Keti Bazhdari:Vetting!
Kjo çështje, prej më se një viti, është kthyer në lokomotivën e opinionit tonë publik duke tërhequr pas vete një duzinë vagonësh të tejmbushur me argumentë. Është folur aq shumë rreth kësaj teme, saqë gjithë ajo perdja e mistershme, që rrethonte në fillim reformën në drejtësi, tashmë ka rënë dhe është zëvendësuar me qartësinë e qytetarëve të gatshëm t’i drejtohen kutive të votimit që nesër, për të shprehur me votë mbështetjen e tyre për reformën. Por ndërsa Vetting-u (kontrolli i figurës së gjykatësve e prokurorëve nga komisione që kanë në përbërjen e tyre edhe shtetas të huaj) është motivi kryesor që do çonte në këmbë një popull për ta shkundur votën fort pro reformës, për udhëheqjen e Partisë Demokratike është arsyeja kryesore e mohimit të saj dhe e dërgimit të ligjit të Vetting-ut për ta gjykuar për antikushtetueshmëri.
Dhe të dashur lexues, ky nuk është një rast si shumë të tjerë. Ky është vetë filli i lëmshit të historisë shqiptare. Udhëheqja e kësaj partie apo partie-shtet në momente të caktuara, e njeh mirë këtë lëmsh. E ka dredhur vetë pjesën më të madhe të tij për më shumë se çerek shekulli dhe e di çfarë mbajnë të nënshtruar në thellësinë e tij ato fije të ngatërruara. Ëndrrën e zhubravitur të një populli për të bërë shtet, me ndihmën dhe kujdesin e atyre që janë në gjendje t’i tregojnë një rrugë të shkelur. Ngjan pohim populist, emocional, por është i vërtetë, ndaj duhet pranuar e thënë troç. Jeta vetë është e përbërë nga emocione, që i japin cdo ditë e më shumë, formë qënies tonë. Nëse ajo të vë përballë më shumë sfidave me pasoja negative se pozitive, ose do ia mbathësh ose do mbijetosh duke marrë formën e tyre. Kjo ka ndodhur me shqiptarët. Sa mijëra bashkëqytetarë, potencialisht aktivë për punë, dergjen sot burgjeve ose janë kontigjent për burg? Po sa mijëra të tjerë dergjen varreve? Nëse këta njerëz do ishin lindur apo rritur në një vend me shtet të mirë strukturuar, është e sigurtë që s’do kishin patur kurrë një prevalencë të tillë të kriminalitetit dhe as atë fund. Xhungla të bën të egër. Dhe Shqipëria i ngjan një xhungle. Shprehja bjeri i forti të ligut (të sëmurit, të varfrit, të lodhurit, njeriut pa mbështetje, me pak fjalë qytetarit shqiptar) është pohim i xhunglës shqiptare, por me një ndryshim nga xhungla e vërtetë; këtu parimi vlen vetëm për të papushtetshmit, praktikisht 99,99% të popullsisë. Ndërsa pjesa tjetër, 0.01%-shi gëzon privilegjet që duhet të gëzonte çdo qytetar në një shoqëri demokratike dhe i tejkalon, aq sa ky tejkalim i ka bërë këta njerëz kaq të paprekshëm, sa e kanë të pamundur ta shikojnë më vehten si të barabartë para ligjit me tjerët. Duke monopolizuar çdo mekanizëm dhe mundësi që ofron e drejta, këta njerëz janë dëndur në të mira e favore sa tashmë e mendojnë si një status që u përket. Pjesën tjetër, 99.99%-shin e popullatës e kanë parë gjithnjë si një masë vulnerabël që nuk disponon instrumente për t’i kanosur rehatinë këtyre. Edhe njëherë që e provuan, përfunduan të vrarë mbi sheshprotestë.
Marrëdhënjen me diplomacitë e shteteve të tjera të zhvilluara e kanë trajtuar me hipokrizi e servilizëm, duke u mjaftuar me shkëmbimin e ca buzëqeshjeve e fotove që përmbyllin kortezinë. Dhe kaq shkurt u ka dalur hesapi.
Këta janë pra demokomunistët (shumë e gjetur Anri!), që se kanë imagjinuar kurrë se mund tu vijë, ndonjëherë, “dita e gjyqit” dhe jo vetëm vetë, por ua kanë bërë komplet të paimagjinueshme edhe gjithë shqiptarëve, duke u dhënë si shembull të vetëm suksesi, formulën “grabit ç’të dali para se drejtësi zor se do ketë ndonjëherë”. Çfarë ishte e paimagjinueshme për gjithë Europën, Amerikën, Australinë dhe një pjesë të Azisë e Afrikës, ishte e imagjinueshme për shqiptarët dhe e anasjellta çfarë ishte e mundur për cdo shtet demokratik të botës, ishte ëndërr për shqiptarët.
Tani me Vetting-un, çfarë nuk është më ëndërr për shqiptarët është kthyer në makth për demokomunistët. I keni vënë re që kanë filluar t’i mbulojnë sarajet me thes, dhe tu qëndrojnë disa km larg me shpresën se nuk do njehen se të kujt janë?! I keni parë sa të ndjeshëm janë bërë ndaj çështjeve madhore që shqetësojnë qytetarin si sovraniteti, kushtetuta, etj?! Kanë filluar të hiqen si shoqatë e të drejtave të njeriut, që kërkon strukje në kushtetutën, që se respektuan kurrë. Parimi bazë i kushtetutës së një shteti është ndarja e pushteteve, këta ujqërit e Tiranës zyrtare i kishin mbajtur të gjitha për vehte, për t’i këmbyer në momente skandaloze edhe me jetë njerëzish. Tani kërkojnë shpëtim pikërisht aty ku s’i lanë askujt. Ta harroni! Harrojeni kushtetutën si paçavure, që do donit ju! Harrojini edhe 9 spartanët! Askush nuk është aq idiot sa të bëjë harakiri për ju! Harroni edhe kleringun! Askush nuk ka ndërmend më të këmbejë gjë me ju! Ka ardhur dita që ju të ktheni ç’keni marrë! Asgjë nuk ju shpëton më, përveç një mea culpa dhe ndarjes përfundimtare me të kaluarën e errët të trazicionit shqiptar. Ngjarjet kanë marrë një rrugëtim të pandalshëm në drejtimin e duhur. Lum ata që janë ende në kohë për ta kuptuar!