Britania e Madhe dhe akti i parë i tradhtisë
Dalja e Britanisë së Madhe nga BE, është komplikuar. Plani i kryeministres britanike Tereza Mei, për të aktivizuar procesin e daljes nga BE në mars të vitit 2017, është përmbysur nga vendimi i Gjykatës së Lartë. Vendimi nuk lejon që qeveria britanike të aktivizojë procesin e daljes, pa marrë miratimin e parlamentit. Por, çfarë pritet të ndodhë dhe a mund të konsiderohet ky vendim i gjykatës, një pengesë reale për daljen e Britanisë së Madhe nga BE ?
Rezultati i referendumit britanik për daljen nga BE, detyronte autoritetet britanike të aktivizonin nenin 50 të traktatit të Unionit. I papërgatitur mbi një rezultat të mundshëm negativ dhe pa një program konkret mbi mënyrën e daljes nga BE, ish kryeministri britanik Kameron dha dorëheqjen, duke e kaluar stafetën tek kryeministrja e re e emëruar, Tereza Mei. Kjo e fundit, konfirmoi publikisht se aktivizimi i nenit 50 ishte “kompetencë ekskluzive” e qeverisë dhe se do të kryhej në muajin mars të vitit 2017. Por, vendimi i Gjykatës së Lartë, ka përmbysur planin e qeverisë britanike, që e konsideron këtë proces si një kompetencë ekskluzive, duke hapur dritën jeshile për marrjen e miratimit nga parlamenti britanik. Qeveria britanike ka deklaruar se vendimi do të apelohet, çka mund të shtyjë më tej procesin në kohë (dhjetor 2016-janar 2017 koha e mundshme për gjykim), por ekspertë dhe juristë të ndryshëm britanikë e shikojnë dhe e vlerësojnë të vështirë përmbysjen e këtij vendimi.
Çfarë pritet të ndodhë ?
Në vetvete, vendimi i gjykatës nuk rrëzon vendimin popullor për daljen e vendit nga BE. Ai thjesht hap rrugën që në këtë proces të merret miratimi nga të deleguarit e sovranit, pra të parlamentit britanik. Kjo, në rast se vendimi nuk do të përmbyset nga apelimi, nënkupton se aktivizimi i procesit të daljes, nuk mund të kryhet në muajin mars 2017, pasi nevojitet autorizimi nga parlamenti që nënkupton zgjatjen në kohë të këtij procesi.
Juristë të ndryshëm vlerësojnë se, edhe pse vendimi i gjykatës nuk specifikon konkretisht mënyrën se, si duhet të shprehet parlamenti, hipotezat shkojnë drejt mundësisë për miratim të një ligji të ri, ku parlamenti do të autorizojë qeverinë britanike të aktivizojë gjithsesi procesin e daljes.
Por, hapja e këtij shtegu, sjell dy elementë të rinj: fleksibilitet dhe kohë. Së pari, kemi hapjen e një mundësie për reflektim nga parlamentarët britanikë. Nga njëra anë, edhe pse shumica e tyre, ka dëshiruar qëndrimin e vendit në BE, logjika e votave popullore imponon që ato të mos dalin nga kjo kornizë, pra të qëndrojnë në linjën e vullnetit popullor të shprehur. Por, nga ana tjetër, futja e parlamentit në këtë proces, hap mundësinë për manovrim. Manovrim, që edhe mund të ndryshojë rrjedhë, në rast të rritjes së presioneve që mund të vijnë nga mekanizma të ndryshëm socialë, apo edhe influencave të pashmangshme politike, duke përfshirë edhe faktorë të jashtëm të interesuar për bllokimin e Brexit.
Pikërisht në këtë pikë, shtrihet edhe “tradhtia” që po bëhet ndaj popullit britanik, sipas ish kreut të UKIP, Najxhël Farazhe. Në një komunikim në rrjetet sociale, ai ka paralajmëruar ditën e djeshme, mbi një “tradhti të madhe që është në proces”, pasi sipas tij: “Parlamentarët që kanë votuar për qëndrimin e Britanisë së Madhe në Union, do të bëjnë gjithçka që munden në Parlament, së pari për të vonuar aktivizimin e nenit 50 dhe më pas për të bllokuar të gjithë Brexit.”
Edhe pse nga një këndvështrim ekstremist, vendimi i gjykatës britanike konsiderohet si akt i lartë tradhtie, ai i hap rrugën një mekanizmi demokratik, duke rritur përgjegjshmërinë e vendimmarrjes demokratike, në momente kyçe strategjike. Gjithsesi, në rast se vullneti i parlamentarëve do të qëndrojë në linjën e vullnetit popullor, atëherë ato kanë mundësinë që nëpërmjet zgjatjes në kohë të procesit të kërkojnë të njihen me strategjinë e qeverisë mbi negociatat që do të kryejë me Unionin për dalje, duke përfshirë edhe mundësinë e një strategjie dalje jo të “ashpër” siç dëshiron qeveria britanike.
Ndërkohë qëndrimi i Unionit vazhdon të ngelet në të njëjtat linja, se duhet të aktivizohet sa më shpejt mekanizmi i daljes, pra neni 50 i Traktatit të BE-së. I zgjedhuri i Parlamentit Evropian për të kryesuar negociatat, që pritet të zhvillohen mes palëve pas aktivizimit të mekanizmit, belgu Gi Verhofshtad ka deklaruar se, është e rëndësishme përfshirja e parlamentit në procesin e tërheqjes së Britanisë nga BE, pasi “vëzhgimi parlamentar nga të dy anët do të sigurojë një marrëveshje përfundimtare më të mirë për qytetarët e BE-së dhe qytetarët e Britanisë së Madhe”.
Një tërheqje inteligjente e qeverisë, në rast se Gjykata Supreme shprehet gjithashtu po si edhe Gjykata e Lartë kundër qeverisë, do të ishte mënyra më ideale, për të nxjerrë vendin nga tensioni politik dhe ekonomik, në të cilën është futur pas Brexit, duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por, gjithçka varet nga vullneti i konservatorëve, nëse dëshirojnë të mbajnë pushtetin duke nxjerrë vendin nga BE, apo dëshirojnë të mbajnë vendin në BE, duke lënë pushtetin ! Logjika e votës popullore që duhet respektuar, nga njëra anë, nuk është shumë e qëndrueshme, për sa kohë terreni politik dhe propaganda janë bazuar në mashtrime dhe gënjeshtra të hapura, të cilat jo vetëm nuk ndëshkohen, por inkurajohen dhe simulohen, dhe nga ana tjetër në rast se qeveria do të kërkonte respektim të vullnetit popullor, përse kundërshton me insistim që pikërisht deleguesit e vullnetit popullor, pra parlamentarët, të mos marrin pjesë në këtë proces?!