Albspirit

Media/News/Publishing

Pushkatimi i Ballit, Uran Butka: Ata që nuk i vrau Mehmeti i theri Dushan Mugosha

Historiani Uran Butka e quan një nga betejat më të përgjakshme të luftës civile ndërmjet Ushtrisë NÇ dhe forcave luftarake nacionaliste atë të 21 tetorit 1943 në Golem të Lushnjës.

Butka tregon përmes fakteve historike frymën terroriste që serbët Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha futën te partizanët, të cilët i urdhëroi për spastrime dhe beteja të përgjakshme, jo kundër pushtuesve nazifashistë, por për beteja kundër nacionalistëve shqiptarë, për zhdukjen e kundërshtarëve politikë. Butka në këtë intervistë zbardh masakrën e 21 tetorit 1943 në Lushnjë dhe atë çfarë i parapriu, pushkatimin masiv, i cili nuk ndali as pas vendosjes së regjimit komunist. Historiani zbardh qëllimet e komunistëve serbë përmes Mugoshës, i cili i shkruante Kadri Hazbiut: “Spastrim i krahinave” dhe “zhdukje e kundërshtarëve”.

Zoti Butka, si historian, ç’vlerësim keni për ngjarjen e 21 tetorit 1943? Ju jeni shprehur se ajo ishte një nga betejat e përgjakshme të luftës civile mes Nacionalçlirimtares dhe Ballit Kombëtar. Për ç’arsye?

Një nga betejat e përgjakshme të luftës civile ndërmjet Ushtrisë NÇ dhe forcave luftarake nacionaliste, ishte lufta në Golem të Lushnjës më 21 tetor 1943, pas prishjes së njëanshme të marrëveshjes kombëtare të Mukjes nga komunistët dhe pas Konferencës së Labinotit (4-8 shtator 1943), ku u shpall lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar. Në krye të kësaj lufte civile ishte vënë Brigada I S me komandant Mehmet Shehun dhe zv.komisar Dushan Mugoshën, me pseudonimin “Sali Murati”, i cili ishte de facto njeriu kryesor “në hije”, që drejtonte Luftën NÇ. E shohim qartazi edhe nëpërmes kësaj letre: “I dashur Besnik, – i drejtohet Mugosha Hysni Kapos. – Ndodhem në Zagorie. Forcat tona të mëdhaja ndodhen në Dishnicë dhe Skrapar, përveç grupit V dhe batalionit ‘Baba Abaz’, batalionit ‘Asim Zeneli’, dy batalioneve të Brigadës I dhe Brigadës IV si edhe forcave të Beratit. Objektivi: Spastrim i krahinave të Beratit e ndofta edhe vetë Berati. Besnik, duhet të jetë morali i partizanëve të Vlorës, i cili duhet të mbahet me konferencat e vazhduara, me kangë e gëzim nga ana e komunistëve. Duhet të përgatiten partizanët për luftime të ashpra dhe të përgjakshme. Duhet të zhduket oportunizmi nga rreshtat partizane për sa i përket zhdukjes së tradhtarëve dhe të kundërshtarëve politikë.” (AQSH, Fondi 181/1, Dosja 3, viti 1944). Ky dokument dëshmon, veç të tjerash, edhe për frymën terroriste që ai fut te partizanët, të cilët i orienton dhe i urdhëron për spastrime dhe beteja të përgjakshme, jo kundër pushtuesve nazifashistë, por për beteja kundër nacionalistëve shqiptarë, kundër Ballit Kombëtar, për zhdukjen e kundërshtarëve politikë. Vetë termat “spastrim i krahinave” dhe “zhdukje të kundërshtarëve”, rrëfejnë për strategjinë ultrashoviniste të emisarëve të Beogradit në Shqipëri, madje janë të njëjta me përkufizimet dhe orientimet antishqiptare të formuluara nga Çubriloviçi për shqiptarët e Kosovës: “T’i spastrojmë krahinat nga shqiptarët, t’i zhdukim ata qysh gjatë luftës”. E sqaron mirë këtë strategji kundrejt nacionalistëve shqiptarë, mjeshtri i luftës civile në Shqipëri, D.Mugosha: “Ndërsa prisja ardhjen e Hysni Kapos, u propozova shokëve që të nxirrnim një trakt kundër Ballit Kombëtar, në të cilin të sulmoheshin ashpër udhëheqësit e kësaj organizate si tradhtarë të popullit dhe shërbëtorë të pushtuesit, si edhe t’u bëhej thirrje fshatarëve të mashtruar të veçoheshin prej tyre dhe t’i qëronin hesapet me ta”.( D.Mugosha, shënime nga punët në Shqipëri, rev.Nin 1971). Mehmet Shehu, i zbatoi me përpikëri udhëzimet e D.Mugoshës, jo vetëm në luftën për zhdukjen e kundërshtarëve politikë, por edhe në pushkatimin masiv të robërve të luftës, gjë që përbënte një shkelje të ligjeve të luftës dhe të humanizmit, por edhe të konventave ndërkombëtare. Më 2 prill 1943, pas një lufte të përbashkët të forcave të Ballit Kombëtar të komanduara nga Isuf Luzaj dhe forcave partizane të Çetës Plakë të Vlorës të komanduar nga Neki Ymeraj, kundër italianëve në Selenicë, italianët u thyen duke lënë 83 robër, oficerë dhe ushtarë. M.Shehu, që arriti aty nga fundi i betejës, i mori dhe i pushkatoi 83 robërit italianë në luginën e Romësit. Vlas Arapi (Pelivani), kuadër i Brig.I, që arriti atje pas masakrës, i tha Mehmetit: “Këta pushkatove ti? Trimëri të madhe paske treguar!” M. Shehu iu përgjigj: “Kjo s’është asgjë me ato që kam parë unë në luftën e Spanjës. Atje janë derdhur lumenj gjaku… (Kush ishte Vlas Arapi, Tiranë 2000). Po ashtu, në Malin me Gropa, E.Hoxha dhe M.Shehu, që ishin në Labinot bashkë me Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën etj., urdhëruan masakrimin dhe pushkatimin e 130 oficerëve dhe ushtarëve italianë të vetëdorëzuar te forcat partizane.

Këtë masakër e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë (edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative.” (M.Shehu, Letër Shtabit të Përgjithshëm, 29 tetor 1943). Në tetor të vitit 1943, Brigada I S mësyu Lushnjën. E thotë vetë M.Shehu: “Kur ishim në Dumre, unë u nisa me dy batalione të Brigadës I dhe me tre mortaja për të përballuar bashibozukët e Isa Manastirliut, Tefik Cfirit… Kur shkova pranë Lushnjës, ballistët ishin në Myzeqe, kështu që bëmë përgatitjet për t’i rënë Lushnjës”. Siç pohohet edhe nga ky dokument, në vendin e luftimit nuk kishte në këtë kohë as italianë dhe as gjermanë, por çeta të Ballit Kombëtar. Beteja u zhvillua te kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem, më 21 tetor 1943, kundër forcave nacionaliste të Tefik Cfirit dhe të Isa Manastirliut. Mehmet Shehu shkruante: “U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë” (AQSH, F.41, D.32 V1943). Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65 robërve, që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm, bujq nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese (vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, me pseudonimin Sali Murati. Këtë masakër e pranon edhe vetë komandanti i Brigadës I Sulmuese, M.Shehu në një letër-autokritikë drejtuar Shtabit të Përgjithshëm: “Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, e kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte të pushkatoheshin 10-20 ballistë nga më përgjegjësit…Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do t’i zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalisht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem më i matur e të mos lë të tërhiqem nga sentimentet dhe buçitjet e çastit, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.” (AQSH, F.41, D.32 V.1943)

Sipas dëshmive të Xh. Staraveckës, i pranishëm në këtë masakër kolektive, pushkatimet u urdhëruan nga Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha, i cili ishte i plotfuqishëm në Brigadën I. Dushani i tha Fiqeret Sanxhaktarit se Mehmeti po pushkatonte më tepër “lafshëpaprerë”. I numëruan si bagëtitë dhe rezultoi ashtu. Mehmeti largoi nga rreshtimi i ekzekutimit 10 “lafshëpaprerë”. Kështu pushkatoi 65 robër, të cilët bashkë me 12 të vrarët në përpjekje dhe tre të tjerëve që M.Shehu i mori me vete dhe i pushkatoi, numri i këtyre viktimave arriti në rreth 80 vetë. Kjo është masakra më e madhe e kryer nga komunistët, që përbën një krim kundër njerëzimit: vrasjen e robërve të luftës.

A mund të na i përmendni emrat e atyre që u pushkatuan?

Po, madje sipas fshatrave: Prej katundit Remas: Rako Nako, Bani Lika, Ramë Koçi, Prof Gjata, Qazim Pina. Kryekuq: Murat Malsori, Hysen Ismaili, Osman Plaku, Hamdi Çoku, Shyqyri Leka. Shënkollas: Tafil Doka, Daut Gjata, Haxhi Dedej. Grabian: Ndin Ndoni, Gaqo Ndoni. Çiflig: Beqir Cani, Sabri Bullari, Tafil Llusha, Roç Llusha, Ymer Bullari, Haxhi Sina, Arif Halili. Prej katundit Kalosh: Shemsi Arapi, Cen Arapi, Nazif Qylafi. Prej katundit Gur: Selim Kuqi, Til Bello. Nga fshati Shënepremte: Haxhi Murrizi, Kadri Murrizi, Avni Murrizi, Hysen Murrizi, Ismail Murrizi. Sulzotaj: Trifon Gjeko, Alush Kasemi, Met Kasemi. Prej fshatit Biçak: Asllan Vrapi, Elmas Xhepa, Arif Muça, Rakip Xhepa, Bajram Agushi, Shaqir Sula, Çaush Xhepa, Shaban Sina, Haxhi Sina dhe Ndoni Sako, Fani Trungu, Gori Todi, Jani Gjeka, Jorgji Gjoni, Jorgji Lala, Kozma Zhuka, Ibrahim Luzha, Nasi Zhuka, Koli Tashi, Kristo Shkoza, Loni Bita, Llazi Prifti, Lili Shkoza, Mihal Bita, Nasi Janko, Nasi Sako, Nasi Zaho, Perikli Prendi, Pali Zaka, Ristan Bani, Simon Gjini, Stefan Prendi, Todi Gjurgji, Vasil Përboti, Myslim Bedalli, Bajram Jeshili, Mehdi Pirra, Ruho Nako, Hysen Dupi, Latif Karafili, Muharrem Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Isuf Buzi, Ramazan Kofsha, Shefik Tota, Gori Lala etj. (AQSH F.41, D.32 v.1943 dhe “Gjëmat e Komunizmit).

Përse gjithë ky debat rreth dekorimit të Ballit nga presidenti Bujar Nishani? Realisht, janë viktima apo martirë?

Viktima quhen njerëzit që vriten aksidentalisht dhe që nuk kanë ndonjë meritë të veçantë. Ndërsa 65 të pushkatuarit e Myzeqesë ishin luftëtarë, që kishin marrë pushkët dhe luftonin për një kauzë nacionaliste, të udhëhequr nga komandantë antifashistë si Tefik Cfiri, i cili kishte drejtuar disa luftime të Ballit Kombëtar kundër italianëve dhe gjermanëve në Mallakastër, siç ishte beteja e përbashkët e Ruzhdijes, 13 mars 1943, kundër pushtuesve fashistë, ku ra dëshmor edhe ballisti Jashar Cakrani dhe partizani Hysen Kaja, dëshmori i parë i Myzeqesë; lufta e Luarit, qershor 1943, ku ra dëshmor komandanti Selfo Hekali; lufta kundër gjermanëve në Patos, shtator 1943 etj. Po ashtu, komandanti Isa Manastirliu, antifashist, kishte marrë pjesë me çetën e tij në betejën e Qafë-Shtamës më 4 gusht 1943 kundër italianëve, organizuar menjëherë pas Marrëveshjes së Mukjes nga Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, nën komandën e Abaz Kupit. Pra, këta luftëtarë nacionalistë, që u pushkatuan nga Brigada I, nuk ishin viktima në kuptimin e ngushtë të fjalës, por martirë. Ndaj Presidenti i Republikës i nderoi si martirë.

Ka zëra, sidomos nga ana e politikës, se ata kanë bashkëpunuar me fashistët dhe nazistët, si pjesë e Ballit Kombëtar. Ju, si mendoni?

Në Golem të Lushnjës, ku u zhvillua beteja, nuk kishte as italianë dhe as gjermanë. Këtë e pranon edhe vetë M.Shehu. Po të ishin mbështetur nga gjermanët, forcat balliste nuk do të kishin pësuar atë disfatë në atë betejë, ku nga 400 ballistë, u vranë 15 vetë, u zunë robër 170 të tjerë dhe u pushkatuan 65 robër. Edhe dokumentet gjermane dëshmojnë se lufta u zhvillua në mes partizanëve, që sulmuan, dhe nacionalistëve, që u tërhoqën. Në dokumentin e Divizionit 1000 me titull “Negociatat me kapobandat në Berat” më 19 shtator 1943 ndërmjet oficerit gjerman Reister dhe komandantit partizan të Beratit, Neshat Hysi, ky i fundit i kërkoi për ta marrë Lushnjën me ndihmën e gjermanëve, siç kishte ndodhur edhe në Fier (Kompromisi i Gjin Markut dhe Neshat Hysit me gjermanët në Fier, i dënuar edhe nga E.Hoxha).

Sa për përcaktimin se Balli Kombëtar ka bashkëpunuar me fashistët dhe nazistët, ky është një përcaktim politik, johistorik dhe propagandistik i Enver Hoxhës dhe i emisarëve jugosllavë, për të diskretituar Ballin Kombëtar dhe për të mashtruar popullin, reminishencë enveriste që vazhdon edhe sot. Enver Hoxha, ky manipulator i madh i historisë, ngriti dhe lartësoi mitin e Luftës Nacionalçlirimtare, si luftë e vetme e popullit shqiptar kundër pushtuesve nazifashistë, duke mohuar dhe duke i quajtur armiq e tradhtarë gjithë faktorët e tjerë të luftës antifashiste. Qëllimi i tij ishte që të monopolizonte luftën antifashiste, për të monopolizuar edhe pushtetin, që do të vinte pas luftës, pushtetin e vetëm absolut të tij dhe të PKSH. Këtë qëndrim politik e përqafoi dhe u përpoq për gjysmë shekulli ta impononte e ta publikonte me të gjitha mënyrat e mjetet historiografia komuniste, për të justifikuar pushtetin monist. Këtë mit e mbrojnë edhe sot disa politikanë dhe historianë, që kanë lidhje të pashkëputur me ideologjinë e së shkuarës, por që kanë edhe synime që ta shfrytëzojnë ende potencialin njerëzor të Luftës Nacionalçlirimtare për interesa politike dhe elektorale. Në fakt, Lufta Nacionalçlirimtare është pjesë e luftës antifashiste të popullit shqiptar, siç është edhe lufta antifashiste e çetave të Ballit Kombëtar, Legalitetit, lëvizjeve Kryeziu e Muharrem Bajraktari dhe të aktorëve të tjerë, për aq sa kanë kontribuuar. Kam vlerësim për luftëtarët dhe dëshmorët partizanë, po ashtu edhe për luftëtarët dhe dëshmorët nacionalistë, që luftuan dhe ranë për Shqipërinë.

Marrëveshja kombëtare e Mukjes për një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve Antifashistë, për një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike dhe popullore, në këtë kah, ishte një dëshmi se faktorët antifashistë ishin për bashkim dhe luftë të përbashkët çlirimtare. Balli Kombëtar ishte një partner i luftës antifashiste, ndërsa prishja e Marrëveshjes së Mukjes, dëshmoi përcaktimin e PKSH në luftën për pushtet dhe komunizëm, duke luftuar dhe asgjësuar gjithë kundërshtarët politikë. Prishja e njëanshme e marrëveshjes së Mukjes, ishte një akt tradhtie nga ana e PKSH dhe e Enver Hoxhës, dhe jo nga ana e Ballit Kombëtar. Balli Kombëtar lindi si një organizatë nacionaliste dhe alternativë antifashiste në ditët e para të pushtimit fashist. Ai u udhëhoq nga Mid’hat Frashëri, një figurë e madhe atdhetare. Nuk ekziston asnjë dokument, as në arkivat shqiptare apo të huaja, që Mid’hat Frashëri të ketë bashkëpunuar me okupatorët nazifashistë, të ketë bërë marrëveshje me ta. Çetat e Ballit Kombëtar kanë luftuar edhe kundër italianëve në dhjetëra beteja, si në Gjorm të Vlorës, komanduar nga Hysni Lepenica, në Dukat të Vlorës nga Maliq Koshena, në Pocestë dhe Floq të Korçës, komanduar nga Safet Butka, në Greshice, Selenicë, Ruzhdie e Luar të Mallakastrës, komanduar nga Tefik Cfiri, Besim Belishova, Rauf Fratari, në Kiçok e Kuqar të Tepelenës, në Skrapar e Berat, komanduar nga Abaz Ermenji, në Reç të Shkodrës, komanduar nga Jup Kazazi, në Gorë komanduar nga Demir Staravecka, e të tjera. Po ashtu luftime kundër gjermanëve, në Barmash, Kolonjë, komanduar nga Safet Butka dhe Qemal Burimi, në Llogara, komanduar nga Skënder Muço, në Qafë-Thanë nga Abdulla Alarupi, në Vlorë (Drashovicë, Mavrovë, Grapsh, Bestrovë. Llakatund, Risili nga Balli Kombëtar i Vlorës), në Prezë e Burizanë nga Abaz Ermenji etj. (Sipas Memorandumit dërguar Konferencës së Paqes në Paris nga Mid’hat Frashëri, Lec Kurti dhe Vasil Andoni, 28 korrik 1946). Për hir të së vërtetës historike, duhet thënë se pati një periudhë ndërprerjeje të luftimeve të çetave të Ballit Kombëtar, me anë të qarkores së Mid’hat Frashërit të datës 7 tetor 1943, për shkak se ato ishin vënë në mes të dy zjarreve, zjarrit nazist dhe atij komunist përgjatë Luftës Civile. Në këto kushte, përballë rrezikut të dyfishtë, Mid’hat Frashëri porosiste komitetet krahinore të Ballit Kombëtar për një pezullim të përkohshëm të veprimeve luftarake kundër ushtrisë gjermane: “Meqenëse vendi ynë sot ka nevojë më të ngutshme për rregull dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar porositen që me të arritur kjo qarkore, të pezullohet çdo operacion luftarak kundër forcave gjermane tash për tash”.(AQSH, F.270/AP v. 1943). Ky dokument, veç të tjerash, dëshmon se deri në atë moment (7.10.1943), kur është lëshuar ky urdhër pezullimi, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë. Për t’iu rikthyer luftës kundër gjermanëve në Prezë, Burizanë etj. Pra, kurrsesi nuk mund të quhet bashkëpunim. Mid’hati nuk lidhi as marrëveshje, as bëri paqe me gjermanët. E pohon vetë ai, kur u drejtohet aleatëve britanikë: “Të gjitha propozimet e bëra nga autoritetet gjermane për të pasur mirëkuptim, u refuzuan në mënyrë kategorike nga ana jonë” (Dok. Britanike, Apel Aleatëve, korrik 1944). Në këtë moment, Mid’hat Frashëri përcaktonte si rrezik të momentit atë të mësymjes komuniste, që ishte hedhur në ofensivë kundër nacionalistëve dhe gjithë forcave të djathta. Nuk mund të mohohet se individë të organizatës së Ballit kombëtar, të vënë përpara mësymjes dhe terrorit komunist, bashkëpunuan me gjermanët, si Ali Këlcyra, Kadri Cakrani etj., ashtu siç bashkëpunuan me gjermanët edhe elementë të Nacionalçlirimtares si Gjin Marku, Neshat Hysi etj. Por bashkëpunimi më i madh dhe më i dëmshëm për Shqipërinë, ishte bashkëpunimi me komunistët jugosllavë gjatë dhe pas luftës. Emisarët jugosllavë Mugosha, Popoviç, Tempo e të tjerë, nxitën luftën civile në vendin tonë, për t’i vënë shqiptarët kundër shqiptarëve, për ta kthyer Shqipërinë në tokë të djegur dhe për ta tërhequr pas qerres jugosllave, si edhe për të kryer ripushtimin dhe masakrimin e Kosovës.

Përse historia e Shqipërisë është ende e patrajtuar shkencërisht?

Sepse atë e kanë imponuar politikanët dhe e kanë deformuar historianët puthadorë të regjimit komunist për interesa politike, ideologjike dhe pushteti. Korrigjimi i historisë është një nga detyrat më të rëndësishme të kohës sonë. Atë mund ta bëjnë studiuesit dhe historianët e paanshëm dhe të paangazhuar në politikë, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe interpretimit shkencor të tyre.

Please follow and like us: