RAPORTI GJERMAN / E vërteta e vrasjeve të Mehmet Shehut
Dr. Marenglen KASMI
Dekorimi nga Presidenti i Republikës si “Martirë të Demokracisë” i 67 luftëtarëve të Ballit Kombëtar, të cilët u ekzekutuan nga partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese nën drejtimin e Mehmet Shehut, në fund të tetorit 1943 në Lushnje, ka ngjallur shumë polemika ditët e fundit. Që vrasja e tyre ishte një gabim i rëndë dhe që në vetvete paraqet një krim, qëndron jashtë çdo diskutimi. Madje, këtë gjë e pranon vetë autori i saj, Mehmet Shehu që gjatë luftës. Shumica e të ekzekutuarve ishin fshatarë të thjeshtë, të paarsimuar dhe siç ndodhte rëndom asokohe, ata ndiqnin verbërisht pas beun apo të parin e fshatit të tyre. Ata janë viktima të luftës, por kurrsesi nuk mund të jenë martirë demokracie. Është marrëzi të mendosh se, gjatë Luftës së Dytë Botërore, fshatarët shqiptarë, qoftë ballistë apo partizanë, në një vend plotësisht analfabet, kishin koncepte të qarta të demokracisë. Nëse do të ishte kështu, ata duhej të ishin të orientuar drejt aleatëve anglo-amerikanë, që përfaqësonin demokracinë e vërtetë dhe jo drejt Nacionalsocializmit.
Në debatet e shkaktuara nga dekorimi u përfshinë politikanë dhe historianë profesionistë. Majde edhe historianë të vetëshpallur. A thua se historiografia dhe shkrimi i historisë është diçka që mund ta bëjë kushdo, pa kualifikimin përkatës dhe aq më keq kur është i rreshtuar politikisht. Sigurisht që, çdo njeri i formuar e ka dhe duhet ta ketë një mendim të vetin për historinë. Kaq! Të shkruash libra me tematikë nga historia apo për ngjarje të caktuara nuk të bën historian profesionist. Më së shumti të jep titullin e “historianit popullor”.
Argumenti kryesor i dekorimit ishte pak a shumë se, në Lushnje në këtë kohë nuk kishte forca të Wehrmacht-it gjerman dhe çetat e Ballit Kombëtar në këtë zonë nuk po bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë. Kësisoj, vrasja u bë në kuadër të luftës civile që po hidhte rrënjë në Shqipëri pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Kjo gjë nuk është vërtetë! Gjermanët në fundtetorin 1943 ishin jo vetëm në Lushnjë, por thuajse në gjithë qytet e Shqipërisë. Po ashtu, së bashku me ta vepronin edhe çeta balliste. Për të zbardhur ngjarjen dhe kontekstin historik të saj na vijnë në ndihmë dokumentet e arkivit ushtarak të Freiburg-ut, Gjermani dhe konkretisht raportet e divizionit 100 të këmbësorisë së lehte tëWehrmacht-it, që vepronte në këtë zonë.
***
Pas pushtimit gjerman të Shqipërisë më 9 shtator 1943, divizioni 100 i këmbësorisë së lehtë ngriti më 17 shtator 1943 vendkomandën e tij në qytetin e Fierit. Në dokumente theksohet se, menjëherë sapo gjermanët hynë në Shqipëri, divizioni mori kontakt me disa drejtues nacionalistë. Në këtë kuadër, gjithmonë sipas dokumenteve gjermane, një farë Dr. Meçe, i cili kishte bashkëpunuar më parë edhe me italianët, i kërkoi divizionit armatime dhe municione për çetën e tij prej 100-200 burrash, që gjendej në Veri të Fierit. Ai synonte që, me armatimin e gjermanëve, të rriste çetën e tij duke u premtuar atyre të pastronte gjithë prefekturën e Beratit nga komunistët. Po ashtu, në raportin e divizionit shkruhet për ngjarjet e ndodhura në periudhën 17-9-13.10.1943 se,ky person “negocioi në Fier për lidhjen [tonë] me komandantin e çetës nacionaliste, Kadri Cakrani, i cili më vonë do të kishte një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër komunistëve”.Takimi i gjermanëve me Cakranin u organizua më 20 shtator. Në shtator 1943, zona e tij e influencës shtrihej në gjithë Nënprefekturën e Fierit. Po ashtu, grupe të vogla nacionalistësh gjendeshin edhe në Lushnje dhe Kavajë. Armatimi i tyre ishte i keq dhe pa ndonjë fuqi të madhe zjarri. Kësisoj, komandanti i divizionit 100 urdhëroi që Cakrani të furnizohej me armatime, municione dhe veshmbathje. Si rrjedhim, brenda një kohe të shkurtër, çetat nacionaliste në këtë rajon kapën një numër prej afro 1000 burrash të mirarmatosur dhe arritën që të marrin dhe pastrojnë nga forcat partizane rajonin Grykderdhja e Vjosës-Fier-Lushnje-Kavaje-bregdet. Më tej në raport theksohet se “nëpërmjet aksioneve të ndryshme të divizionit, kundër komunistëve, Balli Kombëtar arriti të rriste zonën e tij dhe të merrte edhe qytete të rëndësishme në Shqipërinë e Mesme si Këlcyra, Berati, Lushnja, Kavaja si dhe të zgjeronte organizimin e tij në këto rajone”. (BA/ MA, RH 26-100/45).
Siç lexojmë, fill pas pushtimit që në muajin shtator, gjermanët filluan të lidhin pas vetes sa më shumë forca të Ballit Kombëtar. Armatosja dhe fuqizimi i tyre i ndihmonte ata në luftën kundër partizanëve, madje ky ishte edhe synimi i tyre kryesor. “Divizioni e kuptoi që në fillim se bandat nacionaliste do të ofronin shërbime të vyera në luftën kundër komunistëve dhe qetësimit të vendit” shkruhet në raportet e divizionit. Pavarësisht se numri i “bandave nacionaliste” nuk ishte që në fillim ai që mendohej, shumë drejtues nacionalistë çetash u aktivizuan në këtë bashkëpunim, sepse shikonin te gjermanët njëpërfitim të madh në armatim dhe municion për të luftuar kundër partizanëve. Gjithsesi, ata nuk pranuan të luftonin së bashku me gjermanët kundër aleatëve, nëse anglo-amerikanët do të zbarkonin në Shqipëri. Si këmbim, ata u dhanë atyre besën se, nëse do të ndodhte zbarkimi, ata nuk do t’i kthenin armët kundër tyre. Në këtë kontekst gjermanët vlerësojnë edhe Qarkoren e Ballit të nënshkruar nga Mit’hat Frashëri më 7 tetor 1943, ku urdhërohet pezullimi i operacioneve luftarake ndaj gjermanëve. Për këtë qarkore në raportet e divizionit 100 shkruhet: “[…] Në këtë linjë është edhe urdhri i drejtuesit të lartë të Ballit Kombëtar gjatë pushtimit të vendit nga trupat gjermane, sipas të cilit nacionalistët nuk duhej t’i nxirrnin asnjë pengesëWehrmacht-it gjerman”. (BA/ MA, RH 26-100/45).
Edhe te lëvizja partizane vërehen në nivel lokal disa luhatje, përsa i përket qëndrimit që duhej të mbanin ndaj pushtuesve të rinj. Ndonëse raportohen sulme të shpeshta të partizanëve ndaj trupave gjermane, objekt i këtyre sulmeve ishin grupe të vogla ushtarësh gjermanë ose automjeteve të vetmuara.
Këto luhajtje u shfaqën qartë në marrëveshjen e bërë në Berat ndërmjet divizionit 100 të Wehrmacht-it dhe Mestan Ujanikut, më 20 shtator 1943. Në një raport të pabotuar deri tani të oficerit të zbulimit të divizionit 100 me titull “Negociata me grupbandat Berat”, e datës 29 shtator 1943, ndëmjet nëntogerit gjerman Riesterer dhe Neshat Hysit, komandant i Beratit dhe komandant i Brigadës X partizane, ky i fundit i kërkon oficerit gjerman që gjermanët të miratojnë marrjen e qytetit të Lushnjes dhe Fierit nga forcat partizane: “Ata [partizanët] duhet me çdo kusht të kujdesen që në këto pika [qytete] të ketë rregull dhe qetësi, sepse në të gdhirë të 29 shtatorit, në Fier janë kryer sulme dhe bastisje shtëpish. Këto [bastisje] janë kryer nga Hamid Madian [Hamit Matjani]. Drejtuesi i bandës [Hysi] mendon se, kjo gjë[për të ndërhyrë] bazohet edhe në marrëveshjen e bërë me gjeneralin Utz. Unë [Riesterer] i solla në vëmendje drejtuesit të bandës që një leje e tillë nuk mund të jepet. Ai m’u përgjigj se ata e kishin marrë nga gjenerali miratimin që të qëndronin kudo me shenjat e tyre dalluese” raporton nëntogeri gjerman.(BA/ MA, RH 26-100/45). Pra, Neshat Hysi kërkon që, edhe në Lushnje dhe Fier të zbatohet e njëjta marrëveshje me gjermanët si në Berat. Çuditërisht për Marrëveshjen e Beratit, që është e zbardhur plotësisht në raportet gjermane dhe në thelb të së cilës qëndron pakti i mos sulmit të partizanëve dhe gjermanëve kundrejt njëri-tjetrit, nuk përmendet Gjin Marku, por Mestan Ujaniku, ndonëse Gjin Marku do të akuzohej më vonë për këtë gjë. Siç u pa edhe më sipër, bisedat zhvilloheshin edhe me Neshat Hysin.
Kësisoj vërejmë se,menjëherë pas pushtimit gjerman, të dy grupimet kryesore politike shqiptare të asokohe përjetuan fillimisht një periudhë mosorientimi për qëndrimin që duhej të mbanin ndaj gjermanëve. Ajo që do t’i ndante përfundimisht këto grupe dhe do të përcaktonte të ardhmen e tyre ishte se, nëse drejtuesit e Luftës Nacionalçlirimtare e dënuan këtë marrëveshje vendore me pushtuesin dhe i shtuan sulmet ndaj tij, Balli Kombëtar u zhyt edhe më shumë në bashkëpunim. Nëse në kampin partizan një tentativë lokale për të mosluftuar pushtuesit nuk u përshkallëzua në gjithë vendin, qarkorja e Ballit Kombëtar në fillmtetorin 1943 për të mosluftuar gjermanët u përkrah me pak përjashtime nga thuajse gjithë drejtuesit lokalë ballistë.
Luftimet në Lushnje
Më 23 tetor 1943, nacionalistët, siç shkruhet në raport, njoftojnë divizionin 100 gjerman se, brigada partizane e Mehmet Shehut ishte zhvendosur nga Korça, nëpër Elbasan dhe ishte përqendruar në lindje dhe juglindje të Lushnjes, në rajonin Dragot – Kosovë dhe po përgatisin një sulm ndaj qytetit të Lushnjes.
Një ditë më vonë, më 24 tetor 1943, oficeri i zbulimit të divizionit 100 të këmb. së lehtë shkruan në raportimin e tij ditor: “Më 24.10, pak para se të agonte, banda komuniste me një forcë luftarake prej rreth dy kompanish, me shumë mundësi të brigadës së Mehmet Shehut, e cila ndodhet në rajonin lindor të Lushnjes, sulmuan dy lartësitë 2.5 km në Veri të Lushnjes dhe i detyruan nacionalistët që kishin organizuar aty mbrojtjen të tërhiqen. Forca të një kompanie sanitare [gjermane] në Lushnje, e thyen sulmin komunist. Komunistët, të cilët sipas vrojtimit tonë patën të vrarë dhe të plagosur gjatë luftimeve prej një orë e gjysmë, u tërhoqën drejt Lindjes dhe Verilindjes. [Patëm] tre të plagosur […].”(BA/MA, RH 26-100/46, Ic-Tagesmeldung am 24.10.43)
Siç lexojmë më sipër, jo vetëm që në Lushnje kishte forca gjermane, por po ashtu, çetat e Ballit Kombëtar kishin organizuar mbrojtjen e qytetit për llogari të gjermanëve. Zhvillimet e luftimeve treguan se gjermanët kishin të drejtë kur shkruanin se, çetat balliste ishin të vlefshme për të mbledhur informacione apo për të treguar rrugëkalime, por nuk ishin në gjendje të përballonin fuqinë luftarake të partizanëve. Kjo gjë del edhe në raportin e mësipërm, ku janë pikërisht gjermanët ata që thyen sulmin e partizanëve dhe i detyruan ata të tërhiqen.
Ky dokument mbështet versionin e shkruar në Historinë e Luftës Nacionalçlirimtare për këtë ngjarje. Siç shkruhet në të, por edhe siç del nga dokumenti gjerman, në organizimin e mbrojtes së qyteti gjermanët kishin përfshirë edhe forca të Ballit Kombëtar. Ajo që nuk përputhet me burimet shqiptare është koha e zhvillimit të ngjarjes. Sipas dokumenteve gjermane luftimet janë kryer më 24 tetor dhe jo më 21 tetor 1943. Duket theksuar që në përmbledhjen mujore të situatës së div. 100, në datën 21 tetor nuk është shënuar asnjë luftim.
Për periudhën 22.10-04.11.1943 në raportin e divizionit gjerman shkruhet se: “Banda prej 1200 burrash dhe e mirëarmatosur e Mehmet Shehut përbënte gjatë muajit tetor një rrezik të madh për rrugët [tona] të furnizimit. Ai [M. Shehu] fillimisht ishte në rajonin Korçë-Pogradec dhe në fund të shtatorit u tërhoq nëpër zonën e Elbasanit, në jug të Tiranës për t’u përqendruar në lindje dhe juglindje të Lushnjes. Ajo [brigada e parë] u grumbulua në këtë rajon më 22.10 me qëllimin e mundshëm, të pushtonte rajonin e Lushnjes të përzinte [nga ky rajon] forcat nacionaliste dhe të siguronte për dimrin furnizimet e saj nga kjo zonë e pasur bujqësore. Më 24.10,dy kompani të kësaj bande [brigadës së parë] sulmuan në veri të Lushnjes dhe i detyruan forcat nacionaliste të tërhiqen. Forcat tona [gjermane] e thyen sulmin. Armiku u tërhoq në drejt Lindjes dhe Verilindjes. Sulmet e përsëritura por me intesitet të ulët bënë të nevojshme përdorimin e grupimeve tona të vogla ushtarake. Armiku u tërhoq përpara forcës tonë të madhe dhe në fund manovroi nëpërmjet zonës së Dumresë për në zonën e Beratit”.
***
Dekorimi i 67 luftëtarëve të Ballit Kombëta rezulton se është bërë pa konsultimin e plotë me dokumentet historike. Të dekorosh bashkëpunëtorët e Nazifashizmit është një fenomen që po ndodh vetëm në Shqipëri. Mesa duket, hartimi i kuadrit historik të kësaj ngjarje, që çoi edhe në dekorimin e këtyre viktimave të luftës, nuk është përgatitur i plotë nga institucioni i Presidencës. E them kështu, sepse nuk dua të besoj se Presidenti i Republikës ka bërë një dekorim politik. Ai është president i gjithë shqiptarëve dhe ky akt i largon më tepër shqiptarët nga njëri-tjetri, në vend që ti afrojë ata. Siç u tha më sipër, këto çeta të Ballit Kombëtar ishin dhe luftonin përkrah trupave gjermane. Madje, në rastin konkret ruanin qytetin në llogari të gjermanëve. Ditari i divizionit 100 të këmbësorisë së lehtë gjermane i përshkruan deri në detaje të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet në rajon dhe nuk lë shteg për diskutim. Të pretendosh se, gjermanët nuk ishin në Lushnje në këtë moment, është gabim. Ndërkohë ata kishin hyrë edhe më në thellësi të vendit. Më 9-10 tetor 1943, gjermanët kishin bërë në Vlorë arrestimet e para masive. Rreth 376 persona u arrestuan befasisht, ku gjermanët pretendonin se ndër ta ishin afro 100 komunistë. Sigurisht që listat e arrestimit u përgatitën nga miqtë e tyre shqiptarë.