Albspirit

Media/News/Publishing

Klubi Karavasta: Shqipëria e absurdit të Maks Velos

 

Është promovuar dje romani më i ri i Maks Velos. “Klubi Karavasta” është libri që autori e ka shkruar fillimisht në formën e një novele, ndërsa 12 vjet më pas vjen i pasuruar me ngjarjet e rëndësishme dhe dramatike të Shqipërisë, mes viteve 1992 – 2002. Ky libër lindi si nevojë për të rrëfyer tmerret e diktaturës

Revolta e ndezur, kur ndjeu shpërfilljen nga dyert ku trokiti për të kërkuar të drejtën e autorësisë, pasi e bëri publike se skenari i filmit “Bota” ishte në fakt subjekti i një novele të tij, botuar më 2004-ën, bëri që “Klubi Karavasta” të vinte në formën e një romani.

Historia e një komunitetit të internuarish në fshatin Mesas, në zonën e kënetës, në Karavasta vjen e zgjeruar në kohë, ngjarje dhe personazhe pas dymbëdhjetë vitesh.

Si një fill i tejpashëm, ngjarjet lidhen me njëra-tjetrën aty ku qenë mbyllur në librin e parë, karakteret marrin frymë aty ku e patën ndërprerë. Stili mbetet po ai- i kursyer e lakonik, por tejet vizual. Është forma dhe përmbajtja e një romani modern. Proza e tij është një ikje, thyerje nga romani klasik.

Mos prisni të gjeni një subjekt, personazhe të mirëkornizuar, zhvillime ngjarjesh që arrijnë pikën kulmore dhe një fund që përçon mesazhin e autorit.

Gjatë promovimit të librit ditën e djeshme në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës, Maks Velo tha se ky libër erdhi si nevojë për të dëshmuar tmerret e diktaturës. Por përtej kësaj, libri mund të ishte fare mirë historia e re e Shqipërisë.

Drejtorja e Botimeve “UET Press”, Valbona Nathanaili, botuesi Henri Çili dhe arkitekti Arben Biçoku vlerësuan jo vetëm prozën e Velos, por edhe personalitetin e tij poliedrik si arkitekt, piktor, publicist dhe shkrimtar.

Në librin e Velos – që vjen në logon e botimeve “Mapo Editions”, në javën përpara Panairit të Librit – të gjitha personazhet janë protagonistë. Protagonistë që kumtojnë të vërteta universale. Nuk ka rëndësi nëse është plaku Andrea – ose Maksi i letrarizuar, është Nora, janë peshkatarë, janë burra në pijetore, fqinjë që pinë kafe turke, ish të internuar tashmë në emigracion…

Duke qenë arkitekt, Velo ka përdorur mjeshtërinë e tij për të përshkruar me saktësi të imët strukturën e ndërtesave po aq sa edhe strukturën e qenies njerëzore…

“Ishte e vështirë të përcaktoje se çfarë ishte. Nuk mund ta quaje as fshat, as qytezë. E quanin fermë, po as fermë tamam nuk ishte, më shumë ishte një pjesë ferme domethënë, vetëm pallatet e fermës; vetëm pallatet, kurse drejtoria, shkolla, infermieria ishin më vete diku nga fusha. Ishte një bllok banesash, gjithsej dymbëdhjetë pallate trekatëshe të ngritura në mes të fushës…”.

Skelete betoni, bunkerë, kënetë…

Mjafton kaq për të krijuar mizanskenën e një skenari post-apokaliptik të një fushe të zbrazët që lulëzon vetëm me bunkerë dhe lexuesi arrin të shohë sa nga lart i distancuar prej ngjarjeve, por aq edhe brenda nën lëkurë absurdin që rrethon personazhet e këtij libri.

Banorët e asaj zone dhe peizazhi shkrihen dhe përzihen me zymtësinë e njëri-tjetrit.

Ajo çka e bën librin e Maks Velos një roman absurdi është forca thithëse e kënetës, që nuk i lë banorët të largohen prej saj, as pasi regjimet kanë ndryshuar, as pasi diktatura ka rënë.

Si në një laborator, ata e kanë të pamundur të gjejnë një habitat të ri, lidhjet me të shkuarën, me botën e gjerë kanë humbur.

Por fabula e Maks Velos nuk qëndron vetëm aty; tek ato krijesa të vogla që si të ishin duke mësuar disa reflekse të reja pavlloviane rreken të përshtaten me kohën dhe regjimin e ri.

Fati apo fatkobi i tyre është harresa prej botës së madhe.

Hapi i parë i përshtatjes është ekonomia e tregut. Të gjithë që i shesin gjithçka të gjithëve. Të gjithë që duan t’i përshtaten ekonomisë së tregut, pastaj ekonomisë së fajdeve. Vjeturina që shiten e blihen dhe e vetmja që nuk lëviz është një karakatinë me çati kashte, tavolina e karrige plastike, e klubit “Karavasta”.

Shpirtra të vegjël të zhytur në llucën e Mesasit…

“Klubi Karavasta” nga ka marrë edhe emrin libri është agora e këtij komuniteti. Aty të gjithë bëhen të kthjellët për gjendjen që i kaplon, për atë thithje të errët të baltës së kënetës, por askush nuk mund të bëjë asgjë për t’i ikur. Si të ishte një ligjësi fizike, së cilës vetëm duhet t’i bindesh.

Ndërsa lexon nuk ka më rëndësi se cili është personazhi që flet, ku ndahen dhe dallohen ata në ligjëratë. I rëndësishëm është vetëm kumti. Velo futet në ndërgjegjen personale e kolektive duke artikuluar të vërtetat.

Parabola e Velos shtrihet përtej Mesasit, e kalon Karavastanë, kënetën, tokën e kripur dhe shterpë…

Absurdi i tyre është absurdi i Shqipërisë, me të njëjtat nota çmendurie gjatë dhe pas diktature. Ç’mund të bëjnë njerëzit me lirinë? A e duan këtë kinse liri për t’u gjetur si kuaj pa fre buzë një gremine?!

Brenda faqeve të këtij libri shpaloset historia e vjetër dhe ajo e re e Shqipërisë. Histori personale të internuarish, viktimash të burgjeve, të mbijetuar, njerëz me vraga të pashërueshme, po ashtu edhe historia e re me nisjen e një periudhe tranzicioni që zgjat e zgjat duke u futur në të tjera cikle.

Nga shitja e çikërrimave, modë e viteve të para ’90 , ku të gjithë shqiptarët e gjetëm veten nga pak tregtarë, te histeria kolektive e ’97 , Maks Velo shkon përtej në këtë pjesë të dytë të librit.

Ai e vazhdon ku e pat lënë më 2004-ën për të sjellë pjesën tjetër të historisë. Nëse në ’97 ishin në modë kallashnikovët tashmë janë kallëpe dinamiti apo tritoli dhe jo vetëm për të peshkuar. Transformimi i “zhvillimit” të këtij vendi në tranzicion kuptohet fare mirë nga figura e një çalamani. Ai shet brisqe, armë, është lajmës i të rejave dhe fatkeqësive. Mbase i vetmi i vetëdijshëm për realitetin që rrethon këtë vend, këta njerëz.

Velo ironizon sferën politike, ndërsa sjell Internacionalen Komuniste të mbajë Kongres në Mesas. Gjithçka ngjan tragjikomike. Papritur një vend i papërfilluar nga pushteti vendës bëhet i rëndësishëm për sytë e botës. Krahasimi mund të ishte fare mirë më i gjerë.

Në pjesën e dytë plaku Andrea si një kronikan sjell vuajtjet e viktimave të komunizmit.

Por mjeshtëria dhe zgjuarsia e autorit e ka bërë që të mos bjerë në patetizëm. Dëshmitë e ferrta të diktaturës vijnë në formë ditari ngjarjet përshkruhen fuqishëm, por shkurt. Mjaftojnë qoftë edhe disa rreshta për t’u transportuar në kohë e për të kuptuar se ç’ishte vërtet ai regjim, edhe për njerëzit që nuk e kanë jetuar.

Ende plagët janë të hapura dhe Maks Velo si një i mbijetuar i atij sistemi, atyre burgjeve është dëshmitari më i mirë, por nuk kërkon të shkaktojë te lexuesi mëshirën përmes përshkrimeve. Më shumë se kaq, ai kërkon të dëshmojë.

Në planin psikologjik ai shpalos marrëdhënien e viktimës me dhunuesin, krijimi i një simbioze patologjike, që edhe pse të ndarë në kahe të ndryshme, qartazi, ata duket se nuk marrin më kuptim pa njëri-tjetrin. Viktima nuk mund të jetojë dot pa dhunuesin dhe anasjelltas. Këtë e sjell përmes Norës, personazhit të tij, e cila ka emigruar në SHBA. Edhe atje ajo rrëfen se si torturuesit e regjimit kanë thuajse të njëjtin efekt siç kishin dikur gjatë diktaturës.

Nora rikthehet dhe duket sikur këneta e thërret. Si një thirrje të lashtësh.

“…Ja, ju mama Margarita, ti Nora u kthyet, sollët edhe Elsën e vogël… kjo tokë na ngushëlloi në momentet më të vështira… KARAVASTAJA… Toka e izolimit bëhet edhe ajo e ngushëllimit”.

Si një pikë identiteti dhe kthimi.

Megjithatë Velo tregohet optimist në fund. Nora shtriu dorën, ia vuri mbi sup dhe i tha: “Shiko Elsa, shiko vargun e pelikanëve…! Kështu ka filluar jeta mbi tokë. Këtë vetëm këtu mund ta shikosh dhe ta kuptosh…”.

Një flatrim pelikanësh, simbol i ikjes, i çlirimit do të thotë se ka ende shpresë për ta shëruar të kaluarën e për t’i ikur tranzicionit absurd.

Mbase na duhet një klub, një agorë, ku të gjithë të jemi të lirë të flasim të vërtetat tona, të vetëdijesohemi për gjendjen dhe t’i thyejmë pak ligjësitë, që nuk janë fizike.

Please follow and like us: