Gerd Muller dhe dashuria e pamundur me punonjësen e hotel "Dajtit"
Në karrierë ka shënuar 1461 gola. Është shpallur kampion bote e Europe me Gjermaninë. Ka fituar 4 kampionate, 3 Kupa Kampionësh e një Interkontinentale me Bayern si dhe ka bërë të tijin një Top të Artë në vitin 1970. Thërritet Der Bomber; 2 herë Këpuca e Artë e Europës dhe rekordmeni i golave të shënuar në Bundesliga, 365 të tillë. E megjithatë Gerd Müller një sfidë e humbi: atë me Sigurimin e Shtetit për të jetuar dashurinë e tij me një vajzë shqiptare.
HISTORIA- Një histori në kufijtë e të pabesueshmes ajo e djaloshit gjerman, zemra e të cilit u thye nga pamundësia për të qenë pranë dashurisë së tij. Një dashuri të cilën e zbuloi në Tiranë, 1535 km larg qytetit të lindjes, Nordlingen. Një dramë romantike që zgjat 18 vjet dhe përqendrohet në tre etapa: 1967, 1972, 1985. Ishte dhjetori i vitit 1967 kur kombëtarja gjermane mbërrinte në Tiranë për t’u përballur më Shqipërinë, në eleminatoret e vlefshme për Itali ’68.
Pjesë e të atëhershmes Gjermani Perëndimore ishte edhe 22-vjecari Gerd Muller. Arritje historike për futbollin modest shqiptar, disfatë për atë të njohur gjerman. Një barazim 0-0 që do të ndalte një ndër fuqitë e futbollit botëror në rrugën drejt Euro ‘68, i vetmi kompeticion madhor në të cilin Gjermania nuk ka mundur të kualifikohet. Rezultat që do të arrihej pa Müller-in në fushë. Trajneri gjerman, Helmut Schön, nuk preferoi të aktivizonte sulmuesin e Bayern. Motivet nuk dihen.
Gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, kombëtarja gjermane është rehatuar në ambientet e hotelit më luksoz për kohën, “Dajti”, përballë parkut “Rinia. Aty ku nis edhe historia e dashurisë së Muller me një punonjëse të hotelit, që kronikat e mëvonshme e paraqesin me emrin Hojna. Një episod i jashtëzakonshëm për kohën; Shqipëria ishte e tëra nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, sidomos më 1967, vit në të cilin besimet fetare u shpallën të jashtëligjshme nga regjimi socialist.
FATI-Pavarësisht fshehtësisë e ruajtjes së anonimatit, ngjarja arriti të bëhej e njohur. Fjalët e pëshpëritjet mes rinisë kryeqytetase e adoleshentëve të asaj kohe “morën dhenë” dhe ndjenja mes dy të rinjve, ende pa lindur mirë, doli rrugëve të Tiranës. Gjermania largohet e zhgënjyer për rezultatin, ndërsa Muller ikën me “kokën pas”, por jo vetëm për atë çka prodhoi fusha e lojës. Rastësia është mbret i botës, e 4 vite më vonë goglat do të rivendosin përballë Shqipërinë me Gjermaninë Perëndimore.
Kësaj radhe luhet për kualifikimin në Europianin Belgjikë ’72. Sërish në Tiranë e prapë te hotel “Dajti”. Më 17 shkurt 1971 Gjermania Perëndimore zbret në “Qemal Stafa” përballë Shqipërisë. Ndryshe nga ndeshja e vitit 1967, trajneri Schön hedh në fushë edhe bomberin Gerd Müller, i cili ja shpërblen besimin duke realizuar golin e vetëm të takimit në minutën e 38’. Müller i jep fitoren Gjermanisë, ndoshta i frymëzuar nga netët e qëndrimit te hotel “Dajti”. Ndoshta nën shoqërinë e Hojnës. Ndoshta…
KËMBËNGULJA- Delegacioni gjerman largohet triumfues nga Tirana, ndërsa Muller niset me shpresën për t’u kthyer sërish. Fati nuk do t’i vërë më dy kombëtaret përballë dhe Der Bomber do ta ketë të pamundur kthimin në Shqipëri si vizitor i thjeshtë: hyrja në territorin e Republikës Popullore të Shqipërisë ishte një privilegj vetëm për ata persona që kishin motive diplomatike. Këtu përfundojnë edhe kontaktet e Gerd Muller me Hojnën, punonjësen e hotel “Dajti”-t që kishte fituar zemrën e sulmuesit më të fortë në Europë.
Por aty ku mundësitë pakësohen, shpresa nuk shuhet dhe ndodh ajo që pakkush do ta mendonte. Në vitin 1985, Flamurtari i Vlorës, si fitues i Kupës së Shqipërisë fiton të drejtën e pjesëmarrjes në Kupën e Kupave dhe shorti e vë përballë finlandezëve të HJK Helsinki. Pak ditë pas shortit në zyrat e klubit finlandez mbërrin një kërkesë e veçantë. Një yll i futbollit botëror që kishte varur këpucët në gozhdë 4 vite më parë kërkon të bashkohet me HJK.
“Dua një kontratë vetëm për një ndeshje. Vij me ju në Shqipëri për t’u takuar me të dashurën time…” Është Gerd Müller. Kërkesa e ish-kampionit gjerman pritet me habi nga drejtuesit e klubit nga Helsinki. Nga njëra anë forma e Muller, tashmë 40-vjecar, i cili në fund të sezonit 1980-81 i kishte dhënë lamtumirën futbollit të luajtur pas eksperiencës me amerikanët e Fort Lauderdale Strikers. Nga ana tjetër, frika për një incident diplomatik.
Pavarësisht se në Shqipëri kishte filluar të frynte një erë ndryshimi (diktatori Hoxha ishte ndarë nga jeta në prill të atij viti) situata ishte e përafërt me atë të vitit 1971, kur Müller kishte shkelur për herë të fundit në tokën shqiptare. Kërkesa refuzohet dhe tratativa Müller-HJK dokumentohet nga gazeta finlandeze Iltalehti(në shqip Gazeta e pasdites). Të paktën deri pas ndërrimit të regjimeve Gerd Müller e pati të pamundur të hiqte fiksimin e tij të vjetër, takimin me Hojnën e hotel “Dajti”-t.
SOT- Kjo histori dëgjohet ende në ambiente futbolldashësish në Tiranë e për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet trajtohet shpesh si një legjendë. E vështirë është që emri i vërtetë i vajzës të jetë Hojna. Ndoshta frika e ndëshkimit nga regjimi apo kërkesa e privatësisë në një mentalitet shumë ndryshe nga ai i sotmi, kanë bërë që emri i dashurisë shqiptare të Müller, në gojëdhëna të mbetet Hojna.
Hotel “Dajti” sot nuk shërben më si i tillë. I ndërtuar në vitet ’40 sipas projektit të arkitektit Gherardo Bosio (“truri” i bulevardit të Tiranës), në vitin 2002 u shpall monument kulture ndërsa aktualisht është i mbyllur dhe pronë e Bankës së Shqipërisë.
Dy ditë më parë Gerd Müller festoi 70-vjetorin e lindjes. Dalja e tij e fundit publike daton në vitin 2013. Prej kohësh vuan nga Alzhaimer e që nga shkurti i këtij viti është i shtruar në një klinikë që kuron këtë sëmundje.
Burimi: andikasmi.com