Albspirit

Media/News/Publishing

Vilson Blloshmi, torturat e natës së fundit dhe amaneti

Vrasja e dy poetëve, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve si akti më barbar i diktaturës komuniste në Shqipëri. Në kujtim të këtij akti barbar të diktaturës Instituti i Studimeve të Krimeve dhe pasojave të komunizmit në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të Ish të Përndjekurve Politikë do të organizojnë sot 17 korrik 2012, ora 10⁰⁰, një ceremoni në përkujtim të 35 vjetorit të ekzekutimit të dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Ceremonia do të zhvillohet në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave e Shqipërisë. Në këtë ceremoni është ftuar babai i poetit, Sami Blloshmi, familjarët dhe dëshmitari i asaj nate të tmerrshme, Rustem Dashi. Ai rrëfen për gazetën sesi e pa me sytë e tij tragjedinë, pak orë para pushkatimit të poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Krahu i paralizuar nga torturat, flokët që i binin vazhdimisht dhe lëkura e rrjepur kanë lënë shenja dhimbjeje edhe sot e kësaj dite tek Rustemi, që iu gjend pranë orëve të fundit në qeli. Ajo për të cilën tregon dëshmitari ka qenë një natë e zezë. Të vëllait të Vilsonit, Bedriut, në qelinë fqinje i hodhën në ushqim diçka që e la 24 orë në gjumë trullosës, që të mos shihte e ndjente gjë kur të kalonin Vilsoni dhe Genci para derës së qelisë, ndërsa po i çonin të torturuar e të gjymtuar drejt vdekjes.

Rrëfimi i shokut të qelisë
“Vilsonin e kishte prerë lodhja, qëndronte shtrirë. Kur i mpihej njëri krah Vilsoni më lutej ta ktheja në tjetrin. Bënte shumë vapë dhe trupi i djersitej. Flokët i binin vazhdimisht. Të dy supet i ishin rrjepur ngaqë rrinte vetëm shtrirë. Duart i mpiheshin dhe njërën prej tyre e kishte të paralizuar që nga torturat në qelitë e Tiranës. Gishta e duarve kishin filluar t’i nxiheshin. Kishte plagë tek supet, krahët dhe kofshët. Ishin bërë 35 ditë kur e kishin lidhur duar e këmbë dhe me helmetë në kokë. Porta e hekurit u hap me një zhurmë rrëqethëse. U dëgjuan zëra dhe biruca Nr 1. ku dergje Genci u hap. Pastaj u hap porta e madhe e cila është jashtë. Me sa kuptova aty po ndodhte diçka. Dëgjova vetëm hapat dhe asnjë zë. Mendova se mos kishte ardhur falja dhe Gencin e zgjidhën. U dëgjuan zëra dhe hapa që po afroheshin. Shuli i deerës së birucës ku ishim unë dhe Vilsoni kërciti me një zhurmë po aq rrëqethëse dhe dera u hap. Përsëri mendova se duke ardhur edhe tek ne i kishin falur jetën dhe Vilsonit. Ai rrinte shtrirë dhe i përgjumur me kurriz nga dera. Sapo dera u hap, Vilsoni lëvizi.
-Rustem, -foli ai,- kush është?
Brenda u futën Selimi, hetuesi Lulo Ymeri, shefi i policisë Nazmi Kodra dhe përgjegjësi i birucave.
Shefi i hetuesisë i qeshur i tha Vilit: -Të pata thënë?! Ja fundi erdhi. Korridori ishte plot me policë dhe civilë. E ktheva Vilsonin dhe ia fërkova duart si zakonisht. Pastaj e ngrita dhe e mbështeta pas murit. Kur ata ia zgjidhën litarin nga këmbët, e duart ia lanë ende të lidhura u binda plotësisht se kishin falur. Unë shtanga, rrija pas murit dhe nuk guxoja të lëvizja as qepallat. Atë natë askush nuk fliste, vetëm heshtje. Kishin vendosur ta vrisnin?! Jo, jo. Kjo gjë s’kishte pse të ndodhte. Vilsoni nuk kishte bërë asgjë për ta vrarë. Ai kishte lexuar vetëm libra. E kapën për krahësh dhe e ngritën në këmbë. Kur e ngritën te dera i hodha xhaketën krahëve. Ai më pa në sy dhe pa iu dridhur qerpikët më tha:
-Rustem! Ma bën hamall shërbimin që më ke bërë gjithë këto ditë. Të lutem ma bëjë hallall.
Un ngriva në vend, po e merrnin me duar lidhur prapa dhe me helmetën në kokë. Buza më dridhej dhe nuk arrita t’i them asnjë fjalë. Lotët filluan të më rridhnin faqeve.
-Rustem, po të lë një amanet vazhdoi Vilsoni. -Kur të dalësh nga burgu të shkosh në familjen time dhe t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova sepse nuk kamë bër asgjë. Ne ishim bashkë në gjyq. Këto që po të them janë të vërteta, ti e di. Diana me gocën të shohin punën e tyre. Ky qe fati im. Me fatin nuk luftohet. Këto do t’ua thotë edhe Bedriu kur të lirohet por atë e kanë dënuar shumë. Edhe njëherë ma bëj hallal Rustem? La,tumirë. Lamtumi…
-Hajde tani bërtitën policët që e mbanin për krahësh.
Këto janë momente më të dhimbshme që shoku i qelisë Rustem Dashi i përjeton edhe sot e kësaj dite me drithërimë. Ndërsa tregon se atë natë, vëllait të Vilsonit, që ishte në qelinë përbri i kishin hedhur doza të mëdha me ilacc gjumi, që të mos merrte vesh daljen e Vilsonit dhe Gencit jashtë qelisë dhe jashtë portës burgut, ku këto dyer lëshonin kërcëllima shumë të rënda. Duket se të burgosurit e kishin mësuar gjuhën e kërcëllitjeve dhe çfarë kobi sillnin ato. Ndërsa Rustem Dashi kujton ato çaste makthi në qeli, Bedri Blloshmi e kujton kështu ngjarjen një natë më pas “Atë natë policët më dhanë ushqim me forcë. “Rashë në gjumë i vdekur. (ata diçka më hodhën në ushqim). Kur u ngrita në mëngjes për të shkuar në banjë, hodha sytë nga birucat e Gencit dhe të Vilsonit, por polici nuk ishte. Më ra të fikët. Të nesërmen në drekë mund të dilja pak nga kllapia, Gencin dhe Vilsonin e kishin vrarë atë natë të nxehtë korriku…”.
Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u pushkatuan mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977. Trupat e të rinjve u flakën në të njëjtën gropë të fshehtë në një zonë të shkretë e të thellë pranë një përroi në fshatin Bërzheshtë të Skraparit. Pas demokracisë, një bari që kishte parë ngjarjen guxoi të thoshte ku i varrosën poetët. Ata sot kanë një memorial, që është edhe një nga veprat më të bukura artistike në hyrje të qytetit të Librazhdit. Memoriali është punuar nga skulptori Sadik Spahia. /Dh.Hamzai/

Please follow and like us: