Albspirit

Media/News/Publishing

Anila Kruti: Lotët e marsit

Letra e fundit e Edonës

 

Edona u ngrit që herët në mëngjes. Ishte përpëlitur gjithë natën në jastek. Nuk e kishte zënë gjumi. Vështroi nga dritarja. Kishte rënë një mjegull e dendur mbi fshat. Vende-vende mjegulla ishte terur. Dielli i ftohtë i marsit ishte mbytur mes reve.

U trishtua. Ishte dita e saj. Ishte dita e shenjtëruar e fejesës. Një gëzim i trishtë i përshkoi shpirtin. Mori fustanin e Xhenit, që e kishte hedhur mbi krevat dhe e vuri pas kraharorit duke u rrotulluar, nëpër dhomë.

Duhet të jem e lumtur, mendoi.

Pastaj sytë i shkuan rrëzë murit, ku bajamja e sapoçelur kishte varur kokën.

I kishte rënë shata mbi degë, që gjyshja e kishte hedhur pa kujdes, kur kishte punuar në bahçe.

U trishtua…Vështroi gjyshen që e priste te dera, fustanin e zi të vjetër të saj dhe i pëshpëriti:

  • Gjyshe, kur të shkoj në Greqi do të punoj dhe do të dërgoj lekët që të blesh divane të rinj, ushqime e plot të mira.

Vështroi rreth e qark shtëpisë, gjithçka bosh dhe mjerimi e mbërthente atë shtëpi.

  • Mbase ke fat këtë, i foli gjyshja duke e mbajtur në krah.

Iu kujtua dita kur do të fejohesh me ish të dashurin e saj të parë. Aksidenti fatal i tij. Ditët e dëshpërimit, të vetmisë dhe përpjekja për të buzëqeshur përsëri. Iu kujtua atë ditë kur kishte bërë takimin e parë me të. Ishin takuar me mbles nga kushërinjtë e gjyshes. Kishte veshur një fustan të verdhë që ia kishte blerë gjyshja tek rrobat e përdorura dhe kishte veshur një palë sandale të cilën njërën e kishte me rrip të grisur dhe e fshinte pas tjetrës, që të mos dukej kur ishin ulur në një lokal kur kishin zbritur në qytetin jugor.

U përlot…Vështroi gjithandej nëpër atë shtëpi të varfër dhe fustanin që e kishte marrë borxh. Psherëtiu e menduar derisa u dëgjua zëri i Xhinës, shoqes së saj.

  • Vishu se po bëhet vonë.

Përherë të parë u kreh te parukierja, bëri tualet dhe dukej një yll i derdhur në tokë.

Ashtu e menduar dhe e tulatur nga ai ndryshim i erdhi në mendje ajo mbrëmje kur kishte takuar atë, djalin e ëndrrave të saj, burrin e jetës, atje pas shtëpisë së saj në bahçe. Atë mbrëmje hëna varej poshtë në kopësht dhe bënte një shtrat të verdhë drite. Ata kishin qëndruar bashkë. Kishin ndarë ëndrra, dëshira dashuri. Ai i kishte premtuar se do të vinte në shtëpi te gjyshja dhe do t’i kërkonte të fejoheshin. Ai do të vinte…

Ajo kishte larë e rregulluar shtëpinë. Kishte ndezur dritat e shpirtit, ishte bërë gati për fejesë.

Kështu mes mendimeve dhe sytë nga rruga, kishin kaluar dy orë nga koha e caktuar.

Edona psherëtiu nga shpirti.

Gjyshja, disa kushërinj dhe Xheni po prisnin jashtë. Ishte errur dhe ai nuk erdhi. Ai i do të vijë…do të vijë…

Edona po qante me dënesë mbi divanin e vjetër. Ai më tha se do të vinte…pëshpëriste e qante me ngashërime.

Po dridhej.

Pa lotët e gjyshes…Para syve iu shfaq jeta e vështirë e saj. Iku në dhomën e saj.

Qau gjithë natën. Vuri gjyshen në gjumë dhe në të gdhirë… Mori fletën dhe nisi të shkruaj.

Burri im i jetes!  I fejuari im! Oh, jeta ime… Dashuria ime! Shpresa ime. Të prita me zbardhjen e agimit, me mbylljen e ditës dhe varjen e hënës në natë. Kisha shpresa te ty. Të besova dhe të dhashë shpirtin, ëndrrën time dashurinë. Të besova siç do t’i besoja nënës sime të munguar. Ushqeva ëndrra përkrah teje dhe udhëtova me ty deri në fund të botës. Ah, qenkam e pafat!

U mbyt në lotë sa ato ranë mbi fletë dhe krijuan njolla. Vazhdoi…S’munde të më sillje diellin të më bëje të lumtur. Jam kaq e pafat! Pse nuk erdhe?! Të prita…Ç’të bëra?

Pse, pse o Zot, po ty ç’të kam bërë?

Ç’faj pata se rrugën e së ardhmes në ëndrra e bëra me një djalë që e doja?

Ç’faj pata se isha jetime, e varfër pa shpresë? Unë po iki…do të pres edhe në varr! Qau pa ndërpreje…

Lau shtëpinë sërish. Rregulloi gjithçka. Hapi dollapin dhe mori barin helmues për minjtë. Veshi sërish fustanin e Xhenit dhe e piu barin të gjithë. U shtri në krevat…

Të nesërmen u gjend pa jetë…

Djali nuk kishte shkuar sepse Edonën e kishin sharë. Atë ditë marsi shiu ra pa pushuar…

Disa muaj më vonë djali që i kishte premtuar Edonës për fejesë, ishte fejuar me një tjetër…Dielli doli nga retë…

 

(Bazuar në një ngjarje të vërtetë)

 

Shënim: Këtë histori të vërtetë e kam shkruar për t’u dhënë të gjitha vajzave shqiptare që përjetojnë drama të tilla një mesazh: Jeta juaj është më shenjtë dhe më shtrenjtë se një dashuri e humbur! Më e shtrenjte se një mashkull që ndikohet nga paragjykimet! Gjejeni dashurinë tek njerëzit tuaj të afërm se jeta përsëri do t’iu buzëqesh!

Solidarizohuni me këtë histori të vërtetë, për të shpëtuar, mbrojtur nga drama të tilla vajzat, femrat shqiptare! Jepni më shumë dashuri dhe mbështetje për to!

Please follow and like us: