i vet, dyshimet u ngritën nga ata që e rrethonin Aleksandrin për gjeneralin Antipater dhe djalin e tij Cassander, i cili më vonë vrau gruan dhe djalin e Aleksandrit. Disa biografë kanë spekuluar se Aristoteli, që kishte lidhje me familjen Antipater, mund të jetë përfshirë. Ndërsa në kohët moderne, ekspertët mjekësorë kanë spekulluar se malaria dhe infeksioni në mushkëri mund të kenë bërë që Aleksandri të humbte jetën.