Hapja e dosjeve na pajton me të shkuarën
Gentiana Mara Sula*
Prej rënies së sistemit komunist, shqiptarët nuk i rreshtën përpjekjet për t’u shkëputur nga e kaluara, ndonëse pa i ricikluar dot elitat. Pa i denoncuar dhe dënuar tërësisht krimet e komunizmit. Pa u kujdesur mjaftueshëm për viktimat e sistemit represiv. Pa e analizuar historinë tërësisht në mënyrë objektive dhe shkencore. Qeverive të të gjitha ngjyrave iu desh të merren me zgjidhjen e problemeve që lidheshin me të shkuarën, të cilat janë akoma “një elefant në dhomë” dhe pjesë e pandashme e çdo ekuacioni që na shtrohet si shoqëri në rrugën tonë për konsolidimin e lirive dhe shtetit demokratik.
Në të vërtetë dimensioni i së shkuarës është serioz në Shqipëri. Një sondazh i KAS në vitin 2015 na tregoi se rreth 30% e popullatës identifikohet se është vetë apo që bën pjesë në një familje që është përndjekur nga regjimi komunist përpara vitit 1991.
1/4 e ish-të përndjekurve deklaruan se e kanë patur familjen në pozita të mira në pushtet ose parti para fillimit të përndjekjes.
12% kanë patur të paktën një të afërm të pushkatuar politikisht.
16% të paktën një të afërm të burgosur politikisht.
10% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të arratisur.
21% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të internuar/dëbuar/shpërngulur.
18% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të shpallur “kulak” ose “të deklasuar”.
11% kanë qenë vetë ose kanë patur të paktën një të afërm të përjashtuar nga PPSH-ja.
Prej vitit 1991, u bënë reforma të rëndësishme – Ligji i Amnistisë të të burgosurve politikë, ligjet për kthimin e pronave, masat për të ndihmuar të përndjekurit politikë me strehim, arsimim, punësim, Ligji për Dëmshpërblim, si dhe një sërë masash për të garantuar pastërtinë e figurës së funksionarëve. Po ashtu, u morën hapa të mëdhenj për të ndërtuar një shtet ligjor, demokratik, të orientuar drejt integrimit në BE.
Kjo kategori aspak e vogël njerëzish dhe problemet e tyre ekzistenciale, kurrë nuk rreshtën së vëni në tavolinë, ashtu të pazgjidhura deri në fund. Në të vërtetë protestat shoqërore me ekstreme, përfshi vetë sakrifikim, i kanë kryer ish të përndjekurit politikë që e kanë parë veten të pa integruar në shoqëri, pa vendimarrje në jetën politike e shoqërore, shpesh duke vuajtur kushte shumë të vështira eknomike, edhe për shkak se dhe masat për dëmshpërblimin e tyre filluan të zbatohen në mënyrë sistematike vetëm nga viti 2009.
Por, shqiptarët kanë edhe probleme të tjera të rëndësishme dhe komplekse që lidhen me analizën historike dhe morale të ngjarjeve që kanë ndodhur në shekullin XX.
Cilët qenë heronjtë, viktimat, dhe persekutorët?
Cila është narrativa e kohës së komunizmit?
Po ajo e Luftës së Dytë Botërore?
Po edhe asaj të periudhës midis dy luftrave, dhe më herët?
Po raportet me perandorinë osmane në agim të shtetit të pavarur shqiptar?
Arkivat jo të modernizuara, një pjesë e mirë e arkivave të dikataturës janë ende të klasifikuara, dhe prandaj dhe analizat historike kanë qënë të cunguara dhe shoqërisë i ka munguar një proces cilësor që do të na ndihmonte të ndërtonim një identitet të qartë shoqëror e kombëtar. Do të thoja se me aq sa e preka këtë fushë, vura re një mungesë të një partneriteti serioz me qendra studimore dhe programe të demokracive euro-atlantike.
Vetë personat që u dëmtuan nga dikatura, nuk patën mundësi të njohin në mënyrë të plotë se si sistemi dhe falangat e tij veproi me jetët e tyre. Ata nuk e kanë patur mundesinë e një rehabilitimi të plotë moral dhe përmbyllje të kësaj faze të errët të shoqërisë sonë.
Në një shoqëri demokratike, qytetarët duhet të kenë të drejtë të dinë. Eshtë një fakt i mirënjohur se aksesi në informacione, që shprehet si liri e fjalës dhe e informimit, sot konsiderohet si një parakusht për qeveri transparente dhe llogaridhënëse, sepse i mundëson qytetarëve vendime të informuara, si dhe i ruan ata nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni.
Në disa tentativa prej vitit 1991 për të bërë pastërtinë e figurave publike, dominoi politika që i përdori dosjet e diktaturës, sipas interesave të ngushta. Gjuetia e shtrigave, shantazhi, keqpërdorja e të dhënave personale, dominuan. Nuk iu dha askes publikut: as njerëzve të prekur nga sistemi, as studiuesve, as institucioneve.
Arsyet më lart na shtynë të rimarrim në dorë çështjen e dosjeve, një hap i munguar në Shqipëri, që bashkë me Rusinë, janë të vetmet vende që nuk i kanë deklasifikuar ato.
Ligji u miratua 25 vjet pas rënies së sistemit komunist dhe funksionimit të institucioneve kushtetuese. Ky u desh të harmonizohej me korpusin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin aktual mbi mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, arkivat dhe informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, si dhe funksionimin e organeve kolegjiale.
Për hartimin e ligjit u ndoq një model, që vlerësohet si më i suksesshmi në këtë drejtim, pikërisht ligji gjerman. Ligji është hartuar gjithashtu duke pasur parasysh jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare në këtë fushë – Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 9, (datë 23.03.2010) dhe Opinionin nr.524/2009 të Komisionit të Venecias.
Ajo që skeptikët besojnë se mungon, është pikërisht lustracioni ligjor, i cili zëvendësohet me lustracionin moral. Pasi sipas parashikimeve të ligjit, elementët e pastërtisë së figurës për zyrtarët janë integruar në mënyrën e vetme, që nuk ngre çështje kushtetutshmërie, që lidhen me parimin e ndarjes së pushteteve dhe statusin kushtetues të zyrtarëve.
Pra, në vend të parashikimit të një detyrimi për institucionet kushtetuese dhe të zgjedhurit, i cili do të binte ndesh me Kushtetutën, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje dhe opinionin e Komisionit të Venecias, ligji parashikon një mundësi për to për t’u shfrytëzuar dhe detyrimin për Autoritetin për t’ua vënë në dispozicion institucioneve informacionin e kërkuar.
Me qëllim përmbushjen e parashikimeve të ligjit, është parashikuar krijimi i një institucioni të ri, Autoriteti për Informimin me të Dhënat e ish-Sigurimit të Shtetit, si person juridik publik i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, i përbërë nga 5 anëtarë. Autoriteti është parashikuar të funksionojë si organ kolegjial, i mbështetur në veprimtarinë e tij nga një Sekretariat Teknik.
Si është puna me afatet e zbatimit të ligjit?
Në programin e punimeve të Kuvendit për periudhën 17 tetor – 25 nëntor 2016 është parashikuar dhe miratimi i Projektvendimit për zgjedhjen e antarëve të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Për të gjithë qytetarët dhe veçanërisht komunitetin e ish të përndjekurve politikë është i mirëpritur fitimi i kohës së humbur dhe formatimi i institucionit që këtë vit. Çdo vonesë e mëtejshme, përveç konfliktit me dispozitat e ligjit, do të ishte me pasoja për fillimin e këtij procesi kompleks.
Por si parashikohet krijimi i infrastrukturës së Autoritetit?
Infrastruktura e Autoritetit është e diktuar nga roli dhe funksionet e përshkruara në ligj, rregullorja që do të miratohet pas ngritjes së Autoritetit, si dhe modelet më të mira bashkëkohore të institucioneve homologe, të cilët do të informojnë aketet nënligjore dhe praktikën e punës së institucionit.
Bashkëpunimi me Rrjetin Europian te Kujtesës të strukturave për informim mbi ish-policitë sekrete në vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, të cilat sot për sot koordinohet nga Polonia, filloi që gjatë kohës së hartimit të ligjit nga grupi i punës, të cilin e drejtoja, kur bëja pjesë në Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Atëherë u ekploruan dhe aspektet institucionale dhe implikimet e buxhetit të ngritjes së Autoritetit. Një buxhet fillestar është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit 2016.
Sipas ligjit, Autoriteti, i përbërë nga 5 anëtarë, gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij do të ndihmohet nga një sekretariat teknik, i cili do të ketë në gjirin e tij arkivistë, juristë, hulumtues të historisë, si dhe një sektor adminitstrate. Pjesë e rëndësishme do të jetë edhe ekipi që do komunikojë me publikun, institucionet, mediat, personat e dëmtuar ose ata që kanë bashkëpunuar me shërbimin e ish-Sigurimit, si dhe do të lehtësojë projekte sensibilizuse të kujtesës.
Por, formën e institucionit që do ta propozojë kolegjialisht Autoriteti i përbërë nga 5 antarët do të duhet ta miratojë Kuvendi bashkë me strukturën dhe buxhetin e tij.
A do mundet Autoriteti që të kurojë plagën e madhe të persekucionit?
Kam besim që zbatimi rigoroz i ligjit do të krijojë kushte që lehtësojnë kurimin e plagëve të diktaturës. Gjithsesi, ky do të jetë një proces afatgjatë dhe do të kërkojë dhe masa të tjera komplekse, që padyshim ky ligj për informim do të katalizojë.
Zbatimi i këtij ligji do të krijojë mundësi për transparencën mbi ngjarjet vetjake si dhe fenomenet shoqërore që kanë ndodhur në të kaluarën jo të largët, por që janë groposur ende sot, meqënëse shumica e informacioneve janë të klasifikuara. Kjo transparencë do të luftojë harresën, ose më keq akoma mohimin që ka zënë vend në shoqërinë tonë për represionin e egër që ndodhi, që shpesh shkon deri në groteskun e glorifikimit të të ashtuquajtuarave “arritje” të dhunës shtetërore apo “faj apo krim” të viktimave, që ishin kundër kësaj dhune.
Në thelb të ligjit u vunë pikërisht ata që e vuajtën represionin. Kështu, një ndër impaktet e ligjit do të jetë fuqizimi i personave që kanë vuajtur shtypjen, duke i mundësuar atyre njohjen mbi informacionet që shteti-diktaturë me ndihmën e instrumentave të tij të dhunës ka mbledhur për to. Kjo është një e drejtë universale që iu është mohuar deri tani. Në ndihmë të tyre, do të bëhet e mundur që ato të njihen me atë çka ju ka ndodhur pas krahëve. Kështu ata mund ta qartësojnë identitetin e tyre, të ristrukturojnë jetën personale dhe familjare, si dhe rolin e vërtetë që kanë në shoqëri dhe të mbyllin më në fund në mënyrë të shëndetshme kapitullin e tyre me të shkuarën.
E drejta për informim e personave të dëmtuar, dhe më gjerë e gjithë shoqërisë, mund të ketë një impakt të rëndësishëm edhe për persekutorët, si dhe për persona të caktuar, të cilët u kanë shkaktuar vuajtje njerëzve të tjerë, qoftë edhe pse shpesh me detyrimin e aparatit të shtypjes. Duhet kuptuar që qëllimi i ligjit është mundësia për pajtim me të shkuarën, përmes një procesi të mirërregulluar, që mbron të drejtat e njeriut, të drejtën e privatësisë dhe mbështetet tek përballja me të vërtetën si një proces kompleks, në themel të së cilit është transparenca, pajtimi dhe ndërmarja e një shtegtimi që i bën mirë të gjithë shoqërisë, përfshirë edhe vetë “ish-persekutorët.”
Eshtë momenti që këta të mund të pranojnë sinqerisht atë dhembje që mund t’i kenë shkaktuar njerëzve. Ky do të jetë një proçes që sadopak do të lehtësojë vuajtjet e viktimave të tyre, por do të lehtësojë dhe ndërgjegjet e persekutorëve. Ky është një konflikt që do të ishte mëkat t’i trashëgohej brezave.
Ligji do të ketë një ndikim të fuqishëm për të ndërgjegjësuar shoqërinë për atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri, duke i hapur rrugë një debati mbarëkombëtar konstruktiv mbi zhvillimet historike, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, e të tjera. Ky dialog do të pasurohet shumë duke ia vënë burimet arkivore në dispozicion gazetarëve të kualifikuar dhe historianëve, për investigim të ngjarjeve dhe fenomeneve dhe kërkimeve të mirëfillta shkencore me burime autentike dhe prova dokumentare sipas procedurave të përcaktuara qartë dhe të mbeshtetura në praktikat më të mira.
Duke folur me gjuhën e ligjit, Autoriteti duke garantuar të drejtën për informim do t’i vijë në ndihmë jo vetëm subjekteve të përcaktuara për të marrë informacion, por do të shërbejë edhe për qëllime rehabilitimi, dëmshpërblimi, shmangie të cënimit të jetës private apo të dëmit moral ose shkarkimin nga akuza e bashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit.
Një ndër efektet më të rëndësishme, është dhe qasja në informim që i jepet institutucioneve që do të duan informacion për pastërtinë e figurës së niveleve të larta të personelit të tyre. Kështu për shembull, kohët e fundit publiku u njoh me paketën e reformës në drejtësi që përfshin ligje të posaçme që kanë referencë direkte me ligjin e të drejtës për informim për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” në nenin 6 “Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit” parashikon ndër të tjera se Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson edhe kriterin që nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit “Mbi të drejtën e informimit me dokumentet e ish-shërbimit të sigurimit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Një ligj tjetër i rëndësishëm që reflektoi menjeherë pas miratimit të ligjit të dosjeve qe ai i shërbimit të jashtëm, që kërkon pastërtinë e figurës së personelit të tij. Avokati i Popullit po ndërmerr po ashtu hapa ligjore për lustrimin e strukturave të veta.
Kam bindjen që ligji i dosjeve do të jetë një proces kompleks e afatgjatë, por do të hapë një kapitull të ri të shkëputjes nga e kaluara, do të kontribuojë për konsolidimin e demokracisë dhe përbën një garanci për mospërsëritjen e shkeljes masive të të drejtave të njeriut nga sisteme represive.
*Gentiana Mara Sula është kandidate për Autoritetin për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit. Kjo është fjala e mbajtur në konferencën “Hapja e Dosjeve të Sigurimit – Sa më parë aq më mirë”.