Albspirit

Media/News/Publishing

Mao: “Ndërrimi i kapeleve” dhe gatishmëria për të takuar Zotin

Mao: “Ndërrimi i kapeleve” dhe gatishmëria për të takuar Zotin

Edgar Snow

Jo luftë me SHBA

Maoja tha: “Natyrisht mua personalisht më vjen keq që forca të historisë kanë përçarë dhe ndarë popujt amerikan dhe kinez nga pothuajse të gjithë komunikimet gjatë 15 viteve të fundit. Sot hendeku duket më i gjerë se kurrë. Sidoqoftë, unë vetë nuk besoj se do të përfundojë në luftë dhe në një prej tragjedive më të mëdha të historisë.”

Maoja tha gjithashtu se forca të historisë do të detyrojnë gjithashtu, përfundimisht, t’i sjellin dy popujt së bashku përsëri; ajo ditë me siguri do të vijë. Me gjasë kisha të drejtë se ndërkohë nuk do të ketë luftë. Kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse trupat amerikane do të vinin në Kinë. Ata nuk do të përftonin shumë prej kësaj. Kjo thjesht nuk do të lejohej. Me gjasë udhëheqësit amerikanë e dinin këtë dhe për pasojë ata nuk do ta pushtonin Kinën. Atëherë nuk do të ketë luftë, sepse kinezët me siguri kurrë nuk do të dërgonin trupa për të sulmuar Shtetet e Bashkuara.

“Po për mundësitë që lufta të përhapet tej Vietnamit? Unë kam lexuar shumë shkrime gazetash që tregojnë se Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar zgjerimin e luftës në Vietnamin e Veriut.”

Jo, tha Maoja. Ai mendonte ndryshe. Z. Rask e kishte bërë tashmë të qartë se SHBA-ja nuk do ta bënte këtë. Z. Rask mund të ketë thënë më parë diçka të tillë, por tani ai e kishte korrigjuar veten e tij dhe ka thënë se ai kurrë nuk e kishte bërë një deklaratë të tillë. Prandaj, nuk ka nevojë të ketë ndonjë luftë në Vietnamin Verior.

“Unë nuk e besoj se politikëbërësit dhe administratorët e Shteteve të Bashkuara t’ju kuptojnë ju,” i thashë.

Pse jo? Ushtritë e Kinës nuk do të shkojnë përtej kufijve të saj për të luftuar. Kjo ishte mjaft e qartë. Vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do të sulmonin Kinën, kinezët do të luftonin. A nuk është e qartë kjo? Kinezët janë shumë të zënë me punët e tyre të brendshme. Luftimi përtej kufijve ndaj dikujt do të ishte kriminal. Pse do të duhet ta bënin këtë kinezët? Vietnamezët mund ta përballonin vetë situatën e tyre.

“Zyrtarët amerikanë vazhdimisht thonë se, nëse forcat e Shteteve të Bashkuara do të tërhiqeshin nga Vietnami, atëherë e gjithë Azia Juglindore do të sulmohej.”

Çështja është, tha Maoja, “sulmuar” nga kush? Sulmuar nga kinezët apo nga banorët vendas? Kina është e “sulmuar,” por vetëm nga kinezët.

 

Jo trupa jashtë Kinës

Në përgjigje të një pyetjeje të veçantë, kryetari pohoi se nuk kishte forca kineze në Vietnamin Verior apo gjetiu tjetër në Azinë Juglindore. Kina nuk ka trupa jashtë kufijve të saj.

(Në një tjetër kontekst, është thënë se përveçse nëse trupat indiane kalojnë sërish kufijtë e Kinës, nuk do të ketë konflikt aty.)

“Din Rask (Dean Rusk, 1909 – 1994, ka qenë Sekretar Shteti i SHBA nga viti 1961 deri më 1969 me presidentët Xhon Kenedi dhe Lindon Xhonson. Shënim i përkthyesit) shpesh ka deklaruar se nëse Kina do të hiqte dorë nga politika e saj agresive, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga Vietnami. Çfarë do të thotë ai me këtë?”

Maoja u përgjigj se Kina nuk ka politika agresive që t’i braktisë. Kina nuk ka kryer asnjë akt agresioni. Kina u ka dhënë mbështetje lëvizjeve revolucionare, por jo me dërgim trupash. Sigurisht, sa herë të ketë pasur një luftë çlirimtare Kina do të publikonte deklarata dhe do bënte thirrje për demonstrata për ta mbështetur atë. Kjo është pikërisht ajo që i trazonte imperialistët.

Maoja vazhdoi të thoshte se, në disa raste, Kina qëllimisht bën një zhurmë me zë të fortë, si për shembull rreth Quemoy-i dhe Matsu-së. (Bëhet fjalë për konfliktin e vitit 1958 midis Republikës Popullore të Kinës dhe Taivanit, e quajtur ndryshe si Kriza e Ngushticës së Taivanit, ku ndodhen ishujt Quemoy dhe Matsu. Forcat ushtarake amerikane në këtë konflikt mbështetën forcat ushtarake të Taivanit. Shënim i përkthyesit). Një stuhi të shtënash mund të tërheqë shumë vëmendje, ndoshta për shkak se amerikanët ishin në siklet aq larg nga vendi i tyre. Përfytyroni se çfarë është e mundur të arrihet po të qëllohej me disa predha eksperimentale brenda atyre ujërave territoriale kineze. Jo shumë kohë më parë Flota e 7-të e Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Tajvanit u konsiderua e pamjaftueshme për t’iu përgjigjur këtyre goditjeve. SHBA-ja dërgoi gjithashtu një pjesë të flotës së saj të 6-të në këtë drejtim dhe solli edhe një pjesë të marinës nga San Francisko. Kur mbërritën këtu, ata panë se nuk kishin gjë për të bërë, kështu dukej se Kina mund të urdhëronte forcat amerikane të marshonin këtu e atje. Kishte ngjarë e njëjta gjë edhe me ushtrinë Çan Kai-Shi-së. Ata kishin qenë në gjendje ta detyronin Çan-in të nxitonte në këtë mënyrë dhe pastaj të ngutej të ikte në një drejtim tjetër. Sigurisht që kur marinsat janë të ngrohtë dhe i kanë barqet plot, u duhet dhënë diçka për të bërë. Por si ka mundësi që të shtënat boshe të armëve brenda vendit të mund të quhet agresion, ndërsa ata që në fakt ndërhynë me armë dhe bombarduan dhe dogjën njerëz tokave të huaja nuk ishin agresorë?

Ai vazhdoi: Disa amerikanë kanë thënë se revolucioni kinez u udhëhoq nga agresorë rusë, por në të vërtetë revolucioni kinez u armatos nga amerikanë. Në të njëjtën mënyrë revolucioni vietnamez gjithashtu po armatosej nga amerikanë, jo nga Kina. Forcat çlirimtare kanë përmirësuar në masë të madhe jo vetëm furnizimet e tyre me armë amerikane gjatë muajve të fundit, por edhe kanë zgjeruar forcat e tyre duke rekrutuar trupa dhe oficerë të trajnuar nga amerikanë prej ushtrive kukull të Vietnamit të Jugut. Forcat çlirimtare të Kinës ishin rritur në numër dhe fuqi duke rekrutuar në anën e tyre trupat e trajnuara dhe të armatosura nga amerikanët për Çan Kai-Shinë. Lëvizja u quajt “ndërrimi i kapeleve.” Kur ushtarët nacionalistë ndërruan kapelet në numra të mëdhenj, sepse ata e dinin që fshatarët do t’i vrisnin po të kishin veshur kapelen e gabuar, atëherë fundi ishte afër. “Ndërrimi i kapeles” po bëhej më popullor tashmë midis kukullave vietnameze.

Maoja  tha se kushtet e fitores revolucionare në Kinë kishin qenë, së pari, se grupi sundues ishte i dobët dhe jokompetent, i udhëhequr nga një njeri që ishte gjithmonë duke humbur beteja. Së dyti, Ushtria Çlirimtare e Popullit ishte e fortë dhe e aftë dhe njerëzit besonin në kauzën e saj. Në vende ku kushte të tilla nuk mbizotërojnë, amerikanët mund të ndërhynin. Përndryshe, ata do të qëndronin larg, ose shumë shpejt largohen.

“Mos doni të thoni se rrethanat e fitores për çlirim tani ekzistojnë në Vietnamin e Jugut?”

Maoja mendonte se forcat amerikane ende nuk ishin gati për t’u larguar. Luftimet do të vazhdojnë ndoshta edhe për një deri në dy vjet. Mandej trupat Shteteve të Bashkuara do të mërziten dhe mund të shkojnë në shtëpi apo diku tjetër.

“A është politika juaj tani për të këmbëngulur në tërheqjen e forcave amerikane para pjesëmarrjes në një konferencë të Gjenevës për të diskutuar pozicionin ndërkombëtar të një Vietnami të bashkuar?”

Kryetari tha se disa mundësi duhet të përmenden. Së pari, një konferencë mund të mbahet dhe tërheqja e Shteteve të Bashkuara do të pasonte. Së dyti, konferenca mund të shtyhet deri pas tërheqjes. Së treti, një konferencë mund të mbahet, por trupat e Shteteve të Bashkuara mund të qëndrojnë rreth Saigonit, si në rastin e Koresë së Jugut. Së fundi, fronti Vietnamezo-jugor mund t’i dëbojë amerikanët pa ndonjë konferencë apo marrëveshje ndërkombëtare. Konferenca e  Gjenevës e viti 1954 kishte dhënë garanci për tërheqjen e trupave franceze nga gjithë Indokina dhe ndaloi çdo ndërhyrje nga çfarëdo trupash të tjera të huaja. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara e shkelën konventën dhe kjo mund të ndodhë përsëri.

“Në rrethanat ekzistuese,” e pyeta: “a shihni realisht ndonjë shpresë për një përmirësim në marrëdhëniet kino-amerikane?”

 

Gati për të takuar Zotin…

Po, ai mendonte se kishte shpresë. Ajo do të marrë kohë. Ndoshta nuk do të ketë përmirësim në brezin e tij. Ai së shpejti do të shkonte të takonte Zotin. Sipas ligjeve dialektike, të gjitha kontradiktat në fund duhet të zgjidhen, përfshi edhe luftën e individit.

Duke gjykuar nga kjo mbrëmje ngjani të jeni në gjendje të mirë,” i thashë.

Mao Ce Duni buzëqeshi hidhur dhe u përgjigj se ndoshta kishte ndonjë dyshim për këtë. Ai tha përsëri se ishte duke u përgatitur për të parë Perëndinë shumë shpejt.

“Doja të dija nëse ju me këtë thoni se ju do të shihni nëse ka një Perëndi. A besoni në të?”

Jo, ai nuk besonte. Por disa njerëz që pretendojnë të jenë të mirinformuar thonë se ka një Perëndi. Ngjante se kishte shumë perëndi dhe ndonjëherë e njëjta perëndi mund të marrë të gjitha anët. Në luftërat e Evropës Perëndia e krishterë ka pas qenë në anën e britanikëve, francezëve, gjermanëve dhe kështu me radhë, edhe kur ata ishin duke luftuar njëri-tjetrin. Në kohën e krizës së Kanalit të Suezit Perëndia u bashkua me britanikët dhe francezët, por atëherë ishte dhe Allahu që mbështeste anën tjetër.

Gjatë darkës Maoja përmendi se të dy vëllezërit e tij ishin vrarë. Gruaja e tij e parë gjithashtu ishte ekzekutuar gjatë revolucionit dhe djali i tyre ishte vrarë gjatë Luftës së Koresë. Tashmë ai tha se ishte e çuditshme se si vdekja deri më tani i kishte kaluar atij shumë pranë. Ai kishte qenë i përgatitur për këtë shumë herë, por vdekja thjesht nuk dukej se e donte atë. Çfarë mund të bënte ai? Në disa raste ishte dukur se ai do të vdiste. Truproja e tij personale ishte vrarë ndërsa qëndronte në këmbë fare pranë tij. Njëherë ai ishte spërkatur i gjithi me gjakun e një ushtari tjetër, por bomba nuk e kishte prekur atë. Ka pasur edhe momente tjera shpëtimi për fije.

Pas një momenti heshtjeje, Maoja tha se, sikurse e dija unë, e kishte filluar jetën si mësues në një shkollë fillore. Atëherë ai nuk kishte pasur ndonjë mendim për të marrë pjesë në luftë. Nuk kishte menduar as për t’u bërë komunist. Ai ishte pak a shumë një personazh demokratik siç isha unë. Më vonë, ai ndonjëherë çuditej nga kombinimi i shanseve dhe arsyet që ai u bë i interesuar për të themeluar Partinë Komuniste Kineze. Gjithsesi, ngjarjet nuk lëvizin në përputhje me vullnetin individual të njeriut. Çfarë kishte rëndësi ishte që Kina ishte shtypur nga imperializmi, feudalizmi dhe kapitalizmi burokratik.

“Njeriu e bën vetë historinë e tij, por ai e bën atë në përputhje me mjedisin e tij,” i thashë unë. “Ju keni ndryshuar rrënjësisht mjedisin në Kinë. Shumë njerëz habiten se çfarë do të bëjë brezi i ri i rritur në kushte më të lehta. Çfarë mendoni ju në lidhje me të.”

Ai tha nuk mund të dinte këtë. Ai dyshon se ndokush mund të jetë i sigurt. Kishte dy mundësi. Mund të ketë zhvillimin të vazhduar të revolucionit drejt komunizmit. Mundësia tjetër ishte që të rinjtë mund të mohonin revolucionin dhe të jepnin një performancë të dobët: të bëjnë paqe me imperializmin, të sjellin mbetjet e klikës së Çan Kai Shi-së përsëri në kontinent, dhe të dalin në krah të një përqindjeje të vogël të kundër-revolucionarëve që janë ende në vend. Sigurisht që ai nuk shpresonte te kundërrevolucioni. Por ngjarjet e ardhshme do të vendosen nga gjeneratat e ardhshme, dhe në përputhje me kushtet që ne nuk mund t’i parashohim. Nga pikëpamja afatgjate, brezat e ardhshëm duhet të jenë më të ditur se ne, ashtu si njerëzit e epokës borgjeze-demokratike ishin më të ditur se ato të periudhave feudale. Gjykimi i tyre do të mbizotërojë, jo ky i yni. Rinia e sotme dhe ajo e ardhshmja do të vlerësojë punën e revolucionit në përputhje me vlerat e tyre, zëri i Maos do të ketë rënë mënjanë, dhe ai mbylli përgjysmë sytë e tij. Gjendja e njeriut në këtë tokë po ndryshonte me shpejtësi gjithnjë e në rritje. Nja një mijë vjet më pas të gjithë ata, tha ai, madje edhe Marksi, Engelsi dhe Lenini, ndoshta do të duken goxha qesharakë.

***

Mao Ce Duni eci bashkë me mua deri te dera e jashtme, pavarësisht protestave të mia, më shoqëroi me sy deri sa hipa në makinën time. Ai qëndroi për një moment, pa pallto në natën e Pekinit me temperatura nën zero gradë, për të më tundur dorën në shenjë lamtumire në mënyrën tradicionale të atij qyteti me kulturë të lashtë. Unë nuk pashë asnjë roje sigurie rrotull hyrjes, dhe as nuk më kujtohet të kem parë qoftë edhe një truproje të armatosur pranë nesh gjatë gjithë mbrëmjes. Ndërsa makina po më largonte prej andej, unë ktheva kokën prapa dhe pashë Maon të shtrëngonte supet me duart e tij dhe u kthye me hapa të ngadaltë, mbështetur fort në krahun e një ndihmësi duke hyrë në Sallën e Madhe të Popullit.

Fund

Please follow and like us: