Albspirit

Media/News/Publishing

Dasma e Princit i shërbeu vendit, kujdes kush e kritikon

Nga Mentor Nazarko

Nuk e kam ndjekur intensivisht median vendore për mbulimin e dasmës së trashëgimtarit të fronit mbretëror shqiptar, Leka, me aktoren Elia Zaharia. Ndoshta pse jehona e këtij mbulimi shqiptar mbërriti e dobët në veshët e mi, përkundër interesimit ndërkombëtar mediatik. Tre gazetarë të mëdhenj francezë, përfshi Federic Miteranin, ish­ministër i Kulturës dhe autor i një filmi për Mbretëreshën Geraldinë ishin aty, pa llogaritur mediat angleze apo të vendeve të tjera.

Të gjithë mediat kryesore të botës dhanë lajmin. Përkundër seriozes, shumë serioze, me dasmën në fjalë filloi të merrej “Fiksi” i satirës serioze, me shumë të drejtë: viktimat e “Fiksit” me këtë rast ishin vërtet tërheqëse dhe të kualifikuara. Ato nuk ishin kongresmenë demokratë dhe socialistë, kryebashkiakë apo politikanë maniakë, por ishin të ftuar të dasmës së një trashëgimtari froni. Nuk e di nëse mes viktimash ishte dikush i ndonjë familjeje mbretërore, apo ndonjë trashëgimtar pa kurorë. Kjo ka pak rëndësi. Në lidhje me këtë ceremoni ka rëndësi diçka tjetër.

Në dasmën e famshme u bënë bashkë një numër i madh sovranësh në pushtet, apo të larguar nga pushteti, duke filluar nga Mbretëresha e Spanjës Sofia dhe Princesha e Marokut, Mbretëri Kushtetuese, Lala Mejrem. Gjithë harta e Europës së sovranëve, por dhe nga Egjipti, Irani, Gjeorgjia etj. ishin të pranishëm. Kjo prani kishte dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme jashtë botës së aristokracisë së oborreve dhe solidaritetit mondan të tyre, dhe ja përse. Në dasmën në fjalë ishin të pranishëm oborre mbretërore në funksion apo të defronizuar, të cilët kanë pasur lidhje historike të privilegjuara me gjyshin e Lekës, Mbretin Ahmet Zogu.

Prania e tyre masive dhe cilësore, madje shumë më cilësore sesa në dasmën e gjyshit të tij Ahmet Zogu, ishte konfirmimi më i mirë i legjitimitetit të Mbretërisë shqiptare. Ky konfirmim vjen nga jashtë vendit dhe rinovohet duke u përsëritur për afro 85 vjet. Mbretëresha e Spanjës nuk erdhi dhe mori pjesë në një dasmë të trashëgimtarit të dikujt që nuk është njohur botërisht si Mbret. Me rëndësinë e saj aktuale (simbolike, por të fortë) në krye të shtetit spanjoll, ajo e meritonte shoqërimin apo përfshirjen e forcave të sigurisë, gardës apo njësive të tjera policore. Veç saj, në njëfarë mënyre, trashëgimtarët e familjeve mbretërore vinin prej atyre shteteve ku Ahmet Zogu në mërgim ka pasur pika kontakti intensive apo zhvendosjeje pas ikjes nga vendi në 1939-­n.

A e pranojnë sot pas 90 vjetësh, segmente të caktuara politike, apo mediatike shqiptare se Mbretëria ishte e ligjshme apo jo, kjo nuk ka rëndësi jashtë kufijve tanë. Ama të rinjtë do duhet të mësojnë një histori tjetër, të ndryshme nga ajo çfarë ka mësuar historiografia komuniste, ende në pozita dominante në debatin publik. Ndaj, përveç diskutimeve profesionale të historianëve, as dhe nuk ka kuptim të diskutohet sot mediatikisht një fakt i pranuar botërisht. Sa për historianët seriozë, mes të ftuarve në dasmë ishte Bernd Fisher, njëri nga anëtarët e munguar të Komisionit për rishikimin e teksteve të historisë dhe njohës i shkëlqyer i Shqipërisë dhe Ballkanit. Kritik i fortë i Mbretërisë, megjithatë Bernd Fisher flet për afro 400 italianë të vrarë në ditët e para të pushtimit në 1939-­n.

Dhe 400 vetë nuk u vranë as prej Mujo Ulqinakut dhe as prej 7 shokëve të tij komunistë. Ushtria e dobët shqiptare me në krye Abaz Kupin, hero dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm partizan, arriti të bëjë një rezistencë dinjitoze. Ish­ ambasadori amerikan i kohës, Bernshtajn, kujton prej raporteve të misionarëve anglezë që jetonin në Durrës, një episod që të ngjeth mishin edhe sot: një ushtarak ortodoks i Mbretërisë u qëlloi ushtarëve italianë nga pozicioni i caktuar. Kur italianët hynë në qytet, rezistoi nga dritaret e shtëpisë së tij dhe kur ata po afroheshin, i vuri flakën vetes. Nuk është vetëm rikonfirmimi i ligjshmërisë në mënyrë konstante, vijuese dhe pa mohim, fakti i vetëm që erdhi prej pranisë kaq masive dhe cilësore të të ftuarve.

Bota e familjeve mbretërore, në fron ose jo, ka ligjet dhe rregullat e veta në të cilat nuk ndikohet nga llogjet tona të brendshme. Ne nuk humbim asgjë nga prania në këtë botë, e trashëgimtarit të këtij froni në Shqipëri. Përkundrazi, sepse falë tij kemi fituar një operacion imazhi të shkëlqyer. Qindra të ftuar perëndimorë, por jo vetëm, me dijeni ose jo për historinë e Mbretërisë shqiptare, u bënë pjesëmarrës në një ceremoni që u shndërrua në një vitrinë të shkëlqyer të mikpritjes shqiptare, kuzhinës sonë e, pse jo, edhe të modës sonë të përfaqësuar nga një stiliste kosovare.

Të gjithë pjesëmarrësit ishin të mrekulluar nga ceremonia, e cila u raportua gjerësisht dhe cilësisht në mediat dhe portalet e specializuara. Kjo vitrinë ishte kontributi modern i ceremonisë, ku për fat të keq, shumica qeverisëse u përfaqësua vetëm nga kryetari i Bashkisë, i cili celebroi martesën civile të çiftit. Thjeshtësi, stil, sofistikim në momente të caktuara, dasma ofroi ushqim të mirë historik dhe thashethemesh për lexuesit e thjeshtë të portaleve që klikojnë me ëndje ngjarje si kjo.

Në këtë kuptim, ne duhet t’u themi faleminderit organizatorëve, dhe më së pari, të zotëve të punës­çiftit në fjalë. Leka Zogu, si trashëgimtar legjitim i Mbretërisë ose jo i tillë, me pretendime reale apo irreale për fron, nuk ka shërbyer kurrë personalisht për ndarjen e opinionit publik dhe as në sherre palësh politike. Edhe kur u martua, ai i shërbeu imazhit të vendit, imazh i zhbërë nga rrëfime kronikash të helmuara partiakisht. Ndaj, protagonistët e debateve të sotme duhet të frenohen pak në sulmet ndaj tij.

Pjesa tjetër e kritikëve vërtet do duhet të mësohen të mendojnë në mënyrë kritike: me cilat fakte historike ne do duhet të kontestojmë legjitimitetin e Mbretërisë, apo si pasojë dhe përfshirjen shtetërore në dasmë? Mbi bazë faktesh të servirura nga Enver Hoxha, pasuesi de jure i Mbretit Zog dhe historiografia e kontrolluar prej tij? A nuk kuptohet se shteti ka vazhdimësi dhe shtetit shqiptar i duhet të konfirmojë ekzistencën e vet vijuese, me kufijtë dhe institucionet e veta prej Pavarësisë deri në ditët tona ku Mbretëria ka lënë gjurmë të forta? A nuk vjen prej asaj kohe, kohës së Mbretërisë, forma më e rëndësishme, gjurma më e rëndësishme urbane e qyteteve tona, e institucioneve tona?/panorama

Please follow and like us: