Dualizmi (A)Politik
Politika mbart në thelbin e saj qëllimin e prosperitetit, të të mirës së përgjithshme. Është kaq komplekse, por realisht kaq pozitiviste si predispozitë. Politik është të shërbesh dhe njëkohësisht sfidë me veten dhe me unin tënd për të mos rënë pre e joshjes vulgare të pushtetit.
Por çfarë është pushteti? Pushteti është si një këmishë e zjarrtë, po e veshe me moral, dinjitet dhe drejtësi ajo të lartëson, ama në të kundërt nëse humb vet-kontrollin ajo të errëson logjikën e moralin, e kësisoj të djeg e të bën shkrumb e hi.
Politika është shkencë shoqërore që thuhet se ka lindur në antikitet nga treshja Sokrat, Platon e kryesisht Aristotel. Ata konceptuan dhe na trashëguan parime e filozofi politike e sociale të cilat edhe sot pas 2000 vjetësh po të zbatohen sikurse ata predikojnë, janë gur themeli për dekomakracinë reale në funksion të një shoqërie të shëndosh me anë të një qeverisjeje të mirë për të gjithë anëtarët e një shtetit apo polisi. Politika ka lindur nga mëndje të ndritura me parime gati gati hyjnore dhe përdhoset përgjatë rrugës nga mëndje mediokre. Kufiri i politikës dhe i antipolitikës është një fije e hollë, nis nga unë nga ti nga secili prej nesh. Nga zgjedhja se çfare do të jesh, njeri apo antinjeri.
Nuk ka politikë të mirë apo të keqe. Janë vet njerëzit ata që i japin peshë të mirës apo të keqes sipas prirjeve të tyre. Jean Paul Sartre shprehet se “ferri janë njerëzit e tjerë”. Unë do shtoja këtu se parajsa apo ferri janë njerëzit, që e ndërtojnë në veprimtarinë, komunikimin ndërnjerëzor, nëpërmjet shpirtit dhe ndjenjave të tyre, në varësi të kahut pozitiv apo negativ që mbartin dhe zgjedhin të ushqejnë. Duke e nxjerrë nga binarët udhrrëfimin e vërtetë të politikës, në emër të saj një grup njerëzish e përdorin për interesa të ulëta indivduale, meskine e dritëshkurtra, shndërrojnë kështu shoqërinë në një ferrë të vërtetë. Makiavelistët e djeshëm, të sotëm apo qoftë edhe të nesërm fatkeqësisht, sepse siç ka pasur ka dhe do të ketë, që për hir të çdo qëllimi justifikojnë mjetet. Jo, kjo nuk është politika.
Giovanni Sartori në librin “Edhe një herë për teorinë e demokracisë”, thotë: “Mëndja racionale interesohet për shtetin dhe jo për qeverinë, dhe aq më pak për qeveritë, sepse këto të fundit janë të paqëndrueshme, ndërsa shteti është një strukturë e qëndrueshme”. Shqipëria jonë vazhdimisht dhe sistematikisht është një zemër e thyer, e thyer nga apolitika. Ajo ka nevojë për politikën reale, besnike ndaj shtetit, si qeverisje të mirë me anë të kompromisit dhe konsesusit në kërkim të zgjidhjeve më oportune të mundshme për çdo anëtarë të shtetit, me një politikë si pushtet për shpërndarjen e të mirave materiale dhe jo grumbullimin e tyre në dy grusht duar.
Këtu lipset nevoja e njohjes së politikës publike ku fare mirë mund ta kërkojmë tek Aristoteli me veprën e tij Politika. Nuk ka përse të shpikim, edhe pse s’do ishte keq, e kemi gati. Lipset kurajo, vullnet e ndërgjegjie, ta lexojmë, kuptojmë e dëshirojmë vënijen në zbatim.
Ashtu sikurse na këshillon Rousseau, “vetëm nëpërmjet pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë e të vazhdueshme të të gjithë qytetarëve në jetën politike mund të drejtohet shteti nga e mira e përgjithshme”. Apatia ndaj qeverisjes, shtetit, shoqërisë, nuk sjell asgjë të shëndetshme. Për rrjedhojë mbjell krim, varfëri, tradhëti, ambicie pa fre deri në kufijtë e jonjerëzores, kaos, anarki.
E në fund, të gjithë luftën e kemi me veten, me ndërgjegjien. Më e madhja e të gjitha luftrave!
Autor: MSC. Minushe LAZAJ